Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Antoneta Dhima: Ja pse firmosa shkarkimin e Ilir Metës, presidenti është bërë palë me opozitën, askush nuk e shtyn dot 30 qershorin

Postuar: 26/06/2019 - 13:00

Deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima ka komentuar situatën politike në vend, duke e ndalur theksin tek përplasjet e fundit mes Qeverisë dhe Presidencës, zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ecurinë e reformës në drejtësi, protestat e opozitës dhe paralajmërimet e kësaj të fundit për ta çuar vendin në përplasje civile. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zonja Dhima akuzoi presidentin Meta se me vendimin e tij për të ç’dekretuar datën e zgjedhjeve përdhosi Kushtetutën. Po ashtu, anëtarja e Komisionit të Sigurisë akuzoi kreun e shtetit se është bërë palë me PD dhe LSI, ndërsa theksoi se pavarësisht këtij qëndrimi sa qesharak po aq dhe foshnjor të presidentit, zgjedhjet lokale të 30 qershorin do mbahen dhe se nuk i luan topi. Nga ana tjetër, deputetja socialiste u shpreh se edhe ajo ndan të njëjtin qëndrimi me kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se Basha, Kryemadhi, Berisha dhe Meta synojnë të shkaktojnë trazira nga frika e reformës në drejtësi, e sidomos SPAK.

-Zonja Dhima, Presidenti Ilir Meta pak ditë më parë ç’dekretoi datën e zgjedhje lokale. Si e cilësoni këtë vendim?

Presidenti i Republikës me dekretin nr. 10928, datën 05.11.2018, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” ka vendosur datën 30 Qershor 2019 si ditën për organizimin e zgjedhjeve vendore dhe këtë dekret Presidenti e ka nxjerr në bazë të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor. Pa pritur dhe pa kujtuar Presidenti në datën 10.06.2019, ka vendosur shfuqizimin e dekretit të mësipërm, duke kryer një shkelje të rëndë të Kushtetutës së vendit dhe legjislacionit që rregullon në mënyrë të posaçme zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë. Akti i nxjerrë nga Presidenti është absolutisht i pavlefshëm, pasi është nxjerrë jashtë kompetencave të tij si dhe në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e ligjin dhe si i tillë konsiderohet një akt nul dhe nuk mund të prodhojë asnjë pasojë. Presidenti ligjërisht ka të drejtë dekretimi dhe jo ç’dekretim.

-Po ashtu, Presidenti Meta iu ka bërë apel institucioneve që të mos injorojnë dekretin e tij, por ta zbatojnë, pasi në të kundërt do mbajnë përgjegjëse. Sa qëndrojnë këto thirrje?

Akti i Presidentit i cili ka vendosur shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datën 05.11.2018, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, është një akt absolutisht i pavlefshëm, dhe si i tillë konsiderohet një akt “nul” që nuk mund të prodhojë asnjë pasojë. Bazuar në parimin e ligjshmërisë dhe përgjegjësisë si dhe diskrecionit të organeve administrative, asnjë organ publik nuk ka detyrimin dhe nuk mban asnjë përgjegjësi ligjore nëse nuk zbaton një urdhër, akt, apo çfarë do vendimi absolutisht të pavlefshëm, i cili bie në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ligjin.

-Pavarësisht këtij qëndrimi të kreut të shtetit, ju si mazhorancë keni shprehur vendosmërinë se do shkoni në zgjedhjet e 30 qershorit. Madje, kryeministri Edi Rama shkoi më tej, duke e akuzuar Metën se e mori këtë vendim, pasi bashkë me ish-kryeministrin Berisha duan destabilizimin e vendit. Keni një koment?

Me vendimin e tij, duket qartë që Presidenti ka mbajtur anën e opozitës jashtëparlamentare, e cila prej disa muajsh ka djegur mandatet dhe kërkon prej kohësh shtyrjen e zgjedhjeve. Me vendimin që ka marrë Presidenti duket qartë që ai është në anën e opozitës dhe veprimet e tij janë të qëllimshme dhe të papranueshme në demokraci, dhe presidenti me këtë vendim nuk përfaqëson më gjithë popullin, por tregon njëanshmëri të theksuar.

-Mes akuzave që ka artikuluar zoti Rama në adresë të Berishës, Metës, madje dhe Bashës e Kryemadhit, është frika që kjo katërshe ka ndaj reformës në drejtësi, sidomos SPAK. Sa qëndrojnë këto akuza?

Po është e vërtetë se katërshja është e kërcënuar nga drejtësia dhe institucionet e drejtësisë të cilat kanë filluar zbatimin e tyre. Dhe ndaj e gjithë kjo vjen nga frika e ndëshkimit. Reforma në Drejtësi nuk do të kursejë askënd, që shkel ligjin, qoftë ky edhe Presidenti.

-Në kundërpërgjigje të akuzave, Presidenti Meta ka deklaruar se zgjedhjet i anuloi, pasi në 30 qershor duhet të ketë zgjedhje dhe jo votime. Madje, ai shprehu bindjen se me çdekretimin e dekretit të tij për zgjedhjet vendore, shmangu përplasjen civile. Si ju duken këto justifikime?

Detyra e Presidentit është të caktojë datën e zgjedhjeve dhe me kryerjen e kësaj detyre e ka mbaruar misionin e tij në zgjedhje dhe janë organet e tjera që vijojnë realizimin e detyrave të tjera për ushtrimin efektiv nga shtetasit të së drejtës së votës. Justifikimet se Presidenti ka shmangur përplasjen civile nuk qëndron, sepse institucionet e tjera ligjzbatuese në vend, nuk kanë pohuar asnjë informacion të këtij lloji të artikuluar nga Presidenti. Zgjedhjet janë e drejta e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë periodike përfaqësuesit e tyre dhe mundësia e partive politike për të garuar e për të fituar cilësinë e përfaqësuesit të popullit nëpërmjet votës. Kushtetua dhe ligji ngarkojnë organet publike me detyra të veçanta për realizimin e kësaj të drejte nga shtetasit.

-Përtej akuzave të ndërsjella mes Presidentit dhe mazhorancës, PS ka ndërmarrë një nismë, duke kërkuar shkarkimin e Presidentit. Keni një koment?

Po mazhoranca ka filluar procedurat e shkarkimit të Presidentit dhe unë jam një nga deputetet që kam firmosur për shkarkimin e tij. Presidenti ka dekretuar anulimin e zgjedhjeve, ndërkohë që Kushtetuta nuk ia njeh këtë të drejtë, ka cenuar parimin e periodicitietit të zgjedhjeve, ka cënuar parimin e një qeverisjeje të dalë nga zgjedhjet e lira, ka cenuar rëndë parimi i kushtetutshmërisë, ka shkelur parimimin e ligjshmërisë. Akti i Presidentit ka dalë në kundërshtim të hapur dhe flagrant me kompetencën e tij dhe me këtë akt Presidenti nuk bën gjë tjetër veçse u cënon qytetarëve mundësinë për të zgjedhur.

-Pas anulimit të zgjedhjeve, Presidenti Ilir Meta iu bëri apel partive politike që të nisin dialogun me të, në mënyrë që ai të vendosë një datë të re zgjedhjesh. Të parët që iu përgjigjën thirrjes së tij, ishin disa nga aleatët e PD, ose më saktë partitë e “Grupimit të Qendrës së Djathtë”. A është e ligjshme kjo lëvizje?

Nuk mund të ketë ndryshim të datës së zgjedhjeve pa pëlqim paraprak të partive politike, që janë palët në procesin zgjedhor, aq më tepër kur procesi është gati në përfundim të tij. Nëse do ti referohemi ndryshimit të datës së zgjedhjeve në vitin 2007 dhe 2017 ju sqaroj se nuk ishte kjo situatë që paraqitet sot ishte një situatë krejt tjetër dhe e ndryshme nga kjo që ne kemi sot, sepse atëherë palët u dakordësuan për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Në këto raste, Presidenti me konsensusin e tyre vendosi të shtyjë datën në një datë tjetër, por pa cenuar ligjin si dhe mandatin e organeve të zgjedhura. Shtyrja e datës u bë brenda kufijve të ligjit pa cenuar atë që konsiderohet periudhë zgjedhore. Kjo lëvizje e Presidentit nuk është e ligjshme. Në rastin e 30 qershorit, nuk ka asnjë hapësirë, sepse është afati i fundit kushtetues.

-Prej gati 4 muajsh opozita po proteston kundër qeverisë. Por pavarësisht këtyre tubimeve, kryeministri Rama ka shprehur vendosmërinë e tij për të mos marrë në konsideratë asnjë nga kërkesat e saj, ndërsa ka vendosur që të shkojë në zgjedhje në 30 qershor. Keni një koment për qëndrimet e opozitës?

Po është e vërtetë që opozita prej 4 muajsh po proteston kundër qeverisë me argumenta dhe kërkesa të paqarta e të pabaza. Opozita proteston në emër të votës, që ka deformuar demokracinë. Në fakt proçesi zgjedhor ka dy vite që ka përfunduar dhe OSBE/ODHIR e kanë çertifikuar procesin dhe në asnjë rast nuk ka patur kontestime as në KQZ dhe as në Kolegjin Zgjedhorë. Qeveria është legjitime dhe parlamenti është legjitim. Me veprimet e saj opozita po rrit çdo ditë e më shumë faturën që Sovrani do i presë në 30 qershor.

-Opozita ka zhvilluar plot 9 protesta kombëtare dhe disa para Parlamentit. Por në shumicën e tyre nuk kanë munguar edhe aktet e dhunës, duke sulmuar policinë dhe institucionet. A është normale që një opozitë të përdorë dhunë, në një kohë kur për të ardhur në pushtet duhet t'iu ofrojë qytetarëve alternativë?

Nuk është aspak normale që opozita gjatë protestave të zhvilluara përdor dhunë duke dëmtuar institucionet. Dhuna është një fenomen që të gjithë e dënojmë, pasi dhuna nuk sjell gjë tjetër veç shkatërrim, frikë dhe pasiguri. Gjithashtu dhuna prish imazhin e Shqipërisë në mbarë botën, sjell ngadalësim të zhvillimit të ekonomisë, pengon zhvillimin e turizmit, largon investitorët e huaj, tkurr zhvillimin e biznesit si dhe pengon integrimin e vendit. Opozita nuk mund të vijë në pushtet me dhunë ose duke e kërkuar pushtetin në tavolinë, pasi pushteti merret me votë dhe ne e kemi marrë besimin e sovranit për ta qeverisur vendin në Qershor të vitit 2017.

-Pak ditë më parë gazeta gjermane “Bild” publikoi disa përgjime të  dosjes “339”, në të cilën opozita pretendon se është konsumuar krim elektoral. Sa qëndrojnë këto përgjime dhe sa të vërteta janë pretendimet e ngritura nga opozita?

Në bisedat telefonike të publikuara në media nuk besoj se ka veprim që bie ndesh me ligjin apo shkon përtej një komunikimi normal organizativ mes personave të cilët janë pjesë e shtabit elektoral në një fushatë zgjedhore. Në fakt në kushtet kur çështja është në hetim nga prokuroria nuk është normale që unë të flas me detaje për këtë proces. Personalisht inkurajoj prokurorinë të hetojë çdo element, pretendim apo qoftë dhe indicie për veprimtarinë e kujtdo përfaqësuesi të Partisë Socialiste.

-Zonja Dhima, në gjykimin tuaj kur mund të ngrihen SPAK, BKH, Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë?

Ngritja e organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor janë rezultat i zbatimit me sukses të reformës në drejtësi. Po kështu hapat e ndërmarrë për plotësimin e shpejtë të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, për ngritjen e prokurorisë dhe gjykatës speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, etj, janë objektivat për periudhën në vazhdim të cilat janë vlerësuar si nga BE ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtarë me nota shumë pozitive.

-A ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të shohim arrestime politikanësh dhe pushtetarësh që kanë qenë të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar?

Është e drejtë e institucioneve ligjzbatuese të ndjekin dhe të venë para ligjit në çdo kohë këdo politikan dhe pushtetarë që abuzon me detyrën dhe përfshihet në korrupsion e në krim të organizuar.

-Për sulmet mbi KZAZ-të. Keni një koment dhe a fshihet pas kësaj dhune katërshja “Berisha, Meta, Kryemadhi dhe Basha”?

Sulmet ndaj KZAZ-ve nuk janë normale dhe tregojnë qartë përfshirjes e opozitës jashtë-parlamentare. Kjo situatë e krijuar është një shfaqje brutale e dëshpërimit politik e cila është kthyer në veprimtari të paligjshme e në akte kriminale, për të cilat duhet të ndëshkohet çdo shkelës për të cilin do ketë prova të mjaftueshme sipas parashikimeve të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Është momenti ku ligji, shteti, shoqëria dhe kushdo që i përfaqëson ato, si autoritet, si zyrtar apo si qytetar i thjeshtë i këtij vendi, duhet të bëhen bashkë. Mandatet për të qeverisur 61 bashkitë e vendit i jep vetëm populli shqiptar përmes votës së tij të lirë në 30 Qershor.

Intervistoi:Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 13:11

PD  ka shpërndarë një deklaratë për mediat ku njofton se Gjykata ka shfuqizuar të tjera gjoba që Bashkia e Tiranës i kishte vendosur Partisë Demokratike për protestat e organizuar prej saj.

Postuar: 14/11/2019 - 12:55

Sekretari i Partisë Socialiste dhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla zbulon se p

Postuar: 14/11/2019 - 12:54

Arta Vorpsi u betua ditën e sotme tek noterja si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, kreu i Grupit Pa

Postuar: 14/11/2019 - 12:40

Ka nxitur një sërë reagimesh betimi që bëri Arta Vorpsi tek noterja pasi ishte votuar në Parlamen

Postuar: 14/11/2019 - 12:38

Pasi Arta Vorpsin e zgjedhur nga Parlamenti si anëtare e Gjykatës Kushtetuese u betua sot te note

Postuar: 14/11/2019 - 12:15

Pas betimit para noterit të Arta Vorpsit për Kushtetuesen, ka reaguar menjëherë PD përmes sekreta