Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Bernard Zotaj: Heronjtë në bulevard janë në vendin e tyre të merituar, ballistët dhe disa historianë duan të hedhin baltë, ja ku gabojnë

Postuar: 09/11/2019 - 13:40

Profesori dhe historiani Bernard Zotaj, ka hedhur dje dritë mbi të vërtetën e luftës partizane. Ditët e fundit ka shpërthyer një debat në vend, ku kreu i Institutit të Studimeve të Komunizmit, Agron Tufa, opozita dhe disa historianë kanë sulmuar luftën partizane dhe sidomos disa prej fotove të dëshmorëve të LANÇ, të cilat prej disa ditësh janë vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke qenë se jemi në vigjilje të 75-vjetorit të Çlirimit, Bernard Zotaj, i cili mban gradën akademike Prof. Asoc. Dr, si dhe është kryetar i Shoqatës se Historianëve Ushtarakë të Shqipërisë dhe pjesë e Bordit të Institutit të Studimit të Historisë Ushtarake, në një intervistë për gazetën “SOT”, shprehu bindjen se portretet e 100 heronjve prej 3500 që mbajnë këtë titull në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë në vendin e tyre dhe se ata e meritojnë të glorifikohen dhe të ekspozohen, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të njihen me ta. Sipas historianit ushtarak, sulmet e ballistëve dhe disa historianëve janë dashakeqe, përmes së cilave kërkojnë të hedhin baltë mbi Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.

-Zoti Zotaj, prej disa ditësh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë vendosur disa foto të dëshmorëve të LANÇ, duke qenë se jemi në vigjilje të 75-vjetorit të Çlirimit të vendit nga okupatorët nazi-fashistë. Si e cilësoni këtë veprim të ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës?

Vendosja e fotove të dëshmorëve të LANÇ-it, Heronjve të Popullit që ranë për lirinë e atdheut kundër pushtuesve nazifashistë është veprimi më i matur, më i drejtë, më legjitim dhe më plotësisht i merituar. Së pari këta antifashistë që dhanë jetën për lirinë, meritojnë më shumë dhe jo një foto në një bulevard që është i tyre. Ata në një moment të caktuar të historisë dhanë gjakun si patriotë, atdhetarë e idealistëqë ishin, pa u menduar gjatë, dolën përballë pushtuesit dhe ranë si dikur trimat e moçëm shqiptarë. Së dyti, ata u përballën me vështirësitë dhe reaksionin e nuk ndenjën kafeneve, por me guxim dhe trimëri i vunë gjoksin grykave të topave e tankeve, automatikut dhe breshërive të tradhtarëve që ishin miq të pushtuesit. Së treti e dhanë jetën në krahun e duhur, përkrah popujve të civilizuar që e luftuan fashizmin nga Spanja, në gjithë Europën e në Ballkan ku ishte Shqipëria e vogël, por me çeta partizane të mëdha. Së katërti, ishin ata që Shqipëria edhe në periudhën e pas luftës, e vetme qëndroi stoike në Konferencën e Paqes në Paris 1946, me dinjitet në gjyqin e historisë botërore. Ndaj vendosja e portreteve të tyre është gjëja më e thjeshtë që po bën populli shqiptar, por dhe Bashkia e Tiranës që nga përfundimi i kësaj lufte dhe deri më sot. Ata nuk kanë kërkuar buste dhe përmendore dhe këtë e di shumë mirë populli shqiptar. U vendosën këto foto dhe o burra, si dikur miqtë e pushtueseve në kor u çorën për këta bij e bija heroik. Ndaj dhe heronjtë që luftuan për çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazifashist janë në bulevardin e tyre. Bashkë me flamurin kuqezi, portretet e luftëtarëve të lirisë që nuk kursyen as jetën e tyre Qemal Stafa, Vojo Kushi, Mujo Ulqinako, Vasil Shanto, Qeriba Derri, Zonja Çurre, Ali Demi etj, janë vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe Bashkia e Tiranës ka vepruar në këtë rast me dinjitet dhe tepër korrekte për një festë të madhe si 75 vjetori i çlirimit të Atdheut.

-Por ekspozita me portretet e heronjve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, jo vetëm që ka ngjallur debate, por ka shkaktuar zemëratë në radhët e opozitës, e veçanërisht tek partitë e Ballit dhe kreu i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Agron Tufa. Si i shihni këto sulme?

Vajtëm 30 vjet që Balli Kombëtar do që të rehabilitohet dhe të ketë sy e faqe të dalë para shqiptarëve. Ata sot trumbetojnë me të madhe se nuk ishin tradhtarë, nuk bashkëpunuan me pushtuesit, ndaj sot duhet t’u themi “miq” të pushtuesit. Balli Kombëtar të gjejë në radhë të parë vendin që i takon në një Shqipëri demokratike. Të marrë përgjegjësinë që i takon dhe të pranojë burrërisht vendosjen në krahun e kundërt të antifashizmit, pa le sikur të kishte fituar Boshti, ku do të ishte Shqipëria e tyre. Ndaj dhe nderimi i heronjve të Luftës Antifashiste në 75-vjetorin e Çlirimit të vendit është gjëja më e duhur që duhet të bëjë çdo shqiptar. Balli edhe luftën donte ta merrte pa luftë, nuk dha dëshmorët e tij, nuk luftoi dhe nuk e kuptoni luftën, por merret me atë që u realizua pas luftës në Shqipëri. Balli Kombëtar nuk do festa, sepse nuk ka derdhur gjak, nuk ka bërë sakrifica dhe mundim në luftë, ai do pushtet në tavolinë dhe për këtë ka ngatërruar e ngatërron antifashistët me fashistët. Ai ngatërron luftën me periudhën e ndërtimit të socializmit apo të diktaturës komuniste siç cilësohet. Këto ditë kemi dëgjuar dhe mjaft historianë të cilët kanë kritikuar Bashkinë e Tiranës për këtë “lajthitje”, por e kanë gabim të rëndë historik, sepse gjaku i derdhur për liri nuk është lajthitje, por themele të një shteti që të qëndrojë gjatë. Ndjej keqardhje që edhe Drejtori i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa e cilëson si një akt lëndues për familjet e viktimave të komunizmit si dhe një akt hipokrizie. Nuk e kuptoj, këtu kemi të bëjmë me luftën dhe jo me komunizmi që kurrë nuk u ndërtua në Shqipëri. Ç’faj kanë antifashistët që ranë në luftë dhe të ngatërrohen me komunizmin, kjo është tepër e keqe dhe përsëri ky institut shtetëror del nga misioni i tij. Lërini heronjtë e luftës në vendin e tyre të lavdisë.

-Megjithatë, mes shumë akuzash të artikuluara nga ata që e kundërshtojnë një veprim të tillë, bie në sy fakti se pretendohet se mes fotove ka edhe individë që nuk kanë rënë dëshmor në luftë dhe se kanë qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, duke u vrarë shqiptar me shqiptar. Sa qëndrojnë këto pretendime?

Në radhë të parë duhet të sqaruar se këta që kanë qenë pjesë e strukturave për mbrojtjen e pushtetit popullor, që u ngrit pas luftës, kanë qenë në anën e duhur, ata nuk kanë vrarë shqiptarë në rrugë, por kanë luftuar me reaksionin e jashtëm dhe të brendshëm që donte përmbysjen e pushtetit popullor me dhunë. Këta akuzohen si pjesëtarë të strukturave të sistemit komunist, që luftuan kundër atyre që donin të përmbysnin pushtetin, të sabotonin ekonominë, të vrisnin mësues dhe gra që luftonin për të renë. Edhe ata që janë vendosur në foto e që janë vrarë pas çlirimit kanë qenë antifashistëdhe donin e luftonin për ruajtjen e vendit nga elementët keqbërës dhe që përdornin armë kundër punonjësve të strukturave të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit. Këtu nuk është shkelur asnjë parim. Sa mirë që këta e bëjnë dallimin midis luftës dhe pas çlirimit, por i lënë fjalitë mungesore, apo lajthitje, bëhet me qëllim dhe për të bërë kritika, e për të realizuar qëllimet e tyre. Vendosja e emrave të heronjve e të dëshmorëve brenda viteve që përfshin lufta në Shqipëri dhe që dihet nga të gjithë shqiptarët që janë vitet 1939-1944. Por edhe lufta që u bë pas çlirimit me tërë reaksionin e egër brenda dhe jashtë vendit për të gllabëruar Shqipërinë e vogël, ishin ata heronj që u përleshën me bandat e armatosura të ardhura nga jashtë Shqipërisë në vitet 1945-1955. Këto 30 vjet po bëre ndonjë gjë që mbron luftën dhe ndërtimin e socializmit të etiketojnë komunist, etj, etj. Ata e meritojnë të qëndrojnë mes heronjve të luftës se dhe këta që flitet, ishin antifashistë në luftë dhe vazhduan rrugën e tyre për të mbrojtur vendin nga fashistët e kohëve moderne.

-Më i ashpër ka qenë kreu i ISKPK, Agron Tufa, i cili pretendon se ekspozita në fjalë nuk është gjë tjetër veçse një veprim i rëndomtë, përmes së cilit mazhoranca qeverisëse po glorifikon persona që i kanë shërbyer sigurimit të shtetit, apo nga ata të cilët janë vrarë pas luftës. Si i cilësoni këto akuza?

Kjo është një retorikë e kohës. Agron Tufa është institucion shtetëror dhe nuk duhet të dalë kundër vendimeve të qeverisë, sepse paguhet nga taksat e popullit. Misioni i tij është të shikojë shkeljet që janë bërë në komunizëm siç quhet, por duke i analizuar dhe gjykuar me kohën dhe ligjet e saj. Kur qeveria bëri muzetë dhe bunkartet, nuk u ngrit njeri dhe të fliste, pavarësisht se ato kishin qëllime të tjera për kohë, vendosi në to foto e çfarë ju shkonte për shtat atyre, deri edhe krevatin e diktatorit, që ai nuk e pa me sy atë bunker. Arrihet deri aty sa thuhet nga këto institucione shtetërore, se duhet të ketë një listë zyrtare të përgjegjësive që ka secili nga përfaqësuesit e sistemit komunist ndaj popullit të pafajshëm. Për cilin popull të pafajshëm është fjala, për ata që vinin me armë, bënin sabotime, vrisnin gra e mësues etj. Ata ishin punonjës të shtetit shqiptar dhe duhen nderuar siç nderojmë dhe sot punonjësit e policisë, të ushtrisë apo dhe të tjerë që mbrojnë dhe kryejnë akte të larta sublime deri në dhënien e jetës për lirinë dhe demokracinë e popullit.

-Po ashtu, z. Tufa pretendon se nuk i është kërkuar asnjë mendim apo dokument institucionit që ai drejton sa i takon ekspozitës me portretet e 100 heronjve prej 3500 që mbajnë këtë titull në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të cilët do të qëndrojnë aty deri në fund të nëntorit. Keni një koment?

Dhe nuk ka pse t’i kërkohet kur heronjtë dhe dëshmorët dihen, sepse ka plot 75 vite që flitet dhe shkruhet për ta. Nuk di se përse edhe për këtë event të rëndësishëm duhet pyetur ky institut. Atëherë duhet të pyeten të gjitha institutet, prefekturat, bashkitë, njësitë administrative etj., për një ekspozitë të tillë. Instituti nuk është bashki, por institucion që ka një mision dhe qëllim të caktuar me ligj. Ndaj kot ngatërrohet instituti, për t’u gjendur dhe ai në punë...

-Në gjykimin tuaj, sulmet dhe akuzat e artikuluara në adresë të LANÇ a mundet ta përbaltin Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare?

LANÇ-i e kemi theksuar dhe po e theksojmë me të madhe se është epopeja më e madhe e shqiptarëve në historinë e tij. Ajo kurrë nuk ka për t’u përbaltur pasi ishte populli që i tërë ju bashkua antifashistëve, hodhi pushkën në krah dhe doli në mal për lirinë. LANÇ-in e kanë vlerësuar dhe Aleatët e Mëdhenj të fitores, vetëm të mundurit e të dalë jashtë kohe, po flasin në gërhamat e fundit të tyre. LANÇ-in nuk e errësojnë dot, pasi sulmet dhe akuzat e tyre dihen dhe janë bajate, të cilat thonë se PKSH-nëe krijuan jugosllavët, Mukjen e prishi Enver Hoxha, ushtria partizane e dëshmorë nuk janë aq e kaq, nuk kemi bërë luftë e s’kemi vrarë as fashistë italianëe nazist gjermanë, pavarësisht se dihet që lanë kockat këtu, etj. Lufta u bë dhe u zhvillua me antifashistë, me njësi të rregullta partizane e të vlerësuara edhe nga Aleatët, se lufta kishte komandant e komisarë, se lufta kishte një Shtab të Përgjithshëm me një komandant Spiro Moisiu e komisar Enver Hoxha, të cilët e organizuan dhe e drejtuan këtë luftë të popullit shqiptar. Tashmë është koha që të vlerësohen të gjitha figurat e luftës dhe të zënë vendin e që e meritojnë në histori. Historinë e tij populli di që ta bëjë dhe ta shkruajëvet atë dhe jo të tjerët. Merita të shkojë tek merita dhe tradhtia të shkojë tek tradhtia.

-Keni një koment për nismën e kryetarit të Ballit Kombëtar, Artur Roshi, i cili kërkon që dëmshpërblimi për ish të përndjekurit të nisë që nga viti 1941 dhe jo nga viti 1944?

Sot jetojmë në një kohë kur busulla orientuese ka humbur. Po si kërkon ky trim i vonuar dëmshpërblim, që nuk hodhi një pushkë. Apo janë mësuar që të paguhen pa punuar. I them kryetarit të Ballit Kombëtar që të shkojë në AQSH dhe të shikojë listën e gjatë të ballistëve të tij që paguheshin nga miqtë e tij, nazistët gjermanë. E fundit që kam për ballistët e rinj, t’i shtrohen punës dhe të mos ëndërrojnë si baballarët e gjyshërit e tyre për pushtet e dëmshpërblime, se do të turpërohen përjetë.

Intervistoi:Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 14:56

Ka përfunduar në këto momente mbledhja  e konferencës së kryetarëve, e cila u mbajt sot pas dekretimit nga Kreu i shtetit të Marsida Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Postuar: 14/11/2019 - 14:48

Presidenca ka njoftuar pak minuta më parë se pasditen e sotme do të organizohet ceremonia e betim

Postuar: 14/11/2019 - 14:41

Një person është ndaluar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga Antiterrori, pasi ka kërcënuar

Postuar: 14/11/2019 - 14:29

Të shumta kanë qenë reagimet ditën e sotme pas betimit të anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Arta

Postuar: 14/11/2019 - 13:48

Denar Biba, nënkryetari i KQZ, pak minuta më parë shprehu qëndrimin e tij, për betimin e Arta Vor

Postuar: 14/11/2019 - 13:45

Në mbledhjen e kreut të Partisë Demokratike me biznesmenët e Sarandës, duket se ka pasur edhe për

Postuar: 14/11/2019 - 13:21

Thellohet kaosi me emërimet në Gjykatën kushtetuese, e kthyer në një mollë sherri, mes Presidenti