Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Zagoria, e harruar dhe e braktisur mes malesh

 Zagoria, e harruar dhe e braktisur mes malesh

Postuar: 24/05/2013 - 10:59

Nga Prof. Dr. Begë MUSTA Ishim tre miq, që vendosëm të bënim së bashku një vizitë private në Zagori, në një ndër krahinat më të dëgjuara dhe nga më të bukurat në Shqipërinë e Jugut. Ishte një ditë e bukur, në fillim maji, kur unë me historianin e shquar, profesor doktor Pëllumb Xhufi dhe një djalë me origjinë nga Hoshteva, inxhinierin e talentuar dhe të mirënjohur Dr. Kristaq Qirko, lindur dhe rritur në Tiranë, por i gatuar me një dashuri të rrallë për vendlindjen e prindërve dhe të parëve të tij, nisëm aventurën tonë drejt maleve të larta të Zagorisë. E kishim me qejf të madh të shikonim sa më parë bukuritë, natyrën e virgjër dhe të rrallë të kësaj krahine. Ndalesën e parë e bëmë në Fushën e Çajupit, një mrekulli me pamje magjepsëse të natyrës shqiptare. Zoti këtu i ka mbledhur dhe bërë bashkë të gjitha ngjyrat e ylberit; klimën, ajrin e pastër dhe të shëndetshëm, ujrat e borës, shkëmbinjtë, grykat dhe honet e thella dhe të frikshme, ujëvarat që rrjedhin rrëmbimshëm nga lartësitë, pyjet, ujët e ftohtë të Bratit, lulet, shtigjet e hajdutëve; sa kur i sheh me sytë e tu habitesh dhe mbetesh pa frymë. Rruga gjarpëruese dhe e asfaltuar, i bën më të këndshme dhe aventureske vizitat në këtë zonë tepër malore dhe piktoreske. Aty, erdhën për të festuar 1 Majin, vizitorë të shumtë, grupe me të rinj dhe të reja, jo vetëm nga krahina e Zagories por edhe nga qytetet e Gjirokastrës, Tepelenës dhe fshatrat përreth tyre. Fusha dhe mali i Çajupit, për disa ditë, do të jetë plot me kope, këto hapsira do të oshtijnë nga zilet dhe këmborët. Grupe turistësh të shumtë do të ngjiten gjatë verës, në këto lartësi, do të argëtohen dhe do të kënaqen me bukuritë malore të kësaj zone.

Sa kalon “Hijen e Hajdutëve” sytë bien mbi fshatrat e Zagories, të bukura, të vendosura rresht, në krah të njëri tjetrit, në të dy anët e rrjedhës së lumit të saj. Krahina e Zagories, përbëhet nga 10 katunde: Sheper, Nivan, Ndëran, Topovë, Konckë, Hoshteve, Liar, Vithuq, Doshnicë dhe Zhej. Qendra e Komunës ndodhet në Nivan, rreth 45 km, larg nga Gjirokastra. Gjatë pushtimit osman, deri në vitin 1920, kjo krahinë ka qenë pjesë e Kazasë se Tepelenës dhe varej nga Tepelena. Në vitin 1920-1924 kaloi në vartësi të Përmetit dhe nga viti 1924 e në vazhdim ndodhet në vartësi të Gjirokastrës. Kjo komunë bën pjesë në krahinën malore- jugore të vendit, shtrihet në basenin e lumit të Zagorisë. Gjatësia e luginës së Zagorisë është 27 km, ndërsa pellgu ujëmbledhës i saj është rreth 171 km2. Ujëvara “Rrema e Doshnicës” është interesante, ka një lartësi rreth 20 m. Nga pikëpamja gjeomorfologjike, relievi i kësaj krahine, ka tiparet e një grope të rrethuar me kreshta malesh të serta. Zagoria ndodhet në një lartësi rreth 750 m, mbi nivelin e detit. Lartësia maksimale 2156 m (m. Lugu Arapit), lartësia më e ulët është 350 m.

Gjatë udhëtimit tonë turistik pamë mrekullira; një natyrë të qeshur, njerëz punëtorë dhe të dashur, bëmë vizita në familje të ndryshme, u njohëm me punët dhe hallet e tyre, mësuam mjaft gjëra për historinë, jetën, kulturën, kultet dhe objektet fetare, zakonet dhe traditat e krahinës së Zagories. Prania e Xhufit, një person shumë i njohur dhe i respektuar në publik, tërhoqi vëmendjen e banorëve. Shumë rrallë njerëz të tillë; historianë, shkrimtarë, artistë apo politikanë të mëdhenj duken në thellësi të këtyre anëve dhe të rrethuara nga malet. Simpatia dhe respekti i tyre ndaj këtij historiani të shquar, lexohej hapur në sytë e tyre, në buzëqeshjet, përshëndetjet dhe dëshirën e madhe për ta takuar. Sjellja e tyre na detyroi të dilnim nga shtrati i programit tonë privat, të hynim në biseda dhe të diskutonim për probleme të ndryshme që ata kishin.

Gjatë bisedave mësuam se mbi këtë krahinë, është hedhur drite për here të parë qysh në shekullin e X. Është një zonë e lashtë, me popullsi autoktone dhe histori të vjetër. Në vitin 1431-1432, ka patur 188 familje me 1600 banorë. Sipas regjistrit të vitit 1583 numri i banorëve mësohet të ketë arritur deri në 3300 banorë dhe fshati më i madh rezulton të ketë qenë Sheperi me 600 shtëpi. Rritja e popullsisë në krahinë ka ardhur si rrjedhojë e migrimeve të shumta nga krahinat e Kolonjës, Labërisë, Sulit (Greqi) dhe nga zona të tjera që nuk pranuan të ndërronin fenë ose për t’u shpëtuar ndjekjeve dhe persekucioneve nga pushtuesit dhe armiqtë e tyre. Deri në gjysmën e shek XIX popullsia arriti në 4300 banorë. Në të gjithë botën sot, sipas të dhënave statistikore, jetojnë rreth 18000 banorë me origjinë, në linjë atërore nga Zagoria. Sipërfaqja e kufizuar e krahinës, vështirësitë natyrore dhe të jetesës, mungesa e tokës së bukës, etj., kanë bërë që banorët e kësaj zone të emigrojnë në vende të ndryshme, fillimisht në drejtim të Stambollit, Greqisë, Misirit dhe nga fillimi i shek. XX për në Amerikë dhe Kanada, pa llogaritur lëvizjet e ndryshme brenda vëndit. Gjatë shekujve të XVIII-XX, rreth 80% e burrave dhe djemve zagoritë punuan dhe jetuan në emigracion. Poeti i madh i kësaj krahine, Andon Zako Çajupi, u ka kënduar me dhimbje këtyre plagëve të rënda që gërryenin edhe gurët. Nga lotët e grave thahej edhe bari tek qafa e malit kur i nisnin burrat për rrugë të gjatë dhe i prisnin për dyzet vjet me radhë, duke iu lutur Zotit të ktheheshin mirë dhe shëndoshë. Ata luajtën një rol të madh në futjen e kulturës, qytetërimin dhe zhvillimin e vendbanimeve të tyre në zonë. Me fitimet e siguruara nga puna në emigracion, ndërtuan shtëpi, shtuan blegtorinë dhe vunë pasuri. Zagoria dhe fshatrat e saj, jetuan dhe qëndruan në këmbë, në sajë të dashurisë dhe kontributit të bijve të saj. Fshatrat e bukura dhe të ndërtuara me gusto, u ngjajnë muzeve të hershme antike, me shtëpi, shumica, dy katëshe të gjitha të mbuluara me pllakë guri të zezë, karakteristikë e kësaj krahine. Rrugët dhe sokakët, brenda fshatrave ndërtuar me sistem dhe shtruar me kalldrëme të vjetra. Shumë ndërtesa kanë mbetur shkretë, pa njerëz brenda, banorët pas vitit’90 i janë drejtuar përsëri emigracionit. Zagoria ka qenë një nga zonat më të shkolluara dhe me numër intelektualësh dhe qeveritarësh më të lart në vend, si para edhe pas çlirimit.

Gjatë Luftës nacionalçlirimtare, ka qenë baza kryesore e saj në Qarkun e Gjirokastrës. Këtu u krijuan çetat, batalionet dhe dy brigada partizane. U ngritën bazat e teknikës së shtypit për luftën, u bënë mbledhje të rëndësishme, të cilat vendosën fatin e fitores mbi fashizmin, sidomos për Qarkun e Gjirokastrës. Banorët e kësaj krahine dhanë një ndihmesë të madhe dhe derdhën gjak në luftën e armatosur kundër okupatorëve nazifashistë. Më shumë se 120 bij të saj mbushën radhët e njësiteve partizane dhe 350 të tjerë u organizuan në terren. Gjatë kësaj lufte ranë 16 dëshmorë, “Heroi i Popullit” Themo Vasi dhe u dogjën 323 shtëpi. Pas çlirimit u ngritën 220 shtëpi të reja, u çelën shkollat 7 vjeçare në Sheper dhe në Zhej, shkolla e mesme bujqësore në Nivan, u ngrit spitali dhe materniteti i krahinës, shtëpia e kulturës. Gjithashtu u hapën toka të reja, u ndërtuan vepra ujitëse, që rritën rendimentet e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Më 1961 u lidh Zagoria me Gjirokastrën me rrugë automobilistike, më 1967 përfundoi telefonizimi dhe 1969 elektrifikimi i gjithë fshatrave të krahinës. Por, të gjitha këto, sot, fatkeqësisht nuk ekzistojnë, janë shkatërruar plotësisht dhe banorët kanë nevojë ti kenë këto shërbime të domosdoshme.

Kudo takuam njerëz të dashur, mikpritës, të përmallur, nga të gjitha anët të rrethuar me male, të vetmuar dhe të braktisur. Aty, për njëzet vjet me radhë nuk është ndjerë ndihma dhe dora e shtetit. Vetëm kur ka zgjedhje, vijnë për të marrë votat. U takuam edhe me kryetarin e komunës, zotin Arqile Menksi, të cilin e falënderojmë për pritjen dhe shoqërimin që na bëri gjatë gjithë rrugëtimit tone. Arqileja është djalë i krahinës, nga fshati Zhej, i dashur, punëtor, gëzon respektin e zgjedhësve, drejtues me projekte dhe ide me vlerë në kokë, por i pamundur ti realizojë ato, se ndihma nga shteti në këtë komunë malore, që i përket qeverisjes së djathtë, është zero. Komuna që ai drejton është e dobët ekonomikisht, pa të ardhura, resurset dhe pasuritë e shumta që ka zona, për kushtet në të cilën ato ndodhen, nuk shfrytëzohen, nuk gjenerojnë dhe të sjellin të ardhura në dobi të popullsisë vendase. Qeveria nuk ka afruar asnjë ndihmë në këtë zone. Banorët aty, përjetojnë të njëjtat vështirësi, bile edhe më të rënda se, ato të regjimit turk. Mungojnë gjërat më kryesore; rrugët, shërbimi urban, furnizimi me ujë, energjia elektrike ka ndërprerje të shpeshta, qendrat urbane të fshatrave janë shkatërruar, veprat ujitëse janë prishur, pyjet janë prerë dhe djegur, aty mungojnë shërbimet më të domosdoshme që ka nevojë njeriu.

Na ftuan për të pirë një kafe në familjen Qirko dhe Toslluku, në Hoshtevë. Aty mësuam se banorët e fshatit vuanin për ujë të pijshëm, kur nga të gjitha anët fshati është i rrethuar me burime. Presin nga shteti të bëhet rruga, është premtuar por asgjë nuk është bërë. Pa rrugë jeta e tyre bëhet edhe më e vështirë. Disa fshatra nuk kanë rrugë fare. Ndërtimi rrugëve do të bëjë të mundur që edhe Zagoria të dale në dritë, të afrohet sa më shumë me Gjirokastrën dhe me akset e rrugëve nacionale. Vetëm kështu, me mallrat dhe prodhimet e saj cilësore; djathin, mishin, mjaltin, bimët medicinale etj., banorët e Zagories do të dalin lirshëm dhe në mënyrë konkurruese në tregjet brenda dhe jashtë vendit. Në Zagorie ekzistojnë pasuri dhe resurse të mëdha të cilat nuk po shfrytëzohen mirë. Është me interes të zhvillohet blegtoria, pemëtaria, bletaria, aquakultura, turizmi familjar, turizmi malor, gjuetia, bimët medicinale, tradita e kuzhinës zagoriote, pasuritë pyjore, hipizmi, hoteleria, e shumë mundësi të tjera. Nga kjo krahinë ka shumë djem të mençur dhe të zot, që duan të investojnë, të afrojnë projekte dhe ide, për ta shndërruar krahinën kryesisht në një zone të zhvilluar turistike. Vetëm kështu Zagoria do të qëndrojë në këmbë dhe do të eci përpara. Këtë gjë do ta mundësojnë në radhë të pare bijtë e saj, që janë të shumtë dhe që e duan me shpirt vendlindjen e tyre. Banorët përshëndesin dhe shprehin vlerësimet e tyre më të mira për të gjithë ata zagoriotë që janë angazhuar me kontribute reale ose ofrojnë interesa dhe projekte konkrete për zhvillimin e krahinës së tyre. Mirënjohje dhe falënderime shprehën për inxhinier Kristaq Qirko, me origjinë nga Hoshteva, i cili bashkë me një grup studiuesish, pedagogësh dhe studentesh të Universitetit Polis, në Tiranë, kryen falas studimin urbanistik të fshatrave të Zagories si dhe përcaktuan strategjitë e zhvillimit të saj, duke krijuar në këtë mënyrë hapësira dhe kushte të plota për të zhvilluar projekte me interes për popullsinë e zonës. Me të njëjtin respekt u, fol edhe për biznesmenin Andon Pango, nga Topova që ka shprehur dëshirën dhe pasionin për zhvillimin e turizmit në Malin e Çajupit. Shembuj të tillë kanë nxitur dhe inkurajuar mjaft bashkëkrahinas të tjerë të cilët kanë shprehur dëshirën të investojnë dhe të ndryshojnë jetën në krahinën e Zagories.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 37

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 11/11/2018 - 07:44

Nuk janë as të parat dhe as të fundit ato pamje me deklamacione që grekët bëjnë në tokën shqiptare dhe asnjë deputet, asnjë qeveritar dhe asnjë shtetar nuk thotë ndal, çfarë bëhet, ku po bëni thirrje antishqiptare.

Postuar: 11/11/2018 - 07:42

Një zonjë emigrante prej shumë vitesh në një vend anëtar të Bashkimit Europian, kishte ardhur në

Postuar: 10/11/2018 - 07:27

Miqtë e mi të shumtë përmetarë (të gjallë e të vdekur) nuk janë nga ajo racë që të ndjekin si hij

Postuar: 10/11/2018 - 07:25

Ka disa ditë që media të printuara dhe sidomos portalet online kanë bërë lajm të tyrin një thënie

Postuar: 10/11/2018 - 07:23

E gjithë Shqipëria ka ndjekur me kujdes ngjarjen në Bularat, e cila filloi si përvjetor dhe respe

Postuar: 10/11/2018 - 07:18

Dje, pikërisht me 9 nëntor ishte 29 vjetori i rënies së "Murit të Berlinit" ose më mirë