BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

 Zoti kryeministër po pensionet kur do rriten dhe sa do rriten?

 Zoti kryeministër po pensionet kur do rriten dhe sa do rriten?

Para disa ditësh dëgjuam që deklaruat se pagat e mësuesve dhe të mjekëve do të rriten 40%, por harruat apo bëtë sikur harruat se kur do të rriten pensionet dhe sa do të rriten pasi janë qesharake dhe ekstremisht të ulta e të papërballueshme për jetesën e tyre. Koha ecën në mënyrë drejtvizore e pa u ndalur duke lënë pas muaj, vite, dekada ku ligjet e natyrës veprojnë verbërisht dhe egërsisht duke u marrë jetën kryesisht të moshuarve e sidomos atyre që kanë sëmundje bashkëshoqëruese. Gjykoj se nuk është aspak normale që në 8 vjet qeverisje pensionet nuk janë rritur as edhe një herë përjashtuar rastet e 2.5% të rritjes së indeksit të çmimeve që nuk mund të quhet rritje e pensioneve. Nuk arrij ta kuptoj se përse kryeministri Rama i qëndron larg këtij problemi dhe ruhet prej tij si djalli nga temjani. Shpesh ai ka thënë se do të bëjmë këtë e do të bëjmë atë dhe që mos ja hamë hakun ka bërë jo pak po për çudi problemit të pensioneve nuk po ia kap dot fillin a thua të jetë një fatalitet për të. Pensionistët aktualisht marrin një pension që është nën kufijtë e jetesës minimale dhe që është më i ulëti ndër vendet e rajonit dhe shumë e më shumë larg vendeve të Europës. Dhe përballë këtij realiteti të zymtë e absurd mazhoranca qeverisëse as një reagim dhe as që bëhet e gjallë që të zgjojë një fije shprese dhe një dritë në fund të tunelit. Zoti kryeministër ju para pak ditësh deklaruat se deri në vitin 2025 nuk do të ketë rritje pagash për deputetët. U çudita dhe po kaq u habita nga një deklaratë e tillë. Po pse pak të trashë e kanë qafën dhe pak të dhjamosur e kanë barkun parlamentarët tanë që ti kërkon t’i trashësh e t’i dhjamosësh akoma edhe më shumë në kohën që ata pagat i kanë më tepër se 20-fishi i pensioneve pa llogaritur këtu dietat, karburantet dhe benefite të tjera. Deri më sot fatkeqësisht dhe mjerisht pensionistët janë shtresa më e shpërfillur, e harruar, nëpërkëmbur dhe e zhvlerësuar ndonëse nga mundi, djersa, impenjimi, angazhimi dhe sakrificat e tyre të panumërta na kanë lënë si pasuri energjinë elektrike, portet dhe aeroportet, rrugët dhe autostradat, plantacionet me ullinj, vreshtat dhe agrume masive, na kanë lënë sidomos eksperiencën dhe përvojën e tyre të pasur dhe shumë vjeçare, të cilën lipset ta çojnë më përpara dhe ta lartësojmë përherë e më tepër pikërisht për këtë çështje Lord Salisbury politikan i viteve 1930-1903 ka thënë: “Një gram përvojë vlen më shpesh dhe më shumë se një ton teori”. Por gjithsesi përvoja nuk është dhuratë që ta fal dikush. Ajo fitohet në punë e sipër si dhe duke përfituar nga përvoja dhe eksperienca pozitive e të tjerëve. Ajo lipset që të aplikohet në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore. Për atë kanë nevojë shkencëtarët, mjekët, agronomët madje dhe politikanët. Partitë e reja shkërmoqen dhe shkrihen si kripa në ujë dhe asfiksohen para kohe sepse lidërve politikë të këtyre partive u mungon eksperienca. Dhe me sa duket edhe për përmirësimin e problemit në fjalë pra të pensioneve mungon kjo përvojë përveç shkaqeve dhe arsyeve të tjera subjektive dhe objektive. Arsyeja që ngulmoj forcërisht se përse duhet të rriten domosdoshmërisht pensionet është se shumica e tyre që janë mbi 75 vjeç vuajnë nga 4-5 diagnoza dhe ata janë të detyruar që t’i blejnë ilaçet pasi ilaçet e rimbursuara surrogato dhe si të tilla nuk bëjnë kurrfarë efekti.

Si qytetar intelektual dhe si njeri i letrave i bëj apel politikës, institucioneve përkatëse e në veçanti Partisë Socialiste dhe sidomos kryeministrit Rama që ta vlerësojnë seriozisht këtë problem pasi në të kundërtën do të këtë kosto politike për partinë në pushtet. Gjykoj se do ketë kosto politike madje të ndjeshme pasi janë mbi 650. 000 pensionistë dhe të konvertuar në deputetë bëjnë jo pak, por 65 deputetë përafërsisht sa gjysma e parlamentarëve. Dhe kjo vlen për ata që dinë mirë tabelën e shumëzimit e sidomos për zotin Edi Rama që për hir të së vërtetës i bën dhe i shkoqit mirë llogaritë pasi sikundër thoshte artisti i popullit i ndjeri Sandër Prosi në filmin në fillim të verës: “Hesapi i qëruar punë e mbaruar” pra, ska punë të mbaruar pa u kopsitur mirë hesapet, në të kundërt nuk marrin rrugë problematikat e shumta që kemi përpara e sidomos problematika serioze e rritjes së pensioneve.