BREAKING NEWS

Ngjarje kriminale/ Zbrazen plumbat mbi uniformat blu të Policisë në Mamurras, plagosen rëndë dy efektivë, nisen me urgjencë në spital

Ngjarje kriminale/ Zbrazen plumbat mbi uniformat blu të Policisë
x

Opinion / Editorial

Ziqiri Mero, mëndja e kthjellët, zëmra që nuk mplaket...

Ziqiri Mero, mëndja e kthjellët, zëmra që nuk mplaket...

.... Ecën në të dy shekujt, tetëdhjetë vite në shekullin e kaluar dhe njëzet e një vite në shekullin në vazhdim.. Është Gjenerali dhe Kundëradmirali i fundit i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Është dëshmitari i vetëm i Luftës heroike Nacionalçlirimtare si Gjeneral e Kundëradmiral, i bekuari i Zotit, i “ndëshkuar” prej tij me njëqind e një vite, si për të dëshmuar që heronjtë nuk vdesin, që luftëtarët, kanë akoma për të dëshmuar për vitet e vështira të luftës së madhe dhe gjakun që u derdh, për mundin dhe sakrificat që bijtë e Shqipërisë kanë bërë për të ardhmen... Ziqiri Mero gjatë njëqind e një viteve të jetës së tij, ka patur pranë bekimin e Zotit, lavdinë që i jep Atdheu, urimet që i jep shoqëria, amanetet që i kanë dhënë shokët e tij të luftës e të punës për të çliruar dhe ndërtuar Shqipërinë. Tek e pyesim për shokët e tij të luftës e të punës, bie në mendime. Bie në mendime jo se nuk i mban mend, i mban mend një e nga një, por lotët nuk e lejojnë tek i përfytyron të gjallë pranë tij, tek jepnin jetën për të bërë realitet betimin për të çuar deri në fund ëndrrën e tyre për çlirimin e vendit nga pushtuesit dhe tradhtarët. Sa e sa të tillë kujton, qysh kur u rreshtua në radhët e Brigadës së Parë Sulmuese me detyrën e Komisarit të Kompanisë, e deri tek ata që janë ndarë nga jeta ditët e fundit. Nuk i përmban lotët tek kujton bashkëluftëtarët e tij e në mënyrë të veçantë me atë që nuk u nda asnjëherë në çdo betejë gjatë luftës e mbas saj siç ishin Gjeneralët Muhamet Prodani, Arif Hasko, Abaz Fejzo... Janë me dhjetëra dhe i kujton një e nga një... I dëshmon të gjitha këto, me mendje të kthjellët, ashtu si ia dikton zemra e tij që nuk i “pyet” vitet e moshës, me energjitë e një luftëtari që nuk ndien lodhje. Nuk e lodhën asnjëherë puna dhe sakrificat e shumta, kaq sa e kanë lodhur shokët e tij të shumtë që tashmë nuk i ka pranë, ata që së bashku përballuan betejat me armiqtë pushtues e tradhtarë, por nuk përballuan ato me këtë “armik të padukshëm” që “na ka pushtuar, por nuk na ka mposhtur” siç shprehet vetë ky luftëtar i pamposhtur.

Më duket sikur e bezdis duke e marrë mbi vete edhe “shpërblimin” që do të më japi me ndonjë kërcënim: “Po mirë more, juve të gjithë një avaz paskeni, sa herë unë i kam thënë dhe përsëri më kërkoni t’i tregoj”! Ma ka thënë dikur këtë prandaj edhe e prisja, por jo, këtë radhë u tregua më “tolerant” dhe m’u duk sikur ma bëri “privilegj” meqë më ka nga Devolli. “Të gjithë ne, dimë shumë, i them, por më duhet t’i dëgjoj edhe njëherë nga goja juaj, sepse sa herë që na i tregoni, ne, nuk ngopemi. Juve ju ka rënë në pjesë, të mbani “gjallë” edhe prindërit, xhaxhallarët e të afërmit tuaj të cilët kanë dhënë kontributin e tyre, për dije e arsim, të cilët, të gjithë së bashku bëjnë më shumë se efektivi që kishte në ditët e para të krijimit të saj, Brigada e Parë Sulmuese”!

 Ziqiri Mero, lindi në fshatin Baban të Devollit, më 26 mars të vitit 1920. Katër klasat e para të shkollës fillore i kreu në Devoll dhe klasën e pestë, e përfundoi në qytetin e Korçës, mbasi nuk kishte në krahinën e tij Devoll. Në qytetin e Korçës kreu edhe shkollën teknike. “Dëgjo more djalë, i tha babai, në përfundim të Shkollës teknike, tregon: “Me këtë shkollë, nuk ke gjë, prandaj, do të bëni ca përpjekje më shumë që të vazhdoni një shkollë më lart dhe për këtë ju rekomandoj të vazhdoni Shkollën Normale në Elbasan. Dhe kështu bëra”! E kishin traditë të parët e tij shkollimin, sepse “pa shkollë, je një hiç”, i kishte thënë dikur babai i tij, Sefedini. Kjo është arsyeja që në çlirimin e vendit, nga familja “Mero” në fshatin Baban, kishte njëzet e dy vetë që kishin përfunduar shkollat e mesme dhe ato universitare, gjashtë prej të cilëve në Romë, Paris, Stamboll e gjetkë. Gjyshi i tij Ali Mero, ish-anëtari i Kryesisë të Organizatës atdhetare për hapjen e shkollave shqipe, duke filluar me hapjen e shkollës së parë më 1887 në qytetin e Korçës. Dy xhaxhallarët e tij Maliq dhe Sali Mero, kishin përfunduar studimet Universitare në Stamboll. Sali Mero, ishte edhe antar i Asamblesë së Fan. S. Nolit në vitin 1924, e cila kjo i kushtoi shtrenjtë duke e lënë të papunë për bindjet e tij patriotike, si pjesmarrës në Revolucionin demokratiko borgjez, të udhëhequr nga Noli. Babai i tij Sefedin Mero, përfundoi gjimnazin e Manastirit dhe ishte pjesmarrës në Kongresin e parë të Manastirit për gjuhën shqipe. Gjatë luftës, Sefedini, ishte antar i këshillit Nac-Çlirimtar dhe shtëpia e tij u bë bazë e Luftës Nacionalçlirimtare. Po kështu, edhe shtëpia xhaxhait të tij Feim Mero, u bë bazë e Luftës në qytetin e Korçës.

Të hysh e të shkruash për vlerat dhe kontributet që kanë dhënë anëtarët e fisit “Mero” nga fshati Baban, nuk përfundon kurrë, por le të kthehemi tek mësuesi Ziqiri Mero në fshatin Panarit. Në shkollën Normale të Elbasanit, diplomohet si mësues në vitin 1940, me rezultate të larta, karakteristikë kjo e këtij trimi të etur për dije duke ecur në gjurmët e traditës të të parëve të tij, ku do të tërhiqte vëmendjen e mësuesve dhe kolegëve të tij në këtë shkollë. Me diplomën e mësuesit, paraqitet tek kryeplaku i fshatit Panarit të Korçës, Jonuzi, i cili, mbasi i pa diplomën, i dha edhe çelësat e shkollës duke i ngarkuar edhe detyrën e përgjegjësit që të merrte masa për fillimin e vitit shkollor. Diplomën e kishte për mësues, por, mendja e tij, rrihte gjetkë. Mendja e tij prej luftëtari punonte se si të shporrnin pushtuesit që kishin zaptuar vendin. Qysh në ditët e para të fillimit në detyrën e re të mësuesit, filloi të kërkojë shokët që i vinin pas “ujit” të luftonin për çlirimin e vendit. Me të parin shok që ju puqën bindjet, qysh në fillim, ishte Shyqyri Haruni, i cili kishte rënë në sy të të gjithëve në zonën e tij për bindjet patriotike dhe antifashiste. Të dy së bashku, morën në gjirin e tyre edhe shtatë tetë shokë të tjerë dhe krijuan kështu një grup antifashist apo një çetë të vogël luftëtarësh. Ziqiriu, mori detyrën më të vështirë, atë të mbledhjes së armëve dhe municioneve mbasi aty në ata fshat, kalonte edhe vija e frontit të Luftës italo – greke. Në përfundim të kësaj lufte, kishin mbledhur rreth 20 armë dhe municione të kalibrave të ndryshëm. U vendos lidhja me krupin komunist të Korçës dhe ua dorëzuan atyre armët dhe municionet. “Më ngriu gjaku, vazhdon Ziqiriu, kur ndërsa unë sapo kisha filluar orën e mësimit, më troket në xham një oficer i milicisë, Riza Kodheli, i cili milicët e tjerë i kishte lënë pak më larg, për të mos rënë në sy me veprimet e tij. Dal jashtë. Unë kisha dëgjuar për Riza Kodhelin, por nuk e njohja nga afër. Rizai, më kërkoi që të dal nga mbrapa shkollës. “Dëgjo mor djalë, më thotë, kam urdhër të të arrestoj sepse keni rënë në sy të të gjithëve si antifashist. Më “shkriu” gjaku. Që të mos më merrni në qafë edhe mua, vazhdon Rizai, qysh nga ky moment nuk do të dukeni më në Panarit. Unë do të them në xhandarmëri që nuk e gjeta, dhe ti do të largohesh sa më parë, por nuk do të ikni nga ana e Vithkuqit, sepse këtej ju njohin të gjithë, por do të ikni nga ana e Sherrës”. Rizai u largua dhe unë shpejt e shpejt, lajmërova shokët ata që munda dhe vrapin e mbajta në Devoll, ku atje hyra në lidhje me Çetën e Moravës. Më vonë me Riza Kodhelin, me këtë trim e luftëtar të madh në radhët e Luftës Nacionalçlirimtare, na lidhi një miqësi e ngushtë. Në gusht të vitit 1943, Ziqiriu, mori detyrën e Komisarit të Kompanisë së Parë në Brigadën e Parë Sulmuese. Komisari i Kompanisë së Parë, i pari ishte edhe në çdo betejë, deri në çlirimin e vendit. Mbasi Brigada e Parë Sulmuese, u kthye nga Operacioni në Malësinë e Madhe, Ziqiriu, 25 vjeç emërohet punonjës për propagandën në Drejtorinë Politike të Ushtrisë. Më pas emërohet në detyrën e Komisarit të Divizionit të këmbësorisë në qytetin e Korçës dhe më pas Komisari i Divizionit të këmbësorisë Tiranë. Në vitin 1950 deri në vitin 1955 kryen studimet e larta në Akademinë Ushtarake Politike “Lenin” në Moskë dhe mbasi kthehet emërohet në detyrën e Komisarit të Korpusit Elbasan. Mbas dy vitesh emërohet në detyrën e Komisarit të Mbrojtjes Bregdetare me bazë në Durrës dhe në vitin 1960 në Komisar në FLD me bazë në Vlorë. Viti 1961 e gjen Gjeneral Major dhe Kundëradmiral. Në vitin 1973 emërohet Komisar i Akademisë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë derisa doli në pension. Siç shihet në të gjitha detyrat, e karakterizoi përkushtimi, vendosmëria për të bërë të pamundurën në mbrojtje të interesave të Atdheut e sidomos në fushën e Mbrojtjes. Është dekoruar disa herë me medalje të ndryshme nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Jeta dhe aktiviteti i tij prej më shumë se tetëdhjetë vitesh nuk mund të përmblidhet në pak rreshta. “Është “beteja” e sotme me këtë armik “të padukshëm”, më thotë ajo që më ka lodhur më shumë nga çdo betejë tjetër që kam kaluar. Më shumë se më ka lodhur, më ka mërzitur sepse më ka ndarë nga shokët, nga takimet me ata, sepse akoma kemi detyrime, të bëjmë diçka, aq sa mundim”! Akoma ky luftëtar i madh, ndien detyrime për atdheun... Njerëz të tillë si Ziqiriu janë të veçantë, janë ndër të paktët që ashtu si e filluan jetën e tyre, me ato bindje për të bërë gjithçka për interesat e larta të atdheut, ashtu e vazhduan dhe ashtu vazhdojnë. Përfitojmë nga rasti që në këtë përvjetor të lindjes së tij, t’i urojmë me zemër edhe shumë vite të tjera jetë e shëndet, megjithëse zëmrat e të gjithëve do të dëshironin që për njerrëz të tillë, të ishin të përjetshëm.....