BREAKING NEWS

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe 2 mijë të vdekur brenda ditës

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe
x

Opinion / Editorial

Zhvillimi i akuakulturës në Shqipëri

Zhvillimi i akuakulturës në Shqipëri

“Akuakulturë” është kultivimi ose mbarështimi i organizmave ujore si peshqit, molusqet, krustacet dhe bimët ujore nga personat fizikë ose juridikë, nëpërmjet përdorimit të teknologjive të përcaktuara për të rritur prodhimin e tyre përtej kapaciteteve natyrore në mjedis, ndërhyrjes në ciklin e tyre të plotë apo të pjesshëm, në një pjesë të përzgjedhur dhe të kontrolluar të territorit ujor dhe tokësor.

Përfitimet nga akuakultura sipas eksperiencës botërore

Sistemet tradicionale të Akuakulturës kontribuojnë ndjeshëm në prodhimin e peshkut si ushqim për komunitetet bregdetare dhe jo vetëm. Akuakultura gjithashtu ka potencial për rivendosjen e peshkut detar për qëllime konservimi. Përzgjedhja e zonave për akuakulturë është një proces tejet i rëndësishëm për zhvillimin e akuakulturës, pasi kërkohen vende të përshtatshme sa i takon karakteristikave mjedisore, cilësi e mirë e ujit dhe kushte të ligjshme ekonomike e sociale. Këto përbëjnë komponentët thelbësorë të zhvillimit të akuakulturës. Përmes krijimit të zonave të përcaktuara për akuakulturë, procesi i përzgjedhjes së vendndodhjes së akuakulturës do të përmirësohej duke e mbrojtur akuakulturën nga kushtet e pafavorshme mjedisore. Ashtu si çdo veprimtari tjetër, akuakultura ka përfitimet dhe kostot e saj. Akuakultura në Rajonin e Mesdheut dhe detin e Zi, sjell përfitime të shumta ekonomike. Përveç efekteve të drejtpërdrejta në GDP, jetesë e punësim, ushqim të shëndetshëm dhe jetëgjatësi, ajo mund t’i japë një vrull të ri industrisë së ushqimit të peshkut përgjatë gjithë zinxhirit të vlerave. Ajo mund të krijojë gjithashtu një sektor të ri të segmentuar të tregut ushqimor, duke lehtësuar gjurmueshmërinë e produkteve të akuakulturës në mënyrë që të kënaqë kërkesat e konsumatorëve. Akuakultura mund të prodhojë më tej mallra të rinj përmes aktiviteteve të larmishme si në aspektin e specieve e produkteve për konsum njerëzor dhe për stimulimin e industrive të tjera si p.sh. ajo e farmaceutikës, etj. (Aquaculture in the Mediterranean and the Black Sea: a Blue Groëth Perspective)

Legjislacioni shqiptar për akuakulturën

Për të rregulluar aktivitetin e akuakulturës në vendin tonë janë të miratuara politikat dhe kuadri ligjor përkatës duke filluar nga Strategjia Kombëtare e Peshkimit, Ligji nr. 103/2016 “Për Akuakulturën” si dhe akte të tjera nënligjore dhe rregullatore në zbatim të tyre. Ligji nr. 103/2016 “Për Akuakulturën” rregullon zhvillimin e aktivitetit të akuakulturës në tërësi duke përcaktuar bazën e nevojshme ligjore për ushtrimin e veprimtarisë ekonomike të prodhimit dhe kultivimit të organizmave ujorë në fushën e akuakulturës në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ai ka për qëllim të kontribuojë në nxitjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të industrisë së akuakulturës, nëpërmjet rritjes së konkurrueshmërisë dhe përfitimeve në këtë sektor, duke respektuar zhvillimin e ekuilibruar e të qëndrueshëm mjedisor në vend. Thelbi për zbatimin e këtij ligji është miratimi i Zonave të Përcaktuara për Akuakulturë (ZPA). Në vitin 2016 gjithashtu është miratuar edhe Strategjia Kombëtare e Peshkimit, në të cilën janë vendosur Objektiva Specifike Zhvillimi (OSZH) për sektorin e akuakulturës që kanë për qëllim përafrimin e planifikimit strategjik gjithëpërfshirës dhe lehtësimin e investimeve në akuakulturë përmes identifikimit të Zonave të Përcaktuara për Akuakulturë. Miratimi dhe hyrja në fuqi e Ligjit për Akuakulturën si dhe miratimi i Strategjisë Kombëtare të Peshkimit i detyrojnë strukturat përgjegjëse në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të hartojnë dhe të marrin masa për miratimin e akteve nënligjore dhe rregullatore që duhen për të bërë të mundur zhvillimin e sektorit të akuakulturës.

Situata aktuale e zhvillimit dhe funksionimit të akuakulturës në Shqipëri

Kontrolli i Lartë i Shtetit në dhjetor të vitit 2019 përfundoi auditimin e performancës me temë “Performanca e MBZHR-së në Kuadër të Zbatimit të Politikave të Peshkimit dhe Akuakulturës” të ushtruar në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe në institucionin e varësisë, Drejtorinë e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, për periudhën 2016 – 2018. Në përfundim të auditimit grupi i auditimit konstatoi një sërë problemesh që pengojnë zhvillimin e sektorit të akuakulturës. Ligji i Akuakulturës ka hyrë në fuqi në vitin 2016 dhe MBZHR nuk ka marrë asnjë iniciativë për të mbledhur palët e përfshira dhe për të filluar punën për miratimin e Zonave të Përcaktuara për Akuakulturë. Miratimi i ZPA-ve është hapi i parë dhe kryesor për t’i hapur rrugë zhvillimit të sektorit të akuakulturës. Sipas përcaktimeve të ligjit, lidhja e kontratave për ushtrimin e aktivitetit të akuakulturës pezullohet deri në momentin e miratimit të ZPA-ve. Rrjedhimisht, “Planet e monitorimit të aktiviteteve të akuakulturës”, “Forma e dokumenteve, procedura dhe përmbajtja e kontratës” dhe udhëzimet përkatëse në zbatim të Ligjit nr. 103/2016 “Për Akuakulturën”, nuk janë miratuar si rezultat i mos përcaktimit të ZPA-ve. Përveçse përgjegjëse për zbatimin e Ligjit të Akuakulturës dhe përmbushjen e OSZH, pjesë e zhvillimit të akuakulturës janë dhe ekonomitë e rritjes së rasateve dhe Qendra e Grumbullimit dhe Depurimit të Midhjes. Ekonomitë e rritjes së rasatit të Koranit në fshatin Lin të Pogradecit dhe rritjes së Krapit në fshatin Zvezdë të Korçës, kanë si qëllim rritjen e rasatave të peshkut të Koranit dhe Krapit me qëllim ripopullimin e liqenit të Ohrit dhe Prespës. Teknologjia specifike që përdoret bën të mundur rritjen e rasateve në një cikël të mbyllur prej 10 muajsh. Këto ekonomi rritje nuk furnizohen mjaftueshëm me ujë dhe cilësia e tij nuk është në parametrat e duhura. Ekonomia e Linit nuk ka një mol, i cili do të ndihmonte për të rritur efektivitetin e procesit të hedhjes së rasatit në liqen, ndërsa ekonomia e Zvezdës nuk punon me kapacitet të plotë pasi nuk arrin të furnizohet mjaftueshëm me ujë. Qendra e Grumbullimit dhe Depurimit të Midhjes, Sarandë ka si qëllim të garantojë hedhjen në treg të produktit të midhjes konform kushteve higjeno-sanitare, për të garantuar një produkt cilësor dhe për të certifikuar për konsumatorët. Klasifikimi i cilësisë së midhjes, bëhet sipas tre klasave. Klasa A është e lejueshme për tu hedhur në treg për konsum, ky produkt etiketohet në QGDM dhe shoqërohet me certifikatën përkatëse dhe hidhet në treg. Në rastet kur produkti klasifikohet si Klasa B atëherë ai i nënshtrohet procesit të depurimit në qendër. Në rastin kur produkti i analizuar klasifikohet si Klasa C, hedhja e tij në treg është kategorikisht e ndaluar. QGDM Sarandë nuk siguron që e gjithë sasia e prodhuar e midhjeve të kalojë në qendër për certifikim, etiketim apo depurim sipas klasifikimit, pra sasia e midhjeve të hedhura në treg nuk klasifikohet dhe certifikohet nga kjo qendër sipas kërkesave ligjore. Konkretisht, gjatë periudhës objekt auditimi (2016-2018), nga 2953 ton midhje të prodhuara në total, vetëm 212.77 ton prej tyre kanë kaluar në QGDM, ose 6.28% e sasisë totale. 93.72% e sasisë totale të prodhuar nuk i është nënshtruar asnjë lloj kontrolli. Si përfundim, masat e marra nga MBZHR, në vitet 2016-2018, për menaxhimin e aktivitetit të akuakulturës kanë qenë minimale. Mos miratimi i ZPA-ve ka sjellë mos zhvillimin e sektorit të akuakulturës dhe mos kalimi i të gjithë sasisë së midhjeve në QGDM ka bërë që konsumatorët të konsumojnë midhje pa asnjë kontroll. Kontrolli i Lartë i Shtetit përmes vendimit të auditimit Nr. 166, datë 28.12.2019 të kryetarit Bujar Leskaj ka lënë një numër rekomandimesh me qëllim përmirësimin e situatës. Ndër më kryesoret mund të përmendim, fillimin e punës për hartimin e draft VKM-së për përcaktimin dhe miratimin e ZPA-ve, hartimin e miratimin në Këshillin e Ministrave të Formës së dokumenteve, procedurës dhe përmbajtjes së kontratës që lidhet midis palëve. Gjithashtu disa rekomandime janë lënë edhe për ekonomitë e rritjes së rasateve në Lin dhe Zvezdë, të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e furnizimit me ujë si dhe marrjen e masave për rritjen e kapacitetit të QGDM Sarandë, përmirësimin e teknologjisë së saj për certifikimin dhe etiketimin e të gjithë sasisë së midhjeve të prodhuar në liqenin e Butrintit dhe çeljen e eksporteve.

*Audituese, KLSH