Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Fatos Klosi: Politika po tenton bllokimin e reformës nga frika, të korruptuarit prej kohësh janë futur në mendime, shumë shpejt do ketë arrestime

Postuar: 12/03/2017 - 08:59

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, në një intervistë për gazetën “Sot”, ka komentuar situatën e nxehtë politikë, nga reforma në drejtësi deri te bojkoti i opozitës. Fatos Klosi ka deklaruar se gjyqtarët dhe prokurorët kanë fshehur paratë e korrupsionit jashtë vendit nga frika e vetingut, ndërsa ka paralajmëruar arrestime politikanësh. Ish-kreu i SHISH shpreson që arrestimet të nisin nga peshqit e mëdhenj, pasi në rast të kundërt, reforma e ka humbur qëllimin e saj. Klosi është shprehur se opozita i trembet vetingut dhe se me bojkotin dhe protestën kërkon të justifikojë humbjen në 18 qershor. Ai u bën thirrje ndërkombëtarëve që të bindin opozitën të kthehet në Parlament, të diskutojë për vetingun dhe më pas ta votojë. Sa u takon thirrjeve të Berishës për trazira, Klosi shprehet se njerëzit janë të ngopur me politikanët dhe nuk kanë ndërmend të bëjnë aventura, që Basha të bëhet kryeministër.

-Kuvendi të hënën shtyu zbatimin e vetingut. A është një dëshmi e radhës se klasa politike nuk e do reformën në drejtësi?

Klasa politike përbëhet nga parti të ndryshme. Partitë që nuk e duan reformën, janë ato parti që nuk vijnë në Parlament, nuk shkojnë për të votuar, diskutuar dhe nuk janë të interesuara për reformën. Procesi i reformës në drejtësi është i gjatë, dhe mendoj se duhen diskutuar gjërat dhe pastaj të shkohet në votim. Ato forca politike që nuk shkojnë në Kuvend emër të disa gjërave të tjerave, po i shmangen reformës.

-Duket se reforma ka hyrë në dy ngërçe: Nga njëra anë është opozita me kërkesën e saj për qeveri teknike, ndërsa nga ana tjetër mazhoranca shtyu afatet për kandidatët për vetingun. Si duhet të zgjidhet kjo situatë kaotike?

Forcat politike e dinë shumë mirë se reforma në drejtësi dhe zbatimi i vetingut kanë lidhje të drejtpërdrejtë me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nëse do gabojnë te reforma në drejtësi, do të thotë që nuk plotësojnë kushtin kryesor që Europa i ka vënë Shqipërisë. Synimi i forcave politike është që ta bëjnë Shqipërinë pjesë të Europës. Unë shpresoj që, duke parë dhe këmbënguljen e botës, të aleatëve kryesorë, gjërat do zgjidhen. Politika ka dy vjet që po merret me këtë punë, dhe tani që erdhi fundi do të duhet ta votojnë. Sa i takon bojkotit të opozitës, kjo është e vështirë sepse ajo i ka thënë pikëpamjet e veta. Opozita thotë që ta aprovojmë legjislaturën tjetër, kur të bëhen zgjedhjet.

-Ndërkombëtarët kanë paralajmëruar ndjekjen e shembullit kroat dhe rumun për arrestimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar. Sa i lehtë do jetë ky proces në Shqipëri?

Vërtetë në Kroaci dhe në Rumani është bërë ndonjë arrestim i rëndësishëm, por nuk është bërë ndonjë reformë e madhe në drejtësi. Ata kanë goditur rastet skandaloze, që kanë çuar në arrestimin e pushtetarëve. Një nga qëllimet kryesore të mbështetjes që po jep bota për reformën tonë, është shpresa që kjo reformë të jetë shembull për të gjitha vendet e Lindjes. Asnjë vend i Lindjes nuk ka bërë reformë të kësaj natyre. Shqipëria, duke qenë një vend i vogël me të gjitha problemet e mëdha që ka, duket se është konsideruar që reforma mund të eksperimentohet më kollaj dhe do shërbejë si shembull për të gjitha këto vende që kanë probleme si me korrupsionin dhe krimin. Nga kjo vjen dhe shpresa ime që, qoftë amerikanët dhe qoftë europianët këmbëngulin që reforma te ne të përfundojë. Ndërkombëtarët kanë investuar shumë jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për shembullin që do japë Shqipëria. E quaj primare reformën, në raport me disa arrestime. Politikanët nëse kanë përfituar nga paratë e popullit, besoj se do arrestohen. Për mua më e rëndësishme është reforma se sa arrestimet. A do t’ia dalin? Nëse do të bëhet reforma, po. Nëse do të kapen vetëm disa peshq të vegjël dhe jo të mëdhenjtë, atëherë reforma nuk e ka bërë detyrën e saj.

-Pak ditë më parë, Drejtoria e Pastrimit të Parave deklaroi se ka pasur rritje të transaksioneve jashtë vendit për 2016. A kanë tentuar gjyqtarët dhe prokurorët të fshehin pasuritë e vëna në rrugë korruptive?

Sigurisht që po! Një fjalë e urtë popullore thotë: Di të vjedhësh? Po, di; Di të fshehësh? Jo. Atëherë mos vidh! Jam i sigurt se të gjithë ata që bëjnë aktivitet të paligjshëm, politikanë në pushtet që marrin nga buxheti, nga tenderat, nga koncesionet, me reformën janë shtrënguar. Janë futur në mendime se si do t’ia bëjnë. Kjo tregon që reforma po bën efekt pa filluar dhe disa njerëz i ka trembur.

-Opozita ka vendosur të bojkotojë zgjedhjet parlamentare. Nëse i shkon deri në fund këtij qëndrimi, mazhoranca, a duhet të futet në zgjedhje dhe a do të ishte legjitim rezultati zgjedhor?

Unë them po. Për mendimin tim nuk duhet të ketë koalicione; ato parti që duan të futen në zgjedhje, le të futen. Ato që deshën u futën, lanë fatin në dorën e popullit, morën votat...Unë nuk shoh absolutisht asnjë situatë të jashtëzakonshme. Nuk shoh asnjë situatë që të detyron të mos futesh në zgjedhje. Të gjitha janë broçkulla! Paratë e drogës, krimi, etj, nuk janë argumente që hajde të bëjmë një qeveri teknike. Do ishte precedent i gabuar për mua. Sa herë që një parti politike e ndjen veten keq, del me një çadër në mes të sheshit, vë ca kushte dhe thotë se unë nuk marrë pjesë në zgjedhje...s’ka sens! Me sa di unë në KQZ janë ndarë përgjysmë vendet; diku një më shumë se gjysma e kanë të majtët, diku të djathtët. Ligji të dyja palët i vë në kondita të barabarta. Nëse ata kujtojnë që se si u bë Basha kryetar bashkie, të njëjtën praktikë do ndjekë dhe e majta, e kanë gabim. Nuk bën të tilla gjëra e majta siç u bë në atë kohë në KQZ, në 2011. Dëgjoj se do ketë gjullurdia, por jo besoj se situata do jetë tepër e qetë.

-Nëse PS bashkë me partitë e tjera të majta hyn në zgjedhje pa opozitën, a do ta njihnin ndërkombëtarët rezultatin zgjedhor?

Nuk ka ndonjë rregull të shkruar. Çfarë bëhet kur një parti nuk hyn në zgjedhje? Asgjë. Ndërkombëtarët duhet t’ia mbushin mendjen opozitës ashtu siç kanë bërë dhe herë të tjera. Kush ka dhënë shenja të tilla qoftë socialistët apo demokratët, ndërkombëtarët ua kanë mbushur mendjen që të respektojnë standardet e demokracisë. Opozita duhet t’i bëjë të gjitha detyrimet si forcë politike. Opozita bëhet në Parlament, bëhet dhe përpara popullit.

-Opozita kërkon që të shkohet në qeveri teknike, por Ministrinë e Brendshme ta marrë një forcë tjetër politike. A është kjo një tentativë për të kapur zgjedhjet?

Ata janë aq keq, saqë nuk kanë çfarë të kapin! Ata thjesht duan të justifikojnë humbjen. Nuk kanë asnjë alternativë, ndërsa Luli vetëm trash zërin. Ka qenë 8 vjet në pushtet dhe nuk ka se si të na tregojë përralla se si të ulë taksat, do ngrejë rrogat, pensionet!! Është thjesht një farsë! Ai ka arritur që t’ia mbushë mendjen dhe aleatëve. Ata janë të trembur, sepse PD nuk ka alternativë. Ata ishin 8 vjet në pushtet dhe e lanë Shqipërinë ashtu siç e lanë. Të gjitha këto premtimet për ulje taksash, rritje rrogash dhe pensionesh janë broçkulla që nuk i beson kush. Njerëzit janë ngopur me të tilla gjëra.

-Sali Berisha vijon thirrjet për luftë. A ka njerëz si në ’96-’97-’98 që i shkojnë nga mbrapa politikanëve për trazira?

Nuk shkon njeri nga mbrapa që të bëhet Lul Basha kryeministër. Njerëzit do votojnë se kanë opinione të përgjithshme. Thirrjet e Berishës nuk dëgjohen. Ai, sa herë e ndjen veten keq kërkon ndihmën e popullit. Unë çuditem, pse kundërshtarit e tij nuk e çojnë në gjyq?!

  Intervistoi: Eneida Jaçaj

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 14

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 29/05/2017 - 10:54

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nisi turin e takimeve në 24 njësitë administrative të kryeqytetit për të prezantuar analizën dy vjetore të punës.

Postuar: 29/05/2017 - 10:31

Në kuadër të miratimit të listave shumëemërore, KQZ pritet të mblidhet sot pasdite pas mbledhjes së të dielës ku nuk u arrit të merrej një vendim për shkak të parregullsive në l

Postuar: 29/05/2017 - 10:11

Deputetja Majlinda Bregu tashmë ka shprehur hapur qëndrimet e saj kundër politikës së Lulzim Bashës.

Postuar: 29/05/2017 - 09:58

Përveçse një qëndër pedonale, sheshi Skënderbej do të ketë dhe një parking nëntokësor me kapacitet 358 vende duke i dhënë zgj

Postuar: 29/05/2017 - 09:56

Komisioni i Verifikimit të Kandidatëve për oraret e vettingut, pritet të mblidhet sot në orën 10 dhe nesër në orën 11, në kuadër të zhvillimeve të seancave dëgjimore me 193

Postuar: 29/05/2017 - 09:51

Sot shënohet afati i fundit i PD për plotësimin e listës së kandidatëve për deputetë si dhe të dorëzojë formularët e dekriminalizimit.

Postuar: 29/05/2017 - 09:44

Vijojnë pakënaqësitë në rradhët e demokratëve për listat e kandidatëve për deputetë të Lulzim Bashës.