BREAKING NEWS

Nuk ndalet ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri bën lëvizjen e papritur në betejën e tij me drejtësinë, ja vendimi më i fundit

Nuk ndalet ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri bën lëvizjen e
x

Opinion / Editorial

Tsunami Grillo në Itali dhe tërmeti AK në Shqipëri

Tsunami Grillo në Itali dhe tërmeti AK në Shqipëri

Nga Alban DACI Pasi u mbyllën kutitë e fundit të votimit në Itali, filluan menjëherë parashikimet e para, sondazhet e para dhe analizat e para për fituesit e mundshëm. Megjithatë, ajo që bie më së shumti në sy është tsunami i Beppe Grillo i cili me “Lëvizjen pesë yje” sipas parashikimeve të para ka marrë afërsisht rreth 25% të konsensusit të italianëve. Beppe Grillo është një aktor komik, i cili po thyen tabutë e politikës së vjetër italiane. Atëherë nëse është kështu, duhet të pyesim: Politika e vjetër është komike, apo të jesh komik ke sukses në politikë? Beppe Grillo, edhe pse është një figurë e njohur në Itali për shkak të artit të tij prej komiku, ai po shikonte çdo ditë i dëshpëruar se si vendi i tij vazhdonte të ishte me problem serioze që lidheshin me një klasë politike të papërgjegjshme e të korruptuar. Ai po shikonte me keqardhje faktin se si në Itali thjeshtë ndërroheshin fytyrat, por mekanizmi mbetej po i njëjtë, i cili kishte për qëllim zhvatjen dhe robërimin e qytetarëve. Ai po kuptonte se politika e vjetër kishte krijuar një sistem monopolist që nuk i lejonte qytetarët e ndershëm të bëheshin pjesë e saj dhe që brenda llojit kishin krijuar një “kod nderi” të brendshëm për të mos prekur njëri-tjetrin, sepse ishin “vëllezër”.

Në këto rrethana, Beppe Grillo vendosi bashkë me një grup të rinjsh, të shkolluar, idealistë dhe të ndershëm të krijojë “Lëvizjen pesë yje”. Kjo më shumë se sa një lëvizje politike dukej si një lëvizje mbarë qytetare, të qytetarëve të ndershëm. Kështu Beppe Grillo me artin e tij prej komiku dhe me idealizmin e tij prej një qytetari të lirë nuk bëri gjë tjetër veçse denoncoi me fakte degjenerimin e politikës së vjetër. Ai i konsideroi anëtarët e parlamentit si midhje që notojnë në ujëra të pisët. Ai tha se e keqja më e madhe e vendit janë pikërisht politikanët e vjetër të zhytur në korrupsion, në afera të pista dhe në neglizhencë politike kundrejt qytetarëve. Grillo, me zërin e tij prej komiku dhe me oratorinë e tij prej një politikani të mirëfilltë arriti të rizgjojë veshët dhe sytë e qytetarëve, duke e kuptuar këta të fundit politikën jo si diçka në shërbim të pushtetit, por si vlerë komunitare në shërbim të të gjithë qytetarëve. Edhe pse “Lëvizja pesë yje” shënoi një tsunam në politik italiane, ajo më shumë ishte një denoncuese e një të tashmeje të errët se sa një projektuese për një të ardhme më të mirë. Kjo për faktin se ajo nuk kishte një strukturë moderne politike dhe nuk kishte një program të qartë dhe klasik politik.

Në rrethana të ngjashme me Grillo, por me një stil profesional dhe modern edhe Kreshnik Spahiu vendosi t’i hyjë politikës për ta kthyer atë si vlerë komunitare në shërbim të qytetarëve. Them më me stil profesional, sepse vinte nga një detyrë e lartë institucionale dhe për këtë arsye kishte pasur disa herë përplasje me elitat e larta politike. Z. Spahiu, ashtu si Grillo vendosi të krijojë bashkë me një grup të rinjsh të shkolluar, idealistë dhe patriotë, Aleancën Kuq e Zi. Ai e krijoi Aleancën Kuq e Zi dhe vendosi të hyjë në politikë, sepse vetëm duke u bërë pjesë e kësaj të fundit, por me vizione dhe ide të reja, mund ta shndërronte nga një dele të zezë në një ogur të bardhë për çdo qytetar. Megjithatë, Aleanca Kuq e Zi në dallim me “Lëvizjen me pesë yje” është një parti me një strukturë moderne, ku mbizotëron modeli i punës në grup si një trup i vetëm për qëllime mbarë qytetare dhe hartimi i një programi të qartë dhe me ide revolucionare jo vetëm për shqiptarët, por edhe për vetë Perëndimin. Aleanca Kuq e Zi, jo vetëm futi Çështjen Kombëtare si argument të rëndësishëm politik, limitimin e mandateve, por edhe mundësinë reale përmes ndryshimit të Kushtetutës për të ndarë politikën nga pushteti, Qeverinë nga Parlamenti dhe drejtësinë nga vartësia politike. Pra, Aleanca Kuq e Zi nën drejtimin e Kreshnik Spahiut po revolucionon mendësinë e të bërit politikë në Shqipëri. Vetëm duke ndodhur kjo, ka mundësi reale që tranzicioni të marrë fund.

Aleanca Kuq e Zi do të jetë një tërmet me efekte të mëdha surprize në politikën shqiptare. Këtë e them, pasi po e studioj në terren politikën shqiptare, ku në çdo tre qytetarë, një shpreh simpati dhe optimizëm për ardhjen e Aleancës Kuq e Zi në pushtet. Aleanca Kuq e Zi nuk do të jetë një Kingmaker, por vetëm King dhe rreth saj do të vërsulen subjekte të tjera për të marrë një fetë tortë nga pushteti. Megjithatë, Aleanca Kuq e Zi është një parti që bën aleancë vetëm me qytetarët dhe në shërbim të qytetarëve. Çdo marrëveshje politike që vë nën hije interesin komunitar, qytetarët dhe është kundër interesave kombëtare, nuk do të nënshkruhet nga Aleanca Kuq e Zi.