BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Zotërinj pasanikë, bëni diçka për këtë vend që ju lindi dhe ju pasuroi!

Zotërinj pasanikë, bëni diçka për këtë vend

 

...Kështu u drejtohej redaksia e gazetës “Bashkimi i Kombit” e datës 11 Gusht të vitit 1944, biznesmenëve dhe pasanikëve të kohës duke patur parasysh gjendjen e mjerueshme të Bibliotekës Kombëtare dhe Muzeut Kombëtar. Dhe më tej ajo vazhdon: “Biblioteka Kombëtare dhe Muzeu Kombëtar” është një turp për tërë kombin. Është një shëmtim dhe rrezik që mund të vijë nga zjarret në këtë ndërtesë me dërrasa të vjetra që ndodhet në pikë të hallit... Një ditë, mund të zhduket tërë ky thesar i mbledhur çika çika. Atëherë”. Atëherë, po e vazhdojmë ne të nderuar kolegë të gazetës “Bashkimi i Kombit” plot mbas 76 vitesh qysh kur juve e keni shkruar. Nuk më durohet të nderuar kolegë t’ju them që në fillim megjithëse fatkeqësisht juve nuk jetoni, meritoni t’ju quajmë patriotë të vërtetë. A e dini pse? E bëni këtë konstatim, në një kohë që ishit pa shtet, në një kohë që vendi ishte në luftë dhe të ngrije një problem të tillë është si të thuash, “fshati digjet dhe kurva kërkon krehër”! Por, nuk është kështu. Qysh kur juve e quani artin dhe kulturën një “thesar të mbledhur cika-cika”, kjo do të thotë të jesh më shumë se një atdhetar i vërtetë. Siç u shpreha, qysh atëherë kemi ecur vërtet 76 vite përpara, por kur bëhet fjalë për kulturën, përjashtuar periudhën e diktaturës, e cila bëri shumë përsa i përket artit dhe kulturës, ndërsa këto tridhjetë vitet e fundit, kemi ecur 76 vite më mbrapa nga koha kur juve shkruani. Diktatura, me aq sa mundi ndërtoi institucione kulture jo vetëm në qytet, por nuk kishte fshat pa vatër kulture. Sot, as në kryeqytet, as në qytet, as në fshat, nuk kanë mbetur më institucione të kulturës. Në kohën e diktaturës u ndërtuan edhe Pallati i Kulturës, edhe Muzeu Historik Kombëtar edhe një Shtëpi Qendrore e Ushtrisë Popullore, përveç shumë të tjerave. Qeveria e “merhumit” demokrat, këtë të fundit, kur nuk i kishin mbetur më shumë se dy tre javë për t’u larguar nga pushteti e grabiti atë dhe e ktheu në seli të partisë së tij për të fabrikuar shpifje, mashtrime dhe përbaltje për kundërshtarët politikë. Janë me qindra ushtarakë që kryejnë misione paqeruajtëse në vende të ndryshme të botës. Mbas kthimit ata dhe fëmijët e tyre që bëhen me mijëra kanë nevojë për trajnime nga më të ndryshmet. Pikërisht për këto dhe shumë aktivitete kulturore ishte kjo shtëpi që “baltaxhinjtë” e kthyen në “kënetë” për t’u promovuar “zhapikët” se si të shajnë e të shpifin për kundërshtarët politikë. Jo vetëm kjo, por të gjitha institucionet e kulturës që funksiononin në të kaluarën u kthyen në kioska për perfeksionimin e dallavereve. Asgjë nuk u bë për artin dhe kulturën në këto tridhjetë vite që sot dalin si “luftëtarë” në mbrojtje të institucioneve të kulturës siç është prishja e teatrit. Në vend që të dalin artistët dhe aktorët e vërtetë, na dalin partiakët që u dhimbset arti dhe kultura. O tempora o mores!

Të kuptohemi, sot kemi shtet, kemi një klasë të tërë pasanikësh apo oligarkë si i quajnë me gjuhën e sotme dhe askush, as shteti, as oligarkët, as kjo klasë politike, që pasurohen jo vetëm me djersën e tyre, por më shumë me djersën e popullit fukara, as që e kanë mendjen të bëjnë diçka për kulturën në përgjithësi e për historinë në veçanti. Fjala është për Pallatin e Kulturës dhe Muzeun Historik Kombëtar, mu në qendër të kryeqytetit. A e dini pse ndodh kjo? Kjo ndodh qysh nga vlerësimi që i bëjnë të cilët, nuk i vlerësojnë ashtu si juve si “thesare”, por në të kundërtën e tyre, si “vrima e fundit e kavallit” si “të tepërta” në këtë kohë korrupsioni vjedhjesh në rrugë e forma nga më të ndryshmet pikërisht nga ata që kanë në dorë të bëjnë diçka për këto dy institucione që sot ndihen të braktisura. Për të mos ju kthyer më gazetës në fjalë, po citoj edhe një konkluzion të saj: “Qysh kur është krijuar shteti shqiptar, janë shpenzuar miliona e miliarda, por për artin dhe kulturën asgjë. Sigurisht do të shpenzohet për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve nga lufta, por duhet të shpenzohen edhe për kulturën dhe artin, të cilat ndodhen në mëshirën e fatit”.Në fund shkrimi mbyllet me fjalët: “Zotërinj pasanikë. Bëni diçka për këtë vend që ju lindi dhe ju pasuroi. I hiqni nga një kat pallateve tuaja dhe bëni diçka për artin dhe kulturën.”! Kështu qenka e thënë për këtë shtetin shqiptar qysh kohë, që pasanikët të shohin vetëm “thesaret” e xhepave të tyre dhe jo “thesaret” e kombit. Ca më shumë kjo, këta vitet e fundit të ashtuquajtura të demokracisë, e cila na ka treguar që një kombi, “nuk ka pse i duhet arti dhe kultura sepse investimet në këtë fushë, janë para të hedhura në lumë”! Lavdi Zotit, në kohën tuaj, nuk ra ndonjë zjarr apo nuk u bë ndonjë përmbytje në “dërrasat e vjetra” të atyre institucioneve. Kjo, falë kujdesit dhe vlerësimit që juve i bënit këtyre “thesareve”! Po sot? Të dy “vizitorët” edhe zjarri edhe uji, erdhën njëri pas tjetrit, nuk na i rrëmbyen e t’i dërgonin në det të gjithë arkivin e librave apo t’i kishin kthyer në tym siç digjen kazanët e plehrave. Të përmbyten sallat e librave të Bibliotekës Kombëtare, me një shi në mes të kryeqytetit, aty ku qëndron Heroi Kombëtar, kjo nuk ishte parë e dëgjuar. Megjithatë, “forcat e ndërhyrjes së shpejtë” kovat plastike dhe tharëset e flokëve të grave, erdhën në kohë dhe bënë të mundur të shpëtonin ç’të shpëtonin nga kjo “pasuri e vënë çika çika”, siç thoni juve të dashur kolegë të redaksisë “Bashkimi i Kombit” nga këto dy “mëkate” jo të natyrës, për të provuar gatishmërinë e shtetit! As ne, që kemi qënë prezentë, nuk mund t’i imagjinonim këto fatkeqësi e jo më juve që keni jetuar më shumë se shtatëdhjetë vite më parë. Por, do thoni juve, a e futi kush dorën në xhep, dhe a u morën masa të kompletohej fondi i librave dhe materialeve shumë të rëndësishme si dëshmitarë të historisë dhe kulturës së këtij kombi? Askush! “E mo se libra janë, sikur janë thesare me florinj”! Me këtë mentalitet e vlerësojnë kulturën! Ja pra krahasoni kujdesin tuaj për bibliotekën dhe muzeun me “dërrasa të vjetra e të kalbura” me këto godinat tona me pllaka mermeri që edhe mbyten edhe marrin zjarr sepse është “mbytur” vlerësimi që i bëjnë kulturës dhe ka marrë “flakë” truri i atyre që janë përgjegjës. Në vitin 1944 numëroheshin me gishtat e dorës pasanikët dhe çifligarët, kurse sot kemi një armatë të tërë me pasanikë e të kamur që jo vetëm nuk i “heqin ndonjë kat pallateve të tyre” siç thoni juve, por nuk heqin as edhe një tualet për macen. E dini pse e them këtë? Një prej oligarkëve, në një prej dhjetra vilave dhe çifligjeve që ka, njëmbëdhjetë tualete, ka vetëm për macet dhe ka borxh që edhe njëzet e katër t’i bëjë, por vetëm për kulturën të mos investojë as edhe një qindarkë. Nuk është i vetëm ky, të gjithë të tillë janë, por mjerë ata që i zë halli në këtë vend ku i ka rënë “lotaria” të jetojnë. Në këto momente që flas të gjithë pasanikë e politikanë, deputetë e shtetarë, janë të gjithë të përfshirë në luftë me njëri tjetrin. Kjo luftë bëhet me akuza e kundërakuza me shpifje e sharje etj. me qëllimin e vetëm që të shtojnë pasuritë e tyre, por jo për ato që ka shqetësim kombi. Pallati i Kulturës ishte një nga të parat që u ndërtua nga diktatura, dhe asaj i takon merita. Po kështu, edhe Muzeu Historik Kombëtar u ndërtua po nga diktatura dhe atyre u kushtohej rëndësi e madhe për edukimin e brezave të ardhshëm. Po sot? Sot, as më shumë e as më pak, janë kthyer si “mall pa zot”! Janë dëshmitarë dhe dhjetra e qindra studiues, shkrimtarë e historianë sot që shohin se në ç’gjendje është katandisur qëndra më e madhe e kulturës në vend. Gjithmonë është bërë propagandë që “do të çojmë internetin në shkollat e fshatrave më të largëta të vendit”! Përralla me mbret. As në Qendrën e Kulturës në kryeqytet, nuk ka internet! Në pikun e vapës në sallat shkencore duhet të marrësh me vete freskuesen dhe në ditët e ftohta duhet të mbash veshur kapotën! Edhe grilave edhe xhamave u vendosim nga një shkop poshtë që të mos bien… Muzeu Historik Kombëtar, është vepër e bërë në fundin e Diktaturës. Ylli i Mozaikut “Shqipëria” në ballë të Muzeut, shkaktoi jo pak polemika midis të majtëve dhe të djathtëve, të hiqej apo të qëndronte derisa e “zgjidhi” Vodafoni. Edhe ky institucion, më shumë se për pasqyrimin e historisë sipas periudhave, është bërë “arenë” e luftës partiake siç është ajo e pasqyrimit të Luftës Nacional-Çlirimtare. “Lavdi Zotit” që disa salla të tij jepen me qira kur ndonjë deputet, politikan apo oligark bën ndonjë takim dhe e paguan si “frëngu pulën”. Këto katër muajt e fundit, kaluam një epidemi nga një virus i quajtur “Covid-19” dhe ca nga frika ca nga ajo “rroftë sebepi” politikanët tanë që “jetën e qytetarit e kanë gjënë më të shtrenjtë” “kujdesen edhe për ata që duan të lexojnë ndonjë libër”.Të shkojë lexuesi apo studiuesi atje duhet të vishet si kozmonaut dhe duhet të komunikojë vetëm me “isharete” (me shenja, pa zë) dhe vetëm tre katër orë. A e dini juve zotërinj të gazetës “Bashkimi i Kombit” që Pallati i Kulturës, vetëm emrin e ka të tillë sepse bëjmë fjalë vetëm për dy salla shkencore dhe të gjitha sallat e tjera, janë biznese dhe kafene? Nuk do të kishim hiç të drejtë të ankoheshim sikur të kishim vetëm çerekun e sallave të kafeneve për studime! Siç na thonë, edhe këto dy salla shkencore që janë, shumë janë, sepse për dije sot, askush “nuk ka nevojë”! Sa për kullat shumëkatëshe në qendër të kryeqytetit, të dashur kolegë të redaksisë “Bashkimi i Kombit” që fatkeqësisht juve nuk më dëgjoni, por më dëgjon historia, sikur të ishit në jetë do të shihnit se me çfarë shpejtësie marramendëse ngrihen. Sot, kullat shumëkatëshe janë fitimi, institucionet e kulturës, nuk të japin gjë. Makineritë e rënda punojnë “non stop” dhe zhurma e vinçave kërcet ditë e natë aq sa na e kanë bërë edhe jetën të mërzitshme në kryeqytet. Ata, nuk kanë faj, sepse po afron koha të lënë mandatin dhe duhet të shfrytëzojnë “kohën e humbur” duke mbushur xhepat, por jo të “mbushin” boshllëkun që është krijuar në art e kulturë. Sikur është vetëm kultura mangët këtu…