BREAKING NEWS

Ilir Demalia zbardh kulisat: Ju tregoj kurthin që Edi Rama po i ngre ‘Rithemelimit’, arsyet e vërteta të distancimit të grupit të Bardhit nga Lulzim Basha, panikun që ka shpërthyer brenda tyre dhe lajmet e hidhura që e presin Sali Berishën

Ilir Demalia zbardh kulisat: Ju tregoj kurthin që Edi Rama po i ngre
x
BREAKING NEWS

Idajet Beqiri: Kanë mbaruar hetimet për dosjen ‘CEZ-DIA’, përveç Metës, Berishës dhe Shkëlzenit rrezikon prangat një juriste amerikane, ish-presidenti po përgatitet për ditët e zeza në SPAK, ja strategjia që po ndjek për të shpëtuar nga arresti me burg...

Idajet Beqiri: Kanë mbaruar hetimet për dosjen ‘CEZ-DIA’,
x
BREAKING NEWS

Rama-Meta-Berisha ulen bashkë në tryezën e pazarit për të monitoruar SPAK dhe përmbysur reformën në drejtësi, ja pse është alarmuar “Treknëdëshi i Bermudës”

Rama-Meta-Berisha ulen bashkë në tryezën e pazarit për
x
BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x

Opinion / Editorial

Trafiku rrugor, jo vetëm si tregues i qeverisjes së një vendi

Trafiku rrugor, jo vetëm si tregues i qeverisjes së një vendi

Nga Gentian KALOSHI Të parë, të dytë,... të parë, të dytë, të tretë... të parë, të dytë… Me kalimin e kohës do të më duhet të pyes veten nëse makina ime është e pajisur apo jo me marshe më të shpejta… Për ta thënë troç, mbaj shpresën e çmendur se nga momenti në moment do të mund të arrij të kaloj në marshin e tretë dhe mund të udhëtoj përtej pragut mitik të 50 km/orë. Por tani, duhet ta pranoj që po fluturoj në science-fiction, sepse në këtë moment jam i imobilizuar ashtu si edhe të tjerët, si çdo ditë, në mëngjes, në timonin e makinës sime, i humbur midis qindra të tjerëve. Fatmirësisht, imobilizimi i sforcuar dhe i përsëritur është gjithashtu një shkollë e mrekullueshme e urtësisë që mund të na ofrojë çdo ditë meditime, reflektime… «po çfarë po bën ky mor jahu»???... «është e pamundur, të gjithë po presim në rradhë, një shofer i zoti parakalon dhe i zë rrugën krahut tjetër”, “tani ndizet drita jeshile dhe asnjë nuk po lëviz»!! “Shih ky sa i zoti, po ecën në korsinë e autobusit apo urgjencave!”... Megjithë urtësinë e meditimit të detyruar, kulmi i nervozizmit është ardhja e “pastruesve” të xhamave të makinës për të kërkuar ndonjë monedhë... Është e pamundur të vazhdosh këtë meditim; përpara meje plas sherri, dy shoferë dalin nga makinat dhe fillojnë të shahen... Ku e lashë?... Ah po... kohë për të menduar, reflektuar, ja shansi për çdo shofer. Ju mendoni që ju nuk jeni të aftë për menduar e medituar? Sigurohuni, pas disa ditësh udhëtimi me makinën tuaj, edhe ju do të bëni progrese të konsiderueshme! Përveç të tjerash, përse do ta shkonim kot tërë këtë kohë të humbur, ... mund të bënim shumë gjëra të tjera në vend të pritjes në makinë: Prousti ka shkruar një libër për të. Nejse, në të njëjtën kohë duhet ta pranojmë që ai është “në kërkim të kohës së humbur”, ndërsa unë e kam gjetur atë (në fakt ajo ndodhet në veturën time)...

Një dritë shprese, makinat po lëvizin. Të parin dhe... Më kot, një veturë më erdhi nga krahu i djathtë dhe më zuri rrugën. Ndaloj... një motoçiklist pa kaskë godet pasqyrën e pasagjerit...ç’të bësh?! Duket sikur secili shofer ka një itinerar individual, të pandikuar nga disiplinimi formal i trafikut... pas pak metrash shquaj policin e shkretë. Them i shkretë sepse përpiqet të vërë rend në këtë katrahurë ku nuk ka të dënuar. Them i shkretë sepse duke parë këtë skenq vjen një stuhi pluhuri nga makinat që po kalonin në rrugën në rindërtim e sipër; në mënyrë instiktive unë ngrita xhamin e makinës dhe ndeza kondicionerin, kurse ai, polici i shkretë është i destinuar të qëndrojë i vetëm, i pambrojtur dhe pa kushtet me minimale të punës...

Më në fund hyra në unazë dhe po eci me marshin e tretë; në një distancë të konsiderueshme shquaj një person të moshuar që është në “start” për të kaluar rrugën në vijat e bardha (pa semafor). Makina para meje shton shpejtësinë, të njëjtën gjë bën edhe makina në korsinë ngjitur. Unë, si çdo shofer normal ul shpejtësinë deri në ndalim. Kalimtari i moshuar më falenderon dhe fillon të kalojë rrugën; ndërkohë, në krahun tim të djathtë, një makinë vjen me shpejtësi dhe për pak sa nuk merr përpara kalimtarin “e siguruar” nga unë. Në këtë moment, unë qortoj veten sepse mund të isha bërë shkaktar apo nxitës apo favorizues i një aksidenti fatkeq. I kujt është faji?! Jam i sigurtë që shumica do të më fajësonte mua. Ai tjetri, shoferi që nuk respekton rregullat e qarkullimit rrugor, ai është shumica; ai ashtuquhet “normaliteti”. Kjo është aq e vërtetë saqë më duket sikur makinat më shumë ndalojnë kur është semafori jeshil sesa kur ka vija të bardha në rrugë. Për ironi të fatit, disa metra më tutje qëndronte një polic rrugor, të cilit nuk i bën më përshtypje një thyerje e tillë e kodit rrugor. Shoferi kundravajtës nuk ka frikë nga polici, ndërsa polici po... nuk më besoni?! Më kujtohet një rast së fundmi kur një shofer po kalonte (në zonën e “Malit të robit”) nga njëra anë e autostradës në anën tjetër... nuk ka shofer që nuk ka parë një skenë të tillë... më e frikshmja ishte që polici ishte aty, po e shihte dhe nuk reagoi aspak, madje shihte nga ana tjetër. Një shembull tjetër, besoj se çdo shofer apo pasagjer apo kalimtar ka vënë re se makinat parakalojnë apo ndryshojnë korsi apo marrin kthesa pa ndezur sinjalet përkatëse; kjo është aq e zakonshme sa shpeshherë mendoj se nëqoftëse ti e ndez sinjalin asnjë nuk të jep precedencë, ndërkohë që të “respektojnë” kur ti nuk i ndez fare sinjalet. Kjo vlen sidomos për shoferët e makinave luksoze dhe zyrtare; aq e shpeshtë është kjo saqë dyshoj se mos ka ndonjë studim që tregon ndonjë korrelacion mes impotencës dhe hapjes së sinjaleve. Shembuj të tillë apo të kalimit me semafor të kuq apo me parakalime të rrezikshme ndodhin në çdo ditë, në çdo moment të drejtimit të makinës... Në një udhëtim 15-20 minutësh ju mund të shihni mbi 20 shkelje të kodit rrugor. Sikur të funksiononte normalisht dënimi (diskriminimi negativ) atëhere buxheti i shëndetësisë do te sigurohej vetëm nga këto gjoba. Kjo ishte njëra anë e medaljes. Nga ana tjetër, shohim kalimtarë që kalojnë rrugën në atë moment dhe pikërisht në atë vend ku ai e vendos, pa menduar se sa mundësi apo sa e “ligjshme” është kjo ndërmarrje e tyre; rasti më flagrant është kur kalojnë rrugën dhe vazhdojnë të flasin në telefon ose në rastin ekstrem të shohin dhe vazhdojnë të shkruajnë ndonjë sms.

Vini re: merrni pop corn sa herë që shkoni apo dilni nga puna; vetëm kështu mund të qetësoheni... Ah, filloi shiu, elementi që i mungonte kësaj pamje të mrekullueshme trafiku. Siç dihet, kur bie shi, rrugët bllokohen, ka më pak njerëz nëpër rrugë, dhe, trafiku sikur merr pak frymë... por jo, sapo marr kthesën nga një rrugë dytësore, bie në një bllokim tjetër; një makinë është e parkuar dysh, dhe, shoferi nuk është aty... pas një “breshërie” të borive të makinave në pritje, shoferi vjen dalëngadalë, i qetë sepse është zëvendësministër, e për më tepër zëvendësministër i rendit. E çfarë mund t’i bëjë atij një polic i thjeshtë rrugor?! E si ai janë shumë zëvendësministra, deputetë, etj., etj...

Më në fund arrita në shtëpi. Pas disa sharjesh dhe zotimesh që nuk do t’i bie nga kjo apo ajo rrugë, ose që nuk dilet më me makinë, ulem në divan dhe shoh lajmet e ditës në televizor. Ç’të shohësh?! Tre lajme të njëpasnjëshme për aksidente automobilistike… Politikanë që premtojnë se do të vjelin taksa; politikanë që do të bëjnë shtetin ligjor; apo spote që flasin për ashpërsinë e ligjit... Të gjithë flasin, të gjithë kanë të drejtë. “Shiu” çudibërës nuk arrin të ftohë gjakrat, situata mbetet pa zgjidhje, populli gjithashtu. Dikush mund t’i cilësojë politikanët si të shpërfytyruar nga pushteti apo servilizmi i ngritur në art, si njerëz të veçantë, krejt të ndryshëm nga populli i thjeshtë... Jo. Absolutisht jo. Janë po ata njerëz që i takova në rrugë, me apo pa makina; janë po ata njerëz që nuk njohin dhe nuk u pëlqen ta zbatojnë ligjin; janë po ata njerëz që nuk kanë dhe nuk duan të kenë respekt për të tjerët; janë po ata njerëz që më kollaj e kanë të zihen, të fyejnë apo të shajnë se sa të buzëqeshin e aq më tepër të të ndihmojnë...

Ekziston një shprehje konfuciane: “mënyra e drejtimit të automjeteve tregon se sa të qeverisur janë njerëzit”. Dhe kjo është shumë e vërtetë në Tiranë dhe në tërë Shqipërinë. Kjo është aq e vërtetë sa edhe miqtë e mi nga Kosova më thonë se kur vijnë në Shqipëri duhet të “fusim në kokë një disketë tjetër” për të mbijetuar në qarkullimin rrugor shqiptar. Ja përse unë mendoj dhe dëshiroj që të jetë vetë kryeministri që të udhëheqë këtë sektor, këtë miniaturë të shtetit dhe përfaqësuese e sinqertë e forcës së ligjit si dhe respektimit të tij. Vetëm kështu, policët e pakorruptuar nuk do të nëpërkëmben nga politikanë, deputetë apo zyrtarë, të cilët janë të parët që i thyejnë rregullat. Vetëm kështu, polici nuk do të ketë më frikë nga shoferët kundravajtës. Vetëm kështu, njerëzit do të mësohen të respektojnë rregullat, të paguajnë për gabimet e tyre. Vetëm kështu, do të ndihemi të gjithë njësoj përpara ligjit.