Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Bordi duarlidhur i Bankës së Shqipërisë

Bordi duarlidhur i Bankës së Shqipërisë

Postuar: 09/09/2014 - 08:16

Nga Irena BEQIRAJ Ngjarjet e fundit në Bankën e Shqipërisë kanë ngjallur debate, komente, inat popullor dhe politik të shfrenuar. Si qytetare e këtij vendi këtë situatë e kam ndjekur me vëmendje. Me keqardhje çdo ditë e më shumë konstatoj që si shoqëri kemi aftësi të kufizuar për të reflektuar. Nuk do të merrem në këtë shkrim me faktin se si ka mundësi që u vodhën paratë, apo kush është fajtori për vjedhjen sepse e konsideroj çështje të prokurorisë! Nuk do të merrem as me faktin a duhet të jepte apo jo dorëheqje Guvernatori, ose me faktin po e mbron apo do ta mbrojë politika Guvernatorin, pasi dje u gjendëm përpara faktit të arrestimit të tij. Ajo që do të dëshiroja të ndaja në këtë artikull është se si ligji dhe ligjvënësit kanë lejuar të qeveriset Banka e Shqipërisë!  Për të vlerësuar si është qeverisur Banka e Shqipërisë, duhet analizuar sa mundësi ka pasur Bordi të ushtrojë kontroll dhe të jetë autoriteti suprem në vendimmarrje! Çdo qytetar që prezumon funksionin që është i përshkruar edhe në emërtimin “Bord Mbikëqyrës” mund të mendojë që të gjitha mundësitë kanë qenë në duart të tij. Por që të ushtronte kontroll dhe të gëzonte autoritetin e nevojshëm për të marrë vendime bordi duhet të ishte mbi të gjitha i pavarur nga ekzekutivi i bankës. Vetëm një bord i pavarur ka mundësi të “disiplinojë” drejtuesit ekzekutivë dhe të sigurojë që këta të fundit të vendosin interesat e bankës mbi interesat personale. Mendoj se dy janë përcaktuesit bazë të pavarësisë! 
 
E para ka të bëjë me plotësimin e numrit të antarëve të bordit, të cilët nuk janë të përfshirë në drejtimin ekzekutiv të bankës. 
Në bordin e Bankës së Shqipërisë me 7 antarë dy antarë janë drejtues ekzekutivë; Guvernatori dhe Zv/guverantori. Ndërkohë Kuvendi i kaluar dhe ai i tanishmi nuk u kujdesën që të plotësohej numri i antarëve të bordit në 9, pra e lanë bordin me dy antarë më pak, duke zvogëluar kështu forcën e pjesës së pavarur të tij. 
E dyta mendoj se duhet të ndahet pozicioni i Kryetarit të Bordit nga pozicioni i Guvernatorit. 
Për të siguruar kontroll dhe balancë në bord, parimet e qeverisjes tentojnë të ndajnë rolin e Kryetarit të Bordit nga roli i Guvernatorit, i cili është Drejtuesi Ekzekutiv i Bankës, dhe kuptohet që ka përgjegjësi direkte për gjitha operacionet dhe aktivitetin e bankës. Fakti që ligji lejon që i njëjti person të ketë njëherazi edhe pozicionin “e kryetarit të mbikqyrjes” edhe të “ekzekutivit të mbikqyrur” çon në konflikt interesi, i cili e bën të pamundur funksionin normal të bordit. 
 
Mungesa e pavarësisë, çon në një rrezik edhe më të madh siç është asimetria e informacionit. Brenda çdo organizate kushdo që disponon informacionin e plotë dhe të saktë ka edhe pushtetin. Për të përmbushur detyrat e tij, bordit i duhej informacion i paanshëm i saktë dhe në kohën e duhur. Asnjë anëtar bordi nuk mund të dalë nëpër bankë dhe të kërkoj informacion ku të mundë, apo të përveshë mëngët dhe të numërojë paratë, apo të ulet në zyrën e pagesave dhe të mbikqyr si janë kryer transaksionet. Për më të tepër asnjë anëtar i bordit nuk mund të jetë edhe ekspert i ligjit, edhe ekspert i kontabilitetit, edhe ekspert i financave, edhe ekspert i markoekonomisë. Është Komiteti i Auditimit ai që siguron informacionin e paanshëm për bordin, duke siguruar që të kontollohen të gjitha aspektet funksionale, ligjore, rregullativo-financiarë dhe organizativë. Nga ky komitet duhej të varej funksionalisht Departamenti i Auditimit të Bankës së Shqipërisë, ose siç quhet ndryshe Departamenti i Inspektimit dhe Kontrollit. Ky komitet do të duhej të siguronte pavarësinë funksionale të departamentit të auditimit të brendshëm nga Guvernatori, të rekomandonte auditorin e jashtëm të Bankës së Shqipërisë, të aprovonte planin e auditimit të brendshëm të Bankës, të siguronte që të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e auditorëve të jashtëm dhe të brendshëm, të implementoheshin dhe të siguronte që të gjitha instancat dhe departamentet e bankës japin informacionin e nevojshëm për të kryer kontrollet brenda bankës, si dhe të siguronte që çdo ligj, rregullore apo procedurë, që rregullon aktivitetin e Bankës së Shqipërisë, të zbatohet me përpikmëri. Ky komitet u krijua më 31 Korrik 2014.
 
Inspektorja e Përgjithshme e Bankës, ose ndryshe Kryeauditoria, në mungesë të Komitetit të Auditimit varej nga Bordi i drejtimit, i cili kishte Kryetar Guvernatorin. Pra, de facto varej nga Guvernatori. A mundej ajo të informonte në mënyrë të paanshme bordin për problemet, mungesat në rregullore apo procedura që mund të ketë pasur Banka e Shqipërisë, që drejtohej nga njëjti person që ishte njëkohësisht dhe kryetar i Bordit, shefi i saj, si dhe shefi i gjithë drejtuesve të departamenteve që ajo do të kontrollonte? Kam përshtypjen se jo, pavarësisht çfarë përfaqëson Kryeinspektorja apo Guvernatori, sepse jemi në konflikt interesi dhe varësish. Dy janë rrugët para çdo kyreinspektori ose përshtatje me kushtet e diktuara ose dorëheqje. U dorëhoq Znj. Baleta në 2010, por kjo nuk e shpëtoi Bankën e Shqipërisë nga vjedhja! Parlamenti nuk e thirri ta dëgjonte përse u dorëhoq, por “bëri detyrën” duke e zëvendësuar me dikë tjetër. Askush nuk reflektoi në 2010 përse “dorëhiqet” skaneri i gjithë aktivitetit të bankës! Në këto kushte, mendoj se bordi pavarësisht aftësive profesionale apo morale të antarëve, të cilat jam e sigurt që nuk mungojnë, i ka pasur duart të lidhura për të vepruar. Veprimet dhe vendimet e ndërmarra nga bordi janë po aq të mira sa cilësia e informacionit që ai ka pasur mundësi të ketë. Pa informacionin e saktë dhe në kohë askush nuk mund të vlerësojë saktësisht situatën, të kuptojë efektet dhe pasojat e veprimeve apo mosveprimeve. 
 
Sigurimi i informacionit te paanshëm dhe objektiv nuk është kaq i thjeshtë. Çdo drejtues e kupton që pushteti i tij varet nga informacioni që kontrollon, dhe për këtë arsye asnjë drejtues nuk është “fans” i transparencës së informacionit, aq më tepër kur institucioni që drejton ka veshur petkun e “institucionit të pavarur”. Me ligjin aktual Guvernatori, pavarësisht emrit të tij, është i plotfuqishëm, ndërsa bordi pavarësisht emrave e ka të pamundur të disponojë informacion të paanshëm. Por a është ky faji vetëm i bordit apo vetëm i Guvernatorit? Kjo pyetje është shumë komplekse dhe gjithëpërfshirëse! Mënyra se nga kush dhe si është qeverisur Banka e Shqipërisë është projeksion i mënyrës se si është qeverisur Shqipëria e 20 viteve të fundit. Institucionet tona bazë janë “Sulltanate” të mbrojtura me ligj. Pas arrestimit të ndodhur Fullani nuk do të jetë më Guvernator, bashkë më të do të ndryshojë edhe bordi mbikqyrës, por kjo nuk na garanton se mund të mos kemi një “Sulltan” tjetër në Bankën e Shqipërisë. Mendoj se ka ardhur koha të thërrasim me zë të lartë: Ligjvënës reflektoni! 
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/11/2019 - 13:40

Sipas nenit 129 të Kushtetutës “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”.

Postuar: 15/11/2019 - 07:14

Sa nisi reforma në drejtësi të skicohej dhe komisioni i posaçëm nisi punë, përplasjet mes palëve

Postuar: 15/11/2019 - 07:13

Quhet Francesko Becchetti (në shqip Françesko Beketi).

Postuar: 15/11/2019 - 07:11

...Nuk kanë asnjë ndryshim bile muhabetet e gjahtarëve pas gjahut sikur plagosin arinj, ujq, çake

Postuar: 15/11/2019 - 07:10

Tashmë janë të qarta dhe ditët e përfundimit të "dashurisë" së politikanëve andaj këtej

Postuar: 15/11/2019 - 07:09

Për nga faktet dhe historia e shqiptarëve të Kosovës, vërehen dy elementë kryesorë që i ngjajnë k

Postuar: 15/11/2019 - 07:08

Pas më shumë se një viti pritjeje për fillimin e punimeve në shëtitoren “Naim Frashëri&rdqu