Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Berisha i shpall luftë Bashës: Hartoi listë personale për kandidatët në zgjedhje, nuk duhej të largonte të vjetrit, mban këshilltarë mizerabël

Postuar: 14/09/2017 - 08:30

Sali Berisha i ka shpallur luftë të hapur Lulzim Bashës. Pas humbjes së zgjedhjeve, ish-kryeministri preferoi të heshtte duke nxjerrë deputetët pranë tij për të sulmuar kreun demokrat. Në një intervistë të dhënë dje për gazetarin Shkëlqim Peka në portalin “Syri.net”, Berisha deklaroi se Basha gaboi me listën e kandidatëve në zgjedhjet e 25 qershorit. Ai tha se Basha nuk u konsultua dhe hartoi një listë personale. Nga ana tjetër ka deklaruar se largimi i të vjetërve ishte veprim i gabuar.

-Ju jeni aktiv në politikë, por jo aktiv në vendimmarrje në PD. Jeni i bindur që gjërat në PD gjatë këtyre 4 viteve kanë shkuar mirë?

Unë jam aktiv dhe do të mbetem aktiv, kjo nuk ndryshon asgjë, por unë absolutisht nuk ndërhy dhe nuk do të ndërhyj nëse unë nuk pyetem për të dhënë këshilla, në asnjë vendim të PD, sepse nuk mund të ketë forcë politike me dy liderë. Forcat politike janë me një lider, nuk mund të ketë beteja me dy komandantë, betejat udhëhiqen nga një komandant. Në këtë kontekst, më qartë se kushdo tjetër këtë e ka Sali Berisha. Duke u shprehur këtu, ka të tjerë të cilët thonë, jo po influenca. Influenca lidhet me një seri faktorësh. Ata të cilët mendojnë se Sali Berisha duhet të heshti, dhe këta janë kryesisht në grupin mediatik, ata janë mjeranë që maten me hijen e interesave të tyre dhe asgjë tjetër. Sepse t’i kërkosh Sali Berishës heshtjen, bën një akt më qesharakun në çdo lloj aspekti.

- Z. Berisha, këta mund të cilësohen zëra mediatikë e mjeranë deri në ditën që Lulzim Basha publikoi listën e tij. Por pas listës, këta nuk janë mediatikë, por me ndikim mbi kryetarin e PD.

Cilido tjetër mund të përballej me Lulzim Bashën publikisht për pëlqimin e mospëlqimin e tij, përveç Sali Berishës. Sali Berisha, Lulzim Bashës ia ka thënë mendimet e tij. Atyre që kundërshtojnë Lulzim Bashën, kam pasur mundësi t’ua them mendimet e mia. Nëse unë do të hyjë në betejë, unë do të ndjek betejën, por unë nuk kam ndërmend, betejat e mia kanë marrë fund. Betejat e mia në lidershipin e PD kanë marrë fund, dhe unë, angazhim tjetër nuk mund të kisha.

-E gjithë lista e Bashës, përjashtuar Sali Berishën është një listë për të fshirë historinë e PD, e kundërta, lista e Edi Ramës është për të promovuar historinë politike të Partisë së Punës. Si e ka ndjerë veten Sali Berisha kur e ka parë veten në këtë listë?

Absolutisht, unë e kam theksuar që atëherë që, unë do të kisha bërë një listë krejtësisht tjetër. I kam konsideruar dhe i konsideroj të pamotivuara largimet e disa eksponentëve të rëndësishëm të PD-së nga lista. Kam theksuar që atëherë se kjo është listë e kryetarit, për herë të parë në historinë e Partisë Demokratike. Listat janë të partisë, kjo realisht ka qenë listë e kryetarit se nuk kaloi në forumet e partisë. Dhe nëse kjo listë fiton, unë kam deklaruar se do ta duartrokasim në mënyrë të zjarrtë. Tani, çdo njeri tjetër në Shqipëri, përveç Çim Pekës mund të thotë se ‘ti nuk ke besuar se do të fitojë’. Njeriu që nuk mund ta thotë këtë është Çim Peka, po të ketë parasysh një bisedë që bëmë me hapjen e fushatës në Fier, e cila me aq sa unë di të vlerësoj fushatat, ishte një hapje e shkëlqyer dhe në vlerësimin tim, nëse fushata do të ruante atë trend, Lulzim Basha do të arrinte të kapërcente problemet e krijuara dhe do të elektrizonte elektoratin shqiptar. Nuk jam paragjykues. E kam thënë atëherë që nëse fiton, do ta përshëndesim në mënyrë të zjarrtë. Po humbi, ka përgjegjësinë më të madhe personale. Sigurisht e kam theksuar se jo e tërë përgjegjësia ishte vetëm e tij. Nuk do shërbente nëse do thuhej kjo. Përgjegjësia është e përshkallëzuar, por më kryesorja është e kryetarit. Thoni se kam shkruar se Sali Berisha duhej të largohej..! Jo. Pse? Sepse nuk kam qenë unë në listat e atyre që u larguan, kanë qenë ata në listën time. Kështu që unë pozicionin tim, e kisha ridimensionuar me kohë. Ata për mua kanë qenë bashkëpunëtorë të çmuar dhe unë jam vlerësues dhe falenderues për të gjithë bashkëpunimin që kemi pasur dhe mbetem në marrëdhënie miqësore me ta pa asnjë diskutim. Pastaj kur vjen problemi se unë të lista e atyre apo ata te unë është çështje tjetër.

-Të shikosh sot se të gjithë janë në krahun e Lulzim Bashës, janë kthyer nga PD-ja dhe Jozefina Topalli, e cila ishte e vetmja ndoshta e peshuar në flori nga ambasadorë të ndryshëm që t’ju tradhtonte në 1999, ju mbajti. Si ndihet Sali Berisha sot?

Edhe një herë e theksoj se, kjo është listë e kryetarit të PD-së. As nuk do të më shkonte ndërmend që unë të bëja një listë si kjo. Por duhet të dimë një gjë, se çdo njeri bën listën që mendon. Problemi thelbësor i kësaj liste është që kjo nuk kaloi në forumet e partisë, gjë që nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë më kurrë dhe s’duhet të ndodhë. Çfarë ndodh sot? Ka një armiqësi shumë të egër dhe që uroj të zbutet, për faktin se kryetari e mori përsipër të gjithë përgjegjësinë. Ata nuk i hoqi partia dhe forumet e partisë, se ata ndoshta mund dhe të hiqeshin nga forumet e partisë, nuk e dimë këtë, por ata i hoqi personalisht kryetari. Në këtë rast, cili është apeli im për ta? Apeli im është, dakord, ky është një gabim për mua i papranueshëm që ju jeni hequr nga listat pa forumet. Megjithatë, me të gjithë investimin tuaj në PD, kolosal që keni, mendoj se në qëndrimet politike mendoj se duhet t’ju udhëheqin interesat e PD-së. Sikundër kryetari mendoj se duhet të ketë një sens përgjegjësie, vetëdije se këta njerëz u hoqën direkt prej tij, jo nga forumet. Pra këta kanë një kauzus ndaj tij dhe duhet të gjejë mënyrën për ti zbutur, për të arritur drejt një situate tjetër. PD në historinë e saj këtë ka. Ka histori ndarjesh, bashkimesh, tolerancash të gjitha këto së bashku.

-A ka biseduar me ju para se të bënte publike listat, a ka dhënë ndonjë shenjë Lulzim Basha se këto figura kryesore nuk do të jenë më në listën e tij?

Jo, nuk më ka dhënë një shenjë të tillë. Unë me Lulzim Bashën, nuk kam biseduar për listën dhe nuk kam ndjerë absolutisht keqardhjen më të vogël për këtë. Pse? Nuk kam dashur të bisedoj. Unë i mbahem strikt asaj, më pyeti i jap mendimin siç e kam vetë. S’më pyeti, unë nuk flas.

-Një pikëpyetje e madhe është takimi i gjatë i Lulzim Bashës me Edi Ramën, mbi 3 orë. Deri në këtë moment është një takim jo transparent. A ju ka thënë Lulzim Basha, a është konsultuar me ju, para apo pas takimit se çfarë ka biseduar? Ju, a jeni në dijeni se cila është marrëveshja afatgjatë, sepse Rama flet për marrëveshje afatgjatë. Deri ditën e zgjedhjeve keni thënë që është një marrëveshje uin-uin.

Po e kam thënë dhe e saktësoj se çfarë ishte. E kam thënë me bindje të thellë. Së pari, a më ka thënë Lulzim Basha që do të bëj takimin? Absolutisht jo, por jam i bindur në mënyrë të prerë se ai nuk ka shkuar atje i paralajmëruar se do të bëjë takimin, sepse Edi Rama nga Elbasani tha se nuk po marr pjesë. Nuk di të kenë komunikuar, nuk kam pasur dijeni. Pas takimit më ka thënë dhe për hapin e tij për të pranuar çfarë ishte kërkuar dhe pak më shumë biles. Në rrafshin politik, ajo ishte në vlerësimin tim një fitore e shkëlqyer. Nëse në atë kohë nuk e kam shprehur me termat e forta për arsye elektorale, unë tani e them: Ajo ishte një fitore e shkëlqyer e Lulzim Bashës. Sepse të arrijë t’ia rrëzojë gjysmën e qeverisë kryeministrit, tejkalojë çdo lloj parashikimi dhe ishte një fitore në rrafshin ndërkombëtar, sepse e gjithë bota e mori vesh që ajo çadër pati kazus të drejtë dhe se ngadhënjeu kauza e çadrës. Kjo ishte. Nga ana tjetër e kam thënë dhe e them, Edi Rama shpëtoi lëkurën e vet dhe aty bëri mirë. Pavarësisht se ai për mua është ashtu siç është, përsëri ai aty tregoi një kuant politikani dhe shpëtoi lëkurën e tij. Ky ishte vlerësimi. Marrëveshja, ky sukses i madh u kthye në të kundërt nga Edi Rama, ky ishte problemi. Ai mori të gjitha avantazhet e marrëveshjes. Ai paraqiti atë si një sukses të vetin, e paraqiti atë si një mëshirë për një djalë të mirë si Lulzim Basha dhe marrëveshjes nuk iu bë avokatia në mënyrën e duhur nga Lulzim Basha.

-Ditën që Lulzim Basha ka hapur fushatën keni qenë shumë optimist. Më keni thënë që ky mund të jetë fjalimi më i mirë i tij në jetën e tij politike. Më keni thënë se nëse Basha vazhdon kështu për 10 ditë, Rama mbyllet në shtëpi. A besoni se Basha mund t’i kthehet rrugës së opozitës pa kompromis ndaj kundërshtarit?

Fillimin e pati shumë të mirë, i shkëlqyer. Vështirësitë e listës ishin të padiskutueshme. Po t’i kthehemi IPR-së, i cili për ne tragjikisht, por për të vërtetën u faktua milimetrik, ajo javë në vazhdim PD u ngjit me 5 pikë, nga 32 në 37.6%. Çfarë do të thoshte kjo? Kjo do të thoshte se PD-ja, po të ecte në këtë mënyrë do të tërhiqte si magnet të pavendosurit. Me Edi Ramën kishte 7 pikë diferencë, por ritmi i rritjes 5 pikë në javë PD-në e nxirrte pa diskutim parti të parë. Çfarë ndodhi? Për mua ndodhi fataliteti. Edi Rama me mjeshtri diabolike filloi, përvetësoi marrëveshjen dhe hapi në të katër anët e Shqipërisë me çdo gjë edhe me militantë të thjeshtë se “ne do të bëjmë koalicion”. Këtu kryetari i PD-së u tregua i vonuar. Nuk e kuptoi që kjo ishte një puthje fatale për ne. Çfarë ndodhi në pollin tjetër. Jo vetëm rënia me 6%, por diçka shumë më e rëndë. U rritën nga 26.7 në 34.6 ata që nuk do të votonin. Pra blloku kryesisht militant i PD-së na u largua nga fushata. Ju po bëni koalicion, ne nuk kemi më punë me ju. Militantët janë aq sa janë jetik për fitoren, aq janë dhe të hiper ndjeshëm dhe pastaj, kur menduan se kjo mund të ndodhte, thanë ne s’kemi punë me këtë fushatë sepse ne mbajtëm çadrën 90 ditë, etj., ndërsa ata po bëjnë koalicionin. Ata nuk janë dakord me koalicionin. Kështu që u rrit në mënyrë paradoksale bojkoti i zgjedhjeve. Të ngrohje këta 10 %, duhej t’i hyjë detit në këmbë. Mund të bëhej, por ishte shumë vështirë. Lulzim Basha kishte këshilltarë mizerabël elektoralë, mizerabël.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 8

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/10/2017 - 22:52

Ish-shefi i kufirit në Vlorë dhe ish-shefi i Antidrogës në Fier, Dritan Zagani, ka folur mbrëmjen e sotme në “Opinion”, duke deklaruar se grupi kriminal i Habilajve vepron në vendin tonë në bazë të lidhjeve të gjakut.

Postuar: 17/10/2017 - 22:47

Nënkryatri i LSI-së Luan Rama ka reguar lidhur me dosjen italiane  “Habilaj” ku ka dalë edhe emri i Saimir Tahirit.

Postuar: 17/10/2017 - 22:16

I ftuar në studion e emisionit “Studio e Hapur” në News 24, ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi ka komentuar implikimin e emrit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahir

Postuar: 17/10/2017 - 21:59

Avokati Spartak Ngjela i ftuar në “360 Gradë” në Ora News, i pyetur pas shpërthimit të akuzave në mediat italiane ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri, thekon se ky ësht

Postuar: 17/10/2017 - 21:44

I ftuar në “360 Gradë” në Ora News, deputeti i Partisë Socialiste, Bledi Çuçi ka komentuar akuzat e shpërthyera në mediat italiane për ish-ministrin Saimir Tahiri, t

Postuar: 17/10/2017 - 21:19

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë nisur menjëherë aksionin opozitar kundër krimit dhe lidhjeve të politikës me trafikantët.

Postuar: 17/10/2017 - 21:13

Deputetja socialiste, Elisa Spiropali, ka dalë në mbrojtje të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.