Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Zoti Rama mos “guxo” të ndryshosh më ministrat!

Postuar: 18/01/2019 - 07:27

Unë jam njeriu i fundit që mund t’i jap këshilla kryeministrit të vendit tim si duhet të bëjë me ministrat. Të emërojë, të heqi apo t’i mbajë monumente të pandryshueshme deri në fund të mandatit. T’i rinovojë dhe t`i bëjë rifresh qeverisë sa herë e ndjen se ingranazhet kanë zënë ndryshk, apo kërkohet ritëm i ri në punët e shtetit, apo të ruhet nga kundërshtimi i dekretimit presidencial? Po si qytetar që jetoj në këtë epokën e demokracisë, ku liria e fjalës dhe e mendimit është e garantuar dhe nuk ka polici të na e ndalojë, e mendoj si të mundshme dhe të përligjur t’i drejtohem edhe vetë kryeministrit me një kërkesë miqësore pa parashtesa e prapa mendime. Dhe t’i them:

Zoti Kryeministër, ju lutem mos bëni më ndryshime në qeveri. Nëse do merrni nisma të tilla jam i bindur se do vijojë pafund odiseja e ndeshjes qeveri- pesident. Ju do ti propozoni, presidenti do t’i rrëzojë. Ju do thoni më i miri, ai më i keqi. Kur ju të thoni “po” ai do thotë “jo”! E do nisi ai dueli i njohur për të treguar se kush është burri me i fortë dhe më i patrembur, cilin mbështesin shqiptarët e cilin jo, ai që do luftojë deri sa të dali mendimi i tij dhe i humburi nga ana tjetër. Dhe presidenti, sapo t’i dërgoni një propozim për largim apo emërim ministri si në tërë këto muaj do kthejë mbrapsht propozimin me argumentat që i referohen Kushtetutës në dukje, pasi Kushtetuta dhe Shqipëria është e para për atë, po në realitet është qëllimi për ta bërë lëmsh politikën. Për të tjerat do mendohet gjatë. Do kërkojë informacione shtesë. Të dhëna nga institucionet kompetente dhe në afatet kushtetuese do përgjigjet siç e mbyll çdo deklaratë pas refuzimeve të njëpasnjëshme. Janë të paktën dy rastet e fundit me dekretimin e ministrave. I pari Gjeneral Lleshi dhe së fundi Gent Caka, që na ka vënë në mendime dhe na detyron të gjykojmë se do ketë përplasje institucionale sa herë do ketë ndryshime ministrash. Kjo i bën tërë shqiptarët të janë sy e vesh nga televizionet dhe të lundrojnë në portale e facebook, të eksplorojnë tërë mjetet e informacionit për të mësuar lajmin më të fundit. Si gjithnjë në pritje të mosdekretimit të ministrit të radhës. Edhe pse sipas Kushtetutës, presidenti flet me dekrete, për të qetësuar popullin në emër të transparencës pra, ai vijon me sqarime e argumente të shumta ku qytetarët humbasin në thellësinë e tërësinë e tyre. Kur nuk kënaqet me kaq nxjerr shefin e kabinetit për sqarime shteruese. Kushtetuta i ka dhënë presidentit të drejtën të flasi dhe argumentojë me dekrete. Nëse përfshihet në debate, këtë e bën vetëm për “transparencë”, ta kuptojnë qytetarët tanë se ka të drejtë. Se argumenti me dekrete është i vështirë të kuptohet nga masa e gjerë e popullit. Është konciz dekreti dhe i lexueshëm vetëm për një grup të caktuar individësh, që kanë formim të gjerë juridik.

Kur kryeministri Rama vendosi një ditë të ndryshojë shumicën e qeverisë dhe të largojë disa e të propozojë disa të tjerë në vend të tyre, jo vetëm unë, po shumë kolegë të mi paralajmëruan ngecjen e ndonjërit prej ministrave në rrjetat presidenciale si i papërshtatshëm dhe i panjohur, si individ që nuk duhet të futet në autoshkollën e ministrisë dhe t’i mësohet detyra nga ustai. Dhe në këtë kuadër i ra shansi i keq Gentit të presi vendimin e presidentit. Dhe jo-ja u përhap rrufeshëm, dhe brenda sekondës të gjithë mësuam vendimin e mosdekretimit të Cakës. U paraqitën shumë arsye nga presidenti. Themelorja ishte mungesa e përvojës. Mosha e aksesi që ai ka për t’u futur në sekrete të mëdha, që nuk i përkasin vetëm Shqipërisë. Si ishte e mundur të sigurohej garancia për 24 orë, pyeti Presidenti. Po ajo për të cilën u dogj zoti Caka ishte dëshira dhe mendimi i tij për të bërë lëmsh kufijtë e Ballkanit me deklaratat që ai ka dhënë në kundërshtim me politikën e qeverisë në pushtet. E dëgjova disa herë deklaratën e zotit Caka. Po e vërteta me sa kuptova mes rreshtave dhe drejtpërdrejt nuk hasa në asnjë fjalë për ndryshim kufijsh. Pastaj, ai nuk është kompetenti edhe nëse do ishte ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, që mund të bëjë një politikë personale dhe nuk e ka asnjëherë tagrin që të vendosë në kokë të vet. Dihet se pa viston e kryeministrit dhe presidentit, asnjë ministër nuk mund të flasi me mendje të vet, pa le më të veprojë sipas shijeve personale. Dhe në këtë drejtim, Caka i ka jo vetëm duart të lidhura po edhe pamundësinë absolute të bëjë politikë personale. Politika e jashtme është e përpunuar dhe zbatohet sipas programeve të mirëpërcaktuara dhe askush nuk ka fuqinë të bëjë asnjë hap pa konsultime me direktivat e kësaj politike apo jashtë kontureve politike të BE, OSBE-së dhe shteteve mike me të cilat kemi marrëdhënie strategjike, ku natyrisht në vend të parë qëndron SHBA. Megjithatë, Presidenti e shprehu këtë merak dhe sqaroi se nuk mund të lejonte të bëhet përshesh një Ballkan i tërë. Sepse ai kujdeset jo vetëm për Shqipërinë, po edhe për shtetet përreth me qëllim që të sundojë paqja dhe marrëdhëniet më të mira mes vendeve që bëjnë pjesë në gadishullin tonë.

Po me këtë Ministrinë e Jashtme seç ka një fobi presidenti. Se ja edhe kandidatura e dytë vetë Rama nuk po e kalon dot barrierën e vendosur nga zoti Meta. Ashtu si me zotin Sandër Lleshaj, për të cilin nuk krijoi bindjen se mund të ishte ministër i Brendshëm dhe fakti që mbante gradën e gjeneralit, dhe ishte aktiv sipas tij në ushtri, dekreti priti plot 15 ditë për t’u shpallur. Dhe Ministria e Brendshme u drejtua nga zëvendësministri, që në këtë rast ishte vetë Lleshaj. Dy qëndrime me të njejtën përmbajtje, gati simetrike për mënyrën si u veprua nga zoti Meta. Këtu nuk është fjala për të marrë në mbrojtje askënd, qoftë ai, Lleshaj apo Caka. Aq më pak kryeministrin Rama. Po nëse i referohesh Kushtetutës, presidenti ka detyrimin të dekretojë qeverinë kur del fituese në zgjedhje dhe ministrat që propozon kryetari i qeverisë. Dhe në këtë aspekt, presidenti nuk vepron as si politikan, as si opozitar, aq më pak me bindje, po sipas kritereve të përcaktuara ekzaktësisht në Kushtetutën e vendit. Siç argumentohet nga një numër jo i vogël specialistësh të Kushtetutës, ata që kanë kryesuar vetë Gjykatën Kushtetuese dhe të tjerë konstitucionalistë, presidenti është i detyruar të dekretojë propozimet e kryeministrit për ministra, pasi është ai që do punojë me ta. Dhe nuk mund të luajë rolin e një kryeministri dublant, duke kërkuar të përvetësojë të drejtat e pushtetit ekzekutiv, aq më pak të mbajë qëndrime që cënojnë balancat mes pushteteve. Në këtë aspekt, çdo kryeministër që të ishte në krye të qeverisë do kërkonte zbatim të Kushtetutës po sot në mungesë të Kushtetueses, secili aq më tepër presidenti i jep të drejtë vetes dhe i përligj mosdekretimet duke e futur tërë shoqërinë dhe sistemin tonë politik në një qerthull dhe ngërç, nga i cili nuk mund të dilet pa përplasje institucionale. Dhe kjo betejë mes dy institucioneve më të larta të shtetit, trondit tërë sistemin politik, rendin kushtetues të vendit dhe opinionin e gjerë qytetar, të cilët me të drejtë pyesin pse vallë ndodh kështu?A nuk është e mundur të zgjidhet ndryshe ky ngërç dhe të dy burrat të ulen e të sheshojnë mospërputhjet, duke na kursyer tërë këtë teatër politik që na çorodit e injekton tërë shoqërinë në depresion të thellë?! Vërtetë kjo është e vetmja rrugë për të zgjidhur konfliktet apo për të treguar muskujt e për të debatuar çdo ditë në distancë se cili ka të drejtë? Kush është i pari e cili i dyti në këtë vend? Kush është më i fuqishëm e cili nuk ka frikë nga asnjë në globin tokësor? 

Presidenti ynë ka marrë përsipër të bëjë më së fundi, jo presidentin, po opozitë të mirëfilltë. Të luajë rol opozitar. Të shpalosë pozicione që bien ndesh me ligjin që rregullon veprimtarinë e presidentit, që cënon Kushtetutën dhe rrëshqet nga garant i unitetit kombëtar në cënues të tij. Deri sot nuk kemi dëgjuar asnjëherë Ramën të përgojojë ose të vërë në diskutim një individ që rekrutohet nga presidenti në “qeverinë” e tij. Presidenti ka “qeverinë” e tij, të cilën e zgjedh edhe emëron vetë. Dhe nuk i merr dorën askujt. Edhe pse rreth vetes ka ricikluar individë që janë diskutuar askush nuk ka folur një fjalë të vetme apo të bëjë një kritikë që të vërë në pozicion të vështirë presidentin dhe shumë mirë është vepruar se tek e fundit ai është stafi i zgjedhur dhe nuk mund të diskutohet nga askush pasi është e drejta e tij të marrë rreth vetes njerëzit për të cilët ka besimin për të bërë punë të mira. Atëherë përse me ministrat vepron ndryshe dhe i bën objekt debati dhe diskutimi deri në fyerje publike dhe krijim opinionesh që nuk janë reale? Kështu me Lleshajn e njëjta edhe me Cakën dhe me Ramën. Po nuk është vetëm punë ministrash. Refuzimi është pothuaj total. Janë bërë dhjetë ligje duke përfshirë edhe buxhetin 2019, që Presidenti i ka kthyer qeverisë. Pa folur për ligje të tjera që janë kthyer me shumicë. Dhe një dendësi kaq e madhe refuzimi nuk është e rastësishme. Duket si një luftë nervash. Po këtë mënyrë komunikimi, shqiptarët nuk e meritojnë dhe nuk është se e pranojnë. Përkundrazi, e refuzojnë. Në vendet demokratike, për një dekret apo emërim zhvillohen debate, diskutime të gjera, thirren para komisioneve të parlamentit, dëgjohen të gjitha opsionet dhe në fund vendoset. Dhe e gjitha bëhet me kulturë me etikë, pa pasione dhe brutalitet.

Nëse zoti Meta do zbatonte devizën e vet, që aq shumë e përmend në çdo diskutim e sa herë bie fjala “me qetësi e dashuri”, ku së fundi e hoqi edhe dashurinë se zgjodhi përplasjen dhe armiqësinë, atëherë nuk do bëheshim dëshmitarë të këtyre shfaqjeve që na e kanë bërë politikën si një lojë të ndyrë. Po me sa duket , presidenti vetëm sa e citon dhe asnjëherë nuk e zbaton devizën e vet që kërkon ta bëjnë të tjerët po jo vet. Në këto kushte, duke parë inatin e presidentit me dekretet, ndryshe nga ato që kanë të bëjnë me ligjet që janë të pashmangshme se tek e fundit parlamenti do prodhojë ligje të cilat mund ti kthej sa herë të doj, le ta ruajmë presidentin tonë nga kthimi dhe rrëzimi i ministrave. Po meqënsë ai këtë të rrëzimit të propozimeve të misrave e ka shumë për zemër, i lutemi kryeministrit që nga sot e tutje të mos bëjë asnjë lëvizje të ministrave nëse do të mos nisë nga e para loja e pingpongut, Kryeministri-Presidencë. Mos guxoni të bëni më ndryshime në qeveri zoti Rama! Ndryshe ministrat do t’u kthehen mbrapsht dhe kjo lojë nuk do marrë fund asnjëherë sa kohë që zoti Meta do jetë President i vendit. Në dorë e ke. Më mirë mbaj ata që i ke të miratuar. Nëse e ke të domosdoshme që të bësh ndryshime, lërja presidentit t’i zgjedhë dhe vendosë edhe ministrat se ndoshta nuk ka për ta refuzuar edhe vetveten.

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/04/2019 - 07:45

 Paranojat greke në lidhje me qëndrimin ndaj komunitetit shqiptar të Çamërisë që u përzunë me genocide nga trojet e tyre stërgjyshore, duket se nuk po prekin as institucionet shtetërore shqiptare, që me heshtjen

Postuar: 21/04/2019 - 07:44

 Mendonim se slogani komunist “Udhëheqësi e mprehu shpatën edhe njëherë për situatën&r

Postuar: 21/04/2019 - 07:43

 E akuzojnë tani Rudinën, e anatemojnë dhe sulmojnë, sepse guximi i saj për të mos ju bashku

Postuar: 20/04/2019 - 14:29

Kemi thënë më parë plot pezmati, se udha dhe aspirata shqiptare për t’u bërë një ditë një

Postuar: 20/04/2019 - 13:26

Para disa ditësh, parlamenti holandez votoi në shumicë një rezolutë ku i kërkohet BE të pezullojë

Postuar: 20/04/2019 - 07:37

Kryeministri i Shqipërisë, ka një veti të jashtëzakonshme për të bërë armiq si të inatosur të tij

Postuar: 20/04/2019 - 07:34

Berisha vazhdon t’u bëjë thirrje, militantëve, fansave (publikut) të jenë gati për revanshi