Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Agron Duka: Opozita nuk duhet të shkojë te revoltat, zgjedhjet janë detyrim kushtetues, policia veproi drejt për ngjarjen në Bularat

Postuar: 06/11/2018 - 08:07

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka komentuar ditën e djeshme zhvillimet politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, numri një i PAA fillimisht e ndali theksin tek ngjarja në Bularat të Gjirokastrës, ku mbeti i vrarë një minoritar grek gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat Speciale RENEA. Duka shprehu bindjen se në këtë rast policia veproi drejt, pasi sipas tij, në çdo vend demokratik do të kishte ndodhur kështu. Duke komentuar thirrjet e eksponentëve të PD-LSI për protesta me qëllim rrëzimin e qeverisë, kreu i PAA deklaroi se thirrjet për revolta i përkasin të shkuarës dhe se nuk janë në filozofinë e partisë që ai drejton. Sa i takon riorganizimit të Partisë Agrare Ambientaliste, Duka u shpreh optimist me mënyrën se si po organizohet kjo parti. Duka deklaroi se PAA ka nisur fushatën dhe se kryefjala e saj është bashkëbisedim dhe dhënia zgjidhje për të gjithë shqetësimet e qytetarëve, sidomos ato të fermerëve. Kreu i PAA vuri në dukje faktin se reforma territoriale favorizon PAA në zgjedhje, pasi sipas tij, ka burime njerëzore që e meritojnë përfaqësimin.

-Z. Duka, pak ditë më parë në Bularat të Gjirokastrës u vra një minoritar, ndërkohë që ka pasur debate brenda dhe jashtë vendit. Si i shihni këto reagime?

Në gjykimin tim policia veproi ashtu sikurse do të vepronte  policia greke, italiane apo amerikane përballë një personi të armatosur. Ajo që ndodhi më vonë ishte pasojë e përdorimit politik, me deklarata të nxituara nga të dyja anët e kufirit, për të spostuar vëmendjen nga problemet e brendshme dhe për t’u faktorizuar me një tematikë, si nacionalizmi, që është shumë produktive nga pikëpamja elektorale. Personalisht e dënoj këtë sjellje sepse për interesa të ngushta politike, nuk mund të luhet me zjarrin e nacionalizmit, pasi mund të ketë përshkallëzime të tilla që mund të prishin raportet midis dy vendeve. Për më tepër, mund të cenojë edhe procesin e integrimit.

-Keni një koment pse erdhi largimi i Fatmir Xhafajt nga Ministria e Brendshme?

Mungesa e një qëndrimi zyrtar, përtej deklaratave standarde të kryeministrit dhe ish-ministrit, mbi arsyet që sollën largimin e z. Xhafaj na detyron të spekulojmë mbi shkaqet. Kjo ka ndodhur gjerësisht këto ditë, duke prodhuar shumë hamendësime të ndryshme. Në gjykimin tim, versioni më i afërt me realitetin, është se z. Xhafaj u detyrua të largohej pasi operacioni në të cilin u arrestuan edhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste, rrezikonte besueshmërinë e mazhorancës. Megjithatë, largimi i z. Xhafaj mbyll një nga betejat e opozitës, pasi konflikti i interesit në të cilin ndodhej ish-ministri bënte që çdo veprim i tij të paragjykohej, duke rrezikuar kredibilitetin e vetë institucionit.

-Opozita prej muajit shtator ka hyrë në një bojkot parlamentar. Keni ju një plan se si do të vijohet në ditët në vijim?

Bojkoti  është një  mjet me të cilin opozita ekspozon, përballë opinionit publik kombëtar dhe ndërkombëtar, situatën e krijuar në vendin tonë falë lidhjeve të politikës me krimin. Operacioni “Volvo 4”, me përgjimet dhe ndalimet e zyrtarëve të lartë të PS-së, konfirmon edhe një herë përdorimin e personazheve të botës në proceset zgjedhore. Ky Parlament është produkt i simbiozës së politikës me krimin, gjë që ka deformuar votën e qytetarëve dhe raportet midis forcave politike. Opozita kërkon nga mazhoranca pranimin e platformës për vetingun në politikë, dhe derisa të vij përgjigja nga Komisioni i Venecias, bojkoti do të vijojë.

-Ju z. Duka jeni për bojkot parlamentar dhe i mbështesni thirrjet për revolta e mosbindje civile?

Edhe pse situata është shumë e ngarkuar, në gjykimin tim revoltat janë mjete të kaluarës sonë politike. Duke qenë jashtë Parlamentit, mund ta kisha fare të lehtë për të apeluar djegien e mandateve, apo për të thirrur protesta, por kjo nuk është zgjidhja sipas meje. Ndonëse përfaqësimi në Parlament është i deformuar, rruga institucionale është e detyrueshme. Opozita ka përgjegjësinë që nëpërmjet bojkotit të detyrojë mazhorancën  të ulet në biseda; nëse nuk ndjekim rrugën institucionale, rreziku është që të mos ndryshojmë dot të gjitha ato problematika për të cilat kemi ngritur zërin vitet e fundit.

-A duhet të hyjnë në zgjedhje të gjithë partitë e opozitës në një koalicion të vetëm, apo secila parti më vete?

Ngjarjet politike të muajve të fundit i kanë ndarë në një farë mënyre kampet politike, duke krijuar aleanca që me shumë gjasa do të jenë edhe elektorale. Përtej surprizave të orëve të fundit, Opozita do të shkojë e bashkuar në zgjedhje duke krijuar një front sa më të gjerë partish politike. Basha, si drejtuesi i partisë më të madhe të koalicionit, ka detyrën që të krijojë një sinergji midis të gjitha partive, dhe njëkohësisht, duhet të jetë i vetëdijshëm se për të fituar duhet të krijojë bashkëpunimin e duhur midis gjithë anëtarëve të koalicionit. Jo vetëm duke na përfshirë në vendimmarrje, por duke lejuar, në disa zona, garën nën siglën e opozitës së bashkuar atyre forcave politike që jo vetëm kanë ambicie për të qeverisur një njësi vendore, por kanë edhe mjetet dhe vizionin e duhur. Nëse do të veprojmë me këtë strategji, duke mbështetur përpjekjet reciproke, kandidatët më të mirë për zonat elektorale, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, jam i bindur se do të kemi një sukses të madh në zgjedhjet vendore.

-Ju keni nisur takimet elektorale, si po ecën organizimi i Partisë Agrare Ambientaliste?

Jam shumë optimist për këtë fazë të fushatës tonë, sepse pas takimit që zhvilluam këtë fundjavë në qarkun e Dibrës, kemi shkelur në më shumë se 50% të qarqeve. Sigurisht kjo është vetëm faza e parë; por duke e nisur përgatitjen qysh prej prillit të shkuar, jemi në kohë për të rifreskuar strukturat në gjithë Shqipërinë, dhe për të zgjedhur kandidatët më të mirë për këshillat bashkiak. Që është edhe synimi ynë kryesor për qershorin e ardhshëm. Reforma territoriale, edhe pse ka prodhuar pakënaqësi të mëdha në administrim e zonave rurale, për ne si PAA përfaqëson një avantazh për të sjellë në organet vendimmarrëse eksponentët më të kualifikuar për të përfaqësuar fermerët dhe problematikat e fshatit.

-Sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR, Kodi Zgjedhor nuk ndryshohet 6 muaj para zgjedhjeve, që do të thotë se deri në dhjetor reforma zgjedhore duhet të mbyllet. A do kemi një reformë zgjedhore brenda këtij afati?

Nëse për shumë pika të tjera marrëdhëniet midis mazhorancës dhe opozitës kanë qenë thuajse zero, për reformën zgjedhore komunikimi midis dy bashkëkryetarëve të Komisionit të Posaçëm vijon. Kjo edhe si pasojë e presionit ndërkombëtar. Por nuk është ende e thënë nëse do të kemi një produkt final brenda dhjetorit. Megjithatë, përtej krizës së besimit midis palëve, do të ishte një dështim i madh nëse ne, si opozitë, nuk gjejmë forcën për të qenë pala më e vendosur për të çuar përpara reformën. Është në interesin tonë që të jemi iniciatorët dhe promotorët e një sistemi më të mirë, që jo vetëm të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, por të sjellë përsëri besimin e qytetarëve tek politika. Besimin që nëpërmjet votës, mund të ndryshojnë diçka.  

-Deri më tani është rrëzuar ideja e ndryshimeve zgjedhore, ndërkohë që ju si parti më të vogla këmbëngulni se sistemi zgjedhore duhet të ndryshojë. Çfarë do të ndodhë nëse PD-PS nuk do të marrë në konsideratë sugjerimet tuaja?

Me shumë sinqeritet do të them atë që kam përsëritur edhe herë të tjera, nuk bëhet më fjalë për interesat e partive të vogla, mesatare, të mëdha apo shumë të mëdha. Por po flasim për një sistem politik që nuk jem më asnjë garanci për mirëqeverisjen e vendit. Është e vërtetë që partitë e mëdha kanë kërkuar shpesh herë të dëmtojnë partitë e vogla, dhe kodi ekzistues është ilustrimi  më i mirë. Por sërish nuk kanë arritur t’i heqin nga skena, sepse nuk përfaqësojnë kapriçot e drejtuesve të tyre politik, por shumëllojshmërinë sociale në Shqipëri, e cila nuk mund të identifikohet detyrimisht me PD-në apo PS-në. Për më tepër, politika shqiptare është shumë e papjekur për të qenë nën drejtimin e një partie të vetme. Mungesa e balancave, apo partive të vogla në qeverisje, sjell arrogancë, abuzim, tejkalim të autoritetit. Paradoksalisht sot kemi një mazhorancë monoparitake, e cila nuk po qeveris dot. Kjo është pasojë e këtij Kodi Zgjedhor, i cili e ka tjetërsuar totalisht përfaqësimin, duke i kthyer deputetët në noter, dhe kryetarin e partisë fituese të zgjedhjeve në një autokrat. Nëse nuk ndryshon kodi, rreziku është që edhe ai që do të vijë pas Ramës, do të sillet po njësojë. Për këtë arsye ne mbështesim ndryshimin e sistemit. Nëse PD dhe PS nuk e ndryshojnë, me qëndrimin e tyre do t’iu thonë shqiptarëve se janë për autokracinë, për një Parlament noterësh dhe anonimësh, pa kurrfarë lidhje me elektoratin.  Ne nuk mund të pajtohemi me këtë vizion, dhe sigurisht do të mbajmë  qëndrimet tona në mënyrë konsekuente.

-Çfarë do të ndodhë nëse nuk ndryshon sistemi aktual zgjedhor? A do hyni ju në zgjedhje?

Zgjedhjet janë një detyrim kushtetues, këtu fillon dhe mbaron historia e marrjes apo jo pjesë në to. Nuk duhen komentuar shumë, por duhet të përgatitemi. Për sa i përket sistemit, zgjedhjet e qershorit të ardhshëm janë vendore, pra ndryshimi i sistemit kërkohet për zgjedhjet e përgjithshme. Për këto zgjedhje është e rëndësishme të kemi të paktën një projekt pilot për numërimin elektronik.  Do të ishte një risi e dobishme dhe shpresëdhënëse për të ardhmen.

Intervistoi:Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 2

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/11/2018 - 11:36

Nga Shkodra sot  kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi duke dhënë kështu lajmin se partia e saj do të hyjë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, datë e dekretuar tashmë nga Presidenti Meta.

Postuar: 17/11/2018 - 11:27

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në një takim me LRI-në e Shkodrës ka sulmuar ashpër kryeminis

Postuar: 17/11/2018 - 11:17

Protestës së banorëve tek Unaza e re, paraditen e sotme i janë bashkuar edhe deputetë të opozitës

Postuar: 17/11/2018 - 10:55

Zëvendës kryetari i LSI-së Luan Rama ka ironizuar në ditën e çlirimit të Tiranës Mid’hat Fr

Postuar: 17/11/2018 - 10:30

Avokati Spartak Ngjela tronditi dje opinionin publik duke e lidhur presidentin Ilir Meta me arrat

Postuar: 17/11/2018 - 10:20

Shqipëria duket se nuk do të shpëtojë dot nga vorbulla që ka mbërthyer Ballkanin, sa i takon godi

Postuar: 17/11/2018 - 10:10

Presidenti është dorëzuar përballë presionit të ndërkombëtarëve dhe qeverisë, duke dekretuar Sand