BREAKING NEWS

Aksidenti tragjik në aksin Levan-Vlorë/ Viktima është një 18-vjeçar, 4 të rinj në gjendje të rëndë, Policia jep detajet e para  

Aksidenti tragjik në aksin Levan-Vlorë/ Viktima është
x

Opinion / Editorial

“Vulgkorrupsioni” sukses i demokraturës, por refuzim i shoqërisë së lirë!

“Vulgkorrupsioni” sukses i demokraturës, por refuzim i

Përditë po shtohet në mënyrë “pandemike” dhe ajo farë fushate zgjedhore e nisur prej kohësh, por që tashmë me groteskun dhe marrëzinë e saj, po dëmton shqisat dhe ndyn mjedisin kulturor të një pjese të shoqërisë që nuk identifikohet me të tillë përfaqësues të demokraturës shqiptare. Janë po të njëjtët njerëz prej tre dekadash dhe ai që e quan veten të riun ose Lulzim Basha, ka edhe ai pjesën e “hartimeve për partinë” në kohën kur ishte në gjimnaz dhe sigurisht ka qenë dhe “Pionier i Enverit” meqë thotë se do të jetë KM-ja i vetëm, jo i shkolluar në komunizëm. Imagjinoni të tjerët pjesë e “vulgkorrupsionit” të cilin demokratura e tre dekadave në Shqipëri e ka sukses të saj. Pse them “demokraturë” dhe pse them “vulgkorrupsion”? Po demokraturë them, se ne kemi medemek ligje demokracie dhe zbatim diktature të tyre. Kemi forma demokracie dhe brendi diktature dhe për më tepër kemi bashkimin e dhjetë viteve të fundit të diktaturës me fillimin e demokracisë që janë thjesht marrëzi anti ligjore dhe grabitjeve në mënyrë vulgare, folklorike dhe pa asnjë moral dhe etikë brenda. Them “vulgkorrupsion” sepse ne nuk ka nevojë të na vijë “Ndrangheta” për të na bërë të “hollë” në apalte dhe korrupsion, sepse te ne korrupsioni ka formë dhe përmbajtje vulgare, të njerëzve pa asnjë princip moral, pa asnjë edukim normal kulturor, pa asnjë cilësi familjare të mirë dhe ata që janë të arsimuar jashtë janë përfaqësues të vulgut më të keq, sepse mënyrat e tyre janë më ciniket, më të turpshmet dhe më të dukshmet në arrogancën e tyre drejtuese në bashkitë, ministritë dhe deri lart në përfaqësim, politik dhe drejtësi. Ndrangheta është e poshtër, por kurrë kaq vulgare sa këta. Pra nuk ka se çfarë vjedh dhe bën ajo më tepër, se sa “vulgkorruptivët” në Shqipëri. Nuk janë vetëm imoralë, por dhe amoralë. Po po, janë dhe kundra moralit kudo në televizione dhe politikë ku shesin perversitetin për kualitet moral, që shesin imoralitetin politik, për zotësi politike, që shesin grabitjen për aftësi kreative pasurimi. Në kulmin e kësaj piramide është “Rilindja” dhe pastaj të tjerët pas, por mbeten “vulgarë” në çdo gjë që bëjnë si moment korrupsioni gjigant dhe tragjik në shoqërinë dhe shtetin shqiptar. Janë folklorikë dhe vulgkorruptivë të pashërueshëm dhe nuk ka për t’i kuruar as drejtësia, sepse e kanë ndërtuar vetë atë dhe brenda saj ka plot “vulgkorruptivë” të cilët nuk i kanë zgjatur kaq shumë këmbët, sa t’ua shohin ndërkombëtarët. Prandaj në status kam shkruajtur: E vetmja e drejtë që kemi fituar nga diktatura është të mos votojmë. Demokracia (demokratura) shqiptare "pjata e pluralizmit të vulgut korruptiv" e servirur për t’u ngrënë me detyrim në saj të votave tona... Në qoftë se "demokraci" për shqiptarët, por dhe botën do të thotë: pikëpamjet morale, politike, filozofike të vulgut, folklorikëve dhe korruptuarve atëherë unë e refuzoj këtë regjim, nuk pranoj të votoj përfaqësuesit e këtij regjimi, nuk jam pjesë e kësaj maskarade të qelbur ekonomiko, kultural-financiare idiotësh pa skrupuj dhe ideale të lirisë. Po ky është statusi dhe absolutisht nuk është se unë kam humbur shpresën se sa kam formuar bindjen e plotë, se me vulgkorrupsionin në majë të politikës dhe krahët e saj, ne nuk kemi e para pluralizëm dhe e dyta “demokratura” është pikërisht ajo pjata e detyruar e pluralizmit shqiptar që ne duhet të hamë me zor, me urdhër dhe të votojmë po të njëjtën pjatë edhe mbas tre dekadave fatkeqe në ecurinë tonë drejt “demek” demokracisë dhe në liri të kompromentuar. Ne nuk kemi pluralizëm real, sepse të gjitha partitë nuk kanë brenda tyre demokraci dhe e dyta, kanë dalë nga po e njëjta parti e dikurshme që është PPSH. Por kanë dhe mbështetjen nga “vulgu” shoqëror që kur vjen në pushtet, bëhet “vulgkorruptiv” dhe nuk ndalet para asnjë lloj pasurimi dhe thyerje ligji, për pikërisht pasurim të padrejtë. E në këto kushte çfarë paskemi fituar ne që nga viti 1990-të? Absolutisht vetëm që mos të futemi në burg, pse nuk shkojmë të votojmë. Po pra, e vetmja fitore e jona është mospjesëmarrja në votime dhe mos pjesëmarrja në katapultimin e vulgpolitikës, vulgkorrupsionit ose mentalitetit të fundit të diktaturës, e cila shoqërinë shqiptare e mësoi të vidhte gjithçka se mungonte gjithçka dhe të gënjente për gjithçka, sepse kështu thoshte partia. Kështu bëjnë absolutisht dhe sot e kësaj dite. Por kanë shtuar në mënyre pandemike mashtrimin, gënjeshtrën dhe grabitjen, duke u justifikuar me demokracinë dhe përdorur demokraturën ose sundimin njësoj si në diktaturë me ligje demokracie. E ajo pjesë e shoqërisë ku bëj pjesë edhe unë, duhet ta votojmë këtë “gjellë” të hidhur, të shëmtuar dhe bajate, që na servirin sërish Edi Rama, Lulzim Basha, Sali Berisha, Ilir Meta, por dhe Monika e partitë aleate, e po shtoj dhe partitë e “reja” të Jozefinës, Patozit që ishin aty, jetuan aty edhe pse nuk kanë kaq shumë faj se vulgpolitikanët korruptues miq të tyre dikur. Po ashtu dhe për vajzën e Azemit, e cila mjafton të ketë si nënë një person të stërpërfolur për vulgdrejtësi në Shqipëri dhe është e mjaftë për të mos e besuar më kurrë. Po ashtu dhe të rinjtë gjysëm sorosianë dhe pjesa tjetër gjysëm marksistë të rinj, të cilët sigurisht janë pjesë më e pakorruptuar dhe pa faje, por nuk të ngjallin asnjë farë sigurie se luajnë gjë të qartë në realitetin politik të vulgkorruptuarëve mashtrues të politikës së Tiranës prej tre dekadave. Vulgkorrupsioni është sukses i demokraturës shqiptare, por duhet të jetë refuzim i shoqërisë së lirë dhe demokratike shqiptare. Asaj pjese që mbase është 30 apo 40 për qind, por që është aty dhe e di mirë se kush janë të tillë folklorikë injorantë dhe grabitës e përdhunues të lirisë dhe demokracisë së shqiptarëve, por dhe grabitës së jetës së tyre, arsyeja pse shqiptarët nuk kanë siguri, arsyeja që ikin jashtë dhe arsyeja që janë jo të lumtur pa prona dhe pa punë. Këta tipa prapë kërkojnë vota dhe një pjesë e “vulgelektoratit” do t’ua japë, por sëpaku ajo pjesë e shoqërisë që nuk njehsohet me to nuk duhet të dalë apo të marrë mundimin të votojë për cilindo grupim apo parti në Shqipëri. Janë po i njëjtit grup vulgkorruptiv që sundon shoqërinë shqiptare prej tre dekadash. Ata nuk ndërtojnë shtet ligjor, nuk bëjnë as demokraci, por imitojnë demokraturat megjithëse në mënyrë të shëmtuar. Imitojnë Putinin, por në mënyrë groteske, vulgare, duke mos dashur popullin e tyre dhe duke mos dashur vendin e tyre sikundër do demokratura ruse vendin e saj. Këta janë “vulgdemokraturë” dhe ajo vjen dita dhe shkatërron veten pse ia hanë paratë fëmijët dhe avokatët mbasi të kenë vjedhur të gjithë shqiptarët dhe gjithë Shqipërinë me një ritëm akoma më të madh. Po po edhe dy mandate iu duhen që ky vend të mos ketë më asgjë të vetën si pasuri dhe trashëgimi.