Lajme të tjera
BREAKING NEWS

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok Çupi lëshon ‘bombën’: Presidentit t’i hiqet …

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok
x

Opinion / Editorial

Vrasësit janë “heronjtë” e ditës

Vrasësit janë “heronjtë” e ditës

Nuk ka ditë të mos ketë vrasje. Vrasësit janë kthyer në trend, në “heronjtë” e ditës. Po dëgjojmë ngjarje të tmerrshme, që nuk ndodhin as në vendet e botës së tretë. Ngjarje të frikshme të ndodhura brenda familjes, brenda rrethit miqësor, fisnor, brenda krushqisë. Nuk ka ditë që mediat nuk pasqyrojnë në kronikat e tyre tragjedi të zeza, që nuk të besohen se kanë ndodhur, ashtu si detajohen në kronikat e televizioneve përsëritur live, në shtypin e shkruar, në portale dhe tavolina kafenesh. Janë shumë të rënda, aq sa është më mirë të mos i dëgjosh e shohësh se të bëjnë të zësh kokën me dy duar. Si është e mundur të ketë kaq shumë viktima në njerëz, si është e mundur të ketë kaq shumë vrasës, të cilët nuk e vënë kokën në kandar. Sapo shuhet jehona e zezë e një kronike të transmetuar disa herë në ditë, i vjen radha një vrasje tjetër, në një qytet, në një rrethinë. I ndodhur në këtë trysni ngjarjesh thua: jetojmë në një shoqëri demokratike apo jemi në një pyll me kafshë ku sundon ligji i më të fortit. Nuk ka ku shkon më vështirë se sa vepra penale e vrasësit Luis Saliaj, më 5 janar në Mallakastër. Nuk duam t`ia dimë se në çfarë rrethanash ndodhi ngjarja, sepse për këtë merren organet e specializuara. Ajo që ka rëndësi të veçantë për shoqërinë shqiptare, për çdo shqiptar është se një i ri ka vrarë, i ka marrë jetën një gruaje, një nëne, një amvise. Kur dëgjon së fundi se para se të kryente krimin makabër gruaja është përdhunuar dhe e kanë hedhur në një gjol me ujë. Ku po shkojmë kështu? Ku jemi nisur të shkojmë? Ku e gjejnë forcën dhe vullnetin këta njerëz që ngrejnë dorën duke i marrë jetën një njeriu tjetër. Jeta është e shenjtë dhe duhet mbrojtur. Nga kush duhet mbrojtur jeta? Kush duhet ta mbrojë jetën e gjithkujt nga ne? Pse është krijuar një tmerr i vërtetë dhe njerëzit nuk ndihen të sigurtë në punën e tyre, në jetën e tyre, në familjen e tyre? Në rast se jeta është në rrezik dhe duhet të mbrohet, ku janë ata që e kanë për detyrë të bëjnë diçka ligjore për t’i gozhduar ata që s`e kanë për gjë të vënë dorë mbi ty, mbi mua. Shqipëria jonë kërkon të modernizohet, të integrohet, t`i bashkohet popujve me demokraci të përparuar. Mirë bënë edhe në rast se është kështu. Po, përse na duhen reformat, prioritetet, konsensuset, përse na duhen ndërkombëtarët me dosje nëpër duar, kur mes nesh, në mes të ditës, jo shumë larg institucioneve të drejtësisë, jo shumë larg policisë së rendit, jo shumë larg marrëveshjes për një kod të ri zgjedhor, një djalë, një i ri i merr jetën njeriut të shtëpisë, njeriut të fisit, të gjakut të vet? Kush është arsyeja? Kujt i hyn në punë zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, apo marrjes së një vendimi të gabuar nga një trupë gjyqësore, kur krimi qëndron në këmbë dhe thërret me sa fuqi që ka: Nuk keni çfarë më bëni! Këtë thotë krimi, autori i veprës penale më të rëndë që ka njohur ndonjëherë shoqëria shqiptare. Kanë kaluar plot situata ku mosmarrëveshjet brenda llojit kanë çuar në përplasje fizike, kanë vënë në hasmëri dy ose më shumë familje apo individë, por të përdhunosh një grua dhe pastaj ta hedhësh në liqen si mbetje urbane, kjo vetëm me shqiptarët e Shqipërisë ndodh. Ky është model tipik shqiptar dhe i prodhuar në kohën e demokracisë në vendin tonë.

Ndodh kështu sepse puna për edukimin e fëmijëve është lënë mënjanë. Krimi nuk është në dorë të ligjit, ligjin e ka kapur keq krimi, ai livadhis, sepse e ka gjetur terrenin e duhur për të vepruar lirshëm. Puna edukative në familje është me mangësi të theksuara. Ka prindër që bëjnë pak kujdes për edukimin qytetar, arsimor dhe kulturor të fëmijëve duke i lënë ata mbikqyrje prindërore, pa u qëndruar afër ashtu siç bëjnë prindërit e vëmendshëm me fëmijët e tyre. Vërtet në demokraci lira e fjalës dhe mendimit janë në privatësinë e çdo shtetasi, por kjo nuk do të thotë që fëmijët të abuzojnë me të drejtën për të kryer krime, për t`u lidhur me grupe trafikantësh, duke prishur qetësinë publike në lagje, në rrugë, në qendrën e punës. Mungojnë gjatë proceset e punës për edukimin shoqëror të të rinjve problematikë. Ngaqë ndodh kështu shpesh herë ata nuk njihen, nuk janë evidentuar, nuk janë dëgjuar për kërkesat dhe nevojat e tyre për jetën, punësimin, apo për mjediset shoqërore ku banojnë dhe si i përballojnë vështirësitë. Institucionet shtetërore janë shprehur kur kanë ndodhur tragjeditë, por kjo nuk mjafton. Kërkohet punë paraprake, kërkohet një lidhje më e afërt me grupmoshat që ndikohen më shpejt nga autorë të veprave penale dhe sensibilizimi i vonuar nuk ka ndonjë efekt pozitiv. Ka edhe një dukuri, e cila ndikon fuqishëm në zhvillimin e fantazisë së adoleshentëve, pikërisht të atyre që jetojnë në rrethina dhe kanë mungesë të edukimit kulturor. Skenat horror që shohin në filma kthehen në veprime konkrete, duke e etiketuar veten si “heronj” dhe kjo i bën ata të ndërmarrin veprime konkrete, pa marrë parasysh se çdo veprim i kryer i bën ata autor të veprave penale. Logjika e tyre deri këtu shkon. Duke fantazuar skenarë të tillë kafshërorë, nuk e kanë të vështirë, as nuk pendohen se dikujt i kanë marrë padrejtësish jetën. Skenarë të tillë të realizuar nën efektin e marrëzisë, kthehen në një mori lajmesh nga mediat, duke stërholluar në detaje elementë që i bëjnë ekranet dhe faqet e gazetave të neveritshëm. Shqipëria ka plot halle të tjera ku kamerat mund të fokusohen me orë e ditë të tëra për t`i nxjerrë “ujë të zi” ministrit, kryeministrit, kryetarit të opozitës, presidentit. Një fokusim i zgjatur në kohë i bën mediat më pak profesionale, më pak të shikueshme nga publiku, i cili është tepër i vëmendshëm në arsyetimin e gjërave që ndodhin në përditshmërinë tonë. Media vërtet është e lirë të pasqyrojë jetën, me të mirat dhe të ligat e saj. Por jo çdo gjë që ndodh duhet të bëhet publike, sepse kur ndodh kështu, kur ekrani e mbush kohën e vet me detaje që prishin imazhin e një kronike profesionale, ky nuk është komunikim me qytetarët e emancipuar, të kulturuar, por bie pre e punës primitive dhe kriminalizon shoqërinë. Prezantuesi gjigant, italiani Pippo Baudo shkruan: “Televizioni është si një leckë pastrimi dyshemeje. Mbledh gjithçka që gjen dhe kur e shtrydh, del pisllëku i shoqërisë”. Shoqëria shqiptare ka nevojë për optimizëm, për pozitivitet.