Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Edi Rama: Venecia njohu 30 qershorin, nuk kam kohë të merrem me fatin e Ilir Metës, do vendosë komisioni për shkarkimin e tij

Postuar: 02/10/2019 - 08:55

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar dje se Komisioni i Venecias legjitimoi 30 qershorin. Në një intervistë për “Repolitix”, shefi i qeverisë deklaroi se Venecia mbështeti fjalët e tij se nuk mund të anulohen zgjedhjet sepse një parti braktis garën. Sa i takon shkarkimit të Ilir Metës, Rama nuk u shpreh i qartë. Ai deklaroi se tani është puna e komisionit hetimor të vendosë për fatin e tij dhe ai nuk ka kohë për të humbur me të. Sa i takon negociatave, shefi i qeverisë u shpreh se Shqipëria i ka bërë detyrat dhe vendet skeptike mund të bllokojnë negociata për çështje të tyre të brendshme. Lidhur me reformën zgjedhore, ai u shpreh se është gati të diskutojë për gjithçka, që nga sistemi ashtu dhe të çështjet e tjera. Po ashtu, deklaroi qartë se askush nuk i vendos dot kushte Partisë Socialiste.

-Komisioni i Venecia ka publikuar raportin për shkarkimin e presidenti Ilir Meta. Keni ju një koment?

Nuk kam asnjë qëndrim për këtë sepse është një çështje që i takon komisionit të posaçëm dhe ka të gjithë kompetencën për të gjykuar mbi shkeljen e bërë dhe për të konstatuar peshën e kësaj shkelje. Në fund nuk do të jetë një qëndrim politik, por i formësuar mbi gjykimin e atyre që e dinë këtë punë më mirë se ne të dy. Nuk është më puna ime, qëndrimet i kam mbajtur kur ndodhi shkelja dhe për mua tani është shumë e rëndësishme që Komisioni i Venecias është shprehur, sikur unë shprehja në mënyrë të përsëritur. Më pyesnit si do të bëhen zgjedhje me një parti dhe u thosha asnjë parti apo një grup nuk mund të marrin peng zgjedhjet. Këtë Venecia e ka thënë e zeza mbi të bardhë dhe nuk ka asnjë diskutim se shkuarja në zgjedhje ka qenë vendim i duhur dhe se zgjedhjet janë plotësisht legjitime.

-Do ta shkarkojë shumica Presidentin pas përgjigjes së Komisionit të Venecias?

Përgjigja ime është e thjeshtë dhe e qartë, është krijuar një komision që ka në përbërje njerëz të ligjit, që dinë të zbërthejnë të gjithë materien nga pikëpamja ligjore dhe ata do të na bëjnë ne sugjerimin e tyre si Parlament dhe ne do të marrim vendimin tonë. Nuk kam asnjë minutë për t'u marrë me fatin e Ilir Metës. Mbrëmë jam marrë me fatin e një djali që gjendej në një situatë dramatike që prej tetë vitesh e trajtojnë në shtëpi dhe u mungonte një spital special për sëmundjen e tij, nuk kishin trokitur në dyer e autoriteteve, u desh një faqe në Facebook që të merrej vesh. Djalin e kemi sjellë në Tiranë dhe tani po kthehet në shtëpi ku do të ketë edhe krevatin e krijuar posaçërisht për këtë sëmundje. Kjo është shumë e rëndësishme se fati i Ilir Metës. Ilir Meta nuk ka asnjë problem shëndetësor dhe uroj të mos ketë kurrë, për problemet e tjera të Ilir Metës nuk kam asnjë interes, fare.

-Presidenti u shpreh se nëse Komisioni i Venecias do të deklaronte se ka shkelur Kushtetutën do të jepte dorëheqjen, por tani që drafti doli dhe e rrëzoi, a ka kryeministri një këshillë për ish-aleatin?

Asnjë. U vonova teksa më prisnit sepse po merresha me një tjetër çështje, të një familje në emigracion që duhet të kthejë trupin e një familjari dhe kërkonte ndihmë për procedurat dhe këtë e zgjidhëm. Kemi gjëra shumë më të rëndësishme sepse në fund të fundit, politika është e bukur sepse u shërben njerëzve dhe bëhet e shëmtuar kur kthehet në një territor të okupuar ku grinden dhe përplasen, ua nxjerr nga hundët njerëzve. Kam vendosur të braktis këtë territor. Kjo është një çështje që i takon komisionit të posaçëm dhe Parlamentit.

-Pas 'PO'-së së Gjermanisë për negociatat, Shqipëria i ka sytë nga Franca dhe Holanda. A e keni diskutuar me presidentin Makron se si do jetë qëndrimi i Francës?

Presidenti francez e ka qëndrimin publik dhe nuk ka asgjë për të hamendësuar në këtë aspekt. Ai mendon se është koha për të reformuar BE-në dhe debati im është që ndërkohë që BE reformohet i duhet dhënë mundësia edhe Shqipërisë dhe Maqedonisë që të thellojnë reformat përmes procesit të integrimit. Por e rëndësishme është që nuk varet më nga ne dhe çfarë kemi bërë ne, por nga një qasje e përbashkët e Këshillit Europian ku duhet të krijohet konsensus, përndryshe një qasje e ndryshme e një vendi për interesa të ndryshme mund të pengojë vazhdimin e procesit. Me Gjermaninë e kishim pengesën e natyrës tjetër, por me durim, punë dhe fakte e tejkaluam.

-Po me vendet skeptike si Holanda, Danimarka?

Nuk ka asnjë mundësi që të ketë një lobim efektiv për sa kohë janë qëndrime që nuk lidhen fare me Shqipërinë, pavarësisht se kamuflohen me lloj lloj alibish dhe ku padrejtësisht cenohet Shqipëria në këtë rast. Janë qëndrime që lidhen me dinamika të brendshme. Unë them se asgjë nuk është e përfunduar, ne do të shikojmë deri në fund, pasi nuk shoh një qëndrim të prerë kundër mundësisë për një konsensus pozitiv që të na japë mundësi që procesin ta vijojmë formalisht edhe pse vijon, për atë që vjen jemi duke bërë me BE-në çka bëjnë vendet kur hapen negociatat.

-Në muajt e fundit Greqia ka kërcënuar me veto kundër Shqipërisë në rrugën e integrimit nëse nuk do të respektohet minoriteti. Por a ka rrezik real nga Greqia?

Greqia nuk është një vend skeptik, por ka disa pika që lidhen drejtpërdrejt me këndvështrim për marrëdhëniet bilaterale. Ndryshimi i qeverisë ka bërë që disa gjëra të rifillojnë në procesin e një informimi reciprok dhe jam besimplotë që ne me Greqinë do të ecim, pasi kemi hapur një rrugë dhe do ta çojmë përpara.

-Por ku ka mbetur marrëveshja për kufirin detar?

Nuk kemi diskutuar për atë, por nuk ka asnjë arsye për t'u kthyer në pikën zero, por për të komunikuar më shumë dhe rakorduar pozicionet dhe për të kuptuar ku gjendemi në raport me qeverinë e re greke.

-Është bërë shumë debat për foton tuaj me Presidentin Trump, ishte një foto ceremoniale apo pati edhe një takim?

Unë e kam shpjeguar, kemi pasur një bashkëbisedim të shkurtër në atë format dhe kaq.

-Në raport me Shqipërinë, cili ishte qëndrimi i Presidentit Trump?

“Albania is doing really good” (Shqipëria po bën vërtetë mirë)

-Si e kuptuar ju këtë?

Përkthejeni këtë, nuk besoj se ka dy kuptime.

-Është edhe një mbështetje edhe për Edi Ramën si kryeministër i Shqipërisë?

Mos ta bëjmë këtë sallon si kafene fshati, pasi nuk besoj se shtojmë vlerë në këtë bisedë

-Reforma zgjedhore është kthyer në kryesore. Ju keni folur për një reformë zgjedhor me dy faza. Për çfarë flisni konkretisht?

Të gjitha partitë kanë dëshirat, vizionet, ëndrrat, nevojat, interesat e tyre dhe kjo bën që sa herë hapet kjo temë të ketë këndvështrime të larmishme, kemi edhe ne tonat. Ne kemi një pikë të rëndësishme, vota e emigrantëve. Por të gjitha këto, përfshirë edhe këtë mund të marrin kohë akoma, nuk kemi një ngut, kemi ngut për rekomandimet e OSBE-së dhe për t'iu përgjigjur një kushti, uljes në tryezë me KiE-në dhe formalizmin e procesit të çeljes së negociatave dhe për këtë do të nxitojmë. Shpresoj që edhe të tjerët të jenë dakord, por edhe po të mos jenë ne do të nxitojmë. Kjo do të thotë se do ta miratojmë në Parlament, patjetër. Nuk kemi kohë për të humbur, por për të fituar kohë. Rekomandimet e OSBE-së nuk janë gjëegjëza janë të shkruara, të gjitha do të integrohen në ligjin ekzistues dhe ne do të jemi gati në raport me KiE-në dhe Komisionin për të thënë se ky kusht është plotësuar, paralelisht me plotësimin e kushtit tjetër të institucioneve të reja të drejtësisë. Nuk janë nëntë pika, por dy, është plotësimi i institucioneve, SPAK-u dhe reforma zgjedhore në bazë të rekomandimeve të OSBE-së. Me këto të dyja nëse në Këshill nuk do të ketë të tjera që mund të shtojnë vendet e tjera, apo një goditje sprapthi, ne i kemi plotësuar dy kushtet për konferencën ndërqeveritare që është zyrtarizimi i çeljes së negociatave.

-Opozita ka propozuar një strukturë me përfaqësues nga SHBA, BE, OSBE. Pse i trembeni ndërmjetësimit ndërkombëtar?

Nuk i trembem asnjë ndërmjetësimi, unë mendoj se nuk kemi nevojë për përkthyes, shqip merremi vesh më mirë me njëri tjetrin. Ky vend nuk mund të funksionojë më as me teka dhe as me përkthyes, por sikur funksionojnë të gjitha vendet normale. Jam gati në çdo moment që të ulem në tryezë, do të doja që të flisnim për reformën zgjedhore, pasi koha vrapon, nëse ata nuk e ndiejnë presionin e kohës dhe janë në një kalendar tjetër është e drejta e tyre, nuk kam arsye t'u bëj presion, “hajdeni, hajdeni, hajdeni”. Jam këtu në çdo moment që ata dëshirojnë. Për të gjithë, çfarë ka në atë karvan, kush dëshiron që të më ketë edhe mua në tavolinë jam gati, kudo, edhe në selinë e PD-së nëse zhvillohet takimi unë shkoj, nuk e kam problem. Nuk është çështje vendi, formati, apo imponimi të agjendës, nëse ata janë rehat me orën që vazhdon të bjerë 12, është puna e tyre, ora ime vrapon.

-Për sa kohë do ta prisni?

Nuk e pres fare, ne vazhdojmë, ndërkohë që jemi gati në çdo moment të ndalojmë dhe të ulemi nëse ata duan që ne ta ndalojmë dhe të ulemi. Opozita në parlament ka një qasje të sajën të respektueshme dhe ne do e debatojmë, por duhet të mos humbasim asnjë sekondë për të plotësuar dy kushtet dhe fatmirësisht për reformën zgjedhore është shumë e qartë, sipas rekomandimeve të OSBE-së. Çfarë do të donim të shtonim nuk na pengon asnjë, mjafton të biem dakord. Për këtë nuk ka nevojë të ulemi të gjithë, rekomandimet e OSBE-së. Jemi gati të diskutojmë, nëse do të na bindin patjetër do ta rishikojmë sistemin.

-Opozita e re ka deklaruar se do të kushtëzojë votat për miratimin e reformës së re zgjedhore me ndryshimin e sistemit elektoral...

Kushte nga opozita e re? Kushte PS-së dhe mua nuk na vendos njeri, nëse nuk e kanë mësuar akoma dhe do të duan prova do ta mësojnë rrugës, ne jemi shumica e votuar për të udhëhequr, jo për t'u shkuar mbrapa atyre që nuk i kanë votat dhe duan të udhëheqin nga mbrapa. Jemi gati të ulemi dhe të hapur për ndryshimin e sistemit apo çdo gjë që kemi në dorë. Ama kushte, kush na vendos kushte humbet.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/10/2019 - 23:59

Kryeministri Edi Rama ka nisur aksionin pas mos hapjes së negociatave me BE.

Postuar: 21/10/2019 - 23:52

Kreu i LZHK-së, Dashmair Shehi  tha se është i gatshëm për të hyrë në zgjedhje të parakohshm

Postuar: 21/10/2019 - 23:45

Deputeti socialist Taulant Balla tha se Partia Socialiste nuk mbron askënd, por vë drejtësinë të

Postuar: 21/10/2019 - 22:55

Deputeti socialist Taulant Balla u shpreh se Kodi i Ri Zgjedhor do të votohet deri në fund të kët

Postuar: 21/10/2019 - 22:33

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma tha se opozita ia la të gjitha pushtetet Edi Ramë

Postuar: 21/10/2019 - 22:20

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi  tha se kryeministri Rama po synon që çdo pushtet ta ketë nën

Postuar: 21/10/2019 - 22:15

Gazeta prestigjioze amerikane Financial Times ka sulmuar në mënyre të ashpër vendimin e Këshillit