BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

Zotërinj demokratë! Tregoni me gisht autorin e vërtetë të humbjes së 25 prillit!

Zotërinj demokratë! Tregoni me gisht autorin e vërtetë

Humbja e thellë e zgjedhjeve të 25 prillit e Partisë Demokratike dhe opozitës, ka sjellë një tulatje, hutim dhe një situatë disfatiste në këtë kamp. Partia Demokratike shumë shpejt po nxiton të akuzojë dhe fajësojë qeverinë dhe Edi Ramën për “manipulimin zgjedhor”. Humbja e 25 prillit besoj se nuk i takon tërësisht z. Lulzim Basha, por degradimit të Partisë Demokratike gjatë tërë këtyre viteve të demokracisë. Disfata e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit nga Partia Demokratike, i dedikohen besoj “urrejtjes popullore”, që ka shumica e popullit shqiptar, për manipulatorët e Partisë Demokratike ndër vite dhe z. Sali Berisha. Në fakt Partia Demokratike për periudhën e demokracisë në Shqipëri; inspiruesin, manipuluesin, dëmtuesin e proceseve zgjedhore qysh nga fillimi, e ka brenda në partinë e saj dhe ai është vetë drejtuesi i saj- z Sali Berisha. z Sali në kohën e tij ngriti struktura partie dhe pushteti, për kryerjen e manipulimeve zgjedhore. Ai mbolli farën e manipulimit zgjedhor, të cilët tani ajo po i kthehet në të kundërt, në dëm të Partisë Demokratike. Dihet që me anë të këtij manipulimi zgjedhor, z Sali mbajti pushtetin e tij prej disa vitesh. Partia e tij “Demokratike” asnjëherë nuk është votuar nga shumica e popullit shqiptar, por gjithmonë ai i ka vjedhur brutalisht zgjedhjet, duke mbajtur në fuqi klikën e tij manipulatore. Dihet, partia e tij vetëm në vitin 1992 fitoi zgjedhje me votë masive popullore, ku populli me votë shprehu zemërimin e akumuluar ndaj regjimit komunist dhe rrëzoi pushtetin e Ramiz Alisë. Por Partia Demokratike shumë shpejt zhgënjeu popullin shqiptar, i cili priste një demokraci europiane dhe shpresoi në parullën e kohës: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Shumë shpejt shumica e popullit nuk iu bashkuan partisë së tij, pasi ata e kuptuan që një ish-komunist- ekstremist, nuk mund të sillte demokracinë e vërtetë në Shqipëri. Ai i persekutoi ata me dhunë, i la pa punë dhe pa asnjë të ardhur. Edhe shokët e tij të cilët kishin kontribuar për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri, u përjashtuan, u përçmuan dhe u persekutuan prej tij. Nën maskën e “reformave demokratike”, ai pezulloi dhe përjashtoi nga puna shumë njerëz, të cilët nuk ishin dakord me veprimet e tij. Referendumi për Kushtetutën më 6 nëntor 1994, të cilin ai e humbi ku shumica e zgjedhësve i thanë: “jo” këtij referendumi, tregoi që populli nuk ishte dakord me reformat e tij dhe nuk po pranonte më regjimin e tij. Ky referendum tregoi situatën e vërtetë të elektoratit në atë kohë në Shqipëri. Sali Berisha nuk u mundua ta manipulonte referendumin, duke mos i dhënë rëndësi atij, siç bënte me proceset zgjedhore; rezultati i të cilës tregoi për ndryshimin e raporteve të elektoratit shqiptar. Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara prej tij ishin nga më brutalet dhe skandalozet. Struktura partiake apo shtetërore të ngritura prej tij realizuan manipulimet masive të listave zgjedhore, votimin masiv familjar, apo votim në grup si dhe votim në më shumë se tre dhe katër herë. Zgjedhjet e tij ishin një turp, ato nuk kishin të bënin fare me demokracinë. Tani që Partia Demokratike nuk mund të manipulojë dot zgjedhjet, pasi nuk ka pushtet, ajo po humbet vazhdimisht zgjedhjet, duke treguar në të vërtetë elektoratin minorancë të saj. Edhe në zgjedhjet parlamentare më qershor 2013 Partia demokratike humbi thellë, pasi ajo nuk mundi të manipulojë dot rezultatin, pasi kishte presionin amerikan dhe europian, për të kryer një proces të rregullt zgjedhor. Z. Berisha sot po na bën moral për: zhvillim zgjedhjesh të drejta dhe të ndershme. Dalja nga Parlamenti dhe djegia e mandateve, janë një shkak i rëndësishëm i humbjes së zgjedhjeve nga Partia Demokratike. Një arsye tjetër besoj është se disa kandidatë figura të vjetra të nomenklaturës Berishiane, ishin në listat e Partisë Demokratike, të cilët populli, i njeh shumë mirë për manipulimet dhe brutalitetin e tyre. E vërtetë është se z Basha ka larguar me të drejtë nga kandidimi disa figura të njollosura, mbështetës kryesorë të z. Berisha gjatë gjithë këtyre viteve. Z. Basha nuk mundi dot të ngrihej mbi metodat e vjetra të bërjes opozitë të z. Berisha. Në opozitën e tij pati elementë ekstremistë berishiane si: djegia e mandatave dhe dalja nga Parlamenti, apo përdorimin e dhunës ndaj institucioneve, krijimin e strukturave për “mbrojtjen e votës”, e cila ishte një krijesë jo-ligjore e Partisë Demokratike, gjoja krijuar për mbrojtjen e votës. Kjo strukturë përdori dhunë ndaj kundërshtarit dhe vrau një njeri duke dëmtuar rëndë imazhin e Partisë Demokratike. z Berisha është nxitësi dhe autori kryesor i këtyre gabimeve të bëra nga Partia Demokratike, në vend që ti ndalonte ato. Asnjë person sot nga Partia Demokratike nuk po e drejton gishtin nga shkaktari i vërtetë i humbjeve të njëpasnjëshme të Partisë Demokratike dhe të z. Lulzim Basha. Të gjithë drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratike nuk kanë kurajon të etiketojnë Sali Berishën: si shkaktari i vërtetë i humbjeve të Partisë Demokratike në zgjedhje, por vazhdojnë të akuzojnë Lulzim Bashën si personin kryesor të humbjes. Partia Demokratike e ka të vështirë të ndryshojë dhe të bëhet një parti europiane, pasi ajo funksionon me një mentalitet Berishian. Z. Basha duhet ta kuptojë që kështu nuk mund të vazhdojë të funksionojë më kjo parti. Ai ka një mentalitet ndryshe nga Berisha, por e ka të vështirë implementimin e ideve të tij demokratike në Partinë Demokratike. Edhe kësaj here Berisha do ta shpëtojë atë nga dorëheqja dhe nga presioni i madh për largim, i shumë anëtarëve dhe drejtues kryesorë të Partisë Demokratike. Z. Berisha do të mbajë gjallë elektoratin dhe ndjekësit e Partisë Demokratike, me idenë e gabuar se: “zgjedhjet janë vjedhur”. Kjo do ta çojë Partinë Demokratike në revolta, në dhunë dhe asnjëherë në fitore.