Opinion / Editorial

Vullnetarët e shoqërisë patriotike “Pan Vatra” në luftën e Vlorës

Vullnetarët e shoqërisë patriotike “Pan Vatra”

Memuaret e personave të cilët kanë qënë dëshmitarë të ngjarjeve madhore të ndodhura ne Shqipëri e jashtë saj janë burime me vlera të pazëvendësueshme për pasurimin e historisë. Të tillë janë edhe ditarët e Llambi V. Jorgji mbledhur dhe botuar nga djali i tij Kristaq Ll. Jorgji. Llambi ka qënë anëtar aktiv i shoqërisë patriotike “Pan Vatra’ në SHBA gjatë viteve 1916-1920. Vrojtues kurioz nga natyra, inteligjent dhe njohës i anglishtes, ai ka fiksuar në ditar jo vetëm mënyrën e organizimit të jetës së emigrantëve në konakë, por edhe shqetësimet e tyre për fatet e atdheut. Me interes janë veçanërisht ato pjesë të ditarëve që pasqyrojnë përpjekjet e “Vatrës” për të shfrytëzuar kontradiktat e grupimeve të mëdha politiko- ushtarake të Europës në interes të Shqipërisë. Ndonëse patriotët shqiptarë e kishin parë me simpati politikën e Austro-Hungarisë, e cila për interesat e saj gjeopolitike kishte përkrahur çështjen shqiptare, kur nuhatën se fatet e Luftës së Parë Botërore po anonin nga Antanta, u përpoqën të faktorizoheshin në krah të këtij grupimi ushtarak. Ata mendonin se në këtë mënyrë, në përfundim të luftës do të kishin të drejtën legjitime për të kërkuar jo vetëm njohjen e shtetit shqiptar sipas traktatit të vitit 1913, por edhe rivendikimin e trojeve të shkëputura nga trungu amë. Idenë e mësipërme, krerët e “Vatrës” ia paraqitën ministrit të Jashtëm anglez. Ky plan në fillim u prit mirë, por gradualisht u la në harresë derisa u shua fare. Refuzimi i heshtur i këtij propozimi ishte i qartë. Njohja e kontributit të shqiptarëve përkrah Antantës do të hidhte në erë Traktatin e Fshehtë të Londrës, që synonte copëtimin e shtetit shqiptar. Për këtë ngjarje, në ditarin e Llambi V. Jorgjit, gjejmë këtë shënim: “20 Maj 1918….. nga “Vatra” mora një letër qarkore, e cila bën fjalë për të vënë në veprim mbledhjen dhe ushtrimin e një regjimenti shqiptar, i cili sipas z. Mehmet Konica do të përmbahet prej Anglisë dhe të vejë të mbrojë kufijtë e Shqipërisë. Fq. 91”. Kurse në datën 29 Maj shkruhet: “Me anë të “Diellit” mësova nga Bahri Omari, Loni Kristo, Andon Frashëri, Kol Tromara, Aqif Përmeti, janë gati të shkojnë në Shqipëri të luftojnë nën komandën e kolonelit Aubery Herbert”. Fq. 93. Shënime me përmbajtje të kësaj natyre gjenden dhe në faqe të tjera. Pavarësisht dështimit të këtij opsioni, “Vatra” vazhdoi të ndiqte me vëmendje ngjarjet që zhvilloheshin në Shqipëri e në Europë. Pazaret që po zhvilloheshin në Kongresin e Paqes në Paris në kurriz të kombit shqiptar, ndryshimet e herëpashershme të drafteve për statusin e ardhshëm territorial që bënin aleatët për të zëvendësuar marrëveshjet e fshehta të Londrës nëpërmjet kompromiseve, i kishin nxjerrë shqiptarët jashtë loje. Në këto kushte patriotët vendosën t’i marrin vetë në dorë fatet e atdheut. Më 21 janar 1920 ata mblodhën Kongresin e Lushnjës me përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Ai vendosi rrëzimin e qeverisë anti-kombëtare të Durrësit, krijimin e qeverisë së re me kryeministër Sulejman Delvinën që do të ushtronte pushtetin legjislativ e kontrollin mbi qeverinë. Kongresi u kërkoi fuqive pushtuese qe të largoheshin menjëherë nga territoret e shtetit shqiptar. Me këmbënguljen e qeverisë së Sulejman Delvinës edhe Italia që hiqej si “dashamirëse e Shqipërisë” tërhoqi forcat e okupimit nga krahinat e Përmetit, Këlcyrës e Gjirokastrës, por me kokëfortësi insistoi të mbante Vlorën me rrethinat e saj. Ky veprim u prit me zemërim nga populli shqiptar. Në mbarë vendin dhe në kolonitë e saj jashtë atdheut shpërthyen manifestime të fuqishme kurse ne Vlorë filluan përgatitjet për kryengritje të armatosur. Qeveria e Tiranës u bëri thirrje shqiptarëve të kudondodhur për t’i ardhur në ndihmë luftëtarëve të Vlorës. Edhe “Vatra” kërkesës për ndihmë iu përgjigj menjëherë. Ajo mblodhi Kongresin Pan Amerikan me përfaqësues nga të gjitha degët e saj, ku u vendos që Vlora të ndihmohej jo vetëm financiarisht, por edhe me një trupë ushtarake me vatranë. Është interesante të theksoj se emigrantët shiptarë kurrë nuk janë kursyer për të ndihmuar vendin e tyre. Ndonëse në punë të vështira e pa as një kualifikim ata e ndanë qesen e varfër të parave më tresh; për atdheun, për vendlindjen e për familjen. Ja si shkruan autori i ditarëve: “19 Shkurt. Për mbi 250000 dollarë janë mbledhur kundrejt çështjes kombëtare nga shqiptarët e Pontiackut, të cilët s’numërojnë më shumë se 100 shpirt”, kurse më 25 Shkurt njofton se “në mbledhjen që u mbajt sot për fondin e vullnetarëve u mblodhën 41. 366,70 dollarë”. Fq. 145. Përveç fushatës për të mbledhur ndihma në të holla, përfaqësuesit e kryesisë së “Vatrës” u shpërndanë në degët e saj për t’u bërë thirrje anëtarëve të saj të regjistroheshin vullnetarë për “Gardën Civile” që do të shkonte në ndihmë të luftëtarëve të Vlorës. Llambi V. Jorgji në ditarin e tij të datës 8 Janar 1920 shkruan: “Telegram nga “Vatra”. Thotë Anastas Pandele do të mbajë konferencë më 11 Janar, (në qytetin Pontiack),kurse më 11 të këtij muaji gjejmë këtë shënim: “Isha carmain i mbledhjes që u mbajt sot, ku u paraqitën flamurët e mëdhenj porositur më parë dhe foli konferencieri i “Vatrës” Anastas Pandele. U shkrojtën 14 vullnetarë”. Fq. 391. Të tilla mbledhje u zhvilluan në të katër anët e SHBA-së dhe më 9 Mars filloi grumbullimi i 215 vullnetarëve në New York të pajisur me dokumenta përkatëse për udhëtimin drejt Shqipërisë. Këtyre ju bashkuan edhe 37 muzikantët që përbënin “Bandën Vatra” të dirigjuar nga Thoma Nashi. Në skedarin me “Certifikatat e kualifikimit” me gjeneralitetet e të dhëna të tjera për secilin gardist ndodhen edhe sot në familjen e Llambi V. Jorgjit. Më 16 Mars 1920, Garda Civile me vetëdashësit e “Vatrës” u imbarkuan në vaporin “Kanada” i cili nisi lundrimin drejt Europës më 17 Mars. Vështirësitë e udhëtimit ishin të mëdha, por ato nuk e zbehën entuziazmin e gardistëve që nxitej edhe nga marshet që luante banda. “Dje dhe sot, shkruhet në ditarin e datës 19 Mars, deti bën shumë dallgë dhe vapori tundet sa nuk qëndron njeri më këmbë, por më 20 Mars të gjithë u çelën dhe rinë në vapor tërë ditën e thithën erën e paqme të oqeanit. Banda “Vatra” luajti disa copëra dhe na gëzoi së tepërmi”. Fq. 105. Në këtë faqe të ditarit gjejmë edhe shënimin e shkurtër, por domethënës: “22Mars kemi 6-7 ditë që udhëtojmë me vapor. Bahri Omari lot karta me të holla tërë ditën e ditës”. Pas 7 ditë udhëtimi vapori “Kanada” iu afrua ishujve Azore të Portugalisë, përshkon Gjibraltarin më 25 Mars dhe i drejtohet Oranit në Algjeri. Tri ditë të tjera lundrim, për tu akomoduar në Palermo, ku imbarkohen në anijen “Citta d’Trieste” me të cilin përshkuan itinerarin Napoli-Brindisi-Bari prej nga me vaporin “Baron Bruk” mbërritën në Durrës më 2 Prill. Në skelë vullnetarët e “Vatrës” u pritën nga autoritetet e qeverisë së Tiranës. Edhe komandanti i garnizonit italian, i cili po përgatitej t’i dorëzonte skelën qeverisë së Sulejman Delvinës, i priti me buzëqeshje të shtirur prej diplomati. Nga skela vatranët marshuan drejt “Sheshit të Lirisë”, me bandën përpara. Edhe të nesërmen ata paraduan nëpër rrugët e qytetit të ndjekur nga turma entuziaste e durrsakëve. Pas 2 ditë qëndrimi në këtë qytet vullnetarët e “Vatrës” shkuan në Tiranë ku më 6 Prill parakaluan në formacion ushtarak nën marshet e bandës nëpër rrugët e kryeqytetit. Është interesant një detaj i vogël i dhënë nga autori i këtyre ditarëve, që tregon se me sa vështirësi po depërtonte në Shqipëri europianizimi i mënyrës së jetesës. “6 Prill. Paraduam dje dhe sot nëpër qytet, populli civil s’dukeshin fare të kënaqur nga veshja e kryes sonë dhe kështu u shtrënguam të vëmë qeleshe në vend të shapkave”. Fq. 151. Në 10 Prill vullnetarët e “Vatrës” filluan marshimin duke kaluar nëpër Elbasan, Berat, Gjirokastër, Delvinë e Sarandë. Ushtarët italianë që i kishin mbajtur të pushtuara këto qendra tërhiqeshin drejt Vlorës. Kalimi i gardës civile në informacion ushtarak, i prirë nga banda, ngjalli tek banorët e këtyre qyteteve një entuziazëm të papërshkruar. Populli shikonte se më në fund edhe Shqipëria kishte shtetin e saj e ushtrinë kombëtare si të gjithë popujt e Europës. Ja si përshkruhet në ditarin e datës 1 Prill pritja e vatranëve në qytetet e lart përmendur: “Fjetëm te hani i Krrabës dhe sot ditën e Pashkës u nismë që me natë dhe arrimë në Elbasan ku populli doli na priti me bandë”. Prej këtej më 14 Prill ata udhëtuan për në Berat në mes të një shiu të dendur dhe më 16 Prill në “Sheshi i Dëshmorëve”, pasi banda luajti marshin funeral vullnetarët demonstruan ushtrime ushtarake para popullit. Autori në shënimet e tij na bën me dije se italianët u larguan nga ky qytet më 19 Prill.