Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Fatos Klosi: Skenari për djegien e Parlamentit dorë e Berishës, Meta s’ka mbështetje për të marrë frenat e opozitës, SHBA do i ndjekë këmba-këmbës të korruptuarit

Postuar: 24/09/2019 - 14:44

Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi komentoi dje zhvillimet më të fundit politike. Gjatë një interviste të dhënë për gazetën “SOT”, Klosi u ndal fillimisht tek vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas tij, ky ishte një vendim që nxori nga situata gjyqtarët. Qëndrimin e ambasadës amerikane lidhur me procesin gjyqësor të Tahirit, Klosi e sheh si një mesazh që ata u përçojnë të gjithë politikanëve të tjerë. Sipas tij, amerikanët po tregojnë se do t’i ndjekin këmba-këmbës të korruptuarit dhe se nuk do të lejojnë asnjë ndërhyrje në reformën në drejtësi. Sa iu takon deklaratave të presidentit Ilir Meta, se në datën 7 qershor ka marrë informacion për djegien e Parlamentit, Klosi deklaroi se një skenar i tillë mund të ishte dorë e ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai bëri edhe paralelizëm të këtij skenari me situatën e krijuar në 13 shtator të 1998 kur u dogj Kryeministria. Ish-kreu i SHISH komentoi edhe mundësitë që Ilir Meta të bëhet kryetar i opozitës nëse shkarkohet nga detyra. Sipas Klosit, diçka e tillë mund të ndodhë, por presidenti nuk gëzon mbështetjen e duhur.

-Pak ditë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me shërbim prove ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Si e komentoni ju këtë vendim, duke qenë se prokuroria pati kërkuar 12 vite burg?

Për mua ishte një vendim që u dha për të mos dalë pa asnjë vendim, për të mos e nxjerrë të pafajshëm. Meqenëse prokuroria nuk kishte kërkuar fare këtë gjë, kishte 3 akuza të tjera. Megjithatë gjykata e ka të drejtën që duke parë dosjen të nxjerrë edhe ndonjë gjë që prokuroria nuk e ka nxjerrë. Por kjo ishte për ta dënuar. Pas gjithë asaj zhurme të madhe që u bë, u shndërrua në një çështje mediatike, nxjerrja e pafajshme do të ishte e rëndë për gjykatën, meqenëse ambasada amerikane e kishte quajtur në mënyrë të nënkuptuar që ai ishte një nga peshqit e mëdhenj. Megjithatë, si akuzë qëndron, por problemi është që është një zinxhir i gjatë që duhet akuzuar, pastaj nëse Tahiri ka shpërdoruar detyrën. Është shumë e rëndë. Duhet akuzuar gjithë zinxhiri i policisë dhe shefat. Nuk duhet mbyllur vetëm me kaq. Me kë ka abuzuar se ky vetë nuk është se ka komunikuar me policë, por ka abuzuar përmes vartësve të tij. Kështu që problemi është ngatërruar më shumë, nëse e shikojmë hollë-hollë.

-A kishte prova për dënimin e Saimir Tahirit apo akuzat kundër tij ishin strategji e opozitës dhe e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla?

Jo, ato akuza nuk qëndronin. Ato ishin akuza të bëra me ngut nga një prokurori tjetër, një prokurori që ishte në dorë të tjetërkujt, të Adriatik Llallës. Ishin akuza me ngut për qëllime politike. Unë të gjithë procesin e quaj politik. Për çdo nëpunës të lartë të shtetit ngritja e akuzës për shpërdorim detyre është shumë e kollajtë. Shpërdorimi ka 1000 ngjyra. Secilën prej tyre mund ta quash shpërdorim. Është e ngatërruar dhe për mua kishte më shumë ngjyrosje politike. Prokuroria një herë ishte e papërgatitur, por doli se e papërgatitur ishte edhe gjykata. U kap keq, gjykata u zu ngushtë. Me këtë vendim që dha në një farë mënyrë u çlirua, por për mua e ka ngatërruar më keq situatën. Tani varet se edhe mund ta mbyllin me kaq, varet si procedohet më tej. Unë dëgjova që gjykatësit nuk kishin rënë dakord, ndërkohë që qëkur e dëgjova vendimin e gjykatës thashë që ata kanë shpëtuar me këtë se nuk kanë patur rrugë tjetër.

-A ndikoi ambasada amerikane në dënimin e Saimir Tahirit? Si e shikoni qëndrimin e saj gjatë gjithë procesit gjyqësor?

Qëndrimin e ambasadës e shoh si diçka pozitive se nuk është fjala vetëm për ish-ministrin. Është fjala për një klasë të tërë politike, është një mesazh që përçohet për të gjithë. Këmbëngulja e tyre për të marrë pjesë në të gjitha seancat, për ta parë të dënuar, etj., është një mesazh që shikoni, ky ishte shumë i rëndësishëm, por shikoni si përfundoi. Po ju ndjekim këmba-këmbës etj.. Ata po bëjnë detyrën që kanë marrë ata përsipër. Ata kanë marrë përsipër që të çojnë deri në fund reformën në gjyqësor. Dhe duan që në këto mesazhe të para, se Saimir Tahiri është një nga figurat më të rëndësishme që është dënuar deri më tani dhe që ka ndjekur një proces gjyqësor të plotë, të jenë të qartë dhe të prerë. Kërkojnë të tregojnë që ata përveç bërjes së ligjeve, kontributit që kanë dhënë në hartimin e reformës në drejtësi, procesit të vetingut, etj., do të merren seriozisht edhe me politikën. Dhe për mua duhet të ketë politikanë që duhet të frikësohen nga ky qëndrim i ambasadës. Është shumë e domosdoshme që të merren seriozisht edhe me politikën, duke qenë se në Shqipëri është politika që urdhëron. Nuk është gjyqësori. Vetëm kështu duke u marrë me politikanët, mbase bëhet një ndarje e vërtetë e këtyre dy pushteteve.

-Në fakt, ditët e fundit opozita ka publikuar një platformë, ku midis të tjerash kërkonte edhe ndryshime në ligjet e reformës në drejtësi. A do ta lejojë SHBA një sabotim të reformës në drejtësi apo një ndërhyrje në të?

Jo, absolutisht jo. Ata janë autorët dhe ata do ta çojnë me siguri deri në fund atë që kanë bërë. Nuk ka asnjë shans të ndodhë kjo. Pse? Sepse amerikanët e kanë të qartë se çdo ndërhyrje që do të bëhej, do të bëhet për të zbutur diçka, për të shpëtuar dikush. Do të bëhen me synime konkrete, të hiqet kjo fjali se kjo merr me vete filanin, etj.. Ndërkohë që nëse do të bëhet një reformë në drejtësinuk ka më emra të përveçëm. Ky do të ishte një sukses i asaj reforme, që emrat e përveçëm nuk ekzistojnë. Ajo parulla që drejtësia është një për të gjithë deri tani nuk është zbatuar. Por duhet të fillojë të funksionojë se po nuk funksionoi ajo, reforma ka dështuar. Kështu që besoj se amerikanët janë goxha me eksperiencë. Ata kanë parë në shumë vende, nuk kanë vetëm eksperiencën e tyre. Ata kanë parë pothuajse në të gjitha vendet e Lindjes. Kështu që me eksperiencën e tyre ata kanë parë ku dështuan, nëse dështuan në Rumani, nëse patën sukses në Kroaci. Të gjitha këto që kanë ndodhur do të shërbejnë për ne dhe pastaj kjo e jona do të shërbejë për të tjerët. Kështu që unë besoj se ata duan t’i shkojnë deri në fund kësaj pune. Unë mendoj që ata nuk do të lëshojnë pe.

-Për t’u kthyer pak tek aktualiteti politik. Si i shikoni këto zhvillimet e fundit? A mendoni se do të shkohet drejt një zgjidhjeje?

Do të shkohet sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Nëse politika do të jetë pjesë e sistemit politik, duhet të ketë zgjidhje. Tashmë ajo e provoi se çfarë do të thotë se çfarë do të thotë të heqësh dorë nga Parlamenti, të djegësh mandatet, të mos futesh në zgjedhje. Nëse kanë zënë mend nga kjo gjë, dhe unë them që duhet të kenë zënë mend, do të shkohet drejt zgjidhjes apo drejt marrëveshjes. Në fakt, zëra plot kanë dalë që thonë se i kanë zbutur kushtet. Aleatët në fillim thoshin që jemi të vendosur, kemi qëndrim të unifikuar, nuk ka rrugë tjetër përveçse të largohet Edi Rama. Por tani kanë filluar të tërhiqen, tani thonë do bëjmë, shkojmë edhe me Ramën. Unë them që ata kanë filluar të nxjerrin mësim nga gafa e madhe që bënë që u tërhoqën nga politika. Ndërkohë që Partia Demokratike e ka më të vështirë akoma. Është më e vështirë sepse tërheqja kërkon kokën e Lulzim Bashës. Nëse do të pranohesh ajo që kanë thënë partitë e vogla, Luli rrezikohet. Partitë e vogla e kanë më të thjeshtë se kanë vetëm kryetarin, por Partia Demokratike nuk është ashtu. PD natyrisht është një parti e madhe që ka shumë figura historike, të cilët Luli edhe i përzuri një pjesë dhe që janë prapa derës dhe nuk e pranojnë aq kollaj këtë. Po ta pranonte Basha diçka të tillë, natyrisht ka firmosur largimin e tij. Kështu që është më e vështirë tek PD prandaj po vonohet. Por nuk ka zgjidhje tjetër. Të gjithë po e shikojmë që bashkitë po funksionojnë. Mbase funksionojnë edhe më mirë se kur ishin me ata kryetarët me shumë vota. Këta janë me pak vota, por kjo nuk ka rëndësi. Nëse janë zgjedhur si figura racionale, si figura që e bëjnë atë punë, dhe në qoftë se e kanë vullnetin për ta bërë, mund të jenë më të mirë se ata që ishin me shumë vota. Kështu që është fare relative. Nuk është ndonjë gjë e madhe bashkie. Ka rëndësi, por nuk bën politikë bashkia. Bashkia është administrim, ka edhe një këshill bashkiak që e ndihmon. Kështu që ecën puna. Prandaj unë uroj që opozitarët të kenë nxjerrë mësim dhe midis të tjerash të pranojnë gabimin që kanë bërë e pastaj të thonë hajde të ulemi.

-Për çfarë mendoni se duhet të ulen palët, pasi PD kërkon dorëheqjen e Ramës?

Në fillim duhet ulur për reformën zgjedhore. Kjo është e domosdoshme. Sado zgjedhje të kërkojë presidenti, megjithëse edhe nuk po i kërkon më sepse nuk ka kush i bën dhe nuk ka infrastrukturë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka për detyrë t’i organizojë zgjedhjet me ndihmën ekonomike të qeverisë, jo me ndihmë politike. Por KQZ i bëri zgjedhjet dhe i quajti të mbyllura. KQZ nuk merr më iniciativë për ta bërë këtë punë. Problemi është tek zgjedhjet politike. Kryeministri tha një ditë që ulemi, po zgjedhjet janë në 2021. Pra, ai vuri një kusht që zgjedhje të parakohshme nuk ka, të mos e hapin si muhabet dhe nuk pranohet. Ditët ikin dhe ngel edhe një 1 vit e gjysmë për zgjedhjet politike. Nuk është se ka shumë kohë se duhet bërë Kodi një herë dhe aty priten shumë diskutime. Nëse komisionet do të jenë jo-politikë, do të jenë asnjanës, besoj se do të shkojmë tek numërimi elektronik i votës. Po edhe këto kërkojnë kohë për t’u implementuar. Rama e tha kështu si për t’u tallur me ta, por nuk ka zgjidhje tjetër. Nuk ka hapësirë kohore për zgjedhje të parakohshme, sidomos në një situatë të tillë kur gjërat duhet të maten mirë që të mos përsëritet më kënga e zakonshme na i vodhën votat, na i blenë. E kanë bërë edhe socialistët këtë punë, në çdo palë zgjedhjesh këto janë dëgjuar. Po një herë ka ngjitur më shumë, një herë më pak. Këtë radhë, me budallallëkun e tyre që bënë opozitarët, ata e bënë lëmsh. E lanë vendin zbuluar, pa njerëz në Parlament e në bashki.

-Presidenti i Republikës ka paralajmëruar një aksion të tijin në datën 22 nëntor. A i shkon kjo përshtat atij?

Le ta shpalosë. Në përgjithësi nuk e dëgjojnë presidentin, po le ta bëjë. Nuk prish asnjë punë. Nëse ai ka ndonjë gjë për ta thënë, le ta thotë. Gjithë problemi është që të bëhet diçka. Tani mund të thonë pse presidenti, janë partitë për këtë punë. Po edhe ai është. Edhe presidenti në emrin e tij, nëse këshilltarët e kanë këshilluar, le ta thotë. Nëse partitë marrin gjysmën e aksionit apo nismës së tij, prapë mirë është, të fituar dalim. Nuk shoh ndonjë arsye që të pengohet kjo. Ai është formalisht figura kryesore e shtetit, pavarësisht se kanë nisur procedurat për shkarkimin e tij. Unë them ky komisioni hetimor duhet ta mbyllë këtë punë se edhe presidenti nuk është pa eksperiencë. Pavarësisht se për mua gaboi, u ngut që të kontribuonte në situatë, por nuk ja doli se nuk i kishte bërë mirë llogaritë. Për mua, nëse ka edhe ai propozime mirë është. Nuk është se propozimet, takimet, shkëmbimet e ideve janë të tepërta. Problemi është se këtu nuk po bëhen. Këtu kanë marrë një nam të keq. Prandaj nëse ka shumë propozime të tilla, nëse të mëdhenjtë do të lejojnë të ketë pak transparencë që njerëzit ta dinë se kush propozoi çfarë, mendoj se gjërat do të jenë më mirë. Edhe vetë populli duhet të qartësohet. Po sa ju leverdis politikanëve qartësia? Kjo është një punë tjetër pastaj.

-Nëse procedurat për shkarkimin e presidentit shkojnë deri në fund, a mundet që Meta të kthehet në kryetar të opozitës?

Bëhet, pse nuk bëhet. E kam dëgjuar këtë version. Unë them bëhet, po nuk ka mbështetje. Ai do të ishte kryetar i një partie të vogël krahasuar me PD. Ai mund të bëhet kryetar, por kryetari i opozitës nuk duhet të ketë vetëm mend dhe eksperiencë, se Luli nuk ka as njërën, as tjetrën. Meta ka eksperiencë, ka edhe mend, por duhet të kesh edhe shpatulla të ngrohta. Duhet të kesh mbështetje, duhet të kesh partinë e madhe që të të shkojë fjala. Se ja si u sajua puna. Në të gjitha këto ngjarjet e fundit presidenti është përpjekur shumë të jetë faktor, të kontribuojë në zgjidhjen e këtij ngërçi politik, por nuk ia ka dalë se nuk ka mundësi. Kështu që mund të jetë kryetar, por gjithë problemi është që a ka këllqe?

-Presidenti tha se zgjedhjet e 30 qershorit i shtyu sepse në 7 qershor mori një informacion sekret se në protestën e 8 qershorit do të digjej Parlamenti nga një grup nga Kosova. Sa i vërtetë mund të jetë ky informacion dhe pse do të implikoheshin pikërisht kosovarët në këtë ngjarje?

Për mua, Meta bëri gabim që e tha një gjë të tillë. Edhe mund të jetë i vërtetë si informacion, por nuk mund të provohet vërtetësia para se të ndodhin. Këto informacione provohen nëse janë të vërtetë apo jo në momentin që arrestohen ata njerëz ose nëse e bëjnë aktin. Informacione të tilla ka plot se ka të çmendur plot. Aq më shumë që këtë radhë u vunë ca kosovarë sepse është më e vështirë ta konfirmosh sepse po të ishin shqiptarë do të ishte më e ndryshe, më e thjeshtë. Unë them që Meta nuk duhet ta kishte përdorur si argument atë që tha. Sepse një informacion që do të digjej Parlamenti në 8 qershor nuk mund të shërbejë si argument për të anuluar zgjedhjet në 30 qershor. Këtë lajm mund ta ketë marrë, dëgjova që e ka konfirmuar edhe SHISH. Por SHISH ia ka thënë edhe kryeministrit, kryeministri më pas ministrit të Brendshëm dhe besoj se janë marrë masat. Prandaj them që nuk mund të anulohen zgjedhjet për shkak të kësaj.

-Kujt i interesonte djegia e Parlamentit? Skenari i kujt mund të ketë qenë ky?

Djegia e Parlamentit do t’i interesonte opozitës. Ajo disa herë tentoi ta bënte këtë, tentoi të futej në Parlament. Nuk e di a do ta digjte apo jo, por kanë tentuar të futen kur deputetët ishin brenda në sallë. Mbase tentonin të ziheshin me grushte me ta. Po kur nuk ishin deputetët çfarë do të bënin? Do bënte atë që bëri opozita, po kjo opozitë, me Kryeministrinë në datat 13 dhe 14 shtator. Në 13 shtator u dogj. Në 12 shtator u vra Azem Hajdari, ndërsa në datën 13 u bë një demonstrim i madh te Kryeministria. Partia Demokratike dhe të gjithë militantët e saj që ishin aty arritën të futeshin në Kryeministri. U futën deri në katin e parë dhe dogjën arkivën. Nuk është rasti i parë që përmendet djegia e institucioneve. Nga kjo pikëpamje ka ndodhur diçka e tillë dhe unë them që i njëjti person qëndron pas, Sali Berisha. Por pas kaq shumë vitesh ajo nuk përmendet më, ndodhi dhe vetëm kaq. Thjesht kujtohet. Kështu që informacioni mund të ketë i vërtetë dhe mund të ketë pasur njerëz që do ta tentonin këtë akt trimërie, por vetëm kaq. Unë nuk çuditem fare se ka në Shqipëri njerëz të papërgjegjshëm, radikalë, të papjekur që janë gati ta djegin vetëm se u thotë dikush.

Intervistoi: Mimoza Ibra

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/10/2019 - 23:59

Kryeministri Edi Rama ka nisur aksionin pas mos hapjes së negociatave me BE.

Postuar: 21/10/2019 - 23:52

Kreu i LZHK-së, Dashmair Shehi  tha se është i gatshëm për të hyrë në zgjedhje të parakohshm

Postuar: 21/10/2019 - 23:45

Deputeti socialist Taulant Balla tha se Partia Socialiste nuk mbron askënd, por vë drejtësinë të

Postuar: 21/10/2019 - 22:55

Deputeti socialist Taulant Balla u shpreh se Kodi i Ri Zgjedhor do të votohet deri në fund të kët

Postuar: 21/10/2019 - 22:33

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma tha se opozita ia la të gjitha pushtetet Edi Ramë

Postuar: 21/10/2019 - 22:20

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi  tha se kryeministri Rama po synon që çdo pushtet ta ketë nën

Postuar: 21/10/2019 - 22:15

Gazeta prestigjioze amerikane Financial Times ka sulmuar në mënyre të ashpër vendimin e Këshillit