BREAKING NEWS

Rama jep lajmin e mirë në mesnatë nga Infektivi

Rama jep lajmin e mirë në mesnatë nga Infektivi
x

Opinion / Editorial

Xixëllonjat e mbesës time

Xixëllonjat e mbesës time

Më kishe pyetur gjithë këto ditë me gjuhën tënde të shenjave, gugatjet e tua të zhurmshme, me gjuhën e syve, sa herë që unë të fërshëlleja nëpërmjet aparatit telefonik, në skype, një melodi të bukur, që rrënjon te këngët e bilbilit të fshatit tim dhe të babait tënd, më pyesje pra me gjuhën tënde të paformuar, që blegërin vetëm “mama” e “baba”, me sytë e mëdhenj që fëshfërijnë dritë, se kur unë, xhaxhi yt, do të vija aty te ty në Padova, e veshur tashmë me frikën e Koronavirusit. Unë të kam thënë përherë duke qeshur: “Helenë mbesa ime, nuk ka koronavirus të më mbajë larg teje”! Të belbëzoja pastaj fjalët më të ëmbla të dala nga shpirti, të ftoja të kërceje “hooopa”! “Hyaaa”! Njësoj sikur të kalëroje me fëmijërinë tënde, nëpër fushat e Adës, të mbushura me dritë të begatë dielli dhe magji hënash, dalë si shtojzovalle nga lumi Vjosë. Ndiqja lëvizjet e hapave të tu, njësoj si shkurtëzat që ecin nxitimthi në brigjet e rërës, mes shelgjeve të përmbytur nga vesa e yjeve, shkurtëza që askush nuk arrin ti kapë, tek lodronin në syprinën e dyshemesë së shtëpisë, përplasjen e kokës tënde të vogël nën tavolinë, sa herë futeshe për të luajtur e përpiqeshe të ngriheshe në këmbë, atje poshtë saj. Dhe ti Helenë, kur dilje që andej duke qeshur buzagaz, mbaje vesh uturimën e fërshëllimës time që imitonte bilbilin e rritur korijeve të fshatit tim dhe babait tënd, e qeshje. Qeshje aq fortë sa më dukej sikur një arush i vogël kujtim i fëmijërisë së sime bije, ulur prej shumë vitesh në tavolinën ku qëndron televizori, fluturonte si një peshk në ajrin e dhomës, dhe hidhej po si peshk drite sa nga dhoma ime nga Fieri në Shqipëri, në dhomën tënde ku ti po mbush muajin që rri brenda pa dalë jashtë e gëzuar fëmijërinë tënde, në Padova Itali. Të thosha me zërin e shpirtit që gjithçka është një ëndërr. Ta them sërish që është një ëndërr me trena që ikin në boshësi, me anije që kanë ngritur velat për të lundruar rreth vetes së tyre dhe me avionë që të lodhur nga udhëtimet, të presin ty ti kalërosh hooopaa dhe të luash me ata lojën e kalit që aq shumë e ke ushtruar në shtëpinë tënde, të kthyer në karantinë. Sot në mëngjes pashë një ëndërr. Ti zgjasje duart drejt meje me krahët e hapur si të ishe një dallëndyshe e parë e kësaj pranvere. Gugatje në gjuhët e zogjve dhe të njerëzve, në gjuhën e pemëve dhe të bimëve dhe fëshfërisje në gjuhën e erërave, pastaj flisje magjinë e valëve dhe të dallgëve të ujërave, që nuk arrita ti ndaja, në ujëra lumenjsh dhe detesh. Unë të përkëdhelja dhe përqafoja, edhe pse afër meje dëgjoja zëra që dilnin nga maska mjegullash: “Mos moos, nuk duhet të përqafoheniii! Joo. Qëndroni larg një metër! Evitoni çdo takim mes jush”! Ç’të bëja! Përpëlitesha dhe mundohesha ti bindja zërat e maskuar se unë po mbushja një vit që nuk të kisha takuar ty, se ndieja mall, njësoj si dritarja e shtëpisë time për diell të ngrohtë, rrëfehesha para ëndrrës e stërbetohesha, por ahhaa. Ti më prisje në një udhëz të ngushtë të përmbytur me mall. Dhe prisje të largohej drita e hënës mes reve që bubulonin e rigonin shi. Shtrëngoje në doçkat e njoma mëngjeset dhe mbrëmjet duke dashur të më tregoje mua se ato ishin ca lodra të çuditshme, që ikin dhe vinin dhe si “beba lodra” luanin me ty sikur të ishin të rritura!

 -Xhaxhiii!

-Po

 -Çfarë është koronavirusi?

- Lojë me xixëllonja

- Çfarë janë xixëllonjat xhaxhii?

- Janë qeshje fëmijësh

- Po përse kanë frikë të rriturit nga koronavirusi?

Çfarë t'i thosha? Nga më kishin dalë ato fjalë? Si ia thashë ato gënjeshtra? Befas u zgjova. Dola nxitimthi nga ëndrra dhe dëgjoja pëshpërimën e shiut që derdhej nga kupa e qiejve i kripsur me pak dritë nga rruga e qumështit nën kotjen e zgjimit të marsit të luleve. Më dukej sikur gjithë qielli nuk rigonte shi. Por xixëllonja. Mora vrik telefonin dhe formova në WhatsApp numrin e mbesës dhe të nipit në Itali. Ja ku dole ti Helenë e përgjumur, e qeshur, dhe gjithë gaz e hare. I tund duart nëpër ajrin e dhomës sikur do të ndjekësh xixëllonjat e ëndrrës time. Më pyet me gjuhën tënde të shenjave, gugatjet e tua të zhurmshme, me gjuhën e syve dhe unë nis të fërshëllej nëpërmjet aparatit telefonik, në skype, një melodi të bukur, që rrënjon te këngët e bilbilit të fshatit tim dhe të babait tënd, Ti qesh dhe hap sytë e mëdhenj duke gugatutur “mama” e baba”, me ata sytë e mëdhenj që fëshfërijnë dritë. Ti më kthehesh befas në një këngë bilbili, përhapesh ngadalë nëpër fusha e pyje, bëhesh një fëshfërime që me heq çdo ankth dhe stres, me çon atje lart në kupë të qiejve ku Zoti dëgjon dhe ju jep përgjigje çdo lutje për jetë nga njerëzit.

-Helenë, o Helenë, kanë nisur xixëllonjat edhe këtu te ne në Shqipëri.

-A janë të bukura xixëllonjat?

-Janë, por nuk duhet ti prekim sepse...

Dhe Helena qesh fort, fort, me xhaxhin e saj!