Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kisha e Vaut të Dejës, ose simboli i shkatërrimit të Monumenteve të Kulturës

Kisha e Vaut të Dejës, ose simboli i shkatërrimit të Monumenteve të Kulturës

Postuar: 08/04/2014 - 08:22

Nga Besi BEKTESHI Në daljen e tretë për rilevim të kishave të traditës romane dhe padyshim të një modeli të jashtëzakonshëm si trashëgimi në DRKK-së në Shkodër, ishte dhe rrënoja e kishës së famshme të Vaut të Dejës. Mbas Mazrekut dhe Shirqit, si dy modele që në kohën e benediktinëve, i erdhi rradha dhe rrënojave të kishës së Danjës, apo asaj të njohur si kisha e Lek Zaharisë. Jo lart në kala, por poshtë, buzë Drinit në fshat. Nëqoftëse ajo e Shirqit ka problemet e rrënimit nga abandonimi dhe Buna, apo Mazreku nga abandonimi dhe vazhdimi në moskujdesje, kjo e Vaut të Dejës ka histori të trishtueshme nga dinamiti. Jo, nuk është koha e viteve mbas ‘90-tës dhe sidomos sot, është koha e viteve 1967-1970, kur ishte vendosur që “armiqësia më e madhe të ishte ndaj zotit dhe institucioneve të saj”. Një nga kishat më legjendare dhe me histori të jashtëzakonshme, e cila është hedhur në erë me dinamitin e H/C të Vaut të Dejës, është momenti absurd i shkatërrimit jo vetëm të një objekti kulti, por një monumenti të shpallur të ruajtur nga shteti dhe vendin ku është kryer riti celebrues i Kastriotit! Sekretarët e partisë të asaj kohe japin urdhër dhe kisha, me anën e teknikëve dhe inxhinierëve hidhet në erë.
 
U hap një akuzë në prokurori, e ngritur me guxim nga Gani Strazimiri ose drejtori i Monumenteve të Kulturës atëhere, por u mbyll. Po, u hodh në erë kisha e vjetër e “Shën Marisë” dhe që kishte dhe pllakën që e shpallte “Monument Kulture”. Atëhere thuhej se kishte themele të vjetra të shekullit të tretë, por kishin vërtetuar në atë kohë që ishte mbi gurë të vënë qartësisht në shekujt 6-7-të. Sot dihet qartë se edhe ajo është paleokristiane dhe normalisht tek “dhjetë mijë lekëshi i ri i yni është e stampuar pikërisht ajo”. Janë disa foto të vjetra të saj, dhe duke qenë si seli Ipeshvore, ishte shumë e dashur për të gjithë besimtarët dhe nga Barleti dimë qartë se aty Gjergj Kastrioti ka pranuar Sakramentin e Martesës. Nga disa shkrime dalin të dhëna të qarta dhe në njërin thuhet: Monumenti në fakt ishte shkatërruar rreth datës 30 maj 1969, sipas proces-verbalit të mbajtur pak ditë më vonë nga Miltjadh Papa, përfaqësues i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Agim Kodraliu, inspektor i arsimit dhe kulturës i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Shkodër. Në procesverbal shkruhej: “Rreth datës 30.05.1969 kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës, në portën e së cilës ishte vendosur tabela e monumenteve të kulturës, u hodh në erë me dinamit. Përse u shkatrrue ky monument i vetëm në Shqipni! Por më 15.08.1969, Prokuroria e Shkodrës e mbyll çështjen.
 
Nuk është rasti i vetëm për sa i përket prishjeve dhe denoncimeve dhe unë mund të vazhdoj të citoj shkrimet që nxjerrin në dritë faktet dhe në njërin thuhet: Strazimiri rreshton edhe precedentët e tjerë në rrethin e Shkodrës e gjetkë, të shkatërrimit të monumenteve të kulturës. “Shkatërrimi i kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës është rasti i gjashtë i shkatërrimit të monumenteve në rrethin e Shkodrës. Para disa vjetëve janë hedhur në erë dy monumente të rëndësishme, bezisteni dhe hamami në breg të Bunës, dëmtuar monumenti i kulturës, pronë e Musa Dulja etj. Shkatërrimi i bezistenit dhe hamamit, u bënë me paramendim natën, me qëllim që të viheshin para faktit të kryer. Edhe këto raste i kemi denoncuar në Prokurorinë e rrethit të Shkodrës, por çështjet u pushuan.
 
Po, në Shkodër janë prishur në atë kohë disa monumente kulture pikërisht me aprovimin e institucioneve përkatëse. Bexhisteni dhe i gjithë pazari i Shkodrës, është një nga humbjet kolosale kulturore dhe e fundit është Xhamia e Parrucës. Aleksandër Meksi, ose njeriu që ka qenë dhe ka përjetuar mirë situatën e viteve 1967-1970, thotë në një intervistë kështu: Duhet të ketë qenë viti 1971, kur Gani Strazimiri, drejtori, i prezantoi Enver Hoxhës rreth 100 diapozitivë të monumenteve të kulturës në gjithë Shqipërinë. Kur mbërriti te rrënojat e Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, drejtori i tha se ajo tashmë ishte kthyer në gërmadha dhe duket përmendi edhe emrat e autorëve. Duhet të ketë përmendur emrat e autorëve, sepse këtë e nxjerr logjika, pasi përgjigja e Enver Hoxhës ishte: “Sa keq, që këtë dëmtim e kanë bërë njerëzit tanë”. Pra Enveri e dinte se cilët e bënë dhe këtë do ja ketë thënë drejtori Strazimiri, që pas takimit ua rrëfeu të gjithëve. Pra kur vetë kreu absolut i shtetit mori në mbrojtje shkatërruesit, kjo do të thotë se vlera e trashëgimisë kulturore shqiptare ishte në një tjetër plan, vënë përballë luftës kundër fesë.
 
Gjithsesi mbetet që kjo kishë u hodh në erë dhe është shembulli më tipik i absurdit ekstrem të shkatërrimit të monumenteve të kulturës. Kisha e shekullit XIII e përcaktuar mirë dhe e arkitekturës romano-gotike ka rrënojat e saj të vogla të cilat i fotografova dhe që kanë mbetur nga shkatërrimi, nga marrja për digën dhe ndoshta ndonjë banesë, dhe besohet se aty duhet të ketë qenë dhe varri i princit të Danjës Lek Zaharisë. Mbytet nga Drini herë herë, por altari i vogël është aty. 
 
Çfarë ndryshon sot?
Sot ka ndryshuar motivi i shkatërrimit. Në fund të fundit, pjesa e madhe e monumenteve të kulturës në diktaturë u ruajt. I mirëmbajtën dhe shkatërrimi i kishave ndër të cilat ajo e Lek Zaharisë, është ndoshta humbja më e madhe dhe vinte si pasojë e idiotizmit kriminal diktatorial kundra religjionit se sa kundra kulturës. Sot në fakt, është makabriteti “kapitalist”. Sa e sa monumente kulture si shtëpi janë shembur për të ndërtuar monstra betoni. Vetëm në Shkodër janë mbi 10 syresh dhe sa e sa në Shqipëri, janë lënë të degradojnë dhe pastaj të shemben për të ndërtuar betone të lartë mbi 10-të kate! Sa zona të ruajtura ose të ashtuquajtura të mbrojtura janë dëmtuar rëndë? Mbi rrënoja dhe site arkeologjike 2500 vjeçarë janë hedhur beton. Me shtesa absurde dhe leje të gabuara? Nëqoftëse në diktaturë ishte një idiot që jepte urdhër për dinamit, deri sot ka pasur maskarenj që rrënonin dhe pastaj paguanin për të marrë leje të këqija. Sa vende arkeologjike janë vënë nën betone jo vetëm në Shkodër dhe Durrës, por dhe Lezhë dhe kudo në Shqipëri?! Janë dhënë leje dhe ka qenë vetëm IMK-ja dikur, që ka transformuar statusin e Monumentit të Kulturës për shumë syresh, për të hapur rrugën e ndërtimeve absurde. Kanë bërë më tepër krime nga ‘90-ta deri sot, shumë më tepër se sa në kohën e Enverit. Disa prej këtyre krimeve janë bërë dhe me letra të firmosura. Unë uroj që sot kjo gjë që ka ndryshuar të përfundojë dhe të fitojë liria e të qënit një shtet i qytetëruar. Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës janë shumë ndryshe, por dhe me ide tepër të mira se sa dje.
 
Kisha e Vaut të Dejës është simboli i prishjes së një Monumenti Kulture. Ajo në fakt, do një projekt të mirë studiuar, dhe duhet bërë një simbol i tillë. Pikërisht ajo kishë, që është në dhjetë mijë lekësh, duhet të ketë ditën e saj, për të bërë dhe sensibilizimin, kurdo që një monument ose trashëgimi e tillë rrënohet, transformohet apo dëmtohet. Ajo është simboli, dhe ky simbol duhet ngritur në një trajtë të mundshme që lejon dhe ligji. Ka bazamentin e saj, ka artefakte të ruajtura të mureve të vjetër, dhe ka dhe mundësinë e sotme të dëshirës së mirë në Ministrinë e Kulturës. Do të ishte vërtetë një mrekulli, nëqoftëse në këto bazamente ngrihet një tempull, i cili tregon jo vetëm se kush ka qenë atje, por dhe si është historia. Dhe për më tepër, se është dhe “simboli i trajtimit të egër dhe pa shpirt, të monumenteve të rralla të kulturës tonë kombëtare”. Diçka e tillë, sigurisht që duhet. 
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 52

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:17

 Përpjekjet për të vënë shenjën e barazimit mes dy dhjetorëve dhe për të përfituar frytet e një lëvizjeje masive studentore, e cila deri tani në thelb ka disa kërkesa dhe që mundet nesër të përparojnë dhe me të t

Postuar: 09/12/2018 - 07:16

 Në ditën e shpallur nga Sali Berisha si "dita e Rinisë" dhe sigurisht e

Postuar: 09/12/2018 - 07:14

 Ka më shumë se një muaj që banorët e unazës se re protestojnë ditë e natë, në mbrojtje të b

Postuar: 09/12/2018 - 07:13

 Nuk është vetëm dufi i studentëve.  Protesta e tyre ka trazuar gjithë shoqërinë.

Postuar: 08/12/2018 - 07:22

Ҫdo vit, miliona njerëz detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehë si refug

Postuar: 08/12/2018 - 07:21

Njohja me një vendim për ngritjen në Shqipëri, të varrezave të ushtarëve grekë të vrarë gjatë Luf

Postuar: 08/12/2018 - 07:20

Një opozitë që nuk frymëzon! Është ky konstatimi që e bën kushdo në këtë vend.