Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Flamur Golemi: Çdekretimi i datës së zgjedhjeve lajthitje e Presidentit, ta harrojë se e lejojmë ta përdorë Kushtetutën si letër bakalli

Postuar: 16/06/2019 - 08:29

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Gjirokastrës, Flamur Golemi ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke e ndalur theksin tek fushata zgjedhore, kriza politike e shkaktuar si pasojë e çdekretimit të zgjedhjeve dhe protestave të opozitës. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ish-deputeti i Partisë Socialiste akuzoi Presidentin Ilir Meta se me anulimin e datës së zgjedhjeve lokale tregoi se është në kushtet e lajthitjes dhe sipas tij, kërkon që Shqipëria të futet në kaos. Megjithatë, Golemi theksoi se mazhoranca është e vendosur për të shkuara në zgjedhjet vendore, duke shtuar se nuk do ta lejojnë kreun e shtetit që ta përdorë Kushtetutën si plaçkë apo letër bakalli. Sa i takon premtimeve të tij elektorale, zoti Golemi theksoi se ato premtime do të bëhen realitet sapo ai të hyjë në zyrën e kryetarit të bashkisë së qytetet të gurtë. Mes shumë premtimeve, kandidati Golemi renditi promovimin e turizmit të Gjirokastrës, duke e quajtur atë si xhevahir.

Zoti Golemi, ju vendosët të lini mandatin e deputetit për të garuar në Bashkinë e Gjirokastrës. Ishte i vështirë ky vendim dhe pse zgjodhët pushtetin lokal?

Nuk di të them nëse ishte vendim i lehtë apo i vështirë, por jam i bindur që ishte vendimi i duhur. Dua të punoj për Gjirokastrën. Me përkushtimin që kam punuar si mjek, tashmë dua të shërbej si kryebashkiak, duke i dhënë zgjidhje shumë problemeve që s’mund t’i zgjidhë dot një mjek apo deputet le të themi. Prandaj jam në këtë sfidë të radhës.

Edhe pse opozita ka braktisur zgjedhjet, fushata po vijon normalisht. Ju po mbani takime nga njëra zonë në tjetrën. A keni një program tuajin dhe nëse po, çfarë do sillni ndryshe ju për Gjirokastrën?

Unë kam disa prioritete të punës time si kryebashkiak pas 30 qershorit. Fokusi është patjetër zhvillimi i turizmit. Ky është prioritet mbi prioritetet. Ka probleme të tjera në infrastrukturë tek të cilat duhet të ndërhyhet patjetër. Jashtë vëmendjes së pushtetit vendor janë lënë sidomos fshatrat. Në shpërndarjen e investimeve të bashkisë nuk do të jetë ky disbalancim. Fshati do të marrë vëmendjen e munguar, por pa sakrifikuar le të themi projekte madhore të tjera në qytet ku jeton pjesa më e madhe e njerëzve. Unë kam disa projekte të cilat dua t’i bëj realitet. Përmend këtu parkingun nëntokësor tek Sheshi Çerçiz Topulli, ndërtimi i terminalit të autobusëve, i një tregu të fruta perimeve, si dhe rikonstruksioni i pallatit të sportit. Në vëmendje është patjetër edhe ndërrimi i Bypass-it të Gjirokastrës në zonën historike.

Po për punën e kryebashkiakes aktuale keni një koment?

Zamira Rami, të cilën ne e mbështetëm të gjithë bashkë në 2015 është e shkuara. Gjirokastra ka nevojë për një ritëm të ri. Mund të them se nuk e justifikoi besimin që mori me votë. Ajo është kryebashkiakja e parë femër në Gjirokastër. S’kam koment tjetër.

Ju do garoni i vetëm në zgjedhjet e 30 qershorit, ju shqetëson ky fakt. Do donit të kishit kundërshtar përballë?

Në fakt ne kemi kundërshtarë në këto zgjedhje. Janë ata që nuk duan të lënë shqiptarët të votojnë. Edhe po të kisha kundërshtarë të tjerë do të kisha fituar me patjetër. Qytetarët e bëjnë vetë diferencën mes palëve.

Si e komentoni faktin që opozita ka vendosur të bojkotojë zgjedhjet?

Opozita nuk është dot alternativë pushteti për fat të keq dhe eksponentë të saj kanë frikë nga reforma në drejtësi. Prandaj kanë marrë rrugët. Ky është problemi i tyre.

PD dhe LSI kanë paralajmëruar bllokim të qendrave të votimit më 30 qershor. I druheni një skenari të tillë?

Kushdo që do ta provojë të pengojë shqiptarët të votojnë, ka për të dështuar me sukses. Mund të ketë ndonjë incident sporadik, por nuk mendoj se ka njerëz të luajtur mendsh t’i shkojnë pas Lulit dhe Monikës në çmendurinë e tyre.

Keni një plan ose strategji si të mbroni zgjedhjet dhe qendrat e votimit, në kushtet kur opozita ka paralajmëruar dhunë?

Nuk besoj se skenari i opozitës do të funksionojë. Kanë zero mundësi të pengojnë shqiptarët të zgjedhin të lirë.

Opozita po mban protesta të vazhdueshme dhe ka paralajmëruar për dhunë. Keni një koment?

Opozita është në të drejtën e vet të protestojë. Por përmes dhunës nuk fiton asgjë. Nuk e sjell në pushtet dhuna, duhet të bindë shqiptarët, të bëhet alternativë pushteti. Deri më tani kjo opozitë vulëhumbur nuk i ka bindur dot shqiptarët.

Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të lartë të mazhorancës kanë pohuar se disa nga arsyet që opozita ka dalë në rrugë, janë frika nga SPAK, humbja në zgjedhje dhe bllokimi i negociatave. A pajtoheni me këto pretendime?

Eksponentë të opozitës, zyrtarë dhe ata që qëndrojnë në prapaskenë, kanë frikë nga reforma në drejtësi. Ky nuk është më një sekret. Kanë llogari të hapura me drejtësinë prandaj kanë frikë. Por reforma historike që ne ndërmorëm dhe ata votuan me detyrim në Kuvend, do të vijojë dhe nuk ndalet me asgjë.

Keni një koment për sulmet e Berishës, Metës dhe zyrtarëve të tjerë të opozitës kundrejt ndërkombëtarëve dhe reformës në drejtësi?

Thjesht janë sulme të dëshpëruarish që ngelën pakicë. Me këto mend, zor se do të bëhen ndonjëherë shumicë.

A e mbështesni idenë e një dialogu për të mos lejuar agravimin e situatës dhe si i shihni kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme?

Ftesa për dialog i është bërë opozitës në çdo moment nga Kryeministri. Por dialog me kushte, ik ti se s’më pëlqen, nuk mund të ketë. Edi Rama është kryetar i PS-së, është i zgjedhur me votë të lirë si Kryeministër, nuk mund të shmanget për shkak se kështu do Luli e Monika.

Keni një koment për vendimin e Metës?    

Vendimi i Metës është absolutisht antikushtetues. Ai ka të drejtë vetë të dekretojë datën e zgjedhjeve, por jo të ç’dekretojë. Nuk ekziston askund termi ç’dekretim në Kushtetutë.

Po nismën për të shkarkuar Presidentin e mbështesni?

Sigurisht që e mbështes. Kushtetuta nuk është letër bakalli që të përdoret sipas interesave apo paranojave të Presidentit. Është ligji themeltar i shtetit dhe kur këtë e shkel kreu i shtetit, ka një problem serioz që meriton një trajtim serioz. Ka nisur një proces në Kuvend dhe shpresoj të finalizohet.

Intervistoi: Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 12/11/2019 - 16:32

Nënkryetarja e Komisionit të Integrimit dhe ish zv.kryeministrja Senida Mesi, e ftuar në studion e A2, iu përgjigj kritikave ndaj qeverisë për indiferencë ndaj shqiptarëve në Siri.

Postuar: 12/11/2019 - 16:27

Kryeministri Rama komentoi dhe idenë e Albin Kurtit, që Shqipëria fillimisht duhet të heqë kufi

Postuar: 12/11/2019 - 16:15

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka quajtur gabim dhe të pashpjegueshëm idenë e Mi

Postuar: 12/11/2019 - 15:59

  Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reaguar nga SHBA për sit

Postuar: 12/11/2019 - 15:46

E ngarkuara me punë  e SHBA-së, Leyla Moses-Ones, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, ai i Gje

Postuar: 12/11/2019 - 15:43

Ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku, kujton masakrën e 75 viteve më parë, në rrugët e Tiranës.