BREAKING NEWS

I menduar dhe me kokën nga dritarja, kryeministri Rama poston foton nga avioni dhe zbulon lëvizjen e tij të radhës

I menduar dhe me kokën nga dritarja, kryeministri Rama poston foton nga
x

politike-intervista

Agron Duka: Rama me ftesën për Bashën kërkon t’u fshihet përgjegjësive, tërmeti nuk mund të shërbejë si amnisti

Agron Duka: Rama me ftesën për Bashën kërkon t’u

Aksioni opozitar, reforma në drejtësi dhe sidomos ngritja e SPAK, përplasjet mes mazhorancës qeverisëse dhe presidentit Ilir Meta, reforma zgjedhore, situata pas tërmetit të 26 nëntorit dhe ftesa e kryeministrit Edi Rama në adresë të kryedemokratit Lulzim Basha, kanë qenë disa nga temat për të cilat ka folur kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka. Ky i fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT”, shprehu bindjen se ftesa për bashkëpunim e Ramës për Bashën është hipokrizi dhe propagandë, pasi sipas tij, shefi i qeverisë përmes kësaj lëvizje synon që t’u fshihet përgjegjësive që ka përballë qytetarëve, sidomos pas tërmetit të 26 nëntorit. Në këtë kontekst, kreu i PAA theksoi se tërmeti nuk mund të shërbejë si amnisti, ku palët politike të bëjnë “armëpushim” me njëra-tjetrën. Duke u ndalur tek kriza politike që ka mbërthyer vendin prej 11 muajsh, zoti Duka deklaroi se fund krizës politike i jep vetëm sovrani me votë.

-Zoti Duka, Shqipëria u përball me një tërmet shumë të fortë në 26 nëntor. Si e shihni angazhimin e shtetit shqiptar për përballimin e situatës?

Duhen ndarë dy aspekte, përpjekja e orëve të para dhe përgatitja. Përpjekja e orëve të para ishte genuine, pati reagim dhe nuk kishte si të ishte ndryshe. Ajo që u vu re ndërkohë, ishte mungesa totale e përgatitjes. Pra ndonëse ne patëm një paralajmërim nga tërmeti i 21 shtatorit, nuk pati një reagim nga ana e institucioneve që të mundësonin përgatitjen për fatkeqësi të tilla. Shteti prandaj ekziston, pikërisht për të mbrojtur dhe ndihmuar qytetarët në këto situata të forcës madhore. Nëse nuk kryen dot detyra të tilla do të thotë që nuk është shtet, por një organizatë partiake që vepron në bazë të perceptimeve dhe propagandës.

-A ka Shqipëria kapacitete për emergjenca të kësaj natyre?

Fatkeqësisht jo. Sigurisht kjo nuk është përgjegjësi e vetme e atyre që po qeverisin tani, megjithatë ata kishin përgjegjësinë për çfarë nuk kanë bërë pasi Presidenti, në muajin korrik, kërkoi të njihte aftësinë reaguese për kësi tërmetesh, ndërsa nga Ministria e Mbrojtjes mori përgjigjen që Shqipëria është sot më e përgatitur se kurrë për emergjenca të tilla. Në fakt ne pamë me sytë tanë që nuk ishte ashtu, që gërmohej me dorë dhe nuk kishim as qentë për të cilët kemi paguar mijëra euro, diçka e pafalshme për një shtet anëtar të NATO-s. Për këtë dikush duhet të mbajë përgjegjësi.

-Megjithatë në kuadër të tërmetit të 26 nëntorit që la pas një tragjedi të madhe, kryeministri Edi Rama ka hedhur idenë që politikanët në Shqipëri të bëhen bashkë për të mirën e vendit. Si e shihni ftesën e tij drejtuar kryedemokratit Lulzim Basha?

Thirrjet për bashkim janë përherë një gjë pozitive, por ato duhet të jenë të sinqerta dhe në interes të qytetarëve dhe jo të lojërave politike. Ne nuk kemi pse të bëhemi bashkë, si parti politike ekzistojmë për të konkurruar dhe nga konkurrenca jonë të lindi një dialektikë që prodhon mirëqeverisje dhe, gjithashtu, përgjegjësi për veprat që marrim përsipër. Kam frikë se me këtë thirrje për t’u bërë bashkë Rama kërkon t’i fshihet përgjegjësive. Por, sikurse kam thënë më parë, tërmeti nuk mund të shërbejë si amnisti. Ajo për të cilën ka nevojë shoqëria shqiptare në këtë moment, të paktën në gjykimin tim, është që secili të bëjë detyrën e tij, mazhoranca të bëjë punën e mazhorancës dhe opozita detyrat e opozitës. Ne si opozitë po ndihmojmë me atë që mundemi, madje heshtëm për respekt të jetëve të humbura, por tani është momenti që t’i kthehemi zgjidhjeve dhe çështjeve që janë në qendër të krizës.

-Ju gjithashtu keni pohuar pak ditë më parë se jeni i gatshëm të bashkëpunoni me qeverinë sa i takon procesit të rindërtimit, duke iu ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti. Përse vendosët që të veproni kështu, në një kohë që PD dhe partitë e tjera kanë rinisur sulmet ndaj mazhorancës qeverisëse?

Veprova në këtë mënyrë sepse këtë punë mund ta bëj si opozitar dhe mund ta bëj shumë mirë, sidomos për një zonë që dua dhe njoh. Që të kuptohemi drejt, nuk po flas për strategji apo vendimmarrje politike të përbashkëta, por një monitorim të procesit për të qenë të sigurt që nuk do të ketë tjetërsime dhe manipulime. Unë jam munduar të bëj gjithçka ka qenë në kapacitetet e mia këto ditë, sidomos pa shumë potere nëpër media, në këtë këndvështrim jam konsekuent me vullnetin tim për t’i dhënë një dorë qytetarëve dhe jo qeverisë. Ky është edhe thelbi i pohimeve të mia.

-A mendoni se gjatë vitit 2020 do të gjendet konsensusi mes palëve politike, në mënyrë që t'i jepet fund krizës politike?

Fund krizës politike i jep vetëm sovrani, me votë, format e tjera janë arna që zgjasin pak dhe na fusin përsëri në krizë. Është imperativë që kriza të zgjidhet një orë e më parë dhe qytetarët të shprehin vullnetin e tyre të lirë për një mori çështjesh që tashmë përfshijnë edhe rindërtimin.

-Por tërmeti ka sjellë një farë qetësie edhe në marrëdhëniet mes qeverisë dhe Presidencës. Mazhoranca shtyhu afatet e komisionit hetimor me 4 muaj, ndërsa presidenti Ilir Meta anuloi tubimin e parashikuar për t’u mbajtur në 8 dhjetor në Qytet Studenti. A mendoni se edhe mes këtyre palëve do të vendoset një farë konsensusi?

Mendoj se jemi në një tjetër armëpushim që ka prodhuar gjendja e emergjencës në të cilën ndodhemi. Por nuk do të zgjasë. Me sa mund të shihet, mazhoranca nuk është distancuar nga asnjë nga ato elemente, sjelljet propagandistike dhe arrogante që janë në qendër të krizës, qoftë me opozitën dhe qoftë me presidentin, kësodore mund të themi se tërmeti pezulloi luftën, por nuk zgjidhi krizën.

-A mendoni se mazhoranca do t'i shkojë deri në fund nismës së saj për të shkarkuar presidentin Meta nga detyra?

Kam përshtypjen që po, sepse është një mjet për të fokusuar herë pas herë vëmendjen e opinionit publik gjetkë. Nuk do të thotë që do të kenë mundësi për të shkarkuar Presidentin, por do të përdorin komisionin për të prodhuar spektakël politik. Sigurisht në gjykimin tim është diçka e dënueshme, sidomos duke pasur parasysh se prioritetet e qytetarëve janë të tjera dhe më jetike.

-Sidoqoftë, sulme dhe akuza në adresë të mazhorancës ka artikular edhe presidenti Meta. Madje, duket se më shumë po bën rolin e opozitarit, se sa të kreut të shtetit. Keni një koment për këtë strategji që po ndjek z. Meta dhe a rrezikon që ai të nxjerrë jashtë loje opozitën?

Gjykoj se presidenti është duke kryer detyrën e tij. Në mungesë të gjykatave më të rëndësishme, që funksionojnë si një filtër ndaj çdo pushteti, roli i presidentit është i domosdoshëm, sepse partia-shtet nuk do të ishte më një kujtim i keq i së kaluarës, por një realitet i hidhur për të gjithë. Kompetencat e Presidentit ngjasojnë me një fizarmonikë, zgjerohen sipas nevojës dhe duke pasur parasysh procesin e ngadaltë me të cilin po ngrihet Gjykata Kushtetuese, e cila është mburoja e demokracisë, një President aktiv është çfarë i duhet interesit publik. Ndërsa nuk pajtohem me rrezikun që opozita të mbetet jashtë. Ju e keni ndjekur sesi Rama, pasi u përpoq të faktorizonte ata që hynë në Parlament, u dorëzua dhe tani deklaron se kërkon bashkëpunimin tonë. Opozita nuk krijohet apo shpiket, pasi ne si grupim, ndonëse jashtë Parlamentit, kemi më shumë se gjysmën e votave të vitit 2017. Sigurisht duhet punuar fortë për të qenë gati për zgjedhjet e ardhshme, megjithatë në lojë na mban mbështetja e qytetarëve dhe jo strategjitë e kryeministrit apo presidentit.

-Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të ndërkombëtarëve dhe vullnetit të opozitës parlamentare dhe mazhorancës, reforma zgjedhore ka mbetur në vend numëro. Si i cilësoni këto përpjekje dhe a mendoni se kjo reformë po bëhet e njëanshme, duke qenë se sugjerimet tuaja nuk po merren në konsideratë?

Sigurisht tërmeti iu mbivendos një ngërçi në këtë segment të aksionit politik, megjithatë, reforma zgjedhore do të përfundojë. Nëse vullneti i Ramës për bashkëpunim, nëse është i sinqertë, le ta dëshmojë në këtë fushë. Të mundësojë një reformë gjithëpërfshirëse, sikurse kushtëzojnë ndërkombëtarët. Kjo do të lehtësonte marrëdhëniet e mëtejshme, pasi pranimi i punës që ne si opozitë po vijojmë të bëjmë në komisionin që kemi ngritur, i shërben të gjithëve sepse mund të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

-Një hap shumë i rëndësishëm është edhe ngritja e Prokurorisë Speciale Antikorrupsion. 8 prokurorët e parë të kësaj strukture u zgjodhën dhe betohen më 19 dhjetor. A mendoni se do të kemi një frymë të re sa i takon luftës kundër korrupsionit?

Si shumica e shqiptarëve edhe unë, si një nga votuesit e reformës në drejtësi, pres me padurim ngritjen e të gjitha institucioneve të reja të drejtësisë, sidomos të SPAK-ut dhe BKH-së. Gjykoj se kriza aktuale është produkt i mos-hetimit të krimeve të ndryshme të kryera nga zyrtarë të lartë, por sidomos krimit zgjedhor. Një prokurori më e suksesshme është e domosdoshme për të sjellë besimin e qytetarëve te drejtësia dhe institucionet e tjera. Besoj se do të ketë një frymë të re në luftën kundër korrupsionit, sidomos duke pasur parasysh se në vitet e fundit kemi pësuar një rritje të frikshme të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe janë ndër shkaqet kryesore të bllokimit të rrugës sonë për në BE.

-A ka politikanë që i tremben SPAK-ut?

Sigurisht që ka. Por kjo nuk ka aspak rëndësi. E rëndësishme është të kuptojmë se shumica e shqiptarëve do drejtësi, do ndarje pushtetesh, do më pak korrupsion dhe krim të organizuar. Kur kemi punuar për reformën në drejtësi nuk e kemi parë vetëm si një mjet për të ndëshkuar të shkuarën, por si një rregullues i sistemit tonë të drejtësisë për të tashmen dhe të ardhmen. Një sistem që funksionon dhe lehtëson zhvillimin ekonomik, pasi investitorët, sidomos të huajt, kërkojnë një shtet të së drejtës, jo vetëm një shtet ku të hedhin para.

Intervistoi:Rigels Seliman

Më të lexuarat