BREAKING NEWS

Gati lirimi i Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit nga burgu, ja çfarë përmban marrëveshja e Edi Ramës me “Rithemelimin”, nga shkatërrimi i SPAK dhe rrëzimi i ligjit të dekriminalizimit, te ngritja e komisionit anti-reformë

Gati lirimi i Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit nga burgu, ja
x
BREAKING NEWS

Ja çeta e grabitjes së pronave të ushtrisë, nga presidenti Bajram Begaj, te Xhaçka dhe Belinda Balluku, zbardhen shkeljet e rënda penale për interesat e oligarkëve, si u vendos në rrezik siguria kombëtare, operacionaliteti i Forcës Detare dhe detyrimet...

Ja çeta e grabitjes së pronave të ushtrisë, nga presidenti
x
BREAKING NEWS

Katër atentate e plagosje në katër ditë ministrit të suksesshëm Taulant Balla, policia mbledh gëzhojat e ekzekutimeve

Katër atentate e plagosje në katër ditë ministrit të
x
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela: Serbët u infiltruan në Shqipëri në vitet ’92-’97 me ndihmën e qeverisë “Berisha” dhe u investuan për të shkatërruar ekonominë e vendit, ja dosja e ‘nxehtë’ që është mbuluar nga pluhuri i harresës dhe si SPAK mund të çojë pas hekurave 2 ...

Spartak Ngjela: Serbët u infiltruan në Shqipëri në vitet
x
BREAKING NEWS

16 vite nga masakra e “Gërdecit”, ja të fshehtat tronditëse të aferës së fabrikës së vdekjes, në “lojë” ishin 10 miliardë dollarë, nga zhdukja e dëshmitarëve, te kërcënimet e Shkëlzenit për Luan Hoxhën për t’i mbyllur gojën dhe alibitë e Berishës për t...

16 vite nga masakra e “Gërdecit”, ja të fshehtat
x
BREAKING NEWS

Nga zbërthimi i bisedave sekrete, te skema që ndoqi kreu i ARRSH për të përfituar miliona euro nga kompania e tij që e deklaroi të shitur, zbardhen të tjera detaje nga arrestimi i Evis Berberit dhe dy biznesmenëve, ja çfarë u zbulua nga celularët e sek...

Nga zbërthimi i bisedave sekrete, te skema që ndoqi kreu i ARRSH
x
BREAKING NEWS

Pas Ogerta Manastirliut, edhe Belinda Balluku drejt dorëheqjes dhe prangave, ja të gjitha skandalet ku është përfshirë zv/kryeministrja

Pas Ogerta Manastirliut, edhe Belinda Balluku drejt dorëheqjes dhe
x
BREAKING NEWS

Idajet Beqiri plas “bombën”, Flamur Noka dhe Luçiano Boçi shkuan në Janinë me një thes me para, ja personazhi misterioz që takuan për të goditur kundërshtarët e Sali Berishës në Tiranë, zbardhen pazaret

Idajet Beqiri plas “bombën”, Flamur Noka dhe Luçiano
x

politike-intervista

Fatos Klosi: Ata që emëruan Llallën kanë filluar të shqetësohen, ish-kreu i akuzës do i marrë me vete, ja pse gjyqtarët nuk duan të kenë në dorë dosjen “Hajdari”

Fatos Klosi: Ata që emëruan Llallën kanë filluar të

 Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi komentoi dje zhvillimet më të fundit të aktualitetit shqiptar. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ai deklaroi se procesi i vetingut deri tani ka ecur në një rrugë të kënaqshme. I pyetur për rastin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, Klosi u shpreh se ai duhet ta pësojë nga drejtësia sepse gjatë 5 viteve ka shërbyer si “manekin” dhe është përdorur nga ata që e vendosën në atë post. Ish-kreu i SHISH u shpreh se nëse ai bie, duhet të marrë edhe të tjerë me vete që janë të implikuar në çështje shumë të mëdha. Ndërsa sa i takon situatës në opozitë, Klosi deklaroi se aleanca PD-LSI është shou, ndërsa nënvizoi se nëse futen bashkë në zgjedhjet vendore, do të ishte një dështim.

-Vetingu po mbyll procesin për 57 emrat e listës prioritare. Si e shihni ecurinë e deritanishme të këtij procesi?

Mua më duket që po ecën. Nuk e di se çfarë prisnin ata që e kanë programuar, por unë po shoh që po ecën për sa kohë që plot emra që konsideroheshin të paprekshëm, në procesin e vetingut dolën që nuk janë të papërshtatshëm për atë punë do të thotë se ai që e bëri, bëri një hap të madh drejt përmirësimit të sistemit gjyqësor. Natyrisht që nuk mbaron me kaq. Kjo për arsye sepse duhen njerëz të rinj, duhen njerëz me integritet moral e profesional, është një histori e tërë që duhet mbushur. Megjithatë, dihej dhe pranohej nga të tërë që ky sistem ishte më i korruptuari nga kolonat e shtetit dhe unë them që është bërë një hap i madh pozitiv që nuk quhen më të paprekshëm njerëzit. Unë shpresoj që në shtator të nisë edhe puna për ngritjen e organeve të reja të drejtësisë. Shpresoj që ata që e kanë marrë përsipër këtë punë dhe ata që e nxisin këtë punë, janë më shumë ata të rëndësishëm, do të vazhdojnë fazën tjetër në mënyrë që procesit t’i shkohet deri në fund. Nuk mundet që të shkatërrohet një sistem i korruptuar pa u ngritur një tjetër. Nëse nuk ngrihet tjetri, atëherë nuk kemi bërë asgjë. Kështu që mbetet të shpresojmë.

-Nga ana tjetër, opozita ka nisur një valë sulmesh kundër organeve të reja të drejtësisë si të kapura nga qeveria. Si i komentoni këto akuza?

Shiko, kësaj opozite nuk i kam besuar kurrë. Unë asnjëherë nuk i besoj. Ajo fatkeqësisht kështu e ka kuptuar rolin e saj që vetëm të shajë dhe të hedhë baltë, ndërkohë që unë nuk kam dëgjuar ndonjë alternativë prej tyre që shiko se këtë duhet ta bëjmë ndryshe. Ata dinë vetëm të hedhin baltë. Nuk më duket që e kam gabim kur mendoj që atyre po iu ikën një sistem i tërë i drejtësisë i emëruar nga ish-shefi, megjithëse ai është edhe sot praktikisht shefi i opozitës, që formalisht nuk është. Ai i ka menduar mirë të gjithë njerëzit që i ka vënë dhe lëvizjet që ka bërë.

-Duke qëndruar te fjala juaj, vërtet nëse vihet re, të larguarit nga vetingu janë emra që kanë shqyrtuar dosje të bujshme dhe janë emëruar nga qeveria “Berisha” dhe ish-presidenti Nishani. A po shqetësohet opozita se po humbet pushtetin në drejtësi?

Po sigurisht. Sigurisht që po shqetësohet.

-Partia Demokratike ka propozuar një paketë me 7 pika, thelbi i së cilës është rishikimi i të gjitha ligjeve të reformës në drejtësi dhe miratimi i tyre kërkon konsensus. Pse po kërkohet një gjë e tillë dhe a mund të arrihet?

Të gjitha janë të mundshme sepse punë njerëzish janë dhe jo punë perëndie. Megjithatë unë mendoj se akoma nuk ka mbaruar një fazë e parë e këtij procesi dhe të shtrosh problemin tani për mua ka qenë shumë e qartë që ata presin për ta sabotuar. Ata asnjëherë nuk e kanë dashur këtë proces. Ata i kanë detyruar, madje i detyruan edhe të marrin pjesë në votim në atë mbledhje të famshme të Parlamentit kur u bënë ndryshimet kushtetuese. Kështu që për mua ka qenë shumë e qartë që ata nuk kanë dashur që të bëhet ajo reformë. Dhe tani kur po e shohin që reforma u bë pavarësisht rezistencës së madhe të tyre, natyrisht po provojnë që të bëjnë lojëra në emër të disa ndryshimeve. Pra duan ta shtyjnë sa të munden. Nëse do të hapeshin diskutimet dhe do të fillonim me korrigjime, do të shtyhesh pafund çështja. Kështu që sipas meje duhet që më parë të mbarojë kjo fazë, të bëhen ato ndryshime që duheshin bërë dhe që janë parashikuar në ligjet e ndryshuara sepse shumë shpejt do të tregohet se çfarë është bërë mirë dhe çfarë ka nevojë për rishikim. Por jo akoma pa filluar mirë procesi të nisim nga ndryshimet. Opozita mund t’i kishte bërë me kohë propozimet nëse i kishte seriozisht. Unë mbaj mend që janë bërë shumë thirrje për të për diskutime.

-A i trembet politika reformës në drejtësi dhe sipas jush, a do të sjellë vjeshta sërish tentativa bllokimi?

Të gjithë i tremben në një farë mënyre reformës në drejtësi sepse drejtësia është ajo pjesë e shtetit që ka për detyrë të zgjidhë të gjitha problemet dhe kontradiktat që lindin. Sistemi i drejtësisë është ai që jep të drejtën. Për sa kohë që ky vend, pas 20 e ca vitesh, përpëlitet akoma në këto probleme të cilat duhet të ishin zgjidhur me kohë, kjo tregon se politika nuk ka dashur, jo se nuk ka qenë e zonja. Ka eksperienca botërore sa të duash, edhe nga vendet e afërta me ne, të cilat kanë qenë në situata të ngjashme me ne dhe nuk ka nevojë të shpikësh. Gjithë problemi është të ketë vullnet politik për të bërë ndryshimet e duhura. Mesa duket, nuk ka ekzistuar ky vullnet. Pastaj, duhet të bëhet pyetja: Po mirë pse s’ka qenë vullneti? Sigurisht për shkak të interesave. Kështu që të gjithë kanë të drejtë të tremben nga pak nga reforma në drejtësi.

-Kur reforma në drejtësi të jetë në kulmin e saj, a do të gjenden hapësira që dosjet e bujshme që janë mbyllur ndër vite të rihapen?

Reforma në drejtësi ka punën e saj. Dosjet e bujshme në çdo çast mund të rihapen. Natyrisht me një sistem më të drejtë dhe më efikas, unë shpresoj që shumë nga këto probleme të marrin zgjidhje. Sepse nuk janë probleme të vogla. Janë probleme vërtetë të rëndësishme që mund të shtojnë besimin tek drejtësia në qoftë se do t’i japim drejtësi. Ose mund të zhgënjehet publiku nëse sistemi i ri i drejtësisë nuk do t’i japë dot zgjidhje problemeve të rëndësishme dhe do të vazhdojë përtacinë dhe avashllëkun e sistemit të vjetër. Unë shpresoj që një sistem më efikas, një sistem më i prirur për të dhënë drejtësi, një sistem që bën detyrën e vet në fund të fundit, do t’i hapte edhe ca probleme që kanë mbetur pezull.

-Pak ditë më parë prokuroria vendosi nën sekuestro pasurinë e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. A do të nisë reforma pikërisht me njeriun që duhet të arrestonte të korruptuarit?

Mbase ai meriton të jetë shembullmeqenëse ka qenë ai që në emër të këtij shteti duhet t’u kërkonte llogari të gjithë të tjerëve. Për sa kohë që ai nuk e bëri, duhet që të tjerët të japin shembull me rastin e tij. Megjithatë, nuk është personazhi më i rëndësishëm në këtë vend. Ai nuk diti ta bëjë detyrën e vet, nuk deshi, i kishte duart e lidhura nga ata që e vunë, mund të ketë 500 arsye. Por janë të tjerë plot që kanë qenë shumë më vendimmarrës se ai në të gjitha problemet e mëdha të këtij vendi që duhet të japin llogari qoftë edhe vetëm për shpërdorim detyre që është akuza më e thjeshtë, jo më pastaj për krime. Për faktin që nuk kanë bërë detyrën, të paktën një analizë nga prokuroria dhe jo analiza mediatike. Duhet të bëhet një analizë detajiste, serioze, me përgjegjësi, një analizë para betimit siç e bëjnë amerikanët para se të betohen. Fatkeqësisht në gjithë këtë periudhë kaq të gjatë 20 e ca vite është krijuar një psikologji apo opinion i keq për shtetin që shteti është duart e shtetarëve, të cilët e përdorin për interesat e tyre, të rrethit të tyre. Shteti është i kapur nga interesat e shtetarëve. Kjo gjë duhet të ndryshojë sa më shpejt dhe nëse ka dikë që mund ta bëjë, ai është vetë shteti përmes disa organeve specialë siç është prokuroria që edhe populli ta kuptojë që është detyrë e vështirë të jesh shtetar. Të jesh shtetar është sakrificë e madhe dhe nuk e di a do të vijë dot në Shqipëri një psikologji e tillë.

-A ishte korrekt Llalla gjatë 5 viteve në detyrë apo iu bind politikave të ditës?

Jo jo, sigurisht që jo. Boll të thuash apo të kujtosh premtimet e tij të përvitshme. Premtimet e tij ishin gjëra që populli i priste të ndodhnin, ndryshojnë nga premtimet e politikanëve po themi. Ai kur thotë diçka, do të thotë se ka diçka në dorë dhe populli pret. Ai çdo vit dilte dhe thoshte se shumë shpejt do të shihni gjëra të rëndësishme, ngjarje të rëndësishme, arrestime të rëndësishme, njerëz të rëndësishëm, por nuk ndodhi absolutisht gjë. Nuk e kishte staturën e nevojshme ai. Unë më shumë them se atë e vunë për të qenë ashtu. Që kur u vu në postin e kryeprokurorit, ai u vu për të mos bërë asgjë. Përveç daljeve para kamerave, ai nuk bëri asgjë për fat të keq. Më vjen keq për të sepse u shfrytëzua shumë keq, por më shumë më vjen për vendin tim. Prokurorët e Milanos ndryshuan historinë e Italisë në ato vite. U bënë bashkë dhe u ndryshua sistemi politik italian i asaj kohe. Ata bënë të tyren, pavarësisht se ishte diçka e madhe. Ata shkatërruan të korruptuarit, ndërsa këtu absolutisht nuk bëhet ajo sepse politika dominon në mënyrë absolute. Edhe institucionet e shtetit, edhe prokurorët nuk duhet të funksionojnë më kështu.

-Në rast se Adriatik Llalla bie, a rrezikohen emra të tjerë pas tij?

Është një sistem i tërë, unë do të thosha që duhet të tërheqë. Sistemi gjyqësor nuk përbëhet nga një njeri. Ai jep frymën, është elementi më i rëndësishëm, por nuk është i vetmi. Kështu që është një sistem i tërë. Ai e ka gjetur dhe e ka lënë sistemin të sëmurë. Normalisht mirë do të kishte qenë që ta kishte shëruar, por është një sistem i tërë. Prandaj them se nëse ka ardhur koha vërtetë që Adriatik Llalla të ikë, ai duhet të marrë edhe të tjerë me vete. Nuk mjafton të ikë vetëm një.

-Për ta lënë pak mënjanë pjesë e sistemit të drejtësisë, Presidenti Ilir Meta pak ditë më parë i ktheu qeverisë dy ligje për rishqyrtim në Kuvend. Si e shihni këtë lëvizje dhe a tregon ajo se ka një krisje në marrëdhëniet Rama-Meta?

Unë nuk çuditem nëse do të kishte. Ata ishin bashkë dhe u ndanë. Nuk u ndanë se shkonin mirë. U ndanë se kishin opinione dhe mendime të ndryshme për gjërat. Po e thjeshtoj si problem sepse nuk dua të hap debate. Nuk çuditem që Presidenti ka mbajtur këtë qëndrim dhe i ka kthyer qeverisë dy ligje në një hark kohor të shkurtër.

-Duke qenë se edhe pakti i detit me Greqinë është në dorë të Metës, a mendoni se kjo krisje marrëdhëniesh mund të ndikojë edhe në këtë pikë?

Kjo do të ishte gabim pastaj. Ato dy ligje që janë kthyer janë ligje të brendshme që mund të rregullohen, lihen ashtu siç janë, mund t’ua gjejmë një zgjidhje. Nuk ndikojnë apo nuk shkaktojnë ndonjë problem shumë të madh. Vetëm në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet që trajtimi i çështjeve në negocim të jetë shumë i qetë dhe i kujdesshëm sepse janë marrëdhënie të vështira. Janë probleme të mbetura nga historia. Ne po mburremi që qoftë këtu apo qoftë atje kanë ardhur në pushtet njerëz të rinj që kanë një vizion të ri, më të hapur. Është e paarsyeshme që për shkak të problemeve të brendshme politike apo edhe raporteve njerëzore të drejtuesve të shtetit të krijohet një ngërç në marrëdhëniet ndërkombëtare. Do të ishte një precedent i keq, shumë i keq. Prandaj nuk e besoj sepse e quaj presidentin tonë të arsyeshëm. Marrëdhëniet tona me Greqinë janë delikate më thënë të drejtën, edhe pse të dy palët rezervohen. Edhe presidenti, por edhe grupi negociator, duke pasur parasysh që presidenti e ndjek me vëmendje punën e tyre dhe që ka pasur vërejtje për episode të caktuara, atëherë edhe ata do të jenë më të kujdesshëm në mënyrë që të gjitha palët ta bëjnë më mirë punën e tyre dhe produkti final të jetë i mirë e të mos ketë diskutime.

-Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar dhe po përgatitet për ndryshime në qeveri. Sipas jush, a ka ardhur koha për një rifreskim të kabinetit qeveritar?

Ai e njeh më mirë sesa unë dhe sesa të tjerët punën dhe situatën brenda qeverisë së tij. Ai e di shumë mirë se cilat janë performancat e ministrave të caktuar, sa kanë bërë, çfarë kanë lënë pa bërë. Ne mund të themi vetëm një opinion të përgjithshëm. Unë për shembull do të thosha që dua një qeveri më efikase. Nëse kjo arrihet duke ndërruar ministrat, atëherë le t’i ndërrojë. Nëse gjërat bëhen më mirë duke ndërruar ministrat, atëherë le ta bëjë. Por unë ia lë Edi Ramës në dorë, ai ka përgjegjësi, ai ka informacionin e nevojshëm, ai punon përditë me ta dhe e di se kush e ka justifikuar besimin e tij dhe kush jo. Nëse një problem zgjidhet me një korrigjim, le të bëhet ashtu nëse një ministër nuk e përballon dot ngarkesën, le ta ndërrojë. Nga pozicioni im nuk është aq e kollajshme të them nëse ka ardhur apo jo koha për ndryshime në qeveri.

-Po situatën dhe marrëdhëniet brenda opozitës si i shikoni? Duket sikur ka një moskoordinim midis PD dhe LSI, kujtojmë këtu seancën e fundit parlamentare ku partia e Monika Kryemadhit mori pjesë dhe madje tentoi edhe një tryezë bashkëpunimi, ndërsa PD mbajti një qëndrim tjetër.

Krisjet e opozitës dihen sepse ata janë në krizë. Pas një rezultati katastrofik për opozitën, nëse nuk do të kishin krisje, atëherë kriza do të ishte akoma më e madhe nëse nuk e kuptonin këtë. Nëse do të vazhdonin t’i kishin marrëdhëniet akoma të mira me njëri-tjetrin, do të ishte për të vënë kujën. Kështu që mua më duket fare normale që Basha zgjodhi një ekip të ri. Ai krijoi grupin e tij parlamentar, por mua mu duk sikur ai pati më shumë merak që të kishte në grup njerëz që t’ia dinë atij për nder për postin dhe karrierën në politikë, sesa kishte hallin sesi mund të përmirësohej performanca e Partisë Demokratike, si mund të bëhej ajo më luftarake. Pra, me zgjedhjet që bëri, më duket sikur Basha nuk e ka mendjen për të ardhur në pushtet. Ai e kishte mendjen vetëm për të forcuar pozitat e tij personale midis këtyre figurave të reja që natyrisht nuk e kundërshtojnë. Situata është krizë për të thënë të drejtën. Ndërsa sa i takon marrëdhënies PD-LSI, është një aleancë e sforcuar. Me atë teorinë që kemi një armik të përbashkët dhe hajde të bashkohemi, nuk e bën një aleancë të vërtetë. Bazat janë kundërshtare shumë të forta, si në Partinë Demokratike, ashtu edhe në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ata e kanë një eksperiencë, kanë ardhur pas një bashkëpunimi katër-vjeçar dhe të dyja palët u kënaqën shumë kur u ndanë dhe një bashkëpunim tjetër jo më në pozitë, por në opozitë, edhe pse bashkëpunimi në opozitë është më i kollajshëm, unë e quaj që është një koalicion më shumë formal sesa i vërtetë. Mua më duket më shumë si spektakël, për të treguar që përballë Partisë Socialiste ndodhet një koalicion i madh që mund t’i bëjë ballë qeverisë. Unë nuk e quaj një koalicion solid. Unë edhe kur kam qenë në LSI, sepse jam një nga ata që e formuam LSI, pretenduam që kjo parti të ishte e majtë, shumë më majtas se PS. Prandaj edhe u krijua LSI, por më pas, me kalimin e kohës doli që LSI është një parti pragmatiste, shikon interesat e vogla të disa njerëzve. Gjithmonë në këto ujëra ka qenë, kështu që nuk e quaj që koalicioni me Partinë Demokratike është diçka që duhet marrë seriozisht.

-Nëse PD-LSI vendosin që të futen bashkë në zgjedhjet vendore, do jenë më të forta apo të dyja më të rrezikuara?

Në zgjedhjet politike, koalicionet edhe funksionojnë sepse është si të thuash ai përfitimi nga njëra anë, që nuk lidhet me interesa konkrete të njerëzve konkretë, por koalicioni në zgjedhjet lokale është shumë i vështirë. Sidomos kur bëhet fjalë për dy parti si PD dhe LSI. Kështu që për mua nuk funksionon. Unë e pash në zgjedhjet e kaluara lokale. Edhe koalicioni mes PS dhe LSI nuk funksionoi. Zgjedhjet lokale janë zgjedhje që bëhen për njerëz konkretë, për njerëz dhe interesa të vendit. Zgjedhjet politike janë pak më të largëta, më parimore kështu që, që në vendosjen e kandidaturave do të ketë probleme të forta midis këtyre dy partive. Do të fillojnë edhe sabotimet nëse një grupi të caktuar nuk i plotësohen dëshirat apo interesat, pra nëse dikujt i mbetet qejfi, ne e kemi këtë që të marrim hak.

-Kryeministri Edi Rama i ka bërë ftesë opozitës për të bashkëpunuar dhe madje ka paralajmëruar se në shtator do të dalë me një propozim të ri për bashkëpunim për integrimin e vendit. E mbështesni ju një 17 maj të dytë?

Unë nuk e quaj të nevojshme, janë shumë artificiale. 17 maji pati një efekt shumë pozitiv, qenë zgjedhjet më të qeta, më të thjeshta, më të kollajshme. Zgjedhje ku njerëzit u lanë të lirë të votonin si ta kishin në mendjen e tyre pa ato banderolat e shumta dhe fotografitë e pafund nëpër ndërtesa për të mbushur mendjen. Dhe mua më pëlqeu një gjë e tillë. Ishin zgjedhjet më të qeta, kështu që nga kjo pikëpamje e quaj një eksperiencë pozitive. Por vetëm nga kjo anë. Por është hedhur aq shumë baltë dhe nuk kuptohen. Njerëzit i shohin politikanët në televizor vetëm kur shahen, çfarë nuk thonë aty, por asnjëherë nuk i kanë parë kur ata ulen pastaj në kafenë e Parlamentit dhe diskutojnë me njëri-tjetrin dhe tregojnë se atje kanë bërë thjesht një shfaqje për popullin, ndërsa ne kemi punët tona, marrëveshjet tona. Populli nuk i di këto gjëra, populli është shumë më agresiv në luftën politike sesa njerëzit sipër, kështu që nuk do të kuptohesh një koalicion i tillë. Gjithmonë do të kishte akuza kush ia hodhi, kujt ia hodhi, kush përfitoi më shumë, kush u tregua më i mençur. Duhet thënë që Basha e pranon që në paktin e 17 majit ka humbur sepse ka deklaruar shumë herë që “më gënjeve një herë, herën e dytë s’të lejoj më”. Është diçka e ngatërruar. Kryeministri bën mirë që e provon që edhe para popullit e thotë që unë jam i gatshëm për bashkëpunim, hajde ta provojmë një herë. Ai di ta mbajë këtë qëndrim, ai del i larë për veten e tij dhe më pas topin e lë në fushë të opozitës. Kjo është politika në fund të fundit.

-Një tjetër çështje mjaft sensitive është ajo e Izet Haxhisë. Deri më tani nuk është zgjedhur trupa gjyqësore dhe çështja është shtyrë për në shtator sepse drejtësia është me pushime. A tremben gjyqtarët nga kjo dosje?

Janë plot faktorë. Unë nuk besoj se gjyqtarët janë të trembur nga kjo dosje. Ata që mund t’i trembin, nuk janë më aq “trembësa”. Iu ka ikur koha, nuk është puna që gjyqtarët janë të trembur. Ata po tregohen mospërfillës. Problemi i Izetit është një problem personal i tij. Ai ka marrë një dënim shumë të rëndë për një faj që ka bërë, por nuk është në atë nivel. Janë vrarë në krye të detyrës oficerë madhorë të policisë dhe kanë gjetur lloj-lloj rrethanash që të dënohen një numër të caktuar vitesh e më pas të ulen. Ndërsa Izeti është dënuar me 25 vjet. Nga kjo pikëpamje unë them që është e drejta e tij që duke qenë se nuk ka marrë pjesë në procesin e parë gjyqësor, të kërkojë një rihapje të procesit për dënimin e tij. Natyrisht askush nuk ka qejf sot në Shqipëri të merret me atë punë, nuk po kanë nerva dhe kohë të merren me punët e tyre njerëzit e gjykatës, jo të hapin një problem që nga të gjithë quhet i stërmbyllur. Nuk ka ndonjë motiv të fortë që dikush pret diçka. Natyrisht që njerëzit presin që dikush të dalë zyrtarisht dhe të thotë që Berisha ka gisht në atë rast. Kjo pritet, por nuk është ky motivi që mund ta rihapë. Prandaj unë e ndjej që Izeti është i zhgënjyer. Gjëja kryesore është se gjyqtarët janë të painteresuar. Edhe vetë familjarët e Azemit janë të painteresuar, shprehen vetëm që drejtësia duhet të bëjë punën e saj. E shoqja është gjyqtare dhe ka mundësi të shohë se cilat mundësitë qoftë në aspektin juridik, ashtu edhe për çështjen konkrete. Nga deklaratat që kanë bërë, duket që nuk kanë ndonjë merak.

-Qëllimi i Izet Haxhisë është ballafaqimi me Sali Berishën. Mendoni se ish-kryeministri për të parën herë do të dalë si dëshmitar në një sallë gjyqi?

Jo, kur nuk doli atëherë kur duhet të merrej me forcë dhe të vendosej nën hetim për deklaratat. Nuk besoj se do të shkojë kaq thellë. Me thënë të drejtën, do të kisha kuriozitet të shihja sesi do të reagonte meqenëse është edhe mashtruesi më i madh që njoh unë, padiskutim fare. Jo vetëm për këtë rast, por pafund raste të tjera ku ai ka qenë strumbullari i çështjes dhe i është shmangur. Tani kërkon një impenjim çështje të tilla. Dikush duhet të ketë një arsye, duhet të ketë interes, duhet ta ndjejë që ta bëjë, ndërkohë që nuk duket asgj?kundi dëshira. Kjo konsiderohet si një çështje e mbyllur, njerëzit thonë “ahuu çfarë hallesh kemi ne”, kjo thuhet edhe nga njerëz që kanë diçka në dorë.

Intervistoi: Mimoza IBRA

Më të lexuarat