BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

Zgjedhjet do t’i fitojnë... të pasurit!

Zgjedhjet do t’i fitojnë... të pasurit!

E kam theksuar dhe në shkrime të tjera se Bikja vërtet nuk bën pjesë në asnjë parti, por nga ana tjetër është i vetmi që rend te ajo parti, e cila fiton zgjedhjet dhe të kuptohemi, ai nuk është nga ata që pret në fund rezultatin. Jo aspak. Ai është një tip i çuditshëm, i kudo ndodhur në mendjen dhe zemrën e çdo shqiptari, që shkon të votojë, por ajo që e bën atë të veçantë është fakti se ka një nuhatje dhe intuitë të jashtëzakonshme se kush i fiton ato, se si do të zhvillohen të qeta apo të tensionuara, cila parti do deklarojë e para fitoren, por që në fakt i ka humbur ato, cila do jetë ajo tjetra që do e zënë më shumë ethet e pushtetit, cila parti do shkojë drejt shkrirjes apo që më saktë do hajë vetveten e deri te partia e çamëve, të cilët çirren për Çamërinë republikë nga Republika e Shqipërisë. Para se të filloja bashkëbisedimin me të te kafe “Shelgu” që ska më atje asnjë shelg, por e mbjellë me rrepe, u ulëm duke porositur qetësisht kafetë. Në fakt sapo thashë porosinë për “dy kafe” ai menjëherë e me inat, por dhe që ta dëgjonin të pranishmit nëpër tryeza brofi duke thënë: “dy farmak” thuaj e jo dy kafe. U habita sepse Bikja nuk para flet shumë e me zë që ta dëgjojnë të tjerët dhe si duket me të vërtetë e kishte ndonjë hall të madh. Pa arritur aspak që unë ta pyesja ai ia filloi vetë dhe ajo çka më tha thuajse në formën e një monologu unë do ta paraqit fill e për pè pa asnjë shtesë apo retushim artistik - Po ja ç’të të them a i vrarë?! Këto zgjedhjet e këtij viti i kanë bërë lesh arapi dhe kur them lesh arapi; se si do u vejë puna as unë nuk e di. Të them se do t’i marrë PD-ja nuk e them dot, sepse sa të jetë kandidat për deputet Saliu me Mediun, me Gridën apo ndonjë tjetër populli do anojë nga PS-ja, por dhe këta të PS-së e kanë menderosur sepse qëkurse rehabilituan Mithat ballistin dhe bënë dallavere me detin kanë humbur shumë pikë. Do thuash ti se kanë ndërtuar e vërtetë që kanë ndërtuar, por me para borxh nga Europa, por dhe kanë vjedhur si dreqi. Ore populli është filozof nga natyra dhe ndaj na ka lënë dhe një fjalë të urtë se “shikon rrushi rrushin e piqet”, por këta mor aman sikur e kanë transformuar keq dhe proverbin duke thënë se “shikon partia partinë, ndaj vjedhin e bëjnë kërdinë”. Të kujtohet si tha ajo gruaja dikur që doli në Tv kur dha deklaratën me një lutje që të këpuste shpirtin? Nëse s’të kujtohet po ta them unë. E shkreta grua, nga lemeria që pat hequr prej luftës vëllavrasëse që organizoi Sala më shokë deklaroi... aman ore le të vjedhin sa të duan, veçse të mos të na vrasin. Dhe ajo ishte bijë e popullit dhe zëri i tij... e kështu që thua ti, ai Meta, sa dëgjoi se populli e kishte deklaruar me gojën e tij që le të vjedhin, por të mos të na vrasin, i bëri naftën PS-së dhe kaloi me ata të PD-së. Pa kur i hyri i biri botës floririt vidh e vidh e vidh saqë dhe vetë A. Zogu tundte këmbët nga inati nën varr, po kush e dëgjonte qyqarin. Do thuash ti se pse?! Po si ore pse Iliri ishte djalë komunisti dhe për rrjedhojë është për pronën socialiste, kështu që floriri i takonte nipit të Ahmetit. Po ai i shkreti as që nuk përzihet fare me politikë shikon familjen dhe trashëgiminë e pronave dhe të genit që sa të ekzistojë mbiemri “Zogu” do ketë dhe princër trashëgimtarë, por pa asnjë hektar tokë. Do më thuash ti se e kam gabim dhe se ai ka partinë e LSI-së? Joooo... ja këtë ke gabim ti e jo unë, se LSI-ja nuk është parti, por një ndërmarrje biznesi “MONEY-SHPK”. Pse i dorëzohet partia bashkëshortes? Do më thuash se jo b/shortes nuk i dorëzohet partia por vetëm biznesi, pra pasuria. Ja e shikon? E shikon se çifti i lumtur alarmohet? E di ti pse alarmohen ata? Po jo ai i vrarë se dhe Spartak avokati ia fut kot për së koti. Mos kujto se ata i ka zënë lemeria se do i marrë SPAK-u apo BKH nën hetim. Flije mendjen ata nuk e kanë aspak frikë as SPAK-un e as Amerikën, sepse Amerika e vuri. Ja le të rrimë shtrembër e të flasim drejt cilin ka arrestuar SPAK-u që ka 2-3 vjet që bën sikur do bëjë namin: E çfarë ka bërë? Një vërë në ujë ka bërë dhe asgjë ska për të bërë e mbama mend këtu do jemi, po nuk e nxorën dhe vetë Llallën të pafajshëm! Pse mos është më i pasur Tiku i Llallajve nga Mediu i Gërdecit? Po Amerika nuk e nxjerr Mediun, se Mediu do nxjerrë Zenin, por mbas Zenit na qenka Sala. Po unë jam hajvan fare, Sala është i kudondodhur e sidomos në ato vende ku ka flakë e ku ka tym e ku ja bën koburja “bym”! Do thuash ti se ajo gjysmë amerikania aziatike që e kemi ambasadore do u nxjerrë bojën mbas zgjedhjeve atyre të korruptuarve?! Ja fut kot për së koti, po pse ore Tom Doshi na qenka më i korruptuari te deputetët tanë? Jini në vete apo jo? Tomi dhe të ketë bërë allishverishe ta them unë Bikja që ai është si gjithë të tjerët. Ty më duket se të paska lënë mëndja fare. Po pse ore do kishte kapitalizëm po qe se nuk do vjedhësh? Tani kush dënohet ai që vjedh hapur apo ai në mënyrë të rafinuar? Europa dhe Amerika duan që të bëhesh kapitalist të vjedhësh, por nga pak dhe në mënyrë të rafinuar e jo në mes të ditës me diell si vodhën ata banditët e Rinasit. Po të ishte veshur Saliu si Babagjysh e të vidhte... hë si thua ti do e dënonin? Unë them jo se Saliu ç’është e vërteta nuk vjedh ama kur i japin ai përherë u buzëqesh e u thotë “Falemners prej tejet”! Ja pra e shikon që të gjithë vjedhin? Im atë ndjesë pastë thoshte se kusar nuk është ai që vjedh, por ai që kapet. Ja më thuaj ti, kanë kapur njeri? Lesh- asnjë! E shikon pra që shumica e tyre do jenë përsëri deputetë?! Edhe mblidhe mendjen se NATO-ja nuk erdhi për zgjedhjet as për të frikësuar Metën apo Berishën, por NATO-ja ka qëllime demonstrimi të forcës jo ndaj Europës, por ndaj Rusisë. Ja më dëgjo mua fshatarin i ke vërejtur ti si bëjnë ujqërit apo më saktë qentë (se ti si qytetar që je ujqër s’ke parë asnjëherë). Ja, ata kur duan të tregojnë kufijtë e tyre se ku i kanë e që të mos shkelin kopetë e ujqërve të tjerë, ngrejnë njërën këmbë dhe i futin cep më cep nga një të shurrosur që do të thotë se këto janë territoret e mia. Ja këtë bëri NATO. Si një ujk i vjetër na futi ne një të shurrosur për t’i thënë Rusisë se Shqipëria është e imja dhe hesht a i vrarë se s’merret NATO me zgjedhjet. Pa do më thuash t’i se në fund të fundit kush i fiton? Unë di të them se ska rëndësi për mua se kush i fiton sepse një gjë e di me siguri, se ai që humbet përherë ka qenë populli. Për tre dekada me mijëra e mijëra premtime janë bërë nga të dy krahët. Të kujtohet kur na thanë se do e bënin Shqipërinë “Zvicër të vogël”, teksa plasi lufta si në Irak?! Pa kur na thanë se “Me ne fitojnë të gjithë” dhe e hëngrëm sa krahu të gjithë deri sa na doli nga goja?! Pa na thanë se do të hapin mijëra vende pune dhe se do të punësoheshin shqiptarët duke rritur nivelin e jetesës së tyre? Të kujtohet apo ju kur ne morëm arratinë dhe jemi i vetmi vend në botë që lindim fëmijë për Europën e Bashkuar. Këta tanët janë komplet të shkarë që i luten Europës të na e futi me negociata. E çi duam ato kur ne e kemi mendjen të gjithë që të marrim arratinë? Ja për këtë mund të ketë ardhur NATO, që të mos lerë më këmbë shqiptari të arratiset. Mua më vjen plasje sepse një ish-ballist që pat qenë në Bruksel në “Mërgatën e qyqeve” u kthye dhe po lexon librin “këngë himne e marshe të Ballit” teksa pjesa tjetër kërkon të shkojë atje ku ishte ai, pra ne të zëmë vendin e ish-ballistit. E kupton ti apo jo? Pa do më thuash që ti Bike lëri llogjet e pa na thuaj se kush i fiton zgjedhjet?! Aaaaa këtu më ndal, më ndal mik vëllai se është pak e vështirë. Po ja ta them unë do jenë rrotë më rrotë, ja Luli.. e ja Rama. E di ti meqenëse ra muhabeti që pse Rama i lutet Lulit për bashkëpunim, por dhe pse nuk do Luli? Sepse duke qenë se do jenë afër balotazhit Rama e ka të vështirë dhe mund të krijohet krizë parlamentare në marrjen e vendimeve. Ata të PD-së nuk janë aq budallenj në matematikë, pavarësisht se Luli ia fut nga ndonjëherë si ata që ngrejnë dolli kur ajo ka vajtur me bardhak dhe nuk e ka ngenë më njeri të numërojë gotat, pra ata të PD-së duan të vjedhin vetëm e të mos të kenë ortakë në aferat e tyre. Se ja pa më thuaj ti si është më mirë që një pastë të ëmbël ta hash vetëm, apo ta ndash me shokun? Madje po e ndave me shokun e ke më keq akoma sepse për respekt shoqëror je i detyruar t’i japësh pjesën më të madhe. Po pse e ha Luli atë koqe ulliri?! Vërtet s’di të bëjë llogari, por ama nuk është kapua deti. Do më thuash që po i humbi zgjedhjet PD-ja çdo të ndodhë?! Unë të të them të drejtën mendoj se Saliu armët i ka, ai e pat deklaruar vetë se depot i hapi qëllimisht jo që ai provat i ka dhënë. Të kujtohet kur doli në maje të tankut në ‘98-ën dhe Lekës i vari ca bomba në brez që i vareshin si ato të dashit?! E kam fjalën që “Sali Baba” nuk do i lërë të qetë. Pastaj do vijnë prapë ata të Europës e të Amerikës e do bëjnë pazarllëqe që në diplomaci i thonë negociata: Sorry o Sali beg Berisha! Lëreni të qetë tani të formohet qeveria e re se dhe ne do të të lemë të qetë ty, Metën, Mediun, madje dhe Llallën se ai nuk ka vjedhur, por ka patur shpërdorim detyre. Ama dëgjoni këtu, sa të mbarojmë aty nga viti 2050 reformën në drejtësi... se pastaj ta kemi të qartë nuk do të ketë më lëshime. Kush meriton burgun- në burg të vejë maskarai e të kalben atje zuzarët... Jo po ta dinë se me popullin nuk bëhet shaka! Rroftë populli – poshtë qeveria e re! Dale more se e menderosa fare.. desha të thoja: Poshtë populli - rroftë qeveria e re!