Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Agron Duka: Deputetët e rinj nuk përfaqësojnë opozitën, reforma zgjedhore s’duhet të jetë sa për estetikë, ja hapat që do të ndjekim në ditët në vijim

Postuar: 07/04/2019 - 08:14

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka komentuar ditën e djeshme zhvillimet politike në vend, sidomos ata brenda kampit opozitar. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, numri një i PAA ironizoi futjen e deputetëve të rinj në Parlament, të cilët i quajti “OMGJ” dhe jo “BIO”. Në këtë kontekst, Duka u shpreh i bindur se është ekzagjerim që deputetët e rinj t’i quash përfaqësues të opozitës, pasi sipas tij, ata nuk përfaqësojnë opozitën në Kuvendin e Shqipërisë, duke theksuar se ligjvënësit e rinj ndodhen në Parlament për shkak të interesave të tyre dhe shantazhit të ushtruar ndaj tyre. Sa i takon reformës zgjedhore, e cila prej kohësh ka qenë “mollë” sherri mes opozitës dhe mazhorancës, madje edhe mes partive të vogla dhe partive të mëdha, kreu i PAA deklaroi se ka ardhur koha që në Shqipëri të përmbyset sistemi aktual zgjedhor dhe të miratohet një Kod i ri Zgjedhor, duke reflektuar në të, të gjitha kërkesat e partive të vogla, ku njëra prej tyre është Partia Agrare Ambientaliste. Sipas tij, reforma zgjedhore nuk duhet të jetë sa për estetikë, por ndryshimet duhet të bëhen me themel. Më tej, ambientalisti Duka zbuloi edhe hapat që do të ndjekë opozita në ditët në vijim, duke u shprehur se krizën politike e zgjidh vetëm një dialog, i cili sipas tij, duhet të jetë përtej qëndrimeve të polarizuara mes aktorëve politikë.

-Zoti Duka po bëhen 2 muaj qëkur opozita dogji mandatet. Si po ecën aksioni opozitar dhe a ka një zbehje të protestave?

Zgjidhja e një krize politike është përherë një proces i gjatë. Duke pasur parasysh tërësinë e problemeve përballë të cila ndodhemi, askush nuk pret që dalja nga një ngërç politik dhe institucional të marrë fund në një apo dy muaj. Aksioni opozitar po ndërthuret me protesta, takime nëpër rrethe dhe një përpjekje për të sensibilizuar ndërkombëtarët mbi situatën në vend. Në gjykimin tim protestat nuk po zbehen, por po vijojnë në mënyrë të vazhdueshme pasi përtej pjesëmarrjeve të ndryshme që mund të ketë njëra nga tjetra, ato shërbejnë si një mjet simbolik për të treguar se gjerat nuk po shkojnë mirë në Shqipëri dhe që duhet gjetur sa më parë një zgjidhje.

-Sipas jush a nevojitet një strategji e re, apo do vijohet me protesta të mëdha një herë në muaj dhe protesta çdo javë para Parlamentit?

Nuk mendoj se do të nevojitet një strategji e re nga pikëpamja organizative. Në gjykimin tim do të duhet një intensifikim i vizitave në kancelaritë europiane për të zgjeruar frontin e mbështetësve ndërkombëtarë për një zgjidhje afatgjatë të krizës. Gjithashtu është e domosdoshme që në ditët në vijim të kristalizohen qëndrimet tona për zgjidhjet që ne propozojmë, përmbajtjen e qeverisë tranzitore, qëllimet dhe kohëzgjatjen. Përcaktimi i këtyre pikave do të krijonte premisat e nevojshme për një dialog me palën tjetër. Një dialog që, përtej qëndrimeve të polarizuara, do të duhet të marrë udhë sa më parë.

-Në PD e LSI shpesh është folur për mosbindje civile. Ju jeni pro apo kundër skenarëve të dhunës?

Mosbindja civile është një koncept shumë i gjerë dhe thellësisht demokratike në dinamikën e saj. Ndërthurja e protestave me aksione të mosbindjes civile mund të jetë një tjetër mjet për të shpejtuar zgjidhjen e ngërçit, megjithatë këto masa do të duhet të tejkalojnë aktorët opozitarë. Unë gjykoj së në këtë moment opozita është më shumë se partitë që e përbëjnë atë. Kriza politike dhe institucionale ka ndërgjegjësuar shumë shtresa të shoqërisë që deri në këtë moment janë treguar flegmatike ndaj politikës. Nëse ne do të jemi të aftë për të shpjeguar se nuk po kërkojmë thjeshtë rotacion por ndryshme thelbësore të sistemit, shoqëria shqiptare do të kërkojë ndryshimin bashkë me ne. Sa për dhunën, gjykoj se nuk është rruga e duhur dhe se përtej përplasjeve të vogla, krahasuar me çka po shohim në Francë, protestat tona janë relativisht paqësore.

-Duket sikur ndërkombëtarët kanë dalë kundër veprimit tuaj. Si i shihni reagimet e tyre?

Sigurisht qëndrimi i ndërkombëtarëve është në linjë me botëkuptimin e tyre dhe me qëndrimet e mbajtura ndaj bojkoteve të ndryshme që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve. Pra për mua nuk ishte një surprizë. Sikurse thashë më sipër, na takon ne t’i bindim se situata e krijuar detyroi opozitën të kalonte në këtë rrugë ekstreme. Gjithsesi, nëse shohim reagimin e mediave ndërkombëtare, të cilat po tregojnë në mënyrë transparente se vendi është mbarsur me probleme, shumë shpejtë edhe kancelaritë perëndimore do të reflektojnë këtë realitet që pasqyrojnë gazetarët e huaj.

-Kryeministri deklaron se nuk ka qeveri teknike dhe as zgjedhje të parakohshme. Çfarë duhet bërë që të gjendet një zgjidhje politike?

Deklaratat e kryeministrit janë në linjë me atë çka ndodhi në vitin 2017. Pra reagimi i tij ndaj krizës është i ngjashëm. Kjo nuk do të thotë se mazhoranca nuk do të cedojë, por që po përpiqet të qëndroj në pozicionin favorizues që i lejon pushteti, dhe nga këto pozita të bëjë vetëm lëshimet e domosdoshme. Që pësimet e 2017-ës të bëhen mësime, për të gjetur zgjidhje politike, ne duhet të kërkojmë jo thjesht zgjedhje të parakohshme, por ndryshime rrënjësore për të cilat shoqëria shqiptare ka nevojë. Kjo do të zgjeroj frontin e mbështetësve të një kontrate të re sociale dhe politike, që do të detyronte mazhorancën të ulej në bisedime.

-Në Parlament po futen deputetë të rinj. Si i shihni emërimet e tyre dhe a i druheni krijimit të një opozite të re?

Nuk mund t’i druhemi diçkaje që ekziston vetëm në sallën e Parlamentit dhe që nuk përfaqëson një frymë politike ekzistuese jashtë tij. Këtë grupim e kam emërtuar opozitë OMGJ, pra të ‘modifikuar gjenetikisht’ nga këmbëngulja e mazhorancës për t’i pasur në Parlament, dhe më besoni se përpjekjet për të mbushur vendet bosh kanë qenë dhe janë të frikshme pasi shkojnë nga joshja deri tek shantazhi. Nëse dikush shkon në Parlament i joshur apo i shantazhuar, nuk mund të përfaqësoj opozitën. Maksimumi janë përfaqësues të halleve të tyre.

-Kryeministri ka drejtuar një ftesë publike sa i takon reformës zgjedhore. Po ashtu PD-së i është dhënë e drejta të jetë pjesë e komisionit të posaçëm. A duhet të ketë bashkëpunim në këtë aspekt?

Kjo është ndoshta nisja e procesit të zgjedhjes, megjithatë duhet të kemi shumë kujdes, pasi nuk mund të shkohet në atë tryezë për të kryer korrigjime estetike të sistemit zgjedhor, por do të duhen ndryshime rrënjësore që t’i japin një zgjedhje afatgjatë krizës dhe të garantojnë përfaqësim, ndarje të pushteteve dhe mirëqeverisje.

-Pse PD e PS nuk pranojnë të ndryshojnë sistemin zgjedhor?

Sigurisht partitë e mëdha kanë interesa të ndryshme nga partitë alternative, siç është PAA-ja. Megjithatë më duhet të theksoj se ndryshe nga sa ka ndodhur më parë, nën presionin e aleatëve dhe të opinionit të gjerë publik që kërkon ndryshimin e sistemit zgjedhor, Basha është shprehur publikisht pro ndryshimit të tij. Ky është një fillim i mbarë për opozitën dhe për qytetarët.

-Një tjetër çështje është ajo e zgjedhjeve vendore. A duhet të marrë pjesë opozita në zgjedhje?

Nëse nuk do të ketë një zgjidhje të krizës në nivel qendror, opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore. Sigurisht është një vendim jo i lehtë, megjithatë është momenti që të zgjidhim një herë e mirë rregullat e lojës, pa të cilat krizat do të jenë një element i përhershëm i jetës sonë politike.

-Po ju si PAA keni marrë një vendim nëse do merrni pjesë?

Ne jemi në linjë me paritë aleate, pra do të vendosim bashkërisht në funksion të interesit të përgjithshëm, i cili përkon me krijimin e një qeverie tranzitore, me bazë të gjerë, e cila do të kryej ato reforma të domosdoshme për të ndryshuar sistemin zgjedhor, siguruar çeljen e negociatave me BE dhe shkëputjen e politikës nga krimi.

-A mendoni se në këtë situatë ku ndodhemi do kemi një marrëveshje, apo do kemi një krizë të gjatë politike?

Sfida e gjithë klasës politike është të gjejmë rrugën më të drejt për t’i dhënë fund riciklimit të krizave politike që janë intensifikuar qysh pas marrëveshjes së viti 2008. Nëse ne do të veprojmë në interes të Shqipërisë dhe jo të karrigeve të gjithsecilit, shanset janë që të kemi një dalje përfundimtare. Sigurisht kërkohet një reflektim serioz dhe i ndërgjegjshëm nga gjithsecili prej nesh. Shoh që ky reflektim ka nisur edhe në radhët e PS-së, nëse kemi parasysh qëndrimin tejet dinjitoz të z. Bushati, dhe kjo nuk mund t’i bëjë veçse mirë gjetjes së një zgjidhje afatgjatë. Sikurse thotë shprehja e vjetër, ‘një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa një burrë shteti mendon për brezat e ardhshëm’, gjykoj se ka ardhur momenti që ne të mendojmë për brezat e ardhshëm dhe jo për zgjedhjet e ardhshme.

Intervistoi:Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/10/2019 - 15:30

Seanca plenare e ditës së sotme është shoqëruar me tensione të forta, teksa zëvendëskryeministri Erjon Braçe dhe ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, janë përplasur me deputetin e LSI, Ralf

Postuar: 17/10/2019 - 14:49

Pasi drejtuesja e seancës plenare Vasilika Hysi është detyruar të ndërpresë seancën për shkak se

Postuar: 17/10/2019 - 14:33

Drejtuesja e seancës plenare Vasilika Hysi është detyruar të ndërpresë seancën plenare për shkak

Postuar: 17/10/2019 - 14:18

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka zhvilluar sot një takim në nivele të larta me liderët e Parti