Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Një vizitë pak orëshe, por me dobi shumëvjeçare

Një vizitë pak orëshe, por me dobi shumëvjeçare

Postuar: 09/07/2015 - 08:30

Nga Xhevat MUSTAFA  Vizita e Kancelares së Gjermanisë, Anglela Merkel, qe fare e shkurtër, zgjati vetëm rreth 4 orë, diktuar nga axhenda e saj tejet e ngjeshur në vend e në kuadër të BE-së, lidhur sidomos me zhvillimet e këtyre ditëve në Greqi. Por, nga 6 marrëveshjet që e paraprinë dhe Forumi Ekonomik Shqiptaro-Gjerman, që e përmbylli, për nga rëndësia, koha, rajoni dhe vendi, si dhe për gjithçka deklaroi e premtoi zonja Merkel në Tiranë, kjo vizitë është me të vërtetë me mesazhe dhe dobi shumëvjeçare, sidomos për Shqipërinë dhe ne qytetarët shqiptarë.
 
Njëherazi, kjo vizitë është edhe historike, siç e kanë cilësuar me të drejtë analistë, opinionistë, komentatorë, diplomatë dhe ish diplomatë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. “Pesha”, rëndësia, rrjedhojat, jehona e një vizite të këtij niveli nuk mund të nxirret saktësisht bazuar vetëm në kriterin kohor të zgjatjes së saj. Në historinë voluminoze të diplomacisë botërore ka pasur edhe vizita që kanë zgjatur 4-10 ditë, por, për nga rezultatet konkrete kanë rezultuar thjeshtë të pafrytshme ose turistike, apo fare shkurt, “të kota”.
 
Arsyet që e bëjnë të një rëndësie kaq të madhe vizitën e zonjës Merkel në Shqipëri janë të shumtë, të lidhur, të ndërvarur dhe ndërthurur, diku fort e diku dobët me njeri-tjetrin. Gjykoj se një nga arsyet kryesore lidhet me kujdesin në rritje dhe zgjerim të politikës, qeverive dhe të shtetit të Gjermanisë për të qenë gjithnjë e më shumë të pranishëm dhe të ndjeshëm, jo vetëm politikisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sidomos këto vitet e fundit, nuk mund të fshihen e të mos shihen, herë shumë qartë e herë mjergullt, ambiciet dhe përpjekjet e Rusisë së Putinit, për të mbajtur fort, aty ku e kanë akoma të ndjeshëm ndikimin tradicional apo historik, për ta rikthyer aty ku e kanë humbur dhe për ta vendosur aty ku nuk e kanë pasur. Qëllimi i tyre është lehtësisht i nënkuptueshëm apo i lexueshëm: të pengohet apo ndalohet shtrirja e BE-së në rajone e vende, të cilat diplomacia, histografia dhe propaganda ruse i kanë shikuar apo cilësuar jo vetëm shpirtërisht si filoruse.
 
Kancelarja Merkel, ashtu si e gjithë BE-ja, duke u bindur gjithnjë e më fort se “Ballkani ka nevojë për Evropën po aq sa Evropa ka nevojë për Ballkanin”, kanë treguar dashamirësi, vëmendje dhe kujdes të shtuar për ritme më të shpejta e të qëndrueshme emancipimi dhe institucionalizimi demokratik apo “në rrugën drejt një demokracie evropiane”; zhvillimi ekonomiko-shoqëror; komunikimi, bashkëpunimi dhe integrimi të çdo vendi të Ballkanit Perëndimor e të rajonit në tërësi. BE-ja po investon dhe punon shumë e vazhdimisht për të krijuar bindje masive, në rradhë të parë tek klasat politike dhe ekipet qeverisëse të këtyre vendeve se interesi i tyre aktual dhe perspektiv janë vështrimi dhe integrimi në BE dhe ndarja një herë e përgjithmonë nga “thonjtë”, “pengjet” apo nostalgjitë e të shkuarës, edhe pse prej tyre kanë pasur më shumë përgjakje e plagë se sa kënaqësi e përfitime. Shprehje e qartë janë shifrat e larta dhe në rritje të investimeve dhe projekteve gjermane në çdo vend të rajonit tonë, e në Shqipëri, veçanërisht. Gjatë këtyre 24 viteve të paskomunizmit, Gjermania ka ndarë dhe ndërruar herë pas here vendin e parë e të dytë me Italinë, për nga volumi i përgjithshëm i mbështetjes ekonomiko-financiare, ushtarake, arsimore, mjedisore, etj., për Shqipërinë. Siç deklaroi edhe vetë kancelarja Merkel në konferencën e shtypit me kryeministrin Edi Rama, kjo vizitë duhet të shërbejë si shtysë për të forcuar partneritetin ekonomik mes dy vendeve. Po sipas saj, përmes bashkëpunimit, Shqipëria ka mundësinë të përfitojë nga ekspertizat dhe përvojat më të mira për reformën në drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për krijimin e një shteti ligjor modern e me nivel jetese, sipas kërkesave dhe standardeve të BE-së në përgjithësi e të Gjermanisë në veçanti.
 
Forumi i përbashkët Ekonomik, organizuar nga Dhoma gjermane e Tregtisë në Tiranë, në kuadër edhe të Samitit të Berlinit, një nismë e iniciuar dhe udhëhequr nga Gjermania e personalisht nga kancelarja Merkel, që synon të kanalizojë në ekonomitë e Ballkanit miliarda euro investime në projekte madhore, dëshmoi apo rikonfirmoi se Gjermania është një partnere e rëndësishme ekonomike e Shqipërisë për shkëmbimin dypalësh të mallrave. Gjithashtu, se Gjermania ka dëshirën e mirë dhe synimin që të ketë më shumë investime në Shqipëri, sidomos në fushat e cilësuara si më kryesoret, të mjedisit, energjisë, infrastrukturës dhe turizmit. Nënkuptohet se nëpërmjet investimeve dhe projekteve në këto fusha mendohet dhe do të punohet edhe për ndërprerjen e turmave të azilkërkuesve nga Shqipëria drejt Gjermanisë, duke u siguruar perspektivën për të gjetur punë dhe jetë të mirë në vendin e tyre.
 
Por, sipas z. Reiner Bake, Sekretar i Shtetit në Ministrinë gjermane të Ekonomisë, investimet gjermane të deri tanishme dhe ato të ardhshme, kanë nevojë për siguri ligjore dhe transparencë. Kjo nënkupton, sipas tij, se deri tani këto mungojnë apo nuk janë në nivelin e duhur, për shkak apo si rrjedhojë e nivelit të lartë të korrupsionit në Shqipëri dhe të shtrirjes apo plotpushtetshmërisë së tij në çdo fushë, duke patur në pararojë apo si ombrellë korrupsionin masiv, të pafre e të pandëshkueshëm në mesin e politikanëve, qeveritarëve, zyrtarëve, gjykatësve dhe të prokurorëve të të gjitha niveleve.
 
Pa harruar se kryeministri Edi Rama pati fatin, tagrin dhe meritën që ta ftonte dhe priste kancelaren Angela Merkel në Tiranë, përsëri do të ishte e pasaktë e subjektive nëse kjo vizitë do të perceptohej apo interpretohej si shprehje e një afeksioni personal apo ekipor të saj e të shtetit dhe popullit gjerman, që ajo përfaqëson me kaq pjekuri, sukses, autoritet, dinjitet e respekt.
Mund të thuhet me bindje se vizita në Tiranë, më 8 korrik 2015, e kancelares autoritetplotë dhe prestigjioze jo vetëm të Gjermanisë, Angela Merkel, është rikonfirmim i dashamirësisë dhe mbështetjes afro 25 vjeçare të popullit, shtetit dhe të qeverive të këtij vendi mik dhe aleat i sinqertë ndaj të gjithë popullit tonë, ndaj qytetarëve dhe shtetit të Shqipërisë, të sotëm e të nesërm. 
 
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/11/2019 - 07:18

Nuk bëhet fjalë për romanin e Stendalit “E kuqja dhe e zeza” me këtë titull, madje as për uniformën e skuadrës kombëtare, nga ku prej gjoksit e lart, janë krejt në të kuqe dhe si për ironi nga mollaqet e p

Postuar: 21/11/2019 - 07:16

Projekt-ligji për Buxhetin e Shtetit 2020 që Ministria jonë e Financave ka dërguar në Kuvend, për

Postuar: 21/11/2019 - 07:15

Duke shkruar këto radhë, m’u kujtua hyrja e prezantimit të një “senatori” të au

Postuar: 21/11/2019 - 07:12

Një nga "shpresat e humbura", por dhe përkeqësimet shoqërore dhe filozofike te ne, ësht

Postuar: 20/11/2019 - 07:17

Do të vinte ajo ditë kur pjesa më e inkriminuar, më agresive dhe më në hall e politikës, t’

Postuar: 20/11/2019 - 07:16

Vetëvrasjet janë shtuar shumë këto kohët e fundit.

Postuar: 20/11/2019 - 07:14

Të gjithë jemi të përgjuar. Shqiptarë e ndërkombëtarë.