BREAKING NEWS

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, zbardhet shifra: Ja sa të infektuar me koronavirus u shënuan ditën e sotme

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së
x

Opinion / Editorial

Vullnet Sina, deputeti model i demokracisë

Vullnet Sina, deputeti model i demokracisë

Vullnet Sina, pasi arriti majat e suksesit në fushën e biznesit, pranoi thirrjen e Partisë Socialiste katër vjet më parë për të vënë kandidaturën për deputet. Ai, e pranoi këtë ofertë jo si shumë kandidatë të tjerë që futen në politikë për të përfituar e pasuruar nga pjesëmarrja në politikë, por për të plotësuar një ëndërr të tij, për t’i shërbyer vendlindjes, për të ndihmuar shtresat në nevojë, për të cilën ka një nostalgji dhe dashuri të ngjizur nga tradita familjare dhe kujtimet e fëmijërisë. Koha është gjykatësi më i mirë. Falë trashëgimisë së tij familjare me një emër e kontribut të vyer të babait Ruzhdi Sina në disa pozicione drejtuese si Kryetar Lokaliteti në Selenicë dhe si kryetar Kooperative në Armen e më gjerë, si dhe figurës së tij të pastër arriti që të fitojë garën për deputet bindshëm. Gjatë kësaj legjislature si deputet me punën, investimin dhe përkushtimin e tij shembullor ka kryer një aktivitet në shërbim të elektoratit që formëson një model që nuk ka arritur ta krijojë asnjë deputet këtë kapital politik gjatë karrierës katërvjeçare. Në një aktivitet të Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, dega Vlorë, ku isha i pranishëm (para një viti) kam dëgjuar disa banorë të krahut të djathtë të Lumit të Vlorës, që i janë drejtuar me superlativa dhe kanë deklaruar se ne votën do ta japim ty në zgjedhjet e ardhshme, se na ke mbështetur dhe na ke qëndruar pranë si askush tjetër në këto 30 vjet të quajtura demokraci.

Por natyrshëm lind pyetja, çfarë ka bërë deputeti Vullnet Sina që e dallon nga të tjerët?

Vullnet Sina, ndryshe nga të tjerët ka hyrë në politikë për t’u shërbyer njerëzve me pasurinë e tij dhe jo për t’u pasuruar me të qënurit deputet. Mjafton të njihesh me investimet që ka bërë në zonën e tij elektorale dhe metodën e punës që ka përdorur, të kuptosh sekretin e suksesit të tij. Sa nisi karrierën si deputet krijoi zyrën e punës duke punësuar dhe paguar nga fondi i biznesit të tij gjashtë juristë të rinj që grumbullojnë ankesat dhe kërkesat e elektoratit sipas fshatrave. Këto informacione ia përcjellin Vullnetit çdo ditë, që ai i grumbullon dhe klasifikon sipas shkallës së rëndësisë dhe emergjencës që kanë. Vullneti ka “braktisur” familjen në kuptimin e mirë të fjalës. Atë e gjen katër pesë ditë në javë pranë banorëve nëpër fshatra, duke i dëgjuar, ndërhyrë e zgjidhur hallet e tyre që janë të mundshme. Ai është njohës dhe eksplorues i gjithë zonës, duke depërtuar në çdo qelizë të jetës së banorëve. Aktiviteti i tij si deputet është i matshëm. Mjafton të sjellim disa shifra e fakte për të kuptuar humanizmin dhe kontributin e tij katër vjeçar. U ka zgjidhur rreth 500 probleme individuale banorëve të Lumit të Vlorës dhe në shkallë qyteti e qarku. Problemet kanë qenë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga ato pronësore, shëndetësore, punësimi si dhe në marrëdhënie me OSHE. Një numër të madh problemesh të tjera i ka të evidentuara dhe i ndjek hap pas hapi duke iu dhënë zgjidhje juridike dhe shtetare. Me iniciativën dhe ndihmën e deputetit është realizuar procesi i matjeve mbi 900 objekteve informale në Bashkinë e Selenicës, me synim legalizimin e tyre. Nga ky numër i madh 300 prej tyre janë legalizuar dhe pjesa tjetër është në proces. Blegtorët e zonës së malësisë së Vlorës prej vitesh nuk kishin përfituar subvencione nga shteti për mungesë informacioni dhe për mënyrën e funksionimit të ligjit që “kush aplikon i pari fiton i pari”. Duke qenë se distanca nga qyteti ishte e largët, ata nuk arrinin të aplikonin të parët dhe për rrjedhojë mbeteshin në fund të listës, ku s’përfitonin grande. Puna nisi me një metodikë dinamike duke vizituar stanet e blegtorëve në gjithë zonën që rrok bashkia, nga Selenica në Kuç. Është ndjekur një procedurë e veçantë, duke fotografuar dhe marrë të dhënat e nevojshme për 350 blegtorë, që përmbushin kriterin e numrit të krerëve. Vetëm vitin e kaluar, me ndihmën e zyrës së deputetit është realizuar procesi i aplikimit për subvencione për mbi 220 blegtorë të zonës, që përfundimisht dolën fitues. Vetëm nga ky realizim, është bërë e mundur që të përfitohen në zonë rreth 50 milionë lekë të reja. Duke ndjekur këtë shembull të suksesshëm, për këtë vit është realizuar procesi i aplikimit për subvencione për rreth 550 fermerë të zonës, që pritet të dalin fitues. Në rrjedhën e veprimtarisë së deputetit ka qenë dhe përgatitja e dosjeve, buletineve, prospekteve dhe materiale të tjera, që evidentojnë ankesat dhe kërkesat e banorëve të Lumit të Vlorës dhe janë adresuar në vazhdimësi për zgjidhje në institucionet e linjës vendore dhe qendrore. Janë përgatitur dosje të shumta me materiale konkrete, të ilustruara me foto, tabela e grafik, për probleme që kanë të bëjnë me energjinë elektrike, kanalet vaditëse, rrugët e fshatrave, shkollat e amortizuara, familje që janë në vështirësi ekonomike, si dhe për qendra shëndetësore të amortizuara dhe me mungesa të personelit shëndetësor, etj. Një ndihmë e drejtpërdrejtë me fondet e deputetit ka qenë ngritja e tre shtëpive në Bashkinë e Selenicës, për banorë me pamundësi ekonomike si dhe me ndihma ushqimore janë përfshirë mbi 150 familje për gjatë katër viteve. Të gjitha këto dhe shumë ndihma të tjera tregojnë se deputeti Vullnet Sina, ka pranuar të jetë deputet jo për të përfituar, por për të ndihmuar, për të zgjidhur problemet dhe sakrifikuar nga biznesi i tij me mjete financiare personale. Shqipërisë, në kohën e varfërisë e pandemisë, i duhen deputetë të modelit Vullnet Sina, që të mund ta kalojë këtë siklet. I duhen deputetë që të ndihmojnë, apelojnë, kundërshtojnë liderët e partive. Ata që karakterizohen nga shkathtësia, energjia, ndershmëria, gojëtaria dhe nga mosnënshtrimi ndaj liderit, janë ata që kanë pavarësi ekonomike, të modelit të Vullnetit. Kjo racë deputetësh, janë në minoritet në Parlament. Urojmë që në këtë Parlament diçka do të ndryshojë.