BREAKING NEWS

Berisha e Meta në unison kundër bashkëqeverisjes PS-PD, mesazhe e paralajmërime Bashës të refuzojë ofertën e Ramës

Berisha e Meta në unison kundër bashkëqeverisjes PS-PD, mesazhe e
x

Opinion / Editorial

Zgjedhjet, mos vallë do na e heqin nga qafa zgjedhën?!

Zgjedhjet, mos vallë do na e heqin nga qafa zgjedhën?!

Tri dekada nga premtimi se Shqipëria do të bëhej si e gjithë Europa, tri dekada të tëra që shpresa e shqiptarëve për një jetë më të mirë doli një bllof i madh dhe një iluzion që na la me gisht në gojë. Kemi plotë tridhjetë vite që e ashtuquajtura “demokraci” dhe “shteti i të drejtës”, jo vetëm se ishin një gënjeshtër me përmasa hiperbolike, por për më keq akoma edhe sot në mjedisin tonë të brendshëm, enden dhe qarkullojë ide të tilla, se jeta po bëhet më e mirë. Por kjo varet nga këndvështrimi se kujt shtrese ekonomike i përket individi që jep deklarata të tilla. Dialektika e zhvillimit të ngjarjeve dhe fenomeneve në Shqipëri gjatë këtyre tridhjetë viteve, vërtetoi katërcipërisht se sistemi aktual kapitalist në vendin tonë i etiketuar me grupfjalët “ekonomi e lirë e tregut” rezultoi një dështim i plotë. Dështim ky, i cili nuk lidhet vetëm me rivendosjen e marrëdhënieve kapitaliste, por dhe me marrëdhëniet në prodhim apo dhe me mënyrën e prodhimit. Mënyra e prodhimit, pikë së pari shpreh marrëdhëniet e pronësisë, pra të kujt janë mjetet e punës e të prodhimit; të puntorit apo të dikujt tjetër? Mos vallë psh. një murator me çekiç në dorë e me mistri, është pronari i mjeteve të tij të punës... apo mos vallë të gjitha mjetet e tij të punës, sëbashku me muratorin dhe krahun e tij prej skllavi, i shiten dhe blihen me një shumë fare qesharake prej bosëve të kompanive të ndërtimit apo të një sektori tjetër për analogji? Nisur dhe nga karakteristika e sistemit socialist, që mjetet dhe veglat e prodhimit ishin shoqërore e meqenëse u kalua në ekonominë kapitaliste, për rrjedhojë dhe startimi duhej bërë në mënyrë të barabartë. Po ç’ndodhi në fakt?! Situata e krijuar pas përmbysjes së pushtetit popullor dhe pronës socialiste, vërtetuan se pikërisht në këtë sistem, pra në kapitalizëm, “njeriu për njeriun ka qenë dhe ngelet ujk”. Të ashtuquajturat privatizime u dhanë mundësi ish-kastës sunduese të PPSH-së (pjellës së saj më të degjeneruar dhe jo komunistëve të thjeshtë, apo njerëzve të ndershëm), sikurse dhe bijve të tyre trashëgimtarë, që të rrëmbenin me 1001 mënyra sa më shumë ç’të mundnin nga pasuria e popullit, e cila kishte një akumulim gati gjysmë shekullor të punës, mundit dhe të mirave materiale të shoqërisë së asaj kohe. Po kush i mori këto me anë të privatizimeve të pandershme? Përveçse atyre që përmendëm më sipër, dora tjetër po aq e zezë e banditeske, ishte ajo e banditëve ordinerë, të cilët me anë të forcës dhe dhunës me anë të falsifikimeve, apo dhe veprimeve korruptive ku me mitdhënie e mitmarrje, ku me kërcënime për jetën apo ushtrimin direkt të forcës, tjetërsuan madje dhe ish-pronat e pronarëve të hershëm të shpronësuar me reformën agrare prej pushtetit popullor. Të qënurit në pozita drejtuese në shtet, bëri që pushtetarët si të majtë e të djathtë madje duke filluar qysh në kohën e R.Alisë, Berishës,Nanos dhe karvanit tjetër që do të pasonte më vonë etj, do t’u krijonin mundësitë për vete dhe familjet e tyre, sikurse ndodhi psh skandali me prerjen e “drurëve të arrave” të Rulit dhe Hoxhës, apo skandali i shitjes së naftës nga Hani Hotit dhe liqeni i Shkodrës ku është përfolur Berisha apo ai i armëve të Gërdecit dhe pasurive marramendëse të ushtrisë, ku na rishfaqet përsëri Berisha me Mediun, duke përdorur si koperturë spurdhjakun sarahosh e qejfli, derivatin e Vuçidolit i ndjekur nga një amerikan afarist duke marrë bekimin e CIA-s, apo me floririn dhe tufën e allishverisheve prej 700 mijë Eu të Ilir skraparlliut (gjasme do luftonte si “Alende” me kallash në dorë...kuptohet për pasuritë e tij dhe partisë familjare “Meta” e konvertur me akronimet LSI) për përmbysje të mëdha etj. etj. Etja dhe grykësia për fitime, të vjedhurit në mënyrën me spektakolare sidomos me firmat rentiere, mos vënia para përgjegjësisë penale kusarët e popullit, bëri që jo vetëm të krijohej koncepti se mund të vidhje e të mos dënoheshe, por kjo do shoqërohej me një shkallë të lartë korrupsioni, i cili fillonte nga piramida shtetërore e deri te nëpunësit e rëndësishëm të dikastereve dhe bashkive në rrethe. Videoaudio regjistrimet e b/ bisedimeve Meta - Prifti për postet drejtuese në shtet, në këmbim të shifrave marramendëse (mënyrë kjo, që Meta e përdorte dhe në premtimet për tu bërë deputet dhe kur nuk i ecte shantazhonte deri në kërcënim jete), bisedat e transmetuara nëpërmjet video përgjimeve midis trinomit “avokat-gjyqtar-polic” janë treguesit më të qartë se sistemi ynë i drejtësisë ka qenë më i padrejti në të gjithë rruzullin. E them me përgjegjësinë më të madhe, se (me përjashtime shumë shumë të rralla) nuk kishte drejtues institucioni që nga ministra e zv/ministra, prokurorë, gjykatës, avokatë, sekretare e zv/sekretare, drejtorë spitalesh, shefa pavionesh, përgjegjës kadastrash e privatizimesh, shefa urbanistike, shefa e drejtorë policie, rektorë e dekanë, drejtorë te dep. të arsimit, punonjës të bankës së shtetit e deri te një infermiere që të shpon në mollaqe të mos merrte para që nga ato me stampën e vendit e deri në valutë të huaj. (Teksa Rama vë dorën mbi Bibël dhe betohet se korrupsioni më i madh na qenka te gjyqtarët e jo te politika. Futja Rama futja qafë më qafë me bojëra të ftohta! Po mos këtë e ke një SMS për të qetësur mafien politike?). Por krahas korrupsionit të madh e galopant, një mënyrë tjetër e të vjedhurit ka qenë dhe ngelet ajo e marrjes së borxheve prej bankave europiane, atyre për zhvillim, apo asaj botërore nën maskën e zhvillimi të ekonomisë së Shqipërisë “me ritme të shpejta” për të rritur të ashtuquajturën mirëqenie dhe ulur nivelin e varfërisë. Këto para mbasi siguroheshin në formë borxhi, u ndaheshin ministrive sipas “një plani perspektiv të zhvillimit”. Po çfarë ndodhte realisht? Firmat dhe kompanitë e interesuara, në luftën për të siguruar ato të drejtën e fillimit të punimeve, në këmbim të fitimit të tenderit, do të futeshin në pazare të ndyra duke premtuar % (përqindjen) përkatëse, të cilën e merrnin organizatorët e tenderimit natyrisht që dhe kjo përqindje do shpërndahej që nga ministri e deri te ai që meritonte më pak. Në kësi rastesh për ta kuptuar se kush e merrte “pjesën e luanit”, nuk ka nevojë për një njeri që ka dy pare mend. Një pjesë e këtyre firmave, punimet i bënte shkel e shko, pjesa tjetër sidomos ato të huaja, iknin pa lenë gjurmë si puna e kompanisë së naftës që i la e gisht në gojë punëtorët e Ballshit etj. etj., e që shembuj ka me dhjetëra, për të mos thënë me qindra. I gjithë ky lëmsh i madh i cili sa vjen e mbështillet duke na vjedhur ne, në fakt ka qenë dhe ngelet pjesë përbërja e shtresëformimit të kapitalizmit në vendin tonë, të cilët në të pastajmen vendosën dhe zgjeruan rrënjët e kapitalit. Duhet nënvizuar se me këtë korrupsion dhe vetë anëtarët e kabineteve qeveritare nuk e kishin dhe s’mund ta kishin dot guximin e denoncimit, sepse ishin vetë të zhyer këmbë e kokë në llumin e korrupsionit. Pa këto batakçillëqe e vjedhje, pa këto mashtrime e kërcënime të cilat arrinin deri në dhunën individuale e atë shtetërore për të ruajtur pikërisht privilegjet kësaj shtrese (kujtojmë 1997-tën, 21 Janarin si dhe Gërdecin) as që nuk do të kishte kapitalizëm. Po si shpjegohet, përse këto partitë tona dhe figurat e tyre me surratet e vjetra, ende nga më të urryerat për popullin shqiptar e sidomos të njëjtët individë, duan madje këmbëngulin fort të jenë pushtetarët e ardhshëm? Tu qajë zemra e tu dhimbset populli me të vërtetë!? Hahahahaha. Aq sa i dhimbset Shpëtimit Çamëria, aq u dhimbsen dhe atyre... shqiptarët dhe Shqipëria! Ata duan vetëm të vjedhin mundin, djersën dhe gjakun tonë, sepse pa këto s’do të kishte aspak kapitalizëm. Kanë për borxh të marrin miliona e miliona borxhe deri në kufijtë e kërcënimit të lirisë së Atdheut pa në djall kush vjen e kush ikën! Shteti i Enver Hoxhës, vërtet nuk shijonte të ashtuquajturën “demokraci alla perëndimore”, apo “alla amerikane” (dërrcka zgare mbi prush te qoftexhinjve), por ama nuk i pati asnjë vendi borxh, madje në bankën e shtetit shqiptar kishte të paprekshme dhe valutën e emergjencës miliona e miliona dollarë për situatat më të vështira që mund t’i kanoseshin Atdheut. Kush i vodhi ato di gjë t’i popull im?! Si thoni ju, ata që na vodhën në ‘97-n, të mos i kenë vjedhur dhe ato rezerva, apo erdhi “frëngu” e na vodhi në mes të natës?! Si shpjegohet që jo vetëm, unë, por dhe im bir, im nip sikurse edhe embrionet tona që ndodhen ende në “skrotum” e në vezore, poshtë shalëve, sapo lindin, shteti u jep nga 40 mijë lekë? Po a e di ajo bebe ende pa mend, se sapo fillon të qarën e parë, lind me borxh gati 2700 – 3000? Shifër kjo që do të thotë se një familje prej 4 personash i takon të jetë debitore rreth 10 -12.000 Eu, teksa ne kemi 30 vjet që merremi për të zgjedhur se kush do të na sundojë, për të na e vendosur, sikurse u vendosin qeve të parmendës në qafë zgjedhën? Dhe ne fukarenjve, duke na u bërë mullaqet gjak nga hosteni i borgjezisë shqiptare që na shpon përherë, kur nuk jemi në brazdën e tyre, na kullon, djersa, loti dhe goja për shfrytëzuesit tanë, madje durojmë dhe poshtërimin. Ohhha kazil... ohaaaa Laro të çaftë ujku të çaftë! Jo or miku im që je si kau plak i parmendës, sa të ketë zgjedhë aty do të jesh, nën të... i nënshtruar ti dhe unë! Zgjedhjet për ty, që kësaj pune t’i vëmë kapak, nuk janë gjë tjetër, veçse ndërrim zgjedhe, as më shumë e as më pak, ç’t’i bëjmë po qe se nuk e kuptojmë... atëherë e paskemi hak!