BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Z. Basha, do të “bëhet” kryeministër, sepse.... e kërkon Basha!

Z. Basha, do të “bëhet” kryeministër, sepse.... e

“Dardhat sivjet do të bëjnë si asnjëherë tjetër” tha ariu! “Po nga e dini juve o ari”? “E di unë sepse sidomos këtë vit më hahen si asnjëherë tjetër mbasi kam tetë vjet që nuk i shijoj”! “Po a e dini o ari që edhe për dardhët luani që është mbret, ka thënë: “Askush të mos i preki dardhat”! “Atëherë, tha ariu, ta shporrim luanin dhe të bëhem unë mbret”! Edhe Basha, sloganin “ta shporrim “Ramën” e ka në majë të gjuhës, por për këtë, nuk ka as “këllqe” as “vuxhut”! “Ta shporrim njëherë e mirë Ramën”, “Kur unë të bëhem kryeministër”,“Qeveria ime e ardhshme” “Policia mezi pret që unë të bëhem Kryeministër” etj. janë slogane dhe “jargavitje” prej adoleshenti që “kryeministri” i ardhshëm bën ngado shkon në takime me fermerë, me studentë me biznesmenë. Sa më shumë afrojnë zgjedhjet, aq më i “harbuar” bëhet. “Më 25 Prill, në shesh do të jenë një milion e pesëqind mijë protestues. Sikur të ishte gjallë Çajupi, me siguri, mbasi ta dëgjonte, do t’i drejtohej: “Po si nuk fole një llaf me vend more i “paudhë””! “Po paske qenë trutharë more kryetari ynë”. “Qejfi ta ka, por bytha s’ta mban more kryetari ynë”! Duhet të dini z. Basha që deri dot keni ecur vetëm duke u shtyrë nga të tjerët dhe jo kryeministër, por as roje objekti nuk do të përfundoni. Qytetarët, e dinë mirë dhe nuk presin që Basha të thotë ndonjë fjalë të mirë për Ramën, kjo është e natyrshme. Sapo Bashës i kujton 21 janarin i largohet si “macja kur i tregon mashën”! Z. Basha, i mungojnë cilësitë më elementare të një qytetari të thjeshtë, pa përmendur disa cilësi që duhet të ketë në rastin konkret një Kryeministër, të paktën si ata Kryeministrat e derisotëm sepse burra shteti që të bëjnë për Shqipërinë, mungojnë. As kryeministrat, as presidentët dhe as ministrat, nuk kanë brirë, por mbi të gjitha të kenë disa njohuri fillestare për artin e të qeverisurit jo në mënyrë ideale, por të kenë disa cilësi që jo çdokush i ka. Fakt është se tek ne, të gjithë krerët e politikës që kanë ikur e kanë ardhur kanë qenë të gjithë nën nivelin mesatar që e kërkon funksioni dhe për këtë “dëshmitare” është Shqipëria ku ndodhet. Cilësitë nuk t’i jep asnjëherë posti, as karrigia, ato t’i jep përkushtimi ndaj vendit dhe shoqërisë, për t’u shërbyer atyre me të gjitha forcat e mbi të gjitha të organizosh punën për të vënë në lëvizje të tjerët, organet vartëse dhe institucionet. Individi, qoftë ky edhe Kryeministër, nuk është gjithçka, por ka rolin e tij të rëndësishëm. Nuk di nëse e formulova mirë, por mbi të gjitha duhet të krijosh në shoqëri besimin që punon për interesin e përgjithshëm dhe shoqëria, me siguri nuk do të të vlerësojë nga gabimet në punë qofshin këto edhe të shumta, por do të të gjykojë nga përkushtimi, kurajoja për të njohur ato e për të bërë përpjekje për të përsosur më tej metodën dhe stilin e punës... Besimi, nuk krijohet duke mos e ulur “menderen” në punë, duke bërë llogje apo batuta lart e poshtë apo duke lyer leshkat me xhel... “Shqiptari thotë Mit-hat Frashëri, prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij, i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër”! Që Basha nuk vlen për kryetar partie, këtë e ka vërtetuar me fakte, por kjo, nuk është faji i tij, sepse “nafaka” e tij aq është, por faji është i atyre që e bënë “peshqesh” këtë “manekin” që nuk merr as “zdruk” dhe as “sharrë”! Është akuzuar më shumë se nga çdo kush tjetër politikan dhe jo vetëm në një funksion, por në të gjitha funksionet që ka kryer qysh kur ka qënë adoleshent e deri sot që është burrë i parritur. Nga akuzat e tij të shumta që i janë ngritur, a ka pranuar ndonjërën Basha deri sot apo ka fajësuar të tjerët? As edhe një gjysmë fjale, qoftë edhe me gjysmë zëri, Basha nuk ka pranuar apo nuk e ka justifikuar me fakte që akuzat e tij nuk qëndrojnë. Do të thotë kush: “Po si nuk është ndëshkuar për fajet e tij apo akuzat për korrupsion”? Po pa më thoni, cili është ndëshkuar këtu për korrupsion, për mashtrime, për vjedhje, për krime, për shpërdorim detyre etj. etj.? Askush, ose ndonjë fakir fukara sa për të thënë që “kemi drejtësi”, por në të vërtetë, as ka patur e as do të ketë drejtësi që t’i vërë pikat mbi “i” në mënyrë që qytetarët të krijojnë besim tek drejtësia. Nuk ka drejtësi sepse nuk ka ligj, por ka vetëm Maliq! Eh sa shumë e kanë bërë borxh dhe as japin llogari, as ndëshkohen... Ka filluar një reformë në drejtësi dhe nuk po përfundon dhe pritet që një ditë edhe të huajt që e drejtojnë të thonë “Mjaft më tani se na plasët shpirtin, kurrë mos u bëftë”. Edhe Basha, si të gjithë, ka gjetur “shesh dhe bën përshesh”! Nuk po e gjykojmë Bashën për nivelin e tij të një parashkollori, sepse është shumë aktuale ajo që thotë Noli para një shekulli: “Këtu, i padituri i di të gjitha dhe i pazoti, është i zoti për të gjitha”. “Kjo është armata e “të diturve” tek ne, njësoj si në fillimet e shekullit të kaluar për të cilën flet Noli. Mjerë Shqipëria thuaj në duart e kujt “myteberëve” ka rënë! Prandaj, përsa i përket njohurive që Basha nuk ka “haber” kjo nuk e pengon shumë atë sepse pesë më lart pesë më poshtë të të njëjtit “kallëp” janë shumica e atyre që drejtojnë. Udhëheqës i mirë, apo edhe një qytetar i thjeshtë të jetë, nuk është ai që nuk gabon, por ai që njeh gabimet e tij, pranon dobësitë sepse duke i pranuar edhe do të luftosh të mos i përsëritësh. Basha, siç e shohim, kohët e fundit ka ndërmarrë një sërë takimesh në prag të fushatës zgjedhore Në këto takime, jo vetëm që nuk fiton respekt, por e humb edhe atë cikë që kishte kur punonte si kamerier. Në këto takime mbledh simpatizantët e tij dhe u thotë atyre “Juve më thoni kështu dhe unë do t’ju them kështu”. Basha, në tërë aktivitetin e tij, asnjëherë nuk është origjinal, por një njeri i shtirur, një njeri fallco dhe origjinaliteti i tij është vetëm ajo e një “manekini” të pandreqshëm. Basha, nuk gëzon aspak as respektin e atyre që mban rreth e qark, as të Gazmendit e as të Gjatës, as të Vokshit e as të Pampurit pa përmendur Nokat, Ristanët, Salianjët apo Klevisët... Thjesht këta i servilosen për ndonjë “kockë” për ta përdorur Bashën si “telin sustë” që këta të ngjiten diku me Bashën “kryeministër”! Basha më 25 Prill, do të marri atë që meriton do të marri “shpërblimin” e punës së tij, pra do të mbetet me “gisht në gojë” dhe do ta braktisin të gjithë sepse kjo do të jetë për atë humbja e pestë apo e gjashtë radhazi. Saliu, nuk do të ketë më fuqi t’i japi ndonjë dorë Bashës, sepse me siguri do të shkojë në ndonjë azile pleqsh për të lozur domino. Aq shumë qesharak është bërë Basha sa që edhe të papunët e lagjes e dëgjojnë veresie. Nuk është e mjaftueshme të thuash që “epoka e Ramës, do të marri fund më 25 prill, sepse këtë, nuk e vendosni juve Basha, por ata që do të votojnë dhe ata, e dinë shumë herë më mirë se juve nëse do të marri fund apo jo. Juve, keni në dorë të jepni alternativat tuaja më të mira nga ato të Ramës që t’iu besojnë. Me ato që keni paraqitur deri sot dhe ato që keni premtuar, janë zero! Puna e derisotme e Bashës, është as më shumë e as më pak ajo e një “shkrepse” që kur sheh ndonjë kallace “benzinë” të shkojë e t’i vërë “zjarrin” apo më keq akoma hedh diku “benzinë” dhe me vrap shkon t’i vërë flakën. Ngrihen studentët për të drejtat e tyre, Bashën do ta shohësh në krye, ngrihen banorët e Astirit për hallet e tyre Bashën me Klevisin, do t’i shohësh në krye, protestojnë të rinjtë për humbjen e jetës së një të riu, Basha në krye. “Ku ka zjarr e ku del tym, aty bën edhe Basha bam”! Marrim problemin e arsimit të lartë. Arsimi i lartë, por edhe ai i niveleve të tjera është mos më keq. Përgjegjëse për këtë është mazhoranca qeverisëse, por ca më shumë Basha dhe shefat e Bashës, sepse janë ata të parët që e shkatërruan. A është i besueshëm ky Bashë që shkon e u thotë studentëve “Sapo unë të bëhem kryeministër, ligjin e parë që do të firmos ende pa ngjitur shkallët e Kryeministrisë do të jetë ligji për arsimin e lartë”! Bravo Basha, me një firmosje ligji u “rregullua” edhe arsimi i lartë. Iku njëri. Së dyti, kur të ngjiti shkallën e dytë të Kryeministrisë do të jetë ai i fermerëve: “Sapo unë të bëhem Kryeministër, do të zeroj akcizën e naftës për fermerët, do të krijoj tregje dhe çdo vit do t’i jap bujqësisë 100 milionë dollarë për të subvencionuar prodhimin që prodhimi i fermerëve të mos shkojë kot e të hidhet në rrugë si sot në kohën e Ramës”. Ja edhe bujqësia u “rregullua”. Emigracioni, braktisja e vendit, mbetet një plagë që sa vjen e mahiset. Basha për këtë mori rrugën për të takuar disa nëna dhe motra. “Sapo unë të bëhem Kryeministër, jo vetëm do të frenoj emigracionin e të rinjve, por do të kthej edhe ata që janë larguar në kohën e Ramës”! Të larguarit e derisotëm po bëjnë gati valixhet të kthehen. Ah moj Shqipëri që keni tetë vite që vuani braktisjen sepse nuk është vlerësuar Basha! Por, të mos ja hamë “hakun” ka edhe të mira si në rastin kur “urtë e butë e plot tigani”, prek atje ku dhëmb plaga. Ai ia bën “mendjen top” gjashtëqind e tridhjetë e kusur mijë pensionistëve duke u premtuar se “pension më të ulët se tre qind dollarë, nuk do të ketë në qeverisjen time”! Pse, “shaka” është të marrësh votat e mbi një gjysmë milioni votuesve, të gjithë këta në moshë për të votuar? Po t’u shtosh këtyre edhe pagat e mjekëve 1200 euro, e infermierëve 700 euro, të mësuesve mbi 600 euro, pa llogarisni se sa votues do të votojnë opozitën. Po t’u shtosh këtyre edhe fermerët që përveç pensionit do të ndajnë edhe 100 milionë dollarë, mund të themi që për opozitën “do të votojnë 99,99%”! Kështu z. Basha edhe pushtetin e merrni, por kënaqni edhe Mediun edhe Nardin edhe Idrizin e të tjerë që ju vijnë rrotull. Vëmendjen përqendrojeni andej nga LSI-stët që po mobilizojnë “gardistët e kuq”, andej nga “pëllejat” që kanë dalë nga “barku” juaj, e sa e sa “kusure” të tjera që keni tuajat. Është koha të vendosni, ose të uleni në kolltukun ku dikur qëndronte Rama, ose me ç’keni bërë deri sot keni bërë vetëm “vetëvrasje”! Më 25 Prill, ndizni ndonjë “zjarr” diku e të thoni “E ndezi qeveria” dhe siç e keni zakon dhe “thërrisni” Europën për ta “fikur” dhe me atë rast të na pranojnë për hapjen e negociatave... Është pak të lyesh leshkat me xhel, duhet që edhe nga mendja të mos jesh “teveqel”!