Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ylli, simbol i lirisë, shenjë dalluese e partizanëve

Postuar: 12/09/2019 - 07:20

Nuk kisha ndër mend të shkruaja për yllin, se e dinë dhe e duan të gjithë, që nga fëmijët, me përjashtim të atyre që flasin kundër tij, duke e quajtur simbol të komunizmit.. Më ngacmuan fjalët e Lulzim Bashës që ndër të tjera tha: “Me të ardhur në pushtet do të heqim simbolet e komunizmit…”, një nga këta simbole është dhe ylli! Ylli komunist?! Kështu kanë thënë si në një kor ballistët e zogistët, kështu edhe sot flasin “demokratët”, në tërësi “të djathtët”. U kujtojmë këtyre zotërinjve se, kjo nuk është një ide e re. Polemika për yllin midis ballistëve dhe partizanëve është zhvilluar qysh në vitet e luftës. Ja një fragment nga debati me kryeballistin Skënder Muço: Skënder Muço: Pse ju komunistët vini në kapele yllin e kuq dhe jo shqiponjën? Pse në flamur në krye të shqiponjës është yll të kuq? Zogu kishte vënë kurorën, ju i vini yllin e kuq…” Enver Hoxha: Zoti Skënder Muço, ne komunistët kemi luftuar, jemi vrarë e burgosur nga Zogu, prandaj e urrejmë atë dhe kurorën që ai i vuri flamurit dhe shqiponjës. Ylli është yll i lirisë, simbol i një bote të re, i një Shqipërie demokratike. Ylli është shenjë dalluese e partizanëve…” Pikërisht si ballistët dje mendojnë e veprojnë sot edhe neoballistët neofashistë, që tek ylli, shikojnë komunizmin, të cilit i tremben shumë se mos “rikthehet”, dhe yllin e kanë halë në sy. E që kur “u bënë trima”, siç ka thënë Dritëro Agolli “antikomunizmin e kanë kthyer në mani dhe komunizmin në gogol” Janë kundër yllit me akuza e shpifje, pa argumente, por dhe me veprime destruktive praktike kundër tij. Kur e shohin diku yllin, u ther zemra, u verbohen sytë dhe e zhdukin! Shkaku kryesor imediat është se janë kundër LANÇ. Le ta shohim me syrin historik dhe politik se ç’është ylli. Me yll ishte dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar i Skënderbeut. Mos vallë dhe Skënderbeu ishte komunist?! Po të nisemi nga teza se “Ylli është simbol i komunizmit”, ne dalim se jemi vendi i parë komunist i botës! Me yll ishte dhe flamuri ynë në Kongresin e Lushnjës. Mos vallë atje ishin mbledhur komunistë? Me të kuqe ngjyhen edhe vezët e pashkës, në kujtim të Krishtit, mos vallë edhe Krishti ishte komunist?! Mjaftojnë këta shembuj për të thënë se “ylli nuk është simbol i komunizmit dhe i komunistëve, por përdoret prej tyre si simbol i bashkimit të pesë kontinenteve drejt lirisë e barazisë shoqërore”, prandaj ka pesë cepa.

Ballistët mbajnë në gojë flamurin shqiptar me fjalë shterpa, por në shpirt kanë flamurin e fashizmit. Komunistët nuk e monopolizojmë kuptimin e yllit e ta kenë si “pronë” private të tyre se ata janë fare kundër pronës private, nuk e kufizojmë vetëm me kaq kuptimin e tij. Ylli nuk është vetëm i komunistëve, por i të gjithëve. Është i kuq, se të kuq janë edhe flamujt, i kuq është edhe gjaku, edhe vëllazërimi, miqësia e dashuria midis popujve të botës. Dashamirësit e yllit të kuq duan dhe të bardhën, simbol i paqes. I bardhë është dhe pëllumbi, ky shpend i butë dhe i urtë, edhe ky simbol i paqes. Më kot disa dritëshkurtër e politizojnë yllin e kuq, duke e quajtur vetëm “simbol të komunizmit”. Partizani me yll në ballë nga Librazhdi, Faik Çota, pas çlirimit, 40 vjet shofer i dalluar i “Skodës”, familje me 6 dëshmorë, tani veteran 92-vjeçar, vjet botoi një libër me titullin “Çermenika”, në të cilën ndër të tjera shkruan: “E marr me mend se duke folur shumë për LANÇ, kush s’më njeh do mendojë se jam komunist. Por unë as kam qenë e as jam komunist. Po dhe sikur të isha komunist, do ta kisha për nder dhe do isha krenar, se komunistët prinin të parët në luftë, të parët në sulm, të parët binin dëshmorë”! Ylli ishte i të gjithë luftëtarëve të lirisë. Partizanët e vinin yllin në kapelë si shenjë të shoqërisë e të miqësisë. Yllin e kuq nuk e mbanin në kapele vetëm komunistët, se të tillë në rreshtat partizane kishte fare pak, por e mbanin krejt partizanët, që ishin luftëtarë të lirisë dhe donin lirinë e të gjithë popujve, paqen midis tyre, jo luftën, në të cilën prindërit përcjellin fëmijët e tyre drejt banesës së përjetshme, kurse në paqe janë fëmijët që përcjellin natyrshëm prindërit e vet. Ne nuk e reduktojmë yllin e kuq vetëm si simbol të komunizmit. Ai është i përkrahur dhe i përhapur në mbarë popujt e botës. Por as e mohojmë që komunistët e përdorin si simbol të komunizmit. Madje patriotë shqiptarë të mërguar në Argjentinë, kur i këndojnë yllit, shprehen me dy vargje: “O yll i kuq ne pesë cepe, të zbuloi Lenini sefte”! Po ta reduktonim yllin e kuq vetëm në kuptimin politik si “simbol të komunizmit”, atëherë ngjyra e kuqe do të ishte vetëm e pak njerëzve, e atyre që janë me ide komuniste. Ata burra që e kuptojnë ngushtë yllin, vetëm si simbol të komunizmit, ka rrezik që edhe kravatën të mos e mbajnë të kuqe, nga frika se mos quhen “komunistë”! Gratë nuk do të pranonin fustanin ose bluzën e kuqe. Edhe hotelet nuk do të kishin yje. Antikomunistët nuk do të vishnin asgjë të kuqe. Ngjyrave do t’u mungonte e kuqja. Ylberi do të kishte jo shtatë, por gjashtë ngjyra. Do të kishte vetëm trëndafila të bardhë e jo të kuq. Por natyra s’bën dallime. Pse duhet të ketë njerëz që ta urrejnë të kuqen, sidomos kur e shohin në yll? Në fakt ka njerëz që edhe e kuqja “komuniste” u vret sytë, por veshjen e kuqe e pëlqejnë dhe e përdorin. E kuqja i zbukuron, u çel fytyrën. Se ç’partie i përket njeriu, këtë nuk e tregon veshja, por bindjet. Ai që ka frikë të kuqen, rrezik të trembet edhe nga perimet e kuqa e të mos i hajë! Të mos përdorë as lapsin e kuq për të shkruar e korrigjuar! Të përdorë mbulesën e tavolinës me beze ngjyrë blu e jo të kuqe, të grisë edhe pankarta e parulla të kuqe, siç ka ndodhur. I kemi parë partizanët me yll në kapele. E kemi parë yllin mbi shqiponjën e zezë në fushën e kuqe të Flamurit Kombëtar shqiptar, që valëvitej në krye të kolonës partizane dhe printe nga fitorja në fitore. E kemi parë në disa prodhime, në panair, në parakalime festash etj. Kot e me qëllim akuzojnë ballistët se “partizanët duan yllin dhe jo shqiponjën”. S’kanë si të kenë yllin si simbol, por kanë shqiponjën, që të hiqen si atdhetarë! Por nëse do të ishin të tillë, do të luftonin për çlirimin e vendit, në fakt u bënë kolaboracionistë të pushtuesve. Kurse partizanët nuk e ndanin yllin nga shqiponja. Ishin me yll në ballë e me flamur e shqiponjë në sy e në zemër. Yllit dhe shqiponjës partizanët dje e veteranët e pasardhësit e tyre sot, u kanë thurur këngë e poezi. Dëshmorit Ilo Koto nga Përmeti, i këndonte me klarinetë Artisti i Popullit Laver Bariu me tekst të profesor Myzafer Xhaxhiut: “Ilo, yll i ndritur/ rritur me thërrime/ vetëtinte syri/ flakë zemra trime”. Kur partizanët i çuan nënës në Palokastër të Gjirokastrës djalin e rënë dëshmor, pionierin Ilo Çami, ajo e priti me vargjet: “Ilo bir, me yll në ballë/ nënës kush do t’i nxjerrë mallë”. Kur Brigada e VI Sulmuese marshoi drejt Mirditës, në një buletin të saj lexohet: “Dridhu o Markagjon, nxirri sytë prej skutës ku je futur dhe pret orën e fundit të tradhtisë sate, nxirri sytë e shiko yllin që po ndriçon me ngjyrë gjaku gjithë kasollet e njerëzve…”.“Në male të Shqipërisë/ ngrihej flamuri i lirisë/ i kuq me gjak të rinisë”. Dëshmori Shahin Toçi nga Mati thoshte: “Kjo Shqipni ka lindur burra/ që nuk njohin dy flamura”. Ose vargjet “U nis çeta me flamur, çeta me emrin “Zigur”. Ose “Familja juaj e lartë?/ meriton yllin e artë”. Familja e partizanit dhe invalidit Ibrahim Miho nga Fushbardha është quajtur “Familje me yll”. Yje gjithandej. Janë një simbol i bukur, i dashur, i preferuar. Por yjet i gjen jo vetëm në shoqërinë njerëzore, por kudo: në qiell, në det, në tokë, në natyrë, në florë e faunë. Në qiell yjet janë trupa qiellorë të ngjashëm me Diellin. Ndritin natën dhe mund të duken me sy të lirë 2000 yje. Në det, yjet të bien në sy në anije që lundrojnë. Noton në det dhe sheh “yje deti”- kafshë të vogla me trup të shtypur, që kanë pesë a më shumë rreze. Në tokë yjet janë shenja dalluese, në trajtën e një figure me pesë cepa, në natyrë e në jetë! Priheni horizontalisht mollën dhe do të shikoni rrathë-rrathë e në çdo rreth pesë shenja në formën e yllit, që quhen “Ylli i mollës”. Kështu janë edhe “lulja e mollës”, “zemra e mollës”. Lopë e dhi janë me një shenjë në ballë si yll. Lloj makaronash të vogla në trajtë ylli. Yje në disa lule ngjyra-ngjyra, ndër të cilat dallohet e kuqja. E shohim yllin në jetën njerëzore. Në punimesh qëndismash të bukura me pè, me vizatime, me rruaza. Yje sheh deri në shapka, bidona, soba, topa e artikuj të tjerë që prodhohen në vende të ndryshme dhe tregtohen, nga të cilat gjenden të importuara edhe tek ne. Në gradat ushtarake. Në hotele luksoze me yje. Në reklama tregtare. Në shtypshkronja, shenjë grafike në trajtë të yjeve të vegjël. Në shënime bibliografike e sqaruese të ndryshme. Yjet i gjejmë në emra njerëzish e deri në mbiemra, në tituj: nxënës e studentë te shkëlqyer thuhet se janë yje, të dhjetave u vihet nota “dhjetë me yll”; “Ylli i kinematografisë”, “Ylli i baletit”, “Ylli i futbollit”, “Ylli i grupit këngëtor”, “Ylli i familjes”, ai është “yll”, ose është “Yll i këputur”. Në kuptimin fetar, ata që besojnë në fat shprehen: “Ka lindur me yll”, “E ndihmoi ylli i vet”, “Është njeri me yll”, “Ylli si dylli”. Kur dikush nëmet thuhet: “të humbtë ylli”, “t’u shoftë ylli”. I kuq ylli?/ I kuq si gjak?/ mbi Shqipëri rreze përhap”! Yjet në kupën e qiellit duken dhe zhduken, ndërsa dëshmorët janë yje që nuk shuhen, por qëndrojnë kurdoherë të ndezur, të ndritur, të zjarrtë dhe rrezatojnë përherë pa pushim e na frymëzojnë. Fjalët më të bukura poetike janë thurur për dëshmorët, këta yje të pashuar, yje gjaku. Në pasazhin që vijon, në çdo rresht është dhe fjala “Yll”: “Ra dëshmori, yll i rrallë/ shokëve iu priu në ballë”. “Vepra jote si yll dite/ do të shkëlqejë nëpër vite”. “Heshti pushka atje në pyll/ se luftoi e ra një yll”. “Ku e puthën yjtë e hëna/ buzënxehtë siç është nëna”.“Troket zemra, loton syri/ u nda nga shoku Ylli”. “Re dëshmor, por nuk vdiqe/ do jesh përherë yll drite”. “Komisar, o yll karvani/ ty të ka të gjall’ vatani”. “Ti je yll i lirisë/ shoku ynë i rinisë”. “Të zuri predha mes të kokës/ s’shuhej kurrë, je ylli i kohës”. “Heshtin yjet qielli toka/ s’qajmë me lot, për ti me emër, na pikon në zemër”. “Shqiponja të ka mbuluar/ dhe ylli të ka ndriçuar”. “Re dhe mbete yll i Shqipërisë/ na tregon rrugën e lirisë”.

 “Re, por mbete lule mali/ yll i ndritur si kristali”. “Flamur ishe, flamur mbete/ yll i kuq me pesë cepe”. “Re dëshmor, por s’ shuhej kurrë/ ndrin si ylli në furtunë”. “U këput si lis e ra/ nga neve një yll u nda”. “Trimi ra por nuk vdes kurrë/ qëndron si yll dhe si burrë”. “Komandant, fjala jote flakë stralli/ drita jote yje zjarri”. “Yll që vrave syt’ e armikut/ i re me grykën e belgjikut”. “Emrin tënd ti fortë e rrite/ dhe shkëlqen si yll drite”. “Re dhe mbete e bukur nuse/ yll ndriçues, dritë e kuqe”. “Mbete yll mbi dykrenare/ na ndriçon zemrat shqiptare”. “Fli i qetë rri pa merak/ o yll i kuq, lule zambak”. Ylli mbahet në të gjithë botën. Ç’ndodh tek ne edhe me yllin, nuk ndodh në asnjë vend të globit. Në një atlas ndërkombëtar pashë se ishin 192 flamuj kombëtarë të shteteve të botës. Prej tyre 46 ishin me yje me pesë cepa. Kanë yje të kuq flamurët e Panamasë, Algjerisë, Tunizisë, Zimbabve, Zelanda e Re etj. Mos vallë këta vende janë “komuniste” se kanë yje të kuq në flamurët kombëtar të tyre?! Flamujt e disa vendeve të tjera kanë yje, por me ngjyrë tjetër. Kështu, 20 vende kanë në flamujt e tyre yje të bardhë, 13 vende yje të verdhë, 3 vende yje të zinj, 3 jeshilë. Të gjitha yjet janë me pesë cepa, që tregon dëshirën për miqësinë midis popujve; vetëm 5 vende i kanë yjet në flamur me më shumë se 5 cepa,: me 6 cepa janë yjet në flamur të si Burundit, Izraelit, Sirisë. Me 7 cepa Jordania dhe Australia.

***

 E, zotërinj demokratikas, mund të zhdukni miliona e miliona yje? Dihet se në pluralizëm njeriu është i lirë të mendojë si të dojë, por jo të veprojë si të dojë. Ti do të kuqen, ai do ngjyrën blu. Ti mban yllin e kuq, tjetri mund të mbajë yllin blu ose të zi. Po ti i ngjyrës blu, mos vepro kundër të kuqes, mos e ngjyej me bojë blu shkëmbin e bardhë, siç ka ndodhur një herë në Korçë, mos i lyeni blu shtyllat e bardha të elektrikut, apo siç u fshi ylli i kuq në kapelën e partizanit në fasadën e mozaikut në Muzeun Historik Kombëtar! Ngjyrat duhen parë sipas gustos, jo me syrin politik partiak. Urrejtjen ndaj së kuqes le t’ia lëmë demit! Mbaj ekuilibrin mendor! Lëre yllin atje ku është. Ndryshe bëhesh gazi i botës. Diversiteti i mendimit është shprehje e pluralizmit, e demokracisë. Mendjet njerëzore s’janë e s’mund të jenë njëlloj. Kulturat e njerëzve janë të ndryshme. Për koincidencë, edhe miqësia përbehet nga shtatë shkronja, aq sa ngjyra ka ylberi, ku është edhe e kuqja. Ngjyrat s’ka pse të ngatërrohen me politikën, me partitë.. Ylli është simbol i lirisë, simbol i një Shqipërie demokratike. Ylli ishte dhe mbetet shenjë dalluese e partizanëve. Organizata e Veteranëve, e Familjeve të Dëshmorëve, Shoqata Kombëtare e Invalidëve, shoqatat e tjera atdhetare e kulturore, do t’i mbrojnë me vendosmëri simbolet e luftës, midis të cilëve edhe yllin.

Nga Sevo Tarifa

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/09/2019 - 07:43

Gjatë periudhës së pushimeve në qytetin e Vlorës, më ndodhi, ashtu sikurse i ndodh gjithkujt, që të takoja shumë shokë e miq.

Postuar: 15/09/2019 - 07:42

Bashkimi Evropian e zgjidhi qesen për reformën në drejtësi.

Postuar: 15/09/2019 - 07:40

Nuk është hera e parë që zonja Monika Kryemadhi, Kryetarja e LSI-së, sot bashkëkryetarja e opozit

Postuar: 15/09/2019 - 07:39

Shqipëria e një establishmenti politik tashmë fajtor, për zgjatjen në tranzicionin tonë pa fund,

Postuar: 15/09/2019 - 07:36

Me armë që këndonin në duar të 23 luftëtarëve, partizanë e territorialë.

Postuar: 14/09/2019 - 07:22

 Sherre bëhen gjithandej nëpër Shqipëri.

Postuar: 14/09/2019 - 07:18

 Në takimin e rastit më të rëndësishëm përpara tetorit të mundësisë së hapjes së negociatave