Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dashamir Shehi: Nuk mund të mbahen 3 palë zgjedhje më 13 tetor, në Parlament s’ka opozitë, por super mazhorancë (INTERVISTA E PLOTË)

Postuar: 21/07/2019 - 08:55

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi ka komentuar situatën politike në vend, duke e ndalur theksin tek zgjedhjet e 30 qershorit dhe dekreti i Metës, përplasja mes Presidentit dhe qeverisë dhe aksionit opozitar. Gjatë një interviste për gazetën “Sot”, kreu i LZHK deklaroi se zgjedhjet e 30 qershorit janë të pavlefshme dhe ato sipas tij, nuk ishin zgjedhje por votime një partiake. Duke komentuar 13 tetorin si datë e përzgjedhur nga Presidenti për zgjedhje lokale, madje edhe parlamentare dhe presidenciale, Shehi deklaroi se është e pamundur që kjo të ndodhë, duke e quajtur këtë hipotezë si fantazi. Ndërkohë, teksa u ndal tek nisma e mazhorancës për të shkarkuar presidentin Meta, ai theksoi se kjo nuk është gjë tjetër veçse një lojë teatrale. Po ashtu, Shehi komentoi edhe deputetët e rinj të hyrë nga listat e PD dhe LSI në Parlament, duke i etiketuar ata si një shtojcë të mazhorancës. Sipas Shehit, në Kuvend nuk ka opozitë, por vetëm një super mazhorancë.

-Zoti Shehi në 30 qershor u mbajtën zgjedhjet lokale, ku Partia Socialiste doli fituese duke marrë 60 nga 61 bashki. Keni një koment?

Zgjedhjet e 30 qershorit ne nuk i njohim fare, pasi ato nuk ishin zgjedhje. Kështu që, ne duke mos i konsideruar si zgjedhje nuk kemi pse t’i komentojmë. Por dua të them se ato lekë që janë hedhur për ato zgjedhje kanë ikur dëm. Nuk e kuptoj pse lodhen shumë, duke numëruar votat, prodhuar fletë votimi, etj. Ne si opozitë nuk i njohim. Pra, ne gjykojmë që këto nuk janë zgjedhje të vlefshme për shqiptarët, pasi ishin zgjedhje njëpartiake, ku Partia Socialiste vetë votoi dhe vetë i numëroi. Megjithatë, mendoj se kur të vijë koha që të ngrihet Gjykata Kushtetuese, nëse ngrihet, pasi edhe kjo gjykatë ka 3 vjet që është shpartalluar, do të flas edhe për zgjedhjet e 30 qershorit. Por në aspektin politik 30 qershori ishte një farsë moniste. Ndërkohë se çfarë do të thotë kushtetuesja të shohim.

-Presidenti Ilir Meta pasi anuloi zgjedhjet e 30 qershorit, nxori një dekret të ri, duke caktuar 13 tetorin si datë kur duhet të mbahen zgjedhjet lokale. Ju si opozitë do e njihni këtë dekret dhe a do të shkoni në këto zgjedhje?

Dekreti është dekret. Kjo pasi nëse do të ishim në një shtet të vërtetë ligjor dhe institucional dekreti duhet të njihet dhe të respektohet. Pastaj është 13 tetori data më e mirë për opozitën dhe a është e mundur që të plotësohen kushtet e kërkuara nga opozita, unë gjykoj që nuk janë. Por megjithatë zgjedhjet lokale edhe mund të bëhen në 13 tetor. Ndërsa pjesa tjetër më duket si punë fantazie që në një datë mund të bëhet 3 palë zgjedhje, edhe për president, edhe parlamentare edhe lokale. Kështu që them se nuk qëndron. Por zgjedhjet lokale mund të bëhen, pasi për këto zgjedhje as për ndryshim ligji nuk ka nevojë. Me këtë ligj janë bërë zgjedhjet prej 30 vjetësh. I ka ligji lokal të dyja edhe mazhoritarin edhe proporcionalin për zgjedhjet vendore.

-Mazhoranca qeverisëse ka ndërmarrë një nismë për të shkarkuar presidentin Ilir Meta, të cilin e akuzon se ka shkelur Kushtetutën. Ndërkohë që, ka ngritur edhe një komision hetimor, i cili do të hetojë shkeljet e kryera nga Presidenti. Keni një koment?

Nuk mendoj se mazhoranca do ta shkarkojë Presidentin Ilir Meta nga detyra. Nisma e mazhorancës për të shkarkuar Presidentin e Republikës është tetari i radhës i kryeministrit Edi Rama dhe shpurës së tij. Kjo është një lëvizje që Rama e bën prej disa vitesh, duke e pasur si kamxhik për të trembur kundërshtarët. Pasi nëse mazhoranca do të donte vërtet të shkarkonte Metën, nuk ka nevojë për komision hetimor. Komisioni do 3 muaj që të mbyllet, ndërkohë që këto 2 muaj është pushim, plus e çuan edhe në Komisionin e Venecias, duke treguar që e zvarrisin, pasi deri kur të vijë opinioni nga ky komision do nja 5 muaj, duke treguar që është një teatër që mund t’ia kishin kursyer shqiptarëve. Kështu që, unë mendoj se Partia Socialiste jo vetëm që nuk për ta shkarkuar Metën por dhe nuk kanë ndërmend që ta heqin. Se po ta kishin kaq seriozisht PS do të hynte në luftë frontale me Presidentin e Republikës. Madje, më lejoni t’ju citoj edhe një mendje të ndritur sikundër ishte Winston Churchill, i cili thoshte: “Po deshe të hapësh një gjë, hap një komision parlamentar”. Kështu që, këta hapën një komision hetimor për ta mbyllur këtë punë. Megjithatë, me lejoni të shtoj se në këtë shkallë që ka mbërritur politika në Shqipëri, çfarëdo lloj teatri domethënë quhet i pranueshëm. Kjo edhe për një fakt tjetër të rëndësishëm që Ramës duke qenë se i pëlqen të kapë të gjithë pushtetet, mendon vetëm si e si t’i heq të gjithë dhe nuk mendon për popullin. Mazhoranca së fundmi do që t’i heq të gjitha sikundër me atë të bankës, me Akademisë. Pra, i heqin dhe i vënë që të jenë në thundrën e kryeministrit të gjithë. Kështu që, unë gjykoj se kjo çështja e presidentit Ilir Meta do të shtyhet dhe zvarritet për t’i bërë presion atij, për t’i bërë presion institucioneve të tjera, që të mos dalin kundër mazhorancës. Prandaj, unë gjykoj që opozita duhet të vazhdojë, rrugën e vetë dhe pa u ndikuar dhe influencuar shumë nga këto taktikat e Edi Ramës.

-Opozita prej 7 muajsh po proteston kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar qeveri transitore dhe zgjedhje të parakohshme. Por ditët e fundit kampi opozitar është përfshirë nga qetësia, duke qenë se është dhe sezon pushimi, duke e zhvendosur aksionin opozitar për në shtator. Mund të na jepni disa detaje se çfarë do të ndodhë në vjeshtë?

Sigurisht që aksioni opozitar do të bëhet më i fortë. Sigurisht që ne do të protestojmë fort kundër qeverisë dhe Ramës, do të denoncojmë çdo aferë korruptive të kësaj mazhorance qeverisëse, ndërsa gjithashtu do të parashtrojmë edhe një ofertë të opozitës për shtetin dhe qytetarët. Sigurisht që, unë jam i mendimit se protestat duhet të jenë demokratike, pasi protesta është “arma” e popullit.

-Opozita ka deklaruar se nuk tërhiqet nga kërkesa e saj për zgjedhje të parakohshme, të organizuara nga një qeveri transitore. A mendoni se kjo kërkesë do bëhet realitet dhe se kryeministri Edi Rama do të tërhiqet?

Sigurisht që Edi Rama do të tërhiqet. Natyrisht që, protestat e tjera të opozitës do të jenë më të mëdha.

-A mendoni se në kushtet kur kriza politike në Shqipëri nuk po zgjidhet, mund të futen në lojë ndërkombëtarët?

Po! Unë besoj se ndërkombëtarët do ta shohin më me vëmendje situatën në Shqipëri gjatë vjeshtës. Kjo edhe për faktin se kemi një Parlament të ri në Evropë, kemi një qeveri të re në Evropë. Kështu që, të huajt kanë të gjithë kohën e mjaftueshme për të qenë më të lirë dhe deçiziv, në mënyrë që të marrin përsipër detyrimet e veta që kanë ndaj Ballkanit Perëndimor. Domethënë nuk mund ta abandonojnë në gjykimin e aventurierëve lokal atë se çfarë është duke ndodhur në Shqipëri. Nuk shkon më. Kjo jo për dashurinë që ndërkombëtarët kanë ndaj nesh por për rrezikun që sjell kjo situatë e pa stabilizuar në të cilën ndodhet vendi jonë në raport me Bashkimin Europian. Madje, ka ardhur koha që ndërkombëtarët duhet të marrin përsipër detyrimet e veta, ndërkohë që edhe ne duhet të marrim përsipër detyrimet tona.

-Ju prej kohësh këmbëngulni se ndryshimi i sistemi zgjedhor është domosdoshmëri. A mendoni se do të ndryshohet Kodi Zgjedhor, duke qenë se Partia Socialiste dhe opozita e re kanë dhënë garanci se do t’i bëjnë këto ndryshime?

Unë mund të komentoj Edi Ramën por nuk mund të komentoj Taulant Ballën dhe opozitën e re. Megjithatë, dua t’u tërheq vëmendjen se duke parë votimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë dhe në komisionet parlamentare, shoh që nuk kemi opozitë por vetëm një mazhorancë, e cila kishte 80 mandatet dhe tashmë ka 120 e ca mandatet. Kështu që, kur ju thoni opozitë të re apo të vjetër di t’u them se në Parlament nuk ka më opozitë por ka një mazhorancë të re. Tani pyetja më e këndshme për mendimin tim duhet të shtrohej se reformën zgjedhore do ta bëni me mazhorancën e vjetër që kishte 80 mandatet apo me mazhorancën e re që ka 120 mandatet. Kjo do të ishte një pyetje e këndshme dhe e bukur. Kështu që, kush ka mend duhet ta lexojë më mirë mesazhin tim dhe ta kuptojë këtë punë. Unë nuk di që në Parlament ka opozitë, pasi e ashtu quajtura “opozitë e re” për sa kohë është në Kuvend nuk ka votuar asnjëherë kundër mazhorancës, por gjithmonë janë rreshtuar pro saj. E patë herën e fundit në Parlament bashkuan votat, ku me 101 vota votuan pro ngritjes së komisionit hetimor për Presidentin Ilir Meta, apo edhe të enjte të gjitha projektligjet i votuan me 107 e kusur vota. Të gjithë deputetët e rinj janë të kapur nga mazhoranca. Madje, atyre iu thonë se po nuk votuat për ne do të mbyllim Parlamentin dhe do t’iu nxjerrim përjashta. Kjo është e gjitha për mendimin tim. Këtu kemi të bëjmë fatkeqësisht me një fenomen që nuk ka opozitë të re por vetëm një mazhorancë të re parlamentare, e cila është shtuar. Këtu jo pak faje ka edhe opozita në të cilën unë bëj pjesë, sa i takon listave të deputetëve për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

-Mendoni se ka ardhur koha që listat për deputetë duhet të rishikohen dhe të kalojnë në disa filtra, në mënyrë që të mos përsëritet ky fenomen?

Besoj se ka ardhur koha që të ndryshojë Kodi Zgjedhor, që deputetët të mos zgjidhen më nga listat. Nuk i duhen më Shqipërisë kësisoj hallesh. Njëherë para 2017-ës Parlamenti u mbush me kriminelë, pasi nga listat u përzgjodhën ata. Ndërkohë që, tani këta të tjerët që kanë kaluar ylberin, ku nga opozitarë janë bërë mazhorancë. Pra, edhe këta deputetët e rinj nga listat kanë hyrë, çka tregon se deputetët e dalë nga listat kanë një defekt shumë të madh. Domethënë kjo është në dorë të interpretimit subjektiv të kryetarëve. Nuk kalojnë kandidatët në ndonjë filtër, duke e bërë të pavlefshme në një situatë si kundër është Shqipëria, pasi po të ishte lista në Danimarkë, mund që të funksiononte ku sistem dhe të ishte i mirë. Kështu që, për realitetin shqiptar ky sistem zgjedhor nuk vlen, këtë nuk e them unë por e ka treguar koha.

-Reforma në drejtësi tashmë ka hyrë në shinat e saj, pasi edhe disa ligje që ishin rrëzuar nga Kushtetuesja u votuan në seancën e fundit plenare të së enjtes. Por pavarësisht, se kjo reformë tanimë është votuar, mazhoranca vijon të këmbëngulë duke hedhur akuza në adresë të opozitës jo parlamentare dhe krerëve të saj se ka frikë nga reforma në drejtësi dhe se synon bllokimin e saj. Keni një koment?

Tashti, në qoftë se qenka mazhoranca e zotë për të rregulluar drejtësinë, ky është një justifikim absurd. Pasi të akuzosh opozitën se ka frikë nga reforma në drejtësi nuk e beson askush përvese familjarëve të Rilindjes. Domethënë aq shumë janë involvuar me Partinë Socialiste dhe me Edi Ramën sa që nuk kanë më asnjë ndrojtje dhe nuk dinë se çfarë thonë. Pra, mendoj se vetëm budallenjtë, të marrët dhe maskarenjtë thonë që nga drejtësia kanë frikë ata që nuk janë në pushtet. Nuk ka bërë vaki kjo punë që një opozitë të ketë frikë nga drejtësia, e kundërta po, që një mazhorancë duhet të ndihet e frikësuar nga drejtësia. Megjithatë, besoj se këtij lloj teatri do t’i vijë fundi, ashtu sikundër edhe kësaj mazhorance qeverisëse. Shpresoj që Shqipëria të hyjë në një rrjedhë normale.

Intervistoi: Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/08/2019 - 23:31

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj pas publikimit të faturave të ‘kripura’ nëpër udhëtimet zyrtare.

Postuar: 25/08/2019 - 23:30

Presidenti i vendit, Ilir Meta vijon të publikojë në faqen e tij në rrjetet sociale, foto nga ven

Postuar: 25/08/2019 - 22:37

Kryeministri Edi Rama ka postuar ditën e sotme disa foto të tjera të bizneseve të mbyllura nga in

Postuar: 25/08/2019 - 20:12

Nënkryetari i LSI Petrit Vasili me anë të një statusi në “Facebook” iu bën thirrje qy

Postuar: 25/08/2019 - 19:57

Ish deputetja e PD-së, Albana Vokshi tha se faturat nxjerrin gënjeshtare ministren e Drejtësisë,

Postuar: 25/08/2019 - 19:18

Ish deputetja e PD-së, Grida Duma konsideron mungesën e garës si një ndër problemet më serioze në