Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Mospranimi në UNESCO, e keqja më e vogël për Kosovën!

Mospranimi në UNESCO, e keqja më e vogël për Kosovën!

Postuar: 14/11/2015 - 09:28

Nga Florim ZEQA     Mospranimin e Kosovës në UNESCO, dikush e quajti lajm të keq, kush tjetër e vlerësoi si humbje, ndërsa qeveritarët votimin nga 92 (prej 110 shteteve sa na kanë njohur) shtete e vlerësuan si "sukses" të Kosovës !
 
Janë dy aspekte që nxitën optimizmin e kosovarëve për pranim të Kosovës në Agjencionin për Kulturë, Shkencë dhe Arsim të Kombeve të Bashkuara; në njërën anë arritja e deritanishme e sukseseve të Serbisë në dialogun e Brukselit dhe e dyta, miqësia e "kryeministrit" Isa Mustafa dhe e kryediplomatit Hashim Thaçi me serbët, "përkushtimi" i Ministrit të Integrimit Evropian, zotit Bekim Qollaku për antarësim në UNESCO e deri tek dashuria e zv. Ministrit të jashtëm, z. Petrit Selimi me Ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiç!
 
Në fakt, mospranimi në UNESCO ndodhi për shkak të ambicieve të sëmura të Serbisë ndaj Kosovës (synon ripushtimin), konstalacionit të forcave ndërkombëtare dhe ndikimit të fuqishëm të Rusisë ndaj shteteve islamike. Sido që të jetë, ishte ky një testim shumë i rëndësishëm i pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe verifikim i shteteve mike të Kosovës. S’ka dyshim, pranimi do të ishte një hap përpara, por jo edhe aq i rëndësishëm sa i përket gjendjes politike dhe socio-ekonomike të vendit. 
 
Pranimi në UNESCO nuk do të na e zgjidhte bllokadën në Kuvend dhe as krizën institucionale, nuk do të na përmirësonte situatën e vështirë socio-ekonomike, nuk do të na e përmirësonte sistemin shëndetësor, arsimin, kulturën e aq më pak sistemin e degraduar të drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë. Sa i përket trashëgimisë sonë kulturore, me ose pa UNESCO-n duhet të kujdeset vetë popullata shqiptare, në mbrojtjen dhe kultivimin e vlerave historike të saj... ndërsa trashëgiminë serbe, përveç institucioneve të Kosovës e mbrojnë KFOR-i dhe EULEX-i bashkë me serbët lokalë.
 
Mospranimi duhet të jetë shqetësim për skenën politike kosovare dhe vetëdijesim e ndërgjegjësim i popullatës shqiptare në Kosovë. Lënia edhe më tutje e fatit të Kosovës në duart e një klase të korruptuar dhe shantazhuar politike do të jetë rrezik akoma më i madh për vendin. Ngaqë Serbia nuk do të ndalet me kaq, invazioni politik i saj kundër Kosovës vazhdon tutje përmes aleatëve të saj vendorë dhe ndërkombëtarë. 
 
Fajtorin për mospranim nuk duhet ta kërkojmë jashtë Kosovës. Fajtorë jemi ne, dhe jo shtetet që abstenuan, apo votuan kundër Kosovës në UNESCO. Në njërën anë deklarohemi se jemi të pavarur, ndërsa në tjetrën e negociojmë pavarësinë me pushtuesin tonë,... në njërën anë thirremi në sovranitetin e vendit, ndërsa në tjetrën nuk e kontrollojmë rreth 25 % të territorit të vendit! Problemi thelbësor i vendit tonë, në radhë të parë janë politikanët e korruptuar dhe shantazhuar, pastaj të gjithë qytetarët, kush më pak e kush më shumë. Në vend të garës për të dhënë gjithçka për vendin, përpos garës së politikanëve për pasurim nga shteti, garojmë të gjithë për të përfituar sa më shumë nga gjysëm shteti. 
 
Këtë që e thamë në mënyrën më besnike e vërteton gara e "çlirimtarëve" për marrjen e statusit të veteranit përmes lidhjeve korruptive, familjarizmit dhe nepotizmit,... duke injoruar beteja të lavdishme dhe qindra luftëtarë të vërtetë të lirisë sonë. Harresa e qëllimshme e veriut të pushtuar nga "çlirimtarët" dhe fillimi i dialogut me pushtuesit veriorë nga të njëjtit, paraqet dështimin më fatal në shtetbërjen e Kosovës. Pas dështimit për pranim në UNESCO, nuk mjafton të thuhet nga kryediplomati Thaçi; fajet i ka opozita, ky apo ai lider partiak,... ky apo ai shtet që nuk na mbështeti me votë në Paris. Llogaria e dështimit bie drejtpërdrejt mbi qeverinë aktuale (paraprake) të Kosovës. Pa qenë të sigurtë në votat e të gjitha shteteve (mike) që kanë njohur shtetësinë tonë, as që duhej bërë kërkesa për antarsim në UNESCO. Pas këtij dështimi, duhet të ndërpriten negociatat me Serbinë, të anulohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri më tani, të shfuqizohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës dy marrëveshjet fatkeqe të Brukselit; ajo e 19 prillit 2013 dhe e 25 gushtit 2015 në Bruksel mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe,... vënia e reciprocitetit tregtar e deri te bllokimi i mallrave serbe. 
 
Nëse vërtetë, qeveria nuk është në gjendje ta bëjë një gjë të tillë, është mirë të dorëhiqet urgjentisht, në të kundërtën do të përballet me protesta të fuqishme gjithëpopullore,... do ta harrojnë bllokadën dhe gazin lotsjellës në Parlament me çka mund të përballen jashtë dyerve të Kuvendit nga qytetarët e vendit.
 
Qeverisja e stërkeqe e ka humbur prej kohësh besimin qytetar, prandaj ky koalicion qeverisës duhet të largohet vetë, pa pritur trysninë e qytetarëve të vendit. Një ditë më shumë për koalicionin qeverisës PDK-LDK, do të thotë një ditë më pak për vendin, një copë sovranitet më pak për shtetin e Kosovës. Thënë ndryshe, mospranimi në UNESCO është e keqja më e vogël, përderisa e keqja më e madhe mbetet qeverisja e vendit nga servilët e Brukselit dhe Beogradit, nga liderët e paarsimuar dhe paedukuar shqiptarë, të cilët me tërë qenien e tyre në bisedimet e pabarabarta të Brukselit janë angazhuar për t'i bërë qefin homologëve të tyre në dëm të interesave të shtetit të Kosovës.
 
Dështimet e politikës kosovare filluan me decentralizimin etnik, me pranimin e karakterit multietnik të shtetit me 90 % popullatë shqiptare, me pranimin e dizajnimeve antikombëtare për simbole shtetërore, eliminimi i datës më të madhe kombëtare, 28 Nëntorit nga festat shtetërore,... amnistimi i kriminelëve serbë dhe akomodimi i tyre në FSK dhe Polici të Kosovës... shitja apo dhënia me koncesion e aseteve strategjike shtetërore (KEK, Aeroporti...) firmave turke e deri te dështimet kulmore me Zajednicën serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Më tepër se dështim, është ky një vetëshkatërrim i shtetit të Kosovës nga krerët shtetërorë dhe liderët e papërgjegjshëm partiakë në luftën për pushtet.
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 05/12/2019 - 07:18

Shumë pyesin, përse Enver Hoxha i refuzoi ndihmat e jashtme ofruar për rastet e tërmeteve?

Postuar: 05/12/2019 - 07:16

Për ata qindra e mijëra qytetarët të mbledhur për të drejtat e tyre më 21 janar 2011, zëvendës kr

Postuar: 05/12/2019 - 07:14

Në të gjitha situatat, qeveria ka detyrimin kushtetues të organizojë tërë punët për të drejtuar s

Postuar: 05/12/2019 - 07:12

Të gjithë jemi dëshmitarë për tërmetin e fuqishëm dhe të pazakontë të 26 nëntorit të këtij viti q

Postuar: 04/12/2019 - 07:18

Hidhërimi i madh i pafjalë që la pas dridhja e tokës, pse-të e pafundme që do na mundojnë gjatë,

Postuar: 04/12/2019 - 07:15

Neni 21 i Kushtetutës ka përcaktuar se “Jeta e çdo shtetasi mbrohet me ligj”, pra sht

Postuar: 04/12/2019 - 07:12

Kur doli zoti Basha në mbështetje të atyre që dëmtoi tërmeti dhe deklaroi se tani s’ka poli