Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Programi qeverisës i PS, për një Shqipëri evropiane dhe rikthimin e vendit në një normalitet ekonomik

  Programi qeverisës i PS, për një Shqipëri evropiane dhe rikthimin e vendit në një normalitet ekonomik

Postuar: 15/09/2013 - 09:54

Nga Fatmir TOÇI Duke e marrë edhe unë fjalën për herë të parë në këtë mandat të dytë nga kjo foltore, nuk mund të rri pa shprehur vlerësimin dhe mirënjohjen për të gjithë votuesit e rrethit të Vlorës, Sarandës e Delvinës, nga Vjosa deri në Konispol, për mbështetjen masive që i dhanë alternativës sonë të majtë, grupit të të zgjedhurve të saj, ku unë bëj pjesë.
Banorët e Qarkut të Vlorës, në qytet dhe në fshat, përveçse treguan maturi, në këto zgjedhje, pjekuri dhe qytetari të pashembullt, nxorën në pah një nga cilësitë më të vyera njerëzore: mirënjohjen, si vlerë të tyren, besimin e patundur te alternativa socialiste, si dhe shpresën e madhe te programi ynë qeverisës, i shpalosur gjatë fushatës elektorale, për shpëtimin e vendin nga kriza rrënuese ekonomike, shoqërore, politike e morale, që na la si trashëgim e djathta e çorientuar, të cilën shqiptarët e çuan në opozitë.
 

Vota masive e 23 qershorit në Qarkun e Vlorës ishte shprehje edhe e pakënaqësisë dhe zemërimit të vlonjatëve ndaj ish - Kryeministrit Berisha dhe qeverise së tij për mungesën e vëmendjes për investime e mbështetje sociale, për degradimin total të infrastrukturës së këtij qarku dhe për më kryesoren: vrasjen e shpresës dhe të besimit, dekurajimin e banorëve të saj, se atje nuk mund të jetohet e punohet normalisht për sa kohë në drejtim do të qëndronte e majta shqiptare. Në vend që Vlora dhe në tërësi Jugu i Shqipërisë të ishin nga zonat më të zhvilluara të vendit, si rrjedhojë e pozicionit gjeografik dhe pasurive që natyra ia ka dhënë me bollëk asaj, në 8 vjetët e fundit, por në tërësi gjatë këtyre dy dekadave të fundit, ajo mbeti dhe vazhdon të jetë zona më e harruar dhe e izoluar e vendit. Ne sot po diskutojmë dhe do të miratojmë përbërjen e qeverisë dhe të programit të saj për 4 vitet e ardhshme. Kam ndjesinë dhe dua të besoj se të gjitha përpjekjet tona kombëtare, të Qeverisë, të Kuvendit, mendoj edhe të opozitës dhe të çdo pushteti tjetër, sot kanë vetëm një emërues të përbashkët: përpjekjet për një Shqipëri europiane.

Këtë objektiv madhor e shoh si prioritet në programin që paraqiti kryeministri Rama në emër të qeverisë së re, i cili përcakton dhe të gjithë hapat që do të ndjekim, rregullat që do të duhet të respektojmë, masat për zhvillimin ekonomik që do të duhet të marrim në realitetin konkret të vendit, si dhe marrëdhëniet e reja që do të duhet të krijohen midis faktorëve të ndryshëm shoqërorë për realizimin me sa më shumë efikasitet të këtij programi madhor. Në thelb të këtij programi do të jetë kthimi i vendit në një normalitet ekonomik, për të siguruar rritjen ekonomike, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe gjendjes sociale, bazuar në sigurimin e punësimit për shqiptarët. Kjo do të sillte nevojën e ndryshimit të formës ekonomike, nga një model konsumi të ekonomisë në një model prodhimi dhe shërbimesh të tjera më bashkëpunuese, të ndërthurura e të balancuara. Duke u njohur në detaje me programin e qeverisë së re, i cili në tërësi ishte edhe kontrata jonë me shqiptarët gjatë fushatës elektorale, sintetikisht duket qartë se ai mbart në vetvete 3 strategji politike:
Së pari, lirinë e njerëzve dhe të konkurrencës pa asnjë diskriminim e kufizim politik, në funksion të meritës.

Në qeverisjen 8-vjeçare të Sali Berishës, ajo që sundoi ishte mungesa e lirive dhe monopolizimi i mendimit, i dhunës, dhe diskriminimi politik, duke e kthyer qeverisjen në një binom diktatorial parti - shtet. Së dyti, përgjegjësinë e gjithkujt përpara vendit e ligjit, në funksion të një shoqërie ku të drejtat e secilit nuk ndahen nga detyrimet ndaj komunitetit. E vetmja liri veprimi në qeverisjen 8-vjeçare “Berisha” ishte sundimi absolut i korrupsionit, i cili ishte kthyer në një metastazë kanceri për çdo qelizë të shtetit dhe të shoqërisë. Ligji ishte kamzhiku i pushtetarit ndaj kujtdo që guxonte që të kritikonte, që të reagonte, që të kundërshtonte shtet - partinë dhe familjen kryeministrore. Shteti u monopolizua, ku drejtësia u kthye në një vegël qorre të blerjes dhe shitjes në ankand. Jo rastësisht, Shqipëria çdo vit renditej ndër vendet më të korruptuara të botës, sepse, pikësëpari, mungonte vullneti politik i klasës sunduese, i shtet - partisë që drejtësia të ishte në funksion të interesave dhe jo në funksion të së Drejtës. Në Shqipëri askush nuk beson më në drejtësi, pasi drejtësia blihet dhe shitet në varësi ligjit të tregut, të ofertës dhe kërkesës. Shqiptarët i dhanë mirëbesimin me votën e 23 qershorit së majtës, që të ndërtojnë Shtetin e së Drejtës.

Së treti, solidaritet me më të dobëtit, në funksion të një bashkëjetese ku barazia e mundësive s’mund të mjaftojë pa drejtësinë sociale. Gjatë 8 vjetëve, në Shqipëri u arrit ajo pabarazi shoqërore, që është karakteristikë e vendeve të pazhvilluara, të vendeve jo demokratike. Pabarazia shoqërore dhe sociale po polarizohen në ekstrem, duke mbjellë vetëm mjerim ekonomik, varfëri shpirtërore e morale të shoqërisë. Shteti u dorëzua te korrupsioni, te krimi, në atë shkallë, saqë asnjë hallkë e ingranazh i shtetit nuk mundet më që të funksionojë pa u parapaguar me rryshfet. Programi qeverisës është bazuar në panoramën e sotme të vendit, gjendjen ekonomike e sociale të shtresave të ndryshme të popullsisë. Me diskutimin dhe miratimin e këtij programi në Kuvend nis përballja e përditshme me realitetin e vështirë të një Shqipërie të lënduar.

Kjo do të thotë që ka kërkesa, nevoja dhe një pritshmëri legjitime të qytetarëve shqiptarë që kanë masivisht një kërkesë themelore: duan punë; që kërkojnë më shumë liri, hapësira demokratike dhe siguri për jetën; që janë të dëshiruar për një shërbim shëndetësor human dhe cilësor, për një sistem arsimor të barazvlefshëm me vendet e tjera të kontinentit, për një jetë më të mirë e me standarte bashkëkohore; kërkesa këto e plot të tjera që nuk mundi t’ua sigurojë asnjëherë qeveria e mëparshme dhe asnjë prej qeverive që erdhën në pushtet pas daljes nga izolimi. Programi i qeverisë është gjithëpërfshirës, i detajuar dhe ka prekur të gjithë problematikën sipas sektorëve dhe fushave të shoqërisë shqiptare.
Por, duke u fokusuar në zonën elektorale ku jam votuar dua të nënvizoj trajtimin dhe vizionin që ka ky program për disa nga problemet që lidhen me sektorë të tillë si bujqësia, mjedisi, turizmi, infrastruktura, arsimi, kultura, çështja e pronës etj. Në këtë program arsimi mbetet një prioritet madhor, për të cilin synohet të investohet në tërësi, nga burimet publike dhe private, 5% e GDP- së (PBB), nga më pak se 3 % që arriti qeveria e mëparshme në mandatin e fundit. Ky është një standard i ri i vendeve të zhvilluara.
Kjo përbën rrugën më të sigurt të zhvillimit të një vendi demokratik, i cili kërkon të ecë me ritmin e shekullit të shoqërisë dhe ekonomisë së dijes, ku shpejtësia e zhvillimit të dijes është faktori kryesor që përcakton progresin. Kjo do t'i japë fund analfabetizmit që ka arritur në masën 15 %, braktisjes së shkollës 9-vjeçare në 10 %, analfabetizmin funksional mbi 50%, fëmijëve që nuk u sigurohet transporti në zonat rurale apo kushteve mjerane të shumicës të shkollave në fshatra, pa folur pastaj për programet, tekstet shkollore, cilësinë e mësimdhënies, standartizimin e shkollës, akreditimin etj. Kultura, trashëgimia kulturore dhe dikasteri përkatës ishin vrima e fundit e kavallit në qeverinë “Berisha” me më pak se 1 % të buxhetit të shtetit. Kthimi në identitet e ministrisë së kulturës duke e zhveshur nga sektorët e tjerë që i merrnin fondet dhe frymën, tregon për rëndësinë që do ti japë qeveria e re treguesit më të qenësishëm të identitetit tonë kombëtar, kulturës shqiptare me të gjithë elementët që e përbëjnë atë. Një vend prioritar u jepet në programin e qeverisë zhvillimit të bujqësisë dhe të hapësirave rurale në përgjithësi, për shkak të rëndësisë që ka ky sektor në ekonominë shqiptare, punësimin masiv etj., me një kontribut prej 18 % të prodhimit kombëtar.
Programi bazohet në nevojën e një sërë reformash e programesh duke 5-fishuar financimin publik, pasi sektori i bujqësisë është sektori i ekonomisë që kërkon ndërhyrje të madhe politike e financiare nga shteti në pamundësi për t’u përballuar nga kapitali privat. Dominimi 7 herë më shumë i importeve në raport me eksportet e prodhimeve bujqësore e bën të domosdoshëm ndërhyrjen dhe mbështetjen e shtetit me politika e subvencione për nxitjen e prodhimit bujqësor, të tilla si reduktimi i TVSH-së për një kategori lëndësh e materialesh bazë e ndihmëse, furnizimi më naftë pa akcizë, mbështetja e mekanikës bujqësore, rigjenerimi i sistemit te ujitjes dhe kullimit të tokave, nga 30 % nën ujë që është sot, në 100 % të tokave brenda mandatit të parë qeverisës. Për këtë ky program qeverisës ka parashikuar investimin e 160 milionë dollarëve për rimëkëmbjen e sistemit në të gjithë vendin. Deri më sot, edhe pse janë hedhur para’ e janë bërë investime, shpesh elektorale, klienteliste apo korruptive sistemi i vaditjes dhe kullimit veçse është degraduar sistematikisht dhe menaxhimi i pasurive ujore ka ardhur duke u përkeqësuar vazhdimisht.

Mjafton të përmendim këtu çfarë ka ndodhur në rrethin e Vlorës me fushën e Sevasterit, Shkozës, Armenit, Mesaplikut, Orikumit dhe gjithë fshatrave përgjatë Lumit të Vlorës për të kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe si është aktualisht gjendja në këtë drejtim. Mjedisi, ndotja, trajtimi dhe sistemi ujrave të zeza dhe i mbetjeve urbane, mbrojtja e pyjeve, ujrave etj., duket që kanë një vëmendje të posaçme në programin e qeverisë. Duke qenë zonë bregdetare me përparësi turizmin e të gjitha formave, Vlora sot ka probleme të mëdha në këto drejtime dhe kërkohen ndërhyrje emergjente, projekte, programe dhe financime për normalizimin e situatës. Është e mirëpritur, e nevojshme, madje e domosdoshme masa që del nga ky program për ndalimin e eksportit të lëndës drusore të papërpunuar, druve të zjarrit, qymyrit të drurit etj., për një periudhë të caktuar kohe; gjithashtu 3 moratoriumet e rëndësishme për ndalimin e aktivitetit ndërtimor në Bregdet, në burime pyjore dhe sipërfaqe ujore në të gjitha zonat me rëndësi për turizmin. Por ndër problemet më të mëdha që ka rrethi i Vlorës është padyshim gjendja e infrastrukturës në përgjithësi dhe asaj rrugore në veçanti. Sot mbi 80 % të rrugëve rurale janë të paasfaltuara dhe tërësisht të degraduara, aq sa një pjesë e tyre sot mund të kalohet vetëm nga mjetet me zinxhirë dhe e kanë humbur prej kohësh jo vetëm funksionimin, por edhe imazhin e rrugës dhe konceptin e kësaj fjale si objekt qarkullimi. Tipike është rruga e lumit të Vlorës, që lidh qendrën e rrethit e të Qarkut me krahinën e Kurveleshit e më pas me Bregdetin në Borsh, Himarë e Qeparo, si dhe degëzimët e saj me qendra të tilla të banuara si fshatrat e komunave të Horë – Vranishtit, Sevasterit, Vllahinës, Smokthinës në komunën e Bratit, Armenit etj. Dhe bëhet fjalë për më shumë se 80 fshatra, ku aktualisht jetojnë mbi 50.000 banorë.

Banorët e kësaj zone dhe të gjithë rrethit presin me padurim, por me besim të patundur realizimin e premtimit të kryeministrit Edi Rama për rikonstruksionin e kësaj rruge, e cila bashkë me rrugën e Bregut përbën atë që quhet Unaza Turistike e Jugut, me rëndësi jetike për zhvillimin ekonomik të zonës, zhvillimin e turizmit dhe rritjen e cilësisë së jetës së banorëve të saj.
Është fakt që në dy mandatet e fundit të qeverisjes “Berisha” janë kryer investime të mëdha në infrastrukturën rrugore dhe rrjetin kombëtar. Por është po kaq e vërtetë që cilësia e tyre lë për të dëshiruar. Sot nuk mund të gjesh asnjë rrugë të përfunduar e me standarte dhe ato janë bërë burimi dhe shkaku kryesor për aksidente dhe rritjen e vdekshmërisë në bilance lufte.
Para’ janë hedhur shumë për ndërtimin e rrugëve (ku Vlora dhe këtu bën përjashtim), por ato sot janë jashtë standarteve dhe kërkesave të kohës dhe burimi më i sigurtë i korrupsionit dhe abuzimeve me fondet publike. Nëse do ta perifrazoja me një fjali angazhimin e qeverisë së shkuar në këtë sektor do të thoja: Shumë para’ të hedhura, shumë tendera të parapërgatitur, pak rrugë realisht, aspak standarte bashkëkohore, asnjë aks rrugor i përfunduar, aspak mirëmbajtje. Dhe se fundi, para se ta mbyll këtë fjalë përmbledhëse dhe pa pretenduar të prek të gjitha çështjet e fushat që lidhen me programin e Qeverisë për 4 vitet e ardhshme, dy fjalë në lidhje me zgjidhjen e problemit të pronësisë dhe sigurisë së pronës, një prej problemeve themelore që po mban peng zhvillimet normale të vendit dhe ka rritur ndjeshëm frymën e abuzimeve dhe konfliktualitetit në shoqërinë shqiptare. Zotimet e qeverisë së re për kthimin dhe kompensimin e pronave private, strategjia e saj për ti dhënë fund kaosit në administrimin e pronave publike e private, ngritjen e një sistemi të përshtatshëm për të mbrojtjen e të drejtës së pronësisë, si një prej të drejtave themelore të individit, po priten me interes e besim në të gjithë vendin, për t’i dhënë fund një prej çështjeve më të koklavitura e të molepsura që ka sjellë si pasojë konflikte e krime nga më monstruozet gjatë këtyre dy dekadave të fundit. Jam i bindur se programi i qeverisë që u paraqit sot para nesh është një program ambicioz, por në të njëjtën kohë edhe realist, i domosdoshëm dhe plotësisht i mundshëm për t’u zbatuar. Shpresa dhe besimi që manifestuan shqiptarët me votën e tyre plebishitare e justifikon plotësisht pritshmërinë e tyre për vënien në jetë të këtij programi.
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/10/2019 - 07:52

Prej vitesh mbajmë frymën pezull dhe vështrimin nga BE. Shqiptarët edhe pse populli më pro europian, janë të nëmur dhe përjashtuar nga sofra europiane.

Postuar: 13/10/2019 - 07:50

Njerëzit e kanë të qartë moralin e politikës.

Postuar: 13/10/2019 - 07:48

Duhet të pranojmë se në vendin tonë ka ende mjaft njerëz që jetojnë në varfëri, të cilët nuk arri

Postuar: 13/10/2019 - 07:46

Thonë se të vërtetën nga gënjeshtra e ndan vetëm drejtësia. Kështu duhet të jetë ligjërisht.

Postuar: 12/10/2019 - 07:51

Të enjten u shpallën fitues të çmimit Nobel për Letërsinë, autorja polake Olga Tokarçuk dhe shkri

Postuar: 12/10/2019 - 07:48

Nuk është problemi se ka bërë zhurmë kjo marrëzi e "Nobel Prize" me "dekorimin&quo

Postuar: 12/10/2019 - 07:47

Edhe pse nuk në është një risi që ndodh për herë të parë, dorëheqjet seriale nga Kadastra e Vlorë