Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Agron Duka: 13 tetori ka rënë, ndërkombëtarët mund t’i japin fund krizës, pakti Rama-Basha do ishte vetëvrasje për opozitën

Postuar: 30/08/2019 - 08:55

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste ka komentuar dje situatën politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Duka shprehu bindjen se dekreti i Presidentit Ilir Meta tashmë është rrëzuar, duke e mbështetur argumentin e tij se një gjë të tillë e ndihmoi mazhoranca, e cila urdhëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të bllokonte regjistrimin e partive politike, sa i takon zgjedhjeve. Duke komentuar zërat se Rama dhe Basha po shkojnë drejt një pakti të dytë si ai i 17 majit, ambientalisti Duka theksoi se një marrëveshje e tillë do të ishte fatale për opozitën. Ndërkohë që, nismën e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta nga detyra e konsideroi si gjueti shtrigash.

Zoti Duka, opozita premtoi që nuk do t'i lironte bashkitë e administruara prej saj për të zgjedhurit e 30 qershorit. Por ndryshe nga sa premtoi, ajo i dorëzoi bashkitë pa bërë fare rezistencë. Përse nuk e mbajtët premtimin?

Ndryshimi i kontekstit detyrimisht duhet të prodhonte një ndryshim të strategjisë. Pra me daljen e dekretit të Presidentit, i cili rrëzonte 30 qershorin, përgjegjësia për mbajtjen e zgjedhjeve një partiake ishte e mazhorancës. Madje ditën në të cilën doli dekreti nënkryetari i CDU-CSU Johann Wadephul deklaroi si ai ishte një moment i ri për të gjetur një zgjidhje. Kryeministri vendosi ndryshe, dhe ndërkombëtarët i lanë opozitës mundësinë e zgjidhjes së çështjes së 30 qershorit pasi të jetë ngritur Gjykata Kushtetuese. Kjo uli tensionin. Pastaj të gjithë e ndoqëm atë që ndodhi në atë datë, ku edhe e vetme mazhoranca tjetërsoi zgjedhjet dhe përfshiu elementë me rekorde kriminale.

-Lirimi i bashkive, a ka lidhje me presion që bëri mazhoranca, se kushdo që do të bëjë rezistencë do përballej me ligjin?

Ata që e zëvendësuan Gjykatën Kushtetuese me kaçavidën, pra i morën bashkitë me forcë dhe në shkelje të dekretit të Presidentit, nuk mund të bëjnë presion. Duke parë qëndrimin e OSBE-së për votimet e 30 qershorit, qëndrimet e shumë partnerëve ndërkombëtarë, kemi bindjen se zgjedhjet do të ripërsëriten, për këtë arsye nuk u zgjodh përplasja ekstreme.

- Opozita ka nisur një betejë të re me mazhorancën, sa i takon dekriminalizimit, ku për pasojë kryebashkiaku i Shkodrës, Valdrin Pjetri dha dorëheqjen, pasi rezultoi se ishte subjekt i këtij ligji. A ka të tjerë emra brenda mazhorancës që rrezikojnë të kenë të njëjtin fati si z. Pjetri?

Beteja e Opozitës nuk është e re, dhe dekriminalizimin e kemi votuar enkas për t’i bërë ballë simbiozës së paprecedentë të kësaj mazhorance me krimin. Pra jemi në vijimin të asaj që kemi nisur në vitin 2015. Kjo është edhe nëna e të gjitha betejave, pasi vërteton se me Ramën nuk mund të ketë zgjedhje, dhe se tjetërsimi i zgjedhjeve ka prodhuar krizën në të cilën ndodhemi. Raste të tjera ka dhe do të njiheni me to në ditët në vijim. Po nuk u shterpëzua vullneti politik që prodhon kësi mostrash kjo histori do të jetë e gjatë.

-Kur ju të vini në pushtet, çfarë do bëni ndryshe nga mazhoranca aktuale, sa i takon dekriminalizimit, në mënyrë që kandidatët tuaj të mos jenë subjekt i ligjit?

Opozita propozoi vitin e shkuar ‘vetingun në politikë’, pikërisht si një mjet me të cilin do të duhej të pastrohej politika nga krimi. Këtë propozim do ta kthejmë në iniciativë ligjore në momentin e duhur. Por duhet të keni parasysh që ishim ne si opozitë që propozuam dhe bëmë luftën parlamentare për dekriminalizimin dhe kjo meritë e jona sigurisht që përkthehet në një model krejt të kundërt me atë të mazhorancës aktuale.

-Presidenti Ilir Meta ka nxjerrë një dekret përmes së cilit imponon që në 13 tetor të mbahen zgjedhjet lokale. Të vetmit që iu përgjigjët apelit të kreut të shtetit ishin PAA, PR dhe LSI, ndërkohë që PD refuzoi Metën. Kjo mungesë koordinimi a tregon se brenda kampit opozitar ka krisje?

Kjo nuk është mungesë koordinimi, ne kemi diskutuar të gjithë bashkërisht këtë çështje; dhe përtej vullnetit të mirë për të njohur si të vetmen datë kushtetuese për zhvillimin e zgjedhjeve 13 tetorin, ishim të bindur se mazhoranca, nëpërmjet kontrollit total që ushtron mbi KQZ-në nuk do të lejonte organizimin e tyre. Për këtë arsye, tre nga partitë e grupimit tonë bën aktin formal të regjistrimit në respekt të dekretit të Presidentit, por nuk kishim asnjë iluzion që ata që manipuluan edhe votimet ku ishin të vetëm në garë, do të zbatonin ligjin. Megjithatë, duhet thënë se problemi i opozitës nuk janë datat, por standardet, dhe standardet e kërkuara nga ne janë diametralisht të kundërta me ata që kandidojnë njerëz me rekorde kriminale edhe kur nuk kanë kandidatë përballë. Pa u zhdukur kjo mendësi dhe ky vullnet, nuk mund të ketë zgjedhje reale në Shqipëri dhe kësodore as zgjidhje të krizës.

-Megjithatë, menjëherë sapo ju dorëzuat në KQZ kërkesën për të hyrë në zgjedhje, kryedemokrati Basha deklaroi se kushdo është i lirë që të zbatojë dekretin e Presidentit, por sipas tij, PD nuk hyn në zgjedhje përsa kohë nuk janë plotësuar kushtet e artikuluara prej saj sikundër është zgjedhje të parakohshme nën kujdestarinë e një qeverie tranzitore. A besoni se mund të ndodhë kjo gjë?

Ne jemi të bindur se kjo do të ndodhë, pasi koha, faktet dhe çdo gjë që ne si qytetarë të këtij vendi kemi parë në zgjedhjet e fundit janë të pamohueshme. Mjaftojnë përgjimet e BILD, mjafton shpallja non grata e ish-kryebashkiakut të Durrësit nga Departamentit Amerikan i Shtetit, etj. etj. për të kuptuar se është kryeministri që do të duhet të bëj disa hapa mbrapa. Sigurish ai mund të zgjedhë të vijojë edhe të mos marrë asnjë përgjegjësi, sikurse nuk ka marrë për asnjë nga ata që u kapën në përgjime apo ranë pre e dekriminalizimit, megjithatë kjo është diçka që rëndon pozicionin e tij. Nëse nuk reflekton, duke i hapur rrugë zgjidhje së krizës, pasojat për vendin do të jenë shumë negative, që sigurisht do të përkthehen në pasoja negative edhe për kryeministrin.

-Opozita ka paralajmëruar rikthimin e protestave. A mund të na thoni se kur do të nisin dhe a besoni se do japin rezultat, pasi deri më tani ju keni protestuar disa herë, por objektivi juaj për të rrëzuar qeverinë nuk është arritur?

Ne do të kemi një takim si opozitë e bashkuar në fillim të javës që vjen, dhe aty do të koordinojmë strategjitë për muajt në vijim. Ndryshe nga sa pohoni ju, protestat tona kanë qenë shumë të suksesshme, pasi kanë qenë festivale demokracie. Kanë qenë një thyerje totale me të shkuarën e opozitave shqiptare dhe kanë kthyer në shesh shumë qytetarë të lodhur nga politika. Duhet të kuptoni se protestat kanë një simbolikë politike, me anë të tyre i jepet zë një pakënaqësie, që do të duhet të reflektohej në vendimet politike të qeverisë. Kjo është kultura që ne duhet të promovojmë me protestat, jo si ato që janë parë përpara 2013. Ne do të vijojmë qëndresën tonë, të bindur më shumë se kurrë edhe për pasojë të fakteve që po na japin të drejtë, me tubimet tona. Përpara se të jemi politikanë, jemi qytetarë dhe familjarë, nuk mund të pranojmë në heshtje këtë situatë, dhe si qytetarë dalim në shesh për të shprehur nevojën ulëritëse për ndryshim.

-Mazhoranca ka ndërmarrë një nismë për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta nga detyra. A besoni se do ta bëjë realitet këtë gjë?

Në mungesë së Gjykatës Kushtetuese, kjo është një gjueti shtrigash. Vetë e zgjodhën Presidentin, të merren vesh vetëm me të. Të mos lodhin shumë qytetarët me një betejë që shërben për të prodhuar një armik të popullit, për të hequr vëmendjen nga debatet e rëndësishme.

-Në media dhe korridoret e politikës flitet se Basha mund të shkojë drejt një pakti të dytë me Ramën, si ai i 17 majit të dy viteve më parë. Ju jeni pro apo kundër?

Nuk ka asnjë shans që kjo të ndodhë. Janë teza të hedhura nga propaganda e mazhorancës për të promovuar atë që mund të quajmë ‘njësojllëkun’ në politikë. Pra që janë të gjithë njësoj, që kjo është një betejë për pushtet dhe që dy persona do të merren vesh në kurriz të fateve të gjithë shqiptarëve. Në fakt arsyeja pse kriza po zgjat kaq shumë, është pasojë e faktit që çelësat e kësaj krize tani i ka në dorë opozita. Rama do të ishte shumë i lumtur për të bërë një marrëveshje, të mbyllte me një pakt gjashtë vite keqqeverisje dhe bashkëpunim me krimin, por kjo nuk do të ndodhë. Opozita nuk ka për t’i dhënë mundësinë që të organizojë edhe njëherë zgjedhje si ato të Dibrës apo ato të 2017-ës.

-A besoni se me ndihmën e ndërkombëtarëve do të marrë fund kriza politike që ka kapluar vendin prej gati 7 muajsh?

Ndonëse do të ishte pozitive që ne ta zgjidhnim vetë këtë situatë, gjykoj se ndërkombëtarët do të luajnë një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e krizës. Dhe pozicionimi tejet kritik i OSBE-së për votimet e 30 qershorit, qëndrimi i DASH-it për ish-kryebashkiakun e Durrësit, si dhe shumë sinjale të tjera, tregojnë se shënjestra e tyre do të jetë mazhoranca.

-Së fundmi është hapur një debat mbi mënyrën se si menaxhohen fondet publike. Opozita akuzon ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj se përmes udhëtimeve dhe dietave ka përfituar shumë para. Keni një koment?

Përpara disa javësh një ministër norvegjez dha dorëheqjen sepse kishte marrë telefonin e punës me vete gjatë pushimeve, ndërkohë në vendin më të varfër të Evropës një ministre shpërdoron mijëra euro. Ky është realiteti ynë i hidhur dhe standarde morale krejt të largëta nga vendet që aspirojmë t’iu bashkohemi. Megjithatë, përtej zhurmës që kjo çështje prodhoi, e krahasuar me PPP-të, me skandalet e shumta që janë prodhuar në këto vite, është si një pikë uji në oqean. Madje ka gjasa të jetë edhe një luftë midis klaneve të PS-së. Prandaj do të ishte më mirë të përqendroheshim të skandalet e mëdha që po shkatërrojnë të ardhmen e shqiptarëve.

Intervistoi: Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/09/2019 - 23:50

Orët e gjatë të pritjes për vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda e kanë shoqëruar me ankth pritjen e ish-ministrit Saimir Tahiri.

Postuar: 19/09/2019 - 23:05

Teksa Bundestagu gjerman pritet të bëjë publik vendimin e tij për hapjen e negociatave të Shqip

Postuar: 19/09/2019 - 22:58

3 vite shërbim prove caktoi Gjykata e Krimeve të Rënda për Saimir Tahirin, ish-ministër i Brendsh

Postuar: 19/09/2019 - 22:47

Ndërkohë që u dha vendimi për ish-ministrin Tahiri me 5 vite burg por që do të jetë për 3 vi

Postuar: 19/09/2019 - 22:37

 Pas dënimit të dhënë nga Krimet e Rënda për të dënuar me 5 vite burg ish ministrin e Brends

Postuar: 19/09/2019 - 22:31

Kreu i PD-së ka reaguar pas vendimit Gjykatës për Saimir Tahirin.

Postuar: 19/09/2019 - 22:22

Disa herë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka këshilluar gazetarët të ruhen nga kushërinj