BREAKING NEWS

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe 2 mijë të vdekur brenda ditës

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe
x

Opinion / Editorial

Zoti president! Me ty jam, por.....

Zoti president! Me ty jam, por.....

Prolog

Kur Sokrati ndodhej para trupit gjykues si i pandehur, me atë ironinë e tij shpotitëse i tregon trupit gjykues një përrallë mbi "kusarët" (të ngjashëm me politikanët tanë) ku midis të tjerash tha: "Kusarët pasi u pasuruan, vendosën të rregullonin jetën e tyre... i mblodhën të varfrit në sheshin kryesor të qytetit me duart lart dhe u thanë "Ju mblodhëm këtu se ju duam të mirën. Cila është e mira? Ju duhet të punoni për të shtuar pasurinë tonë dhe po qe nevoja do të luftoni për të na e mbrojtur atë dhe ne do tu sigurojmë juve lirinë për të bërë qejf nëpër kafene, për tu dehur e bërë tapë, lirinë për të shkruar libra e për tu bërë të famshëm, të shkruani çfarë të doni, madje jeni të lirë edhe të lehni". E njëjta gjë ndodh edhe me kusarët tanë politikanë, që pasi u nginjën mirë e mirë me pasuri, para e pushtet, të rehatuar me familjet e tyre në luksokraci të "paparë" të siguruar përmes mashtrimit, kusarisë e poshtërsisë, që pasi uzurpuan edhe të gjitha vendet e punës nga më "ekzotiket" dhe me mundësi fitimi -në shtet e pushtet, në Parlament e Presidencë, në institucione, banka e zyra etj (me tendera, borde, komisione etj) për "sojin e sorollopin" e tyre, për shokët e miqtë e tyre, abuzivisht duke shpikur lloj-lloj marifetesh, nga më idiotet e deri më të sofistikuarat, korruptive e nepotike me formularë, kritere, konkurse etj., pra, pasi e krijuan "sulltanatin" e tyre me vila, shtëpi e biznese brenda dhe jashtë shtetit, tani pas 30 vjetësh, kujtohet "luftëtari " i demokracisë, kreu i shtetit duke i bërë thirrje popullit në mbrojtje të demokracisë nga "përçudnimi" dhe Atdheun nga shpopullimi! Madje edhe mund të sakrifikohet si Alende kundër një "puçi shtetëror" apo "grushti shteti", i organizuar në fshehtësi dhe me dinakëri jo me ushtri e armë, por nëpërmjet Parlamentit nga "kryepuçisti Edi Rama".

Përse ky nxitim?

Zoti president! Përmbahu! 2 marsi për dekretimin e shpërndarjes së Parlamentit në bulevard do të ishte kulmi i marrëzisë tënde të artikuluar disa muaj më parë (nëse të kujtohet në Ditën e Demokracisë), kur u diskutua shkarkimi i juaj dhe u ngritën organet e SPAK dhe BKH. Ato ditë në statusin tuaj shkruhej: "Fenomeni i rrezikshëm i shtetit paralel të propagandës dhe PPP-ve, dhe axhendat e nëndheshme që kanë kapur për fyti Shqipërinë, nuk janë gjë tjetër veçse një komplot kundër demokracisë, çdo vlere e parimi të saj, kundër sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore. Ndaj ne sot kemi një mision të përbashkët historik: Të shpëtojmë demokracinë nga pengmarrja e një pakice të papërgjegjshme dhe jolegjitime! Koha nuk pret. Kjo është beteja jonë! E njerëzve të lirë, të ndershëm dhe punëtorë, e rinisë sonë të mrekullueshme! E të gjithëve ne që e duam me shpirt dhe zemër Shqipërinë! Dhe unë jam më i vendosur se kurrë". Që e ke pasur shqetësim të hershëm këtë kjo kuptohet edhe nga përshëndetja që i dërguat sindikalistëve të Gëzim Kalasë (ju kujtohet besoj në ditën e demokracisë) ku i kërkonit mbështetje për mbrojtjen e demokracisë. Gëzim Kalasë? Ah, more presidenti ynë... Kaq poshtë ke rënë? Nejse, gjithsesi, puna juaj. Ishte koha kur diskutohej shkarkimi yt dhe ngritja e SPAK dhe BKH. Por çuditërisht, mbas një periudhe qetësie pas tërmetit, pikërisht ditën e Konferencës së Donatorëve ju dolët në një konferencë të jashtëzakonshme ku shpalle lajmin "ogurzi" të organizimit të një "grushti shteti institucional" dhe u betove se do ta shpartallosh. Kaq urgjent dhe i rrezikshëm ishte ky "grusht shteti" kur “kryepuçisti” ndodhej jashtë vendit? Përse ky nxitim? Mos vallë konferenca juaj e jashtëzakonshme pikërisht ditën e donacioneve ishte për të sfumuar suksesin e Edi Ramës, që u la pa gojë, juve, Monikën, Tit Vasilin, opozitën, analistë e ekonomistë e të gjithë "demonizuesit" e Edi Ramës, që përpiqen me të gjitha mjetet e mënyrat për ta relativizuar këtë sukses të tij personal e politik?

Për demokraci apo për pasuri?

Zoti President! Alibia e "grushtit apo puçit" ndaj demokracisë lidhet ose me të "vërtetën " që artikuloni ju për mbrojtjen e demokracisë ose me mbrojtjen e pasurisë tuaj. Le të besojmë se është kështu siç thoni ju. Që demokracia është në rrezik nga grushti i shtetit dhe jemi gati të ngrihemi bashkë me ju ta mbrojmë dhe po qe nevoja ta shpartallojmë këtë puç edhe me jetën tonë. Po, çfarë garanci kemi që është e vërtetë kjo? Ku ta dimë ne që kjo nuk është lajthitja juaj e radhës? Përsëri të mashtrohemi? Siç u mashtruam njëherë në ‘90 që na thatë "Shqipëria si Europa"dhe kaluan 30 vjet e na futët në gropë e na kthyet në "skllevër të lirë"? Ju besuam atëherë, ishte faji jonë. Tani po tu besojmë përsëri është jo vetëm faj, por edhe gomarllëku ynë. Tu besojmë përsëri, fjalëve, gënjeshtrave, mashtrimit, hipokrizisë dhe demagogjisë suaj?

Demokracia në rrezik? E si mund të jetë demokracia në rrezik kur ju të gjithë hani në një çanak dhe të gjithë një turi keni. Aman o president mos bëni shaka me ne se boll halle të tjera kemi. Juve me siguri do tu ketë ndodhur diçka serioze, që keni humbur ekuilibrin mendor. Ishalla bëheni mirë deri në 2 mars! Mirë për vete, por Lulin e shkretë pse e merr në qafë? Sa doli nga takimi me ty u "trimërua" (se ca kohë ishte urtësuar) duke deklaruar "se do përballet fuqishëm me popullin" kryepuçisti dhe “nuk ka forcë në Tokë të ndalojë rotacionin e pushtetit”. Dhe e besojmë se i ka mbajtur të gjitha premtimet e betimet për luftë, djegie gomash, kalim mbi trupin e tij, sakrifikim deri në abnegacion e militantët nuk i tradhton. Me këtë Besëlidhje, grushti i shtetit të gjejë " vrimë" ku të futet.

Për cilin atdhe flisni ju?

Dhe tani përgjëroheni "me shpirt e zemër" për Shqipërinë. I keni bërë ndonjëherë pyetjen vetes se pse ikim? Ende nuk e kuptoni se pse ikim? Doni ta dini? Nga ju ikim! Se na e kini bërë të padurueshëm Atdheun. Ne, që jetojmë në këtë vend dhe që pretendojmë për të aspiruar në familjen europiane (ku prevalon liria, barazia sociale dhe ligjore, dija, virtyti e mirëqenia ), kur shikojmë se kush na drejton në krye të shtetit, kush na qeveris, kush na përfaqëson në Parlament, kush na menaxhon dhe na mbron, kush na jep drejtësi, kush na jep dije, kush na shërben në zyra. E, do t'i duronit ju këta dosidotë e shkeleshkotë po të ishit si ne? Jo, jo kurrën e kurrës. Do të iknit natën, jo ditën! Për cilin Atdhe flisni ju? Ç'kuptoni ju me Atdhe? Para, pushtet, famë, lavdi, konçensione, PPP-të, vila, pallate, truaj, mbrëmje gala, wc për mace etj.? Apo, kodrat, brigjet, gërxhet, lumenjtë e kulluar? Malet, fushat, pyjet, livadhet e gjelbëruara? Apo, portet, aeroportet, hidrocentralet, minierat, bitumi, nafta, ajri, deti, rëra, plazhet, shkollat, spitalet, universitetet, mendimi e vullneti, shteti, pushteti? A ndjen ndokush krenari në shpirt për këto pasuri që janë tonat, pra janë kombëtare? Nëse po, çfarë na përket neve? Çfarë është e jona, pra e popullit në këtë pasuri kombëtare? Asgjë! Sepse të gjitha e gjithçka janë të koncesionuara!Të gjitha të mirat materiale të kësaj toke të bekuar nga Perëndia janë grumbulluar në duart tuaja! Sa prej nesh kanë aq vend sa të futin kokën kur janë gjallë apo të hapin një varr kur të vdesin? Kur ju keni dhoma edhe për qentë e për macet? Prandaj dhe njerëzit po marrin arratinë. Ikin, ikin. Vetëm ikin nga sytë këmbët, nga ju grabitqarë e lakmitarë që :

- me politikat tuaja djallëzore në ekonomi nuk gjeneroni punë.

- me një sistem gjyqësor grabitqar ku vepron ligji i të fortit ka gjeneruar padrejtësi të padëgjuara.

- me një sistem arsimor të çartur, gjeneron papunësi e injorancë.

- me një administratë mediokre, të paaftë dhe arrogante.

- me një Parlament injorantësh e të kriminalizuar që nxjerr ligje në favor të të fortëve.

- me një qeverisje kontroverse e diletante

- me një shtet pa shtet

-me një Presidencë pa president.

Nga ju pra, që na e keni bërë ferr këtë vend, që të harrojmë edhe ngjyrën e bukur të qiellit edhe buzëqeshjen e detit edhe shkëlqimin e livadheve nën rrezet e diellit. Sepse ju na keni kthyer në skllevër të lirë të "lidhur me zinxhirë" e mbi kurrizin tonë bëni të gjitha llojet e padrejtësive, e pasuroheni me varfërimin tonë. Me ju në krye pra, a mund të ndjesh ndonjë kënaqësi të veçantë të jesh qytetar i këtij shteti? Me ju pra që nuk ndjeni dhimbje për të varfrit, pensionistët, punëtorët, studentët, fëmijët, që nuk i ndjeni rënkimet e shoqërisë që lëngon nga sundimi juaj, që nuk ndjeni përgjegjshmëri për të ardhmen e saj, që keni hyrë në politikë dhe keni marrë ç'keni dashur e nuk i keni dhënë asgjë shoqërisë. Ju pra, e keni bërë të pajetueshëm këtë vend nga makutëria juaj, nga babëzia juaj, nga epshi juaj për para, pushtet, lavdi e famë. Juve të pashpirtët, që nuk jepni asgjë për njerëzit fisnikë e bujarë nëse nuk përfitoni gjësendi për vete e treguat këtë në tërmetin e 26 nëntorit. Çfarë dhatë? Çfarë do tu kushtonte nëse 140 deputë e gjithë punonjësit e Presidencës, Parlamentit, Kryeministrisë e ministrive e institucioneve të tjera të kishit falur nga një rrogë? Do vdisnit për bukë? Kaq të pacipë jeni që na kërkoni të dalim në protestë për të mbrojtur pasuritë tuaja me " alibinë e puçit të shtetit"? Për kaq budallenj na merrni, që mazhoranca kërkon ti bëjë puç vetes së vet?

A mund të bëni diçka të "vogël" për ne?

Në "mbrojtje të demokracisë" apo në mbrojtjen tuaj nga klani tjetër? Në mbrojtje të sovranitetit tonë apo në mbrojtje të pasurive dhe karrigeve tuaja?

Dilemë "shekspiriane"!

Zoti president! Mos vallë ju, opozita rrugore dhe gjithë "mllefaxhinjtë" anti-Ramë jeni komplotistë kundër Edi Ramës? Kështu besoj, do jetë. Këtë e përforcojnë edhe parullat e protestave të opozitës "Rama ik", këmbëngulja për të mos dialoguar me të, kritikat tuaja për "Ramareformat", statuti juaj në Ditën e Demokracisë për "shpëtimin" e demokracisë nga ky klan që kanë krijuar shtetin paralel të konçesioneve dhe PPP-ve dhe të propagandës dhe tani së fundmi me "grushtin e shtetit". Nëse është me të vërtetë kështu, hajde të ngrihemi në këmbë, të vemi t'u rrëmbejmë sovranitetin që na i kanë uzurpuar e të shpëtojmë dhe demokracinë nga ky klan. Kështu edhe juve u hapet rruga për rivendosjen e demokracisë dhe të Republikës së Re! Ju shpëtoni pasurinë e privilegjet tuaja, ne fitojmë sovranitetin! Bukur! Të dy palët dalim të fituara. Ju pasurinë, ne varfërinë, por me pronar tjetër. Si, si? Me pronar tjetër? Nuk na besoni që ne sakrifikohemi për ju, që u kanë rrëmbyer demokracinë? Po mandatet përse i lamë? Po protestat e shumta përse i bëmë? Për të ardhur si "kali në lëmë"? Kaq të papërgjegjshëm e mendjelehtë na njihni? U vetësakrifikuam për një ideal. Dhe ju jeni ideali ynë, që t'u japim liri dhe mirëqenie! Sa të marrim pushtetin, kuptohet me ndihmën tuaj! Ah, sa mallëngjehemi kur dëgjojmë fjalë të tilla nga ju. Ah sa shumë na doni, me gjithë shpirt. Madje mund të bëheni edhe fli për ne. Po, po! Për hatrin tonë përvetësoni arkën e shtetit, që të na falni para. Për hatrin tonë shkelni ligjet që të na shpëtoni nga ligji, për hatrin tonë vetësakrifikoheni duke lënë mandatet, për hatrin tonë protestoni pa pushim, për hatrin tonë...  Meqenëse na doni kaq shumë dhe bëni kaq sakrifica për ne, a mund të bëni atëherë "diçka" të vogël për ne? A mundet atë pasuri që keni vjedhur gjatë 30 vjetëve të na i ktheni? Se është pasuri e popullit (...heshtje... ) E kuptojmë heshtjen tuaj. Ju si dallaveraxhinj të përsosur, vetëkuptohet që jeni edhe mashtrues të mëdhenj. Mendja juaj, zemra juaj dhe veprat tuaja i përkasin dikujt tjetër. Ju ndjeni, arsyetoni e veproni tamam ashtu si u leverdis më të fortëve. Po kaq të pamoralshëm, hipokritë, demagogë, egoistë jeni? Të paaftë për të drejtuar, por të aftë për të sunduar, për të bërë hile, për të gënjyer, për të mashtruar? "A nuk ju vjen turp që jeni kaq të dhënë pas parasë, famës dhe prestigjit, në një kohë që nuk mendoni dhe as nuk ju bëhet vonë për mendjen dhe të vërtetën dhe as për përmirësimin e shpirtit tuaj"? (Sokrati)Të atij shpirti të kapur nga "demonët" mashtrim, kusari, poshtërsi. Mirë atyre nuk u vjen turp se janë të pacipë, por ne, ne, që u shkojmë pas sa herë na grishin në protesta e mitingje, nuk e kuptojmë talljen që na bëjnë? Po ç’dreq populli jemi ne? A do ta kuptojmë ndonjëherë që sa herë prijësit tanë janë në rrezik o për pushtet o për pasuri, na manipulojnë e na apelojnë të dalim rrugëve e t'i mbrojmë qoftë edhe me jetën tonë, me atë jetë që ata na e kanë kthyer në "vetëvrasje të ngadalshme"? Ah, more Konica! Sa të drejtë paske pasur kur thoshe që sikur "të jeni pak më të mendshëm" do të mund të dilni nga "dita e zezë ku ndodheni". Të njëjtët jemi si njëqind vjet më parë! Qofsh i parajsës Faik Konica!

Epilog

Po çfarë është kjo hata kobzezë që i ka rënë demokracisë që me aq "sakrifica" e prutë ju? Nga mbiu kjo e keqe që kërkon të "përçudnojë" demokracinë? Nga Lalza, Qerreti, Golemi, Himara, Ksamili, Saranda Velipoja, etj.? Apo nga paratë, pushteti, udhëtimet luksoze, shpenzimet marramendëse, studimet jashtë, dhjetra mijë eurosh te fëmijëve tuaj apo çfarë tjetër? Ky përçudnim i demokracisë me siguri nga ju ka ardhur, jo nga ne "kokëpalarët". Jeni ju që e përçudnuat me kusarinë tuaj! Ju të fortët, jo ne. Ju që bëni pazare në kurrizin tonë, maxhorancë e opozitë, gjoja për demokraci, por synimi është se kush ta marrë pushtetin për pasuri. Gjoja për demokraci krijoni dhe alibi. Dhe nuk menduat njëherë, opozitë e mazhorancë, ashtu siç uleni për pazare, të uleshit e të diskutonit se çfarë Shqipërie duam të ndërtojmë. Se në fund të fundit a nuk e kemi të përbashkët Shqipërinë? Përse në këta 30 vjet keni harxhuar aq shumë energji, nerva, kohë, para duke sharë njëri-tjetrin, duke iu përgjigjur minutë pas minute çdo akuze, çdo qëndrimi e çdo deklarate. Për demokracinë, për Shqipërinë, për ne? Apo e tillë ishte loja juaj për të krijuar "mjegull", aq e domosdoshme për ujqërit për të shqyer prenë e vet. Si nuk ju dëgjuam njëherë në Parlament të shpalosni një vizion mbi të ardhmen e Shqipërisë, për prioritet e saj strategjike në ekonomi, arsim, shëndetësi, kulturë, por vetëm sa vodhi njëri e sa vodhi tjetri, përgjime, shpifje, gënjeshtra, pisllëqe, pështirosje deri në neveritje, papërgjegjshmëri publike e ligjore, klientelizëm e amatorizëm në menaxhimin e institucioneve qëndrore e lokale, rekrutuar militantë, të paaftë, mediokër, pa përvojë, pa moral deri me diploma fallco e të blera, shpesh njerëz të inkriminuar e të papërkushtuar. Dhe të gjithë: kryetarë komunash, kryetarë bashkish, këshilltarë, zyrtarë të të gjitha rangjeve, politikanë të të gjitha partive, deputetë, ministra, kryeministra, presidentë, anëtarë bordesh, doktorë e profesorë leshi, e shumë të tjerë, e keni menduar ndonjëherë se çfarë batërdie kanë bërë? Dhe asnjë përgjegjësi ligjore, asnjë ndëshkim. Heshtje kudo, heshtje dhe kusaria vazhdon. Të pacipë e të papërgjegjshëm! Demagogë! Dhe tani "përgjëroheni"për demokracinë dhe Atdheun që shpopullohet. Dhe këtë po e ktheni në "kauzë" në një zyrë presidenciale, kur deklaroni me "solemnitet"opozitar se: “Kjo është beteja jonë”! Jo, z. President! Kjo nuk është beteja jonë! Është marrëzia juaj!