BREAKING NEWS

Tronditet futbolli, ndërron jetë legjenda Diego Armando Maradona

Tronditet futbolli, ndërron jetë legjenda Diego Armando Maradona
x

Opinion / Editorial

Vota e amerikanëve refleksion kulture e dinjiteti

Vota e amerikanëve refleksion kulture e dinjiteti

Jo me kot themeluesit e Amerikës, ishin për të shmangur demokracinë e drejtpërdrejtë, e cila sipas tyre do të ishte e barabartë me sundimin e turmës. Kështu ata vendosën që qytetarët e secilit shtet, të votojnë për zgjedhësit, që me të drejtën e tyre zgjedhin presidentin. Nuk është aspak çudi që të themi se të parët e Amerikës u bazuan tek Kushtetuta e Ciceronit në Romën e lashtë, që ishte për një qeveri të ekuilibruar, me kufizime të kujdesshme kontroll e balancë. Sot modelet e dy kështjellave të demokracisë në SHBA dhe Britaninë e Madhe, janë bazuar në këtë Kushtetutë mbi 2 mijë vjeçare, ku mësimet e Ciceronit u bënë baza e edukimit të tyre. Në këtë model fjalën e thotë vota e sovranit, që bën zgjedhjen e tij, jashtë ndikimeve partiake siç ndodh rëndom në Shqipëri. Qytetarët amerikanë duke folur me votën e tyre për secilin kandidat, evidentuan një tjetër sukses dinjitoz në zgjedhjet e radhës. Nëse fushata mori tone të ashpra deri dhe fyese, ato nuk e ulin prestigjin dhe vlerat demokratike të kombit amerikan. Është e natyrshme që në të tilla zgjedhje, ashpërsia e luftës politike me leksik deri dhe banal, i kalon normat e moralit të fushatës, por është vota e sovranit që vendosi, se kush president do të ulet në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë vlerësimet e karakterit negativ e pozitiv të natyrës së fushatës nuk munguan, por pati dhe vlerësime inkurajuese, siç ishte ai i Bankës J. P. Morgan, e cila i cilësoi këto zgjedhje si më dinjitozet në histori, pavarësisht nga turbulencat e të dy palëve. Por në këto zgjedhje u vu re që kandidati demokrat Joe Biden, ka qenë gjatë gjithë fushatës në avantazh, përballë presidentit aktual Trump. Pavarësisht nga deklarimet e opinionit pro dhe kundër, qëndrimi dinjitoz i kandidatit demokrat Joe Biden, ishte në sinkron me sintezën se bota do të organizohet vetvetiu. Këtë ide ai e ka shprehur edhe në revistën "Foreign Affaris". Po çfarë do të ketë në qendër të strategjisë administrata e re e demokratëve? I gjithë stafi shoqërues i tij si dhe ish-administrata e Obamës, mendojnë se Biden do ta kthejë Amerikën në krye të tryezës botërore të politikës. Ata mendojnë se Amerika, nuk do ta ndryshojë në mënyrë radikale strategjinë e politikës së jashtme, por do të jetë përballë sfidave të erës së fuqive të mëdha. Një tjetër garanci për ekonominë mendojnë ata, se nuk do ta ulë buxhetin prej 700 miliardë dollarësh. Strategjia e administratës së re, do fillojë me angazhimet globale, kundër ndryshimeve klimatike, ku administrata e mëparshme nuk bëri asnjë përçapje. Një ndër drejtimet kryesore të punës së administratës, do të jetë sfida me pandeminë, si një rrezik eminent i shëndetit publik, kërcënimet globale dhe ekonomia. Shtyllat kryesore të politikës së jashtme, do të shndërrohen në tre D; Domestik, Deterrencë, Demokraci siç shprehet znj. Marie Slaughter, ish-drejtuese për planifikimin politik në Departamentin e Shtetit. Politikanë të shumtë brenda dhe jashtë Amerikës i bëjnë thirrje Bidenit që të demilitarizojë edhe më shumë politikën e jashtme, duke shkuar tek ideja e luftës së ftohtë, në mënyrë që të marrë rrolin e humbur si fuqi superiore në botë. Ashtu siç ka deklaruar edhe në fushatë, ai do të jetë iniciator i një samiti për demokracinë, duke kërkuar nga qeveritë e ndryshme që të obligohen duke ndërmarrë aksione të reja, në luftë për të drejtat e njeriut, kundër korrupsionit si dhe ndaj regjimeve autoritare. Qëndrimi i tij ndaj këtyre regjimeve, që krahu liberal i konsideron diktator e sundimtar të korruptuar, do të jetë ndryshe nga ai i Trumpit, si ndaj Xi Jinping, Putin, Kim Jong, Erdogan, Muhamed bin Salman, Bolsonaro, Duarte, Orban etj. Në administratën e tij ka projektuar specialistë të politikës së jashtme, si Anthony Blinken, profesoreshën Marie Slaughter në Princeton University, e cila ka drejtuar për 12 vjet projektin e tij. Por në administratën e tij, nuk do të mungojë edhe ish-presidenti Obama si nën president, ndërsa Blinken si bashkëpunëtor i lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë, të cilat sipas tij i njeh mirë. Blinken ka patur detyra të rëndësishme si zv. sekretar shteti dhe sigurinë nacionale. Ai ka patur një entuziazëm të veçantë për pavarësinë e Kosovës, ku materialet janë përgatitur dhe mbikëqyrur nga Biden. Ai ka deklaruar se ka mbështetur Biden në fushatë, ngaqë ka udhëhequr kongresin në përputhje me përpjekjet për ndalimin e gjenocidit në Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë. Përveç Blinket që mund të jetë sekretar i ardhshëm i shtetit, Biden mendon që të ofrojë edhe John Sillivan, në pozitën e këshilltarit për sigurinë kombëtare, ku do të ketë në fokus Kinën, ndërsa Mischelle Flornoy, kandidate kryesore për ministre Mbrojtje. Admiruesit e politikës së tij shprehen të bindur se Biden, do të mbështesë angazhimin amerikan ndaj Europës, duke e konsideruar BE si partner të parë dhe të pazëvendësueshëm. Ai kërkon të punojë në një frekuencë me BE, duke parë se diplomatët europianë shpresojnë, se marrëdhëniet me Uashingtonin do të jenë më konstruktive se sa në kohën e Trumpit. Sipas parashikimeve politika e tij do të sjellë më shumë kontinuitet se sa ndryshime. Në këtë kontekst ai mendon që administrata e tij, të jetë më pak ideologjike në afrimin me aleatët dhe sidomos me Kinën. Ai mendon se Pekini do të jetë më i angazhuar me çështjet globale, siç janë klima dhe pandemia. Po ashtu administrata e tij mendon që marrëdhëniet me Rusinë të jenë më të ekuilibruara, me ndryshimin e qëndrimit ndaj përdorimit të armëve bërthamore. Ata propozojnë që sanksionet të përdoren në mënyrë të arsyeshme e jo taksative, duke krijuar konflikte të panevojshme në një botë që kërkon më shumë garanci e siguri. Kontaktet diplomatike do të jenë persistente, pavarësisht përplasjeve për interesa në rajone të ndryshme të botës. Kjo administratë mendon për ndryshime drastike në politikën ndaj Lindjes së Mesme, ku diplomatët izraelitë druhen se Biden do të ndalojë çdo potencial ekzistues, për përparim drejt marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite. Në projektin e saj kjo administratë, kërkon të bëjë një përmbysje në të gjitha aspektet, në politikën aktuale në Lindjen e Mesme. I gjithë konfigurimi i politikës amerikane sipas ekspertëve, do të ndryshojë në stil, por jo esencialisht në veprime. Në këtë hartë ndryshimesh, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, mbetet shumë për të bërë, për të përfituar kohën e humbur, në përfundimin e reformës në drejtësi, por edhe në atë zgjedhore, për të qënë sa më afër mendimit publik, që zgjedhjet e ardhshme të jenë pronë e sovranit dhe jo e partive politike, Qeveria shqiptare duhet të impenjohet maksimalisht, që ndihma e SHBA-së për reformat, të jetë sa më efikase dhe në shërbim të shtetit të së drejtës, të konsolidimit të demokracisë, aq shumë të dëshiruar nga qytetarët e saj. Reformat nuk duhet të mbahen peng e politikës, siç është vepruar deri tani, por duhet të çlirohen nga dogmat e saj, për t'i dhënë rrugë prioriteteve që kërkon integrimi i vendit në BE. Zgjedhjet e Amerikës le të jenë një shembull kulture, civilizimi e dinjiteti për qytetarët shqiptarë.