Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dashamir Shehi: Shpëtim Idrizi do jetë në test, të na vërtetojë se është i qëndrueshëm, ja pse mund të mos kemi reformë zgjedhore

Postuar: 04/10/2018 - 07:59

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi ka komentuar ditën e djeshme zhvillimet politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, Shehi fillimisht u ndal tek ecuria e reformës zgjedhore, për të cilën u shpreh skeptik kur vuri në dukje faktin se për shkak të sherreve me dy partive të mëdha, në përfundim mund të mos ketë një reformë të tillë. Megjithatë, kreu i LZHK përfitoi nga rasti për t’ju bërë apel si Partisë Demokratike, ashtu edhe Partisë Socialiste që të gjejnë gjuhën e përbashkët për të mos hedhur në “erë” të shumëpriturën nga të gjithë, siç është reforma zgjedhore. Duke komentuar situatën brenda kampit opozitar, kreu i LZHK u ndal tek hyrja më e fundit në këtë familje që është Partia për Drejtësi dhe Unitet, për të cilën tha se është në monitorim të rreptë nga të gjithë aktorët opozitarë. Në këtë kontekst, Shehi theksoi se kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi është në test, pasi duhet t’ju vërtetojë partive të tjera opozitare se është lider i qëndrueshëm dhe nuk shkon nga “fryn era”, ku një dorë e mban në ballkave dhe një në kadaif.

Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Bledi Çuçi deklaroi se është prishur konsensusi mes PD dhe PS do dalë me një draft më vete. Si i shihni këto lëvizje dhe a rrezikohet reforma?

Së pari më lejoni fillimisht të ndalem tek deklarata e bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore që u shpreh se Partia Socialiste në mungesë të opozitës, do të dalë me draft më vete, pra me draftin e saj. Kjo lëvizje e PS për mua është batërdi, pasi ka qenë ky z. Çuçi, i cili pak javë më parë tha se jemi në shinat e duhura për reformën zgjedhore. Ndërkohë që tani, më saktë brenda tre javësh kemi këto ndryshime të papritura. Kështu që nga ana tjetër, mendoj se socialistët duke pasur frikë se mos e akuzojnë ndërkombëtarët se çfarë po bëni me reformën zgjedhore, ndërmorën këtë lëvizje, duke treguar gadishmërinë e tyre se ja ne e kemi draftin tonë, por është opozita ajo që nuk e do këtë reformë. Mos harrojmë edhe një detaj tjetër që deri tani Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore po vazhdonte me një frymë, si me thënë “Mbipartizan”. Por në qoftë se qenka kështu që e bën mazhoranca, nuk kishte fare nevojë për ngritjen e këtij komisioni. Mazhoranca i ka numrat në kuadër të procesit të reformave të rilindjes, duke bërë edhe një rilindje për ligjin zgjedhor. Kështu që si përfundim i gjithë ky teatër që po bëhet me reformën zgjedhore nuk më pëlqen fare.

Sa do zgjasë bojkoti që keni nisur ju ndaj Parlamentit dhe a është kjo arsyeja që po  detyron mazhorancën të dalë me draft më vete?

Natyrisht që opozita do të rikthehet në Kuvend për plot probleme të tjera që tanimë ne i kemi bërë publike. Por tani që të gjesh sebep meqenëse iku opozita nga Komisioni i Reformës Zgjedhore dhe ne si mazhorancë po nxjerrim një ligj siç e ka menduar ajo, më duket jovetëm e pa drejtë por më duket një budallallëk politik.  Sepse, madje gjithnjë edhe reforma më e keqe që është bërë për zgjedhjet, ka qenë bërë me një frymë mbirpatizane. Pavarësisht se si kanë shkuar punët, se edhe ajo që është mbipartizane nganjëherë ka qenë më e keqe se sa ajo para saj, dhe kjo ha debat, pasi është çështje tjetër. Por që në filozofinë e reformave zgjedhore, përfshi dhe OSBE/ODHIR brenda, ka qenë ideja që bëhet, qoftë edhe për “gjoja”, pra që të bëhet nga të dyja palët. Ndërkohë që këtë radhë si Partia Socialiste, ashtu edhe Partia Demokratike që kanë pjesën e luanit po dalin jashtë rregullave. Ky është gjykimi im. Se edhe deklarata e Çuçit që drafti i tyre bazohet tek rekomandimet e OSBE/ODHIR është një togfjalësh i përgjithshëm që secili mbron kauzën e tij. Por realiteti ishte që Komisioni i Reformës Zgjedhore të bënte një reformë të madhe, rrënjësore duke marrë parasysh edhe kërkesat tona, që të rikthente si me thënë besimin tek institucioni i zgjedhjeve. Pra domethënë propozimi i Partisë Socialiste që ka draft të saj është gabim, pasi tregon se e kanë paragjykuar Komisionin dhe ne na vjen si “kërcënim” që ne mund ta bëjmë reformën zgjedhore edhe pa opozitën.

Ju i keni vënë në tryezë kreut të opozitës një sërë kërkesash sa i takon reformës zgjedhore. Mendoni se do të përmbushen?

Me thënë të drejtën dhe të jem i sinqertë me ju, nuk kam ndonjë besim të madh se do të bëhet reforma zgjedhore. Kështu që puna nuk çalon nëse do të plotësohen kërkesat tona, pra të partive më të vogla nga ana e Partisë Demokratike. Por unë iu sugjeroj dy partive dhe bashkëkryetarëve që të bëjnë një Kod të ri Zgjedhor të mirë dhe të pranueshëm për gjithë shqiptarët, kjo është “Thembra e Akilit”. Ndërkohë që unë përfitoj nga rasti t’ju bëj thirrje Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste që të gjejnë konsensusin me njëra-tjetrën në mënyrë që të hartojnë një platformë të mirë, të rinovueshme dhe ta përmbyllin reformën zgjedhore me sukses dhe të mos e zvarrisin më. Se konsensusi duhet i mirë, se mund ta gjesh konsensusin mbi të keqen si ndodhi me reformën në vitin 2009.

Cili do jete aksioni opozitar dhe kur do ktheheni në Kuvend?

Ne si opozitë jemi në pritje të reaksionit të mazhorancës. Por nga ana tjetër besoj që ky lloj bojkoti do t’i bjerë rezultatet e veta. Tashi deri ku do të shkojnë këto punë, do t’ia lëmë kohës, se sa e ka fuqinë e vetë protesta e opozitës. Unë besoj goxha. Nga ana tjetër ne kemi edhe plan dhe axhendë edhe thirrjen e qytetarëve në protestë. Por nuk e kemi vendosur ende, pasi do të ulemi me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Kryeministri Rama ka paralajmëruar se do të dalë me një platformë anti-shpifje, marrë shkas nga akuzat e ditëve të fundit. Keni një koment?

Kryeministri Edi Rama të bëjë çfarë do lloj propozimi dhe le ta vendosë “shpifje” apo “pashpifje”, kreu i ekzekutivit me bandën që ka mbledhur përqark vetes së tij, gjithmonë do të jetë tek syri i Ciklonit. Kështu që nuk ka ligj që e shpëton, nga kjo punë, edhe sikur të kthejë ligjin e famshëm 55 të agjitacionit dhe propagandës. Dhe si përfundim nuk ka turp më të madh se kjo lëvizje e fundit e Ramës. Ju e patë, se si djali i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, që kërcënoi haptazi kreun e PD. Një njeri që futet në burg, kërcënon Bashën duke i thënë: “Do të më shikosh në zgjedhje se kush jam”. Domethënë këta njerëz zgjedhjet kanë armë, sepse vjedhin votat. Ne i qëndrojmë atyre që kemi thënë për mazhorancën. Kështu që nëse këto deklarata siç bëri djali i deputeti do të bëheshin në një vend të botës demokratike, do të plaste një furtunë e madhe anti-qeveritare dhe protestë e fortë politike. Megjithatë, këtu tek ne vjedhja dhe dhuna është kthyer në një gjë normale. Turp. Kjo që po ndodh në Shqipëri nuk ndodh as tek fiset e prapambetura të Afrikës. Kështu që vetëm në Shqipëri krimi ka marrë revansh dhe guxim që shkon deri atje ku i vë çmimi dhe gjobë edhe kryetarit të opozitës. Pra, kjo punë i vë kapak komenteve të tjera.

Pak javë më parë pjesë e opozitës u bë dhe PDIU. Ju në një intervistë po për gazetën thatë se kjo parti duhet të tregojë se është e qëndrueshme. Por kreu i saj Shpëtim Idrizi ka reaguar duke thënë se nuk është parti që lëviz nga njëri krah në tjetrin. Keni një koment?

Nuk kam ndonjë koment se jo çdo gjë që thotë kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi duhet me patjetër ta komentojmë. Por besoj dhe më lejoni të them që Idrizi ka gjithë kohën e mjaftueshme përpara që të verifikojë pozicionin e vetë dhe qëndrimin e vetë, pasi është në fazë testimi. Kështu që komentet e mia janë të varfëra në këtë pikë, pasi ne kemi halle të tjera më të mëdhaja se sa kjo punë e aleatëve.

A mendoi se janë pjekur kushtet për të pasur një veting në politikë?

Sa i takon idesë së hedhur nga Partia Demokratike dhe kreut të saj, Lulzim Basha për veting në politikë, gjykoj që mundet që nuk është instrumenti më perfekt, por është diçka që sidoqoftë do të ndihmojë për ta pastruar politikën nga të inkriminuarit. Kështu që nuk e kuptoj dot se përse ka lindur kjo urrejtje kaq e madhe për këtë veting siç është ai për politikanët, në një kohë kur po i bëjnë veting policëve dhe prokurorëve e gjyqtarëve. Asnjë të keq nuk ka edhe për politikanët.

Sa i kënaqur jeni me ecurinë e reformës në drejtësi?

Kjo është reforma në drejtësi, pra përgjigjia nga djali i deputetit. Ndërsa në lidhje me procesin e vetingut, rezultati deri më tani është dekadent me thënë të drejtën, nuk shikojmë asnjë përmirësim të sistemit gjyqësor. Megjithatë, le t’i japin kohën e nevojshme si të thuash për të certifikuar gabimet e vete sistemi gjyqësor dhe atij të drejtësisë në tersi.

Intervistoi:Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 1

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/10/2018 - 18:32

Deputeti demokrat Myslim Murrizi, i njohur për vulgaritetin me të cilin komunikon me qytetarët, ka përcjellë një konstatim të ri për shqiptarët.

Postuar: 17/10/2018 - 17:57

Ditën e sotme në rrjet qarkulloi një video komike, ku ishte montuar imazhi i kryeministrit Edi Ra

Postuar: 17/10/2018 - 17:39

Analisti Fatos Lubonja i është përgjigjur sot në rubrikën “Opinion” në Nws24 deklarat

Postuar: 17/10/2018 - 17:31

 Nënkryetari i PD-s, Edi Paloka shkruan se Kryeministri dhe Prokurorja e Përgjithshme e Përk

Postuar: 17/10/2018 - 16:58

Deputeti demokrat, Agron Shehaj, në një postim të bërë në Facebook ka njoftuar se ka krijua një a

Postuar: 17/10/2018 - 16:43

Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, është shprehur se buxheti i vi

Postuar: 17/10/2018 - 16:38

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deklaruar se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë më i la