Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Agron Duka: Ftesa e Ramës për dialog, tentativë për të përçarë opozitën, reforma zgjedhore s’është themeli i krizës, ja kur do nisim protestat

Postuar: 22/09/2019 - 09:27

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në vend, duke e ndalur theksin tek kriza politike, nisma e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta nga detyra, ftesën e kryeministrit Edi Rama për opozitën dhe aksionin e ri opozitar. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, krye i PAA bëri me dije se aksionin opozitar kundër qeverisë do të intensifikohet, ndërsa zbuloi se protestat do të rifillojnë, pasi të jepet vendimi i Bashkimit Evropian, sa i takon çeljes së negociatave. Duke u ndalur tek shkarkimi i kreut të shtetit, zoti Duka theksoi se fati i Ilir Metës është në dorën e Komisionit të Venecias, pasi në rast se ai i jep të drejtë mazhorancës, ai është automatikisht i larguar. Sa i takon ftesës së kryeministrit Edi Rama drejtuar opozitës, ambientalisti Duka e konsideroi si një tentativë të shefit të qeverisë për të përçarë partitë e kampit opozitar. Ndërkohë, ai theksoi se opozita jo parlamentare nuk tërhiqet nga kushtet e saj për zgjedhje të lira e të ndershme dhe ndëshkim të krimit zgjedhor.

-Zoti Duka, opozita ka paralajmëruar se do të intensifikojë aksioni kundër qeverisë, ku pjesë e saj do jenë edhe protestat. Mund të na thoni diçka më shumë dhe kur do të nisin ato?

Aksioni opozitar është shumë dimensional. Nëse në fazën e parë, pas djegies së mandateve, duhej të sensibilizonim opinionin e brendshëm dhe të jashtëm për situatën e rëndë politike në vend, dhe këtë e kryem nëpërmjet protestave. Tani jemi në një moment tjetër, në të cilin qëndrimet tona janë bërë të qarta dhe po ta vini re edhe ndërkombëtarët flasin për ndëshkim të krimit zgjedhor dhe qartësim të vlefshmërisë së 30 qershorit. Kjo u arrit nëpërmjet protestave, të cilat sigurisht do të vijojnë, por pasi të mbyllet procesi i rëndësishëm kombëtar për çeljen e negociatave. Jam i bindur se nga ky proces dhe nëpërmjet zbatimit të kushteve të vendosura nga Bundestagu, kriza politike do të gjejëzgjidhje.

-Ju po protestoni prej 7 muajsh kundër qeverisë, ndërkohë që keni veni disa kushte, sikundër janë qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër. A besoni se protestat do të sjellin rezultat?

Protestat kanë gjithmonë rezultat, sepse nëpërmjet tyre komunikohet politikisht dhe tregohet mbështetja që opozita gëzon në popull. Megjithatë, sikurse shpjegova më sipër, aksioni ynë është shumë dimensional. Protesta është vetëm njëri prej mjeteve që do të na çojënë zgjidhjen e krizës. Pra nëpërmjet kombinimit të trysnisë ndërkombëtare, siç janë kushtet për çeljen e negociatave, dhe qëndresës së këtushme me protesta situata do të ndryshojëshumë shpjet.

-Ditët e fundit eksponentë të LSI kanë deklaruar se hyjnë në zgjedhje edhe me Ramën kryeministër. Ndërkohë që nga ana tjetër ju si PAA, PD, madje dhe parti të tjera të fronit opozitar këmbëngulni se nuk mund të ketë zgjedhje me këtë qeveri. A tregojnë këto se mes partive të opozitës ka mungesë koordinimi?

Nuk ka mungesë koordinimi, kjo tregon se jemi një grupim pluralist, në të cilin qëndrimet e ndryshme shprehen dhe diskutohen, por në fund dalim me një vendim të përbashkët. Kështu vepruam për mandatet, kështu vepruam edhe për 30 qershorin. Sinqerisht kjo është një gjë që media dhe qytetarët duhet të shohin me pozitivitet, pasi nëse nga krahu opozitar ka një kolegjialitet, nga ana tjetër kemi një sulltan të izoluar që jo vetëm nuk pyet aleatët e tij, por as partinë e tij. Kjo do të thotë shumë për mënyrën sesi ne e konceptojmë politikbërjen dhe vendimmarrjen, një qasje liberale për të cilën vendi ka shumë nevojë.

-Pak ditë më parë kryeministri iu dërgoi një ftesë zyrtare gjithë partive të opozitës jo parlamentare, sa i takon reformës zgjedhore. Kush do jetë hapi juaj i radhës dhe a do t'i përgjigjeni ju pozitivisht kësaj ftese?

Ftesa e kryeministrit, në gjykimin tonë është jo e sinqertë, si fillim hedh poshtë retorikën mbi opozitën e re dhe të vjetër. Pasi pas përpjekjeve për të sajuar një opozitë të re, u dorëzua përballë faktit që ka vetëm një opozitë, ajo e dalë nga zgjedhjet e vitit 2017, ndërsa ata që janë sot në Parlament janë një kombinim midis kapriçove që prodhon ky sistem zgjedhor dhe një krize morale të politikës sonë. Ndërkohë, sikurse e kemi deklaruar edhe më herët, reforma zgjedhore nuk është themeli i krizës, themeli i krizës është depërtimi i tij në politikë. Nëse nuk ka ndëshkim të këtij fenomeni, sikurse kërkojnë edhe partnerët ndërkombëtarë, nuk mund të ketë një nisje serioze të bisedimeve.

-Në ftesën e Ramës për ju rra në sy përjashtimi i PDIU. Keni një koment?

Letra ishte diversion, reforma duhej bërë kohë më parë, ndërsa sot ajo nuk po përdoret për përmirësimin e sistemit, por si një kurth për të na përçarë si aleatë. Sigurisht është një përpjekje e dështuar, pasi të gjithë jemi të qartë se po nuk gjetëm një zgjidhje për atë që na bashkon, pra zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe ndëshkimi i krimit zgjedhor, tavolina si ajo në të cilën jemi ftuar thjeshtë riciklojnë atë.

-Në disa mbledhje që Basha ka zhvilluar me partitë opozitare, ka rënë në sy mungesa e LSI dhe PDIU. Sa të koordinuara janë partitë e frontit opozitar me njëra-tjetrën dhe si e shikoni këtë distancim të këtyre dy partive?

Kjo nuk është e vërtetë, mbledhjet kanë qenë përherë kolegjiale.

-Opozita ka paralajmëruar se është duke përgatitur një platformë për zgjidhjen e krizës. Mund të na jepni më shumë detaje nga ky projekt?

Kjo do të jetë oferta jonë politike jo vetëm për zgjidhjen e krizës, por edhe për të njohur shqiptarët me tezat tona për të ardhmen e vendit. Kaq mund të them tani, pasi jemi ende duke punuar mbi përbërjen e saj. Por shumë shpejt media dhe qytetarët do të njihen me përmbajtjen e saj.

-Jo pak kritika në adresë të kryedemokratit Basha ka artikuluar edhe Presidenti Meta, i cili e ka bërë atë fajtor për krizën. Madje, Meta e ka kritikuar Bashën edhe për vendimin për të djegur mandatet dhe bojkotuar zgjedhjet. Si i shihni ju këto kritika?

Meta është treguar i ekuilibruar, pra nuk kemi pse të shohim me dyshime kur na kritikon ne dhe ta lavdërojmë kur kritikon palën tjetër. Sigurisht Presidenti është treguar i përgjegjshëm në këto dy vite, madje edhe vetë kryeministri e ka cilësuar si presidenti më i mirë që kemi pasur. Por, sapo u prekën interesat e tij, e kritikoi. Nga kjo pikëpamje mund të themi që kjo mënyrë e të vëzhguarit gjërat është tipikisht shqiptare dhe konfliktualiste, do të ishte mirë që të dëgjonim dhe mbështesnim krerët e institucioneve, sidomos kur ata i kemi votuar. Si në rastin e Ramës dhe Metës.

-Presidenti Meta kohët e fundit është protagonist, ku bie në sy “lufta” e akuzave të ndërsjellta mes tij dhe mazhorancës qeverisëse. A rrezikon Meta që të nxjerrë jashtë loje kryedemokratin Basha dhe të marrë frenat e opozitës?

Politika nuk është vetëm numra, por gjithsesi numrat përbëjnë aspekt specifik në matjen e forcës së një partie apo politikani, nga kjo pikëpamje, Basha është në drejtimin e partisë më të madhe të opozitës. Për rrjedhojë edhe të grupimit tonë. Sa për qëndrimet e Presidentit ndaj mazhorancës, duhet të përpiqeni të kuptoni se ato nuk janë personale, por ngrihen mbi parimet e detyrës që ai sot ka.

 

- Një nga arsyet që Presidenti Meta anuloi zgjedhjet e 30 qershorit ishte informacioni i besueshëm se gjatë protestës së opozitës në 8 qershor rrezikohej seriozisht të digjej Parlamenti. Keni një koment?

Nuk kam ndonjë informacion mbi këtë çështje që po diskutohet së fundmi. Megjithatë, dyshimet e ngritura do të duhet të hetoheshin nga organet kompetente, dhe ato do të duhet të përfshinin të gjithë ata që ishin në dijeni të çështjes, por nuk vepruan.

-A besoni se mazhoranca do t'i shkojë deri në fund nismës së saj për të shkarkuar nga detyra Presidentin Ilir Meta?

Kam përshtypje që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, vendimi i Komisionit të Venecias do të jetë përcaktues për fatin e Presidentit. Ai e ka deklaruar vetë që nëse Venecia shprehet për shkarkimin e tij, ai nuk do të presëpërfundimin e komisionit hetimor. Pra, duhet të presim deri në mes të tetorit për të kuptuar më shumë. Ajo që mbetet për t’u thënë është fakti që nëse Meta largohet, vendi kthehet në monizëm, pasi çdo institucion do të jetë në varësi të Partisë Socialiste, pra një parti-shtet. Një rend politik që nuk përkon fare me procesin integrues në BE, e cila është një bashkim vlerash me në thelb demokracinë dhe ndarjen e pushteteve.

-Opozita së fundmi ka nisur një betejë me mazhorancën, sikundër është dekriminalizimi. PD pretendon se ka dokumente autentike dhe sipas saj disa prej kryebashkiakëve të rinj janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit, duke kërkuar largimin e tyre. Sa qëndrojnë këto pretendime?

Dekriminalizimit është një nga arritjet historike të opozitës, nëpërmjet tij ne po faktojmë simbiozën e politikës me krimin, dhe sigurisht denoncimet bazohen mbi prova dhe informacione reale. Fakti që edhe pas miratimit të këtij ligji, pas betejës së stërzgjatur për të ndarë njerëzit me një të shkuar të dyshimtë nga politika, ka një vullnet për t’i përfshirë në qeverisjen vendore dhe qendrore, është tregues se problemi shkon te drejtuesit politik më të lartë të mazhorancës. Dhe kryesisht te kryeministri.

-Pas gati një muaj, Bashkimi Evropian do të marrë vendimin nëse do t'i thotë PO ose JO çeljes së negociatave me Shqipërinë. A besoni se vendimi që do jepet do jetë pozitiv?

Besoj se vendimi do të jetë pozitiv, por me kushte. Domethënë ne do t’i hapim negociatat kur të kemi plotësuar kushtet, të cilat përkojnë edhe me shkaqet që kanë krijuar krizën politike në vend. Zgjidhja e tyre, që deri më tani janë nëntë, jo vetëm hap negociatat, por çon vendin në zgjedhje të parakohshme. Dhe nëse respektohet vullneti i BE-së për angazhim në zbatimin sa më të shpejtëtë tyre, do të thotë se ato do të mbahen në pranverën e ardhshme.

Intervistoi: Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/10/2019 - 09:22

“Greqia është në favor të rrugës evropiane të Ballkanit Perëndimor, jo vetëm sepse e shndërron perspektivën në një faktor stabiliteti në rajon, por edhe sepse është një levë demokratike për modernizimin e nevojs

Postuar: 23/10/2019 - 09:20

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të nisin një fazë të dytë bllokime vizash për pushtetarët

Postuar: 23/10/2019 - 09:15

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar presionet me qëllim nisjen e luftës ndaj korrupsionit

Postuar: 23/10/2019 - 09:14

Një përqafim mes ish-sekretarit të Përgjithshëm të PS, Arben Ristanit dhe deputetes socialiste Mi

Postuar: 23/10/2019 - 09:00

Presidenti kosovar, Hashim Thaçi, ka rrëfyer dje të gjitha skandalet e ish-kryeministrit Sali Ber

Postuar: 23/10/2019 - 08:56

Kryeministri Edi Rama, ka njoftuar këtë mëngjes se Shqipëria është vlerësuar nga Komisioni Europi