BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

"Zakoni i rrëzimit të shtëpisë së babait" po na lë pa atdhe!

"Zakoni i rrëzimit të shtëpisë së babait" po

Sigurisht që i thonë edhe "Mëmëdhe - Atdheut" që për mua janë njësoj, por shqiptarët sidomos ata të veriut parapëlqejnë t’i thonë "Atdhe" sepse në persistencën e tyre historike - toka nuk është konsideruar vendi lindjes ose nëna, por vendi i të parëve ose pronë e "Atit" të "Zotit" ose babait. Por çfarë rëndësie ka, mëmëdhe apo atdhe! Rëndësi ka që ta kemi dhe ta trashëgojmë! Këto ditë aktori i madh i skenës dhe kinematografisë, Robert Ndrenika ka thënë se: “Kam ndjerë po atë dhimbje që ndjen qytetari kur i prishet shtëpia e vjetër e babait, në të cilën ka kaluar fëmijërinë dhe është bërë burrë, por gjen ngushëllim kur mendon se në atë vend do ngrihet një shtëpi bashkëkohore pa hilera”. Normalisht kush jam unë të them për Ndrenikën se "nuk e do teatrin"! Absolutisht nuk marr përsipër një gjë të tillë, duke ditur se nuk ka se si të kem më shumë dhimbje unë, se sa një aktor i madh dhe me kontribut fantastik në teatër. Pastaj ka dhe një të drejtë disi të përgjithshme për "shtëpinë e babait". Sidomos për ne shqiptarët që shajnë shpesh babain dhe pronën e lënë nga ai. Por a duhet bërë zakon kjo gjë? Këtu tani duhet ndalur dhe unë sigurisht do të dal nga "qerthulli" i rrëzimit të teatrit si mendim "poetiko-letrar - piktoresk" dhe aferë e kryeministrit të Shqipërisë. Por sigurisht nuk dua të përsëris dhe përçarjen e jashtëzakonshme keqardhëse të artistëve kryesisht politikisht, por dhe miqësisht. Jo nuk do të bie në këtë nivel. Unë dua të them se "zakoni i rrëzimit të shtëpisë së babait po na lë pa atdhe"! E këtu nuk është çështja thjesht te Teatri Kombëtar! Kur rrëzuan "shtëpinë muze të Luigj Gurakuqit në Shkodër" dhe kjo nuk është vepër e kohës së Rilindjes as e Ramës - praktikisht na lanë pa një pjesë të atdheut dhe shtëpinë origjinale të babait të kombit. Po pra, të pronës së babait të kombit. Kur idiotë të ekzaltuar të kohës së Enverit hodhën në arë kishën (kapelën e princit Lek Zaharia si zot i Danjës) e Vaut të Dejës (ku mendohet të ketë bërë sakramentin e martesës romane katolike Kastrioti) praktikisht na kanë lënë pa një copë atdheu. Kur rrëzuan shtëpinë e Abdi Toptanit ose firmëtarit të Pavarësisë - sigurisht nuk e shtuan atdheun, por e pakësuan atë sepse prishën shtëpinë e njërit baba. Kur lejuan dhe rrëzuan shtëpinë origjinale të "Korçës së Pavarur" prishin atë të babait Themistokli Gërmenji. Kur lejojnë dhe rrënojnë shtëpi të tjera përfaqësuese të kulturës sonë nuk bëjnë asgjë, por shembin identitetin tonë kombëtar duke prishur - shtëpinë e babait për të ndërtuar "modernitetet idiote" të kohës po kaq idiote kur jetojmë. Pothuaj të gjitha kullat (e veriut) e ADN-së shqiptare si monumente kombëtare të identitetit tonë kombëtar po rrezohen dhe kjo është të mbetemi pa atdhe sepse - po prishim dhe lejojmë të prishet shtëpia e babait! Kur rrëzohen shtëpi monumentale në Gjirokastër, nuk bëjmë asgjë, por po mbetemi pa atë "atdhe" që trashëguam nga babai! Po nuk lejojmë atë të "Enverit, sepse sigurisht për dikë dhe historinë tonë ai është babai i madh"! Kur nuk e kanë mendjen dhe ju rrëzohet "Nimfeu" sigurisht ju rrëzohet diçka e babait në lashtësi, por dhe baballarëve që kanë punuar ta nxjerrin dhe restaurojnë e sjellin në kohë! Kur prishen (rrëzohen apo prishen veprat e artit) kisha dhe xhami të vjetra, nuk është problemi vetëm i "shtëpisë së Zotit", por dhe trashëgimisë së babait, e cila padyshim dhe në sy të të huajve na le pa atdhe! Kur na rrëzohen urat e vjetra të kohës së mesjetës, pashallëqeve dhe ato akoma më antike - na rrëzohet rruga, që na çonte dhe lidhte shtëpitë e baballarëve. Kur rrëzuan pallatin e Kakarriqëve ose "Shtëpinë e Pionierëve" në Shkodër, sigurisht rrëzuan një shtëpi babai, por dhe një pallat edukimi më vonë nga baballarët e kulturës në Shkodër dhe gjithë Shqipërinë. Kur bëjnë plane shkatërrimi të këtyre shtëpive të baballarëve për të fituar euro me sheshe ndërtimi betonesh - sigurisht prishin një "atdhe" dhe mohojmë origjinën tonë për para, për lek, ose më mirë shiten e blihen në mënyrë absurde dhe akoma më keq se sa kaq. Nuk duan të zgjatem, sepse kolegë të mi si të trashëgimisë dhe historisë, por dhe gazetarisë, mund të japin shembuj pa fund për këtë mohim të "shtëpisë së babait" ose thënë më qartë - mohim të atdheut. E kam fjalën se kanë "ikur përgjithmonë" dyer, mure, artefakte dhe zona ku atdheu nuk është më ai i trashëguari në shekuj. Prandaj teatri ishte thjesht shembulli i fundit në keqardhje, por sigurisht nuk është ai i vetmi. Në fund të fundit, kur artistët vetë nuk e njohin për "shtëpinë nostalgjike dhe të lavdishme të tyre dhe të babait"- o burra, le ta prishin dhe ta bëjnë më të bukur e moderne. Por në botë, nuk besoj se bëjnë kështu! Në botë e ruajnë, restaurojnë, transformojnë në muze dhe padyshim vend kur jepen shfaqe dhe shikohet prona e babait. Teatrin modern po po le ta ndërtojnë mes kullave dhe xhamave apo hekurave modernë dhe kjo do të ishte pastaj një "krenari" tjetër e babait për brezat e ardhshëm! Pra Teatri Kombëtar (tashmë i shembur) shtëpia e babagjyshit dhe ai moderni- i "babait" Rama apo Veliaj! Nuk është zakon i mirë ky jo! Ky zakon po na lë pa atdhe! Jo çdo shtëpi e babait duhet rrëzuar për zgjerim, apo një më të madhe dhe moderne! Sidomos në trashëgiminë tonë kombëtare kulturore. Ky është një zakon i keq që na ndan me thikë nga Europa urbane dhe e kulturuar. Na ndan nga Italia, Franca dhe Gjermania! Na bashkon disi me Afganistanin e talebanëve dhe ndonjë shtet paçavure që ka lindur ose është zbuluar shumë vonë e që nuk ka histori dhe nuk ka as njerëz, që bëjnë histori dhe e mbrojnë atë. Po pra na bashkon me "nomadë" me njerëz çadrash dhe hunjsh. Ose modeli "Tuareg" si i fisit afrikan të Berberëve, që me gjithë respektin, jetën e bëjnë në çadra dhe ndërtime të përkohshme. Nuk mund t’i prishin kështu me qëllim vetëm fitimin "shtëpitë e baballarëve" dhe të rrënojmë pa kuptim ose me kuptimin e mbrapshtë të zhdukjes së trashëgimisë duke vendosur paranë përpara kombit dhe kombëtares. Ose për të thënë - historia fillon me mua. Kjo është sigurisht një e keqe e madhe, e cila sidomos kohët e fundit është kthyer në një "sport popullor" luajtur mes qeverisë dhe individëve, që nuk kanë respekt për babain- ose atdheun. Mund të them se - as që duan ta njohin atë.