BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Zot na ruaj nga hajdutët e “ndershëm”!

Zot na ruaj nga hajdutët e “ndershëm”!

…Sepse, shteti duket sikur është i angazhuar të luftojë vetëm hajdutët e “pandershëm” që vjedhin ndonjë pulë, apo biçikletë etj. dhe mbështet hajdutët e ndershëm! Hajdutët, nga ana e tyre ndahen në shumë kategori. Ka prej atyre që futen në “hajdutë të ndershëm”, në hajdutë “të pandershëm”, në hajdutë “të rrezikshëm”, në hajdutë “të mëdhenj”, hajdutë “të vegjël” etj. Po ku dallohen hajdutët e “ndershëm” nga ata të “pandershmit”? Ata, së pari dallohen nga pamja e jashtme. Zakonisht hajdutët e “pandershëm” vendosin në fytyrë maska apo doreza të vjetra e vishen me rroba të çfarëdollojshme. Ata, kryejnë aktivitetin e tyre me mjete nga më të thjeshtat deri në ato më të sofistikuarat, duke filluar qysh nga kaçavidat, daltat, levat çomanget e deri tek armët e ftohta e ato të zjarrit si thikat, pistoletat e automatikët të pajisur me silenciatorë. Zakonisht, nuk përdorin makinat e tyre nëqoftëse kanë, por përdorin makina të vjedhura që mbas realizimit me sukses të “detyrës”, u vënë zjarrin. Këtë mënyrë “efikase” ata e përdorin edhe në raste të kryerjes së atentateve ndaj personave të ndryshëm që kanë vendosur që për arsye të ndryshme t’i eliminojnë fizikisht. Kryesisht këta lloj hajdutësh “me shumicë” vjedhin ç’tiu dali përpara, pavarësisht nëse e kanë planifikuar qysh më parë apo jo. Mund të përmendim kështu vjedhjet e portofolave, të energjisë elektrike, të rrobave të ndera në ballkone, etj. etj. dhe veçanërisht nëpër shtëpitë duke mos kursyer as të afërmit e tyre. Ndaj këtyre llojeve të hajdutëve, shteti është i “pamëshirshëm” dhe sipas rastit, i fal, i këshillon apo i fut në burg kur ata janë recidivistë. Në institucionet e riedukimit apo burgjet siç quhen në gjuhën popullore ka plot të tillë, të cilët me të vërtetë janë bërë një shqetësim për qytetarët. Njeriu, nga vetë natyra e tij, është i prirur të kryeja një punë të çfarëdollojshme për të mbijetuar apo për të jetuar dhe në rastin kur punë nuk ka, kur mësim në shkolla nuk kryhet, kur lëvizja në qytete të tjera është vështirësuar për arsyen e pandemisë, vjedhja është aktiviteti më i rëndësishëm i tyre sidomos i të rinjve, sepse fitojnë shuma të mëdha në pak kohë, vetëm se kërkohet mjeshtëri dhe zotësi, cilësi këto që sidomos të rinjve, nuk u mungojnë. Këta tipa, janë sprovuar në “zjarrin” e praktikës së përditshme. Planet, për të kryer vjedhje të tilla të rëndomta, të rastësishme apo të planifikuara, planifikohen në “zyrat” e kafeneve dhe studiohen me vëmendje në vendin ku do të kryhet “sulmi i befasishëm”. Një numër jo i vogël i këtyre hajdutëve, siç e thamë, ndodhen në institucionet e riedukimit, të tjerë lëvizin të lirë e të tjerë, presin momentin të “punësohen” në këtë lloj aktiviteti.

Por, të mos harrojmë, kjo lloj kategorie, e këtyre hajdutëve të “pandershëm” t’i quajmë, sepse nuk mund t’u thuash “i ndershëm” përderisa u shkaktojnë dëme të pallogaritshme qytetarëve që bien preh e tyre. E deri tek të afërmit, jo më shumë ekonomik sesa psikologjik sidomos ndaj fëmijëve dhe grave tek të cilët do të lënë pasoja për tërë jetën. Midis atyre që lëvizin të lirë janë edhe ata të fshatrave, kur kohët e fundit, ka marrë një zhvillim të madh vjedhja e frutave dhe perimeve në bahçet dhe arrat e fshatarëve, ku jo vetëm qershitë dhe fiqtë, fjala vjen që i vjedhin, por nuk lënë as degë. Po ku të ankohen fshatarët? Edhe ata që kanë shkuar në organet e policisë përcillen me fjalët: “E po fruta kanë marrë, nuk janë ndonjë gjë e madhe përpara atyre vjedhjeve më të mëdha që ne kemi në duar”.

Janë të pafund hajdutë të tillë e të kudondodhur sidomos kohët e fundit për të përfituar në këtë kohë krize të ekonomisë. Por duhet të kuptojmë edhe atë tjetrën që këta lloje hajdutësh, janë pjesa më e “ndershme”, krahasuar me hajdutët “e ndershëm”! Po cilët futen në hajdutët e “ndershëm”? Në këtë kategori, futen të gjithë ata që për të vjedhur, nuk përdorin as kaçavida, as maska, as leva, as kokore dhe as armë të ftohtë apo të zjarrit për realizimin e qëllimit të tyre, por përdorin vetëm “leva” me dy këmbë. Këta lloje hajdutësh, qëndrojnë gjithmonë të veshur “spic” me kostume të zinj e këmisha të bardha, me kollare me ngjyrën e partisë që përfaqësojnë, me këpucë tip “choocher”, në qafë mbajnë gjerdanë floriri, në dorë e në gishta mbajnë byzylykë dhe unaza floriri. Këta kanë pasuri nga më të paimagjinueshmet, në të luajtshme e të paluajtshme, në xhep e në natyrë, në letra me vlerë e na troje, brenda apo jashtë vendit! E veçanta e këtyre hajdutëve është ajo që jo vetëm nuk luftohen nga shteti, por përkundrazi, ata ndihmohen dhe më keq akoma nxiten, apo edhe “shpërblehen” për “sakrificat” e tyre. More, po ku janë këta hajdutë të tillë të veçantë në llojin e tyre? Këta janë në Parlament, janë në Presidencë, janë në qeveri, janë në pushtetin vendor, janë në institucione, janë në zyrat e shtetit, janë në profesioneve nga më të ndryshmet, shtetarë apo pronarë që zhvatin e zhvatin me të dy duart, zhvatin me një shikim, me një shkelje syri, me një firmë apo me anën e një ortaku që e mban si “ogic”, me anë sekserësh që i kanë “punësuar “me shumicë”, etj. etj.

Këta lloje, fillojnë qysh nga i pari i vendit siç quhet Presidenti e deri tek ata më të “vegjlit” që kanë një post apo një funksion edhe të rangut të ulët. Presidenti, nuk lëviz “asnjë grimë” nga Kushtetuta kur është fjala për ndonjë “grusht shteti”, por kur është puna të japi llogari për dallaveret e tij, këtu nuk e zë në gojë nëse është në përputhje me Kushtetutën apo jo! Ju qep Dvoranit me “bukë në trastë” sepse ky, dha votën e tij kundër për të nxjerrë Presidentin nga “sikleti”, por nuk i zë në gojë ata katër anëtarë të tjerë të trupit gjykues si Gani Dizdari, Majlinda Andrea, Arjana Fullani dhe Guxim Zenalaj që “guxuan” t’i mbulojnë ish-zv/kryeministrit një aferë korruptive 700.000 euro. Të katër këta, ose kanë ngecur në veting për korrupsion, ose janë dënuar me burg. Po të ishte “i ndershëm” ky ish-zv/kryeministër e sot President, do t’u thoshte atyre gjykatësve që i bënë “keq”: “Pa hajdeni këtu juve gjykatës që më keni lënë të lirë që unë të bëj zullume, dhe t’ju ndëshkoj sepse nuk e lejon Kushtetuta një gjë të tillë”! Duke mos vepruar kështu presidenti ynë ka bërë të mundur që “me Kushtetutë” të shtojë pafundësisht pasuritë e tij, e që do të vijë një ditë që të japi llogari e t’i bjerrë kokës me grushta duke thënë: “Ah more gjykatës që më morët në qafë”! Ah këta gjykatës sa “të pafajshëm” kanë marrë në qafë. Po të shkojmë më poshtë do të shohim “xhevahire” nga më të paimagjinueshmet. A ishim të gjithë të izoluar në këtë periudhë katër mujore nga pandemia “COVID-19”? Po, ishim. Qytetarët pranuan të durojnë dhimbjet deri edhe në mosmarrjen pjesë në varrosjen e të afërmve e familjarëve të tyre duke mos u ditur as varrin. Po kush lëvizi pa pyetur për pandeminë? Vetëm deputetët, jo të gjithë, por një pjesë e mirë e tyre. Të mendosh që këta lloje hajdutësh që populli i njeh për “Kajmak”” apo “Ajkë” në gjuhën e popullit, që nuk kanë lëvizur asnjëherë në kohë normale për hallet e popullit, lëvizin në kohë rrethimi, si mund të kuptohet kjo përveçse ju “mbaruan” rezervat e të ardhurave që i marrin me “thërrime”? Edhe rrethimin e “çajnë” edhe dieta ushqimi për vete e për makinat marrin, pse të mos lëvizin kur e dinë që shtetit “balash” i ka mbaruar “tagjia”, por në të vërtetë ai paska “dhjamë” me bollëk”. Ç’kanë bërë në këtë rast këta “kajmakë”? Kanë vjedhur! Por a është dënuar kush prej tyre? Mos e dhëntë zoti! “Kajmakët” që i quan populli që ndodhen në Parlament, janë me shumicë, që në të vërtetë shumë prej tyre janë “batak”, nuk kanë zënë atje karriget se janë “kajmakë” nga mendja, por janë “kajmakë” nga xhepat dhe ata bëjnë ligjin. A nuk i amnistoi shteti të gjithë ata që kanë vjedhur sa kanë dashur, por që sot qëndrojnë larg politikës? T’i gëzojnë ata, me bekimin e shtetit sepse të gjithë janë të tillë. “Kajmakët” e politikës e kushdo qoftë, dinë vetëm të marrin me të gjitha mënyrat. Por a kanë dhënë diçka për të tjerët? Mos o Zot! Të marrim një zonë si ajo e Gramshit. Atje, është një “kajmak” që nuk është “mall” vendi. Ky “kajmak” nuk është i preferuari i popullit, por është i partisë dhe si i tillë ai as nuk e di ku bie Gramshi. Po a ka Gramshi njerëz të ditur dhe që kanë reputacion, që populli i do dhe i respekton? Ka sa të duash. Ja, njëri prej tyre është Skënder Lena, njeri i punës, njeri i dashur për të gjithë, njeri i ndershëm si askush tjetër që familja e tij, brez pas brezi, kanë dhënë gjakun, mundin dhe djersën e tyre për Gramshin. Vetë Skënderi, pa as më të voglin interes ka vënë miliona në shërbim të komunitetit të kësaj zone, qysh nga investimi për shkollat, për spitalet, për arsimin e për shkollimin e të rinjve, për kulturën etj. me mundësitë e tij. Por ja që njerëz si Skënderi, nuk janë të preferuarit e parisë, sepse nuk investojnë për shtetarët, por për qytetarët, nuk investojnë për hajdutët, por për njerëzit në nevojë, për njerëzit e ndershëm. Shteti, përkrah dhe ndihmon hajdutët “e ndershëm” në shumë mënyra sepse këta, nuk vjedhin shuma të vogla e nuk janë kultivues e prodhues të parcelave të vogla me drogë. Këta merren me gjëra të mëdha, me drogë me tonelata apo me miliona. Shikoni si ndërrohen drejtuesit e institucioneve, kur brenda një kohe të shkurtër në të njëjtin funksion, ndërrohen disa prej tyre. Nuk hiqen të korruptuarit e vijnë të “ndershmit”, por vijnë me radhë që të gjithë, jo të ngjyejnë jo nga pak, por të hanë si “ariu” në “qypin me mjaltë” si Hipoteka etj. etj. Kohët e fundit, u vodh kasaforta e parave të policisë ku jepen patentat. Në këtë rast, hajdutët e “pandershëm” vijnë në ndihmë të hajdutëve të “ndershëm”që shteti i ka vjedhur “me ndershmëri”! Po si i ka vjedhur? Ja, në asnjë vend parkimi nuk vendoset një tabelë që ndalohet parkimi i makinave. Pse? Që qytetarët të parkojnë atje dhe t’u vendosin gjoba. “A shikoni tabelë që lejohet parkimi këtu”? Pse bëhet kjo? Që shtetarët të vjedhin me “ndershmëri” dhe hajdutët e “pandershëm” të vjedhin me “pandershmëri”! Sa e sa të tjera ka të tilla prandaj i lutemi zotit të na ruajë nga hajdutët e “ndershëm” sepse ndonjë i “pandershëm” edhe dënohet. Ama, të mos harrojmë se hajdutët e “pandershëm” janë ata që kapen sepse nuk dinë të vjedhin. Përkundrazi, hajdutët e vërtetë, apo ata të “ndershëm” nuk kapen kurrë, sepse, nuk është kryesore që ata vjedhin, por mbi të gjitha, dinë të fshehin e të fshihen në zyrat me emrin “Shtet”!