Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

ILIR META: Prokuroria të hetojë për skandalin e Panamasë, duhet të rritet transparenca e koncesioneve, nuk ka as një arsye për zgjedhje të parakohshme

ILIR META: Prokuroria të hetojë për skandalin e Panamasë, duhet të rritet transparenca e koncesioneve, nuk ka as një arsye për zgjedhje të parakohshme

Postuar: 11/04/2016 - 11:22

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i ka bërë dje thirrje prokurorisë që të nisë hetimet sa i takon skandalit të "Panama Papers". Duke folur në emisionin "Komiteti" të gazetarit Berat Buzhala, që transmetohet në televizionin "RTK" të Kosovës, ai u shpreh se ky skandal tregon qartë se duhet të merren menjëherë masa për koncesionet, ku shteti duhet që të jetë i kujdesshëm. Meta ka folur dhe për marrëdhniet e koalicionit PS-LSI, duke thënë se forca që ai drejton po respekton marrëveshjen. Nga ana tjetër, Meta deklaroi se nuk ka asnjë arsye që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Meta nuk e ka konfirmuar vijimin e koalicionit në zgjedhjet e ardhshme, teksa ka mohuar garën për President.
 
 -Z. Meta, së fundmi u zbulua një skandal i madh, ku shumë liderë janë përfshirë në atë që quhet "Panama Papers". Në to bënte pjesë edhe një kompani nga Shqipëria. A duhet të presim që të shohim edhe emrat e politikanëve shqiptarë në rrjedhjen e këtyre dokumenteve? 
 
Fakti që ka dalë, mendoj se është një gjë pozitive, siç e lexoj unë këtë çështje ose si duhet ta lexojmë ne, sepse ne asnjëherë nuk duhet të merremi me hallet e të tjerëve, duhet të merremi me hallet tona. Rasti konkret që ka dalë për një kompani shqiptare ose që ka aktivitet në Shqipëri, ka marrë këtë koncesionin për markimin e karburanteve, na tregon sesa të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm duhet të jemi në zhvillimin e praktikave koncesionare, sidomos të shërbimeve publike. Për mua patjetër çdo rast duhet të hetohet, dhe ne e kemi kërkuar këtë gjë. Dhe çdo rast tjetër që do të dalë jo vetëm nga "Panama Papers", por edhe nga çdo lloj parajse fiskale, ku ka të përfshirë politikanë shqiptarë. Nuk po themi botërorë se nuk po përgjigjemi për të gjithë botën. Sepse kjo është një çështje që ka të bëjë me transparencën, por ka të bëjë edhe me integritetin, ka të bëjë në fund fare edhe me taksat e qytetarëve shqiptare. Sepse në qoftë se një qytetar i thjeshtë paguan atëherë pse dikush tjetër, qoftë ky një politikan apo një i afërm i një politikani apo edhe një biznesmen, duhet të gjejë mënyra dhe forma për të bërë manipulime të tilla dhe të shpëtojë nga këto detyrime. Pra janë arsye të shumta. Ajo që unë mendoj për ne, nga rasti në fjalë, është që ne duhet të forcojmë transparencën për sa i takon praktikës së dhënies së koncesioneve në të ardhmen dhe të përmirësojmë legjislacionin në këtë drejtim, sepse ato mund të kthehen në një barrë shumë të madhe për buxhetin e shtetit dhe në një pengesë për zhvillimin e vendit, dhe njëkohësisht, për fat të keq, në një kosto të rritur për qytetarët tanë dhe në një cilësi të parealizuar të shërbimeve ndaj tyre. Siç edhe ka ndodhur me shumë koncesione deri tani.
 
 -A mund të dalin edhe të tjera? A keni informacione? 
 
Ne jemi për transparencë të plotë. I takon Prokurorisë shqiptare të bashkëpunojë më të gjithë institucionet e vendeve të tjera, ku ka parajsa të tilla. Të bashkëpunojë me partnerët tanë kryesorë, agjencitë e tyre, me SHBA-të, me vendet evropiane dhe të hetojë në çdo rast. 
 
-Z. Meta, si po ju shkojnë punët me partnerin e koalicionit në Shqipëri?  Në pjesën e parë të bashkëpunimit keni prodhuar shumë lajme me partnerin tuaj, lajme me partnerin tuaj, P artinë Socialiste, por tani keni dalë paksa në ujëra të qeta. Çfarë ndodhi realisht? 
 
Lëvizja Socialiste për Integrim përpiqet gjithmonë të jetë në raporte mjaft konstruktive dhe luajale edhe me Partinë Socialiste, me të cilën jemi në koalicion që prej vitit 2013. Por kemi qenë edhe më përpara me PS-në, në periudhën 2006- 2007. Ne përpiqemi t'i qëndrojmë marrëveshjeve, parimeve të marrëveshjeve. Kjo është kryesore për ne. Sigurisht që është shumë e rëndësishme që edhe marrëveshjet t'i shërbejnë vendit. 
 
-Kryeministrin Rama nuk e keni lënë në gjumë të qetë. lënë në gjumë të qetë. Vazhdimisht keni dërguar sinjale që ju e mbroni me fanatizëm partinë tuaj dhe nuk jeni me çdo kusht partner besnik nëse pala tjetër nuk e tregon të njëjtin luajalitet ndaj jush... 
 
Ne i qëndrojmë parimeve të marrëveshjes dhe për ne qëndrime fanatike apo vija të kuqe janë: stabiliteti i Shqipërisë; Shqipëria si faktor stabiliteti në rajon, sepse as e para nuk mund të funksionojë pa të dytën dhe janë shumë të ndërlidhura; integrimi evropian i Shqipërisë. Nuk ka asnjë iniciativë apo reformë që i shërben kësaj çështjeje që LSI-ja të mos jetë promotore apo mbështetëse e padiskutueshme. Që kur është krijuar LSI, në vitin 2004, nuk ka qenë asnjëherë një pengesë apo një vonesë për një çështje për raportet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, apo marrëdhëniet tona me NATO-n e kështu me radhë. Natyrisht që ka shumë çështje të tjera, shumë prioritete të tjera por kuptohet që në koalicion duhet të jesh edhe fleksibël. 
 
-Vitin e ardhshëm do të zgjidhet Presidenti i ri i Shqipërisë. Është spekuluar këto kohët e fundit për mundësinë që ju të jeni një kandidat i koalicionit për President të Shqipërisë?
 
 Kjo është një çështje për momentin, jo vetëm e parëndësishme, sepse në politikë rëndësia përcaktohet nga prioriteti dhe nuk është aspak prioritet. Kjo do të jetë prioritet në prill ose maj kur do të ketë kohë e saj. Aktualisht ne kemi një President, z. Nishani, i cili kryen këtë detyrë. Natyrisht nuk janë zgjedhje presidenciale, sepse Shqipëria nuk është një vend presidencial. Është zgjedhja e Presidentit nga Parlamenti. Sa i takon spekulimeve, do të ketë shumë. Do të dalin me dhjetëra apo me qindra emra, siç është traditë sa më shumë afrohet kjo periudhë. Kjo është gjë e zakonshme. Unë mund t'ju siguroj se jam kandidat i sigurt për kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, sepse do të kemi zgjedhjet brenda vjeshtës në LSI, sipas statutit të LSI-së. Për këtë gjë ju siguroj. 
 
-Po flitet për një mundësi që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen në mars ose në prill të vitit të ardhshëm, pra para zgjedhjes së Presidentit. 
 
Nuk mendoj se Shqipëria ka ndonjë arsye për të mbajtur zgjedhje të parakohshme. 
 
-Presidentin e ardhshëm a duhet ta zgjedhë ky parlament apo parlamenti tjetër? 
 
Kjo është çështje kalkulimesh, të cilët më shumë se kushdo tjetër mund t'i bëjnë juristët, por nuk mendoj se kjo është kaq shumë e rëndësishme.
 
- A besoni se besoni  se  në zgjedhjet e ardhshme do të jeni prapë në koalicion me të njëjtin partner të koalicionit apo LSI do të shkojë  e vetme dhe pastaj do të vendosë më kë do të bëjë koalicion, si përcaktuese tashmë historike e qeverive? 
 
Unë jam kryetar i LSI-së, por nuk jam LSI-ja. Që do të thotë që LSI-ja është më e gjerë se sa kryetari i saj dhe unë nuk mund të marr vendim në emër të saj. LSI ka marrë një vendim për këtë koalicion dhe do t'i qëndrojë koalicionit sikurse i ka qëndruar me korrektësi deri më tani. Ky është një koalicion që ka bërë punë të mira, ka ndërmarrë reforma të rëndësishme por ka ende shumë punë për të bërë, ka ende shumë përmirësime për të bërë. Vendi ka probleme të mëdha dhe pafund. Dhe në këtë drejtim ne jemi të përqendruar në përmirësimin e mëtejshëm të qeverisjes. Për sa i takon vendimeve që do të merren për të ardhmen, thashë edhe një herë, që këto do të gjykohen nga vetë strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe natyrisht që do të diskutohen apo komentohen edhe nga analistët. 
 
A besoni që z. Nano ka qenë më pak patriot se sa politikanët e tjerë shqiptarë?
 
 Ne jemi vërtet në "Komitet", por unë nuk dua të marrë përsipër të bëj gjykatësin e patriotizmit dhe nuk më pëlqen me thënë të drejtën kjo gjë. Por e vërteta është që paragjykimi për Partinë Socialiste vinte për disa arsye pas 1990-s. Arsyeja e parë është që ishte Parti Socialiste, ndërkohë që edhe Millosheviçi e kishte Parti Socialiste dhe s'kishte asnjë lidhje. Së dyti mendoj që ishte propaganda që bëri Partia Demokratike dhe Berisha si mjeshtër i paparë, dhe sot e kësaj dite, i propagandës, që edhe nga hiçi mund të bëj një superlajm, duke akuzuar që Parinë Socialiste, Partinë e Punës, Partinë Komuniste e krijuan jugosllavët dhe ka qenë gjithë jetën në shërbim të jugosllavëve e kështu me radhë dhe ka shitur Kosovën etj, etj. Pra ishte bërë një propagandë duke u ndërthurur disa elementë për ta paraqitur si një parti anti-kombëtare. Gjë që unë mendoj që nuk është e drejtë dhe nuk është as objektive dhe me baza. Ndërkohë, që Partia Demokratike duke qenë se në atë kohë Lëvizja Demokratike e Kosovës ishte shfaqur si forcë opozitare dhe kundër sistemit, por dhe jo se ishte thjeshtë kundër sistemimit, por në fund të fare sepse ishte për Kosovën Republikë. Sepse ishte për të nxjerr në pah atë që Kosova është e shqiptarëve, u takon shqiptarëve, u atashua normalisht me Partinë Demokratike për shumë arsye të natyrshme. Dhe praktikisht Partia Socialiste nuk kishte një forcë politike partnere apo që mund të komunikonte, sepse dihej që deri në 1998-n ka qenë LDK dhe shumë pak parti të tjera modeste, sepse edhe LDK-ja është parë gjithmonë si një parti kombëtare, shtetformuese.
 
 -Ju keni qenë aktiv para një kohe në Prishtinë keni takuar pozitë dhe opozitë. Jeni munduar për të qenë lehtësues midis dy palëve. A keni arritur ndonjë rezultat?  A do t'ju shohim prapë të angazhuar në këtë proces?  
 
Po kthehem pak më herët, që në fillim të viteve 1990. Gjithmonë kam qenë i vëmendshëm, pavarësisht që LDK dhe Partia Demokratike sidomos në kohën kur Berisha ishte në pushtet herën e parë, deri në 1997-n kishim marrëdhënie shumë më të ngushta. Por përsëri unë gjithmonë kam qenë partizan i mbajtjes së lidhjes me të gjithë. Dhe kemi patur marrëdhënie shumë të mira edhe para 1997-s me LDK, Rilindjen e LDK. Unë në atë kohë kam qenë me FRESSH-in, Rininë Eurosocialiste. Sot takova edhe një prej tyre që është sot Izet Sadiku Zv/ Ministër i Shëndetësisë, që kemi qenë herë pas here në delegacione dhe shkëmbime e kështu me radhë. Apo edhe me Bujar Bukoshin kemi pasur marrëdhënie shumë të mira që ka qenë Kryeministër i qeverisë së asaj periudhe. Me Presidentin Rrugova kemi pasur marrëdhënie shumë të mira edhe kur ai ndonjëherë padrejtësisht është paragjykuar apo është sulmuar nga përfaqësues të politikës së Tiranës për shkak se lëvizje të caktuara të tij janë perceptuar gabimisht, sepse ne nuk mund të presim që çdo politikan të bëjë të njëjtën gjë. Dhe unë mendoj që në historinë e Kosovës dy mbeten si figura mjaft domethënëse: Ibrahim Rrugova në drejtim të asaj politikës vizionare, paqedashëse, të urtë, që ai ndoqi, por njëkohësisht edhe Adem Jashari për atë sakrificë, martirizim, frymëzim që ai ndezi kudo në të gjitha trojet Shqiptare, në Diasporë. Por nuk mund të prisnim që nga njëri të bënte tjetri dhe nga tjetri të bënte njëri. Politika nuk është e një forme dhe nuk duhet të jetë e tillë, sepse përndryshe do të ishte fare bajate, monotone. Kështu që në këtë drejtim unë kam qenë dhe jam gjithmonë i hapur për t'u takuar me të gjithë, sepse për ne marrëdhëniet me Kosovën janë kryesore. Nuk janë thjesht me partitë apo me individët, pavarësisht nga raportet shoqërore personale, të cilat kushtëzohen për arsye edhe të rrethanave dhe njohjeve. Në këtë plan unë besoj se Kosova ka mundësi të tregojë asete më të mira ndërvepruese dhe bashkëpunuese të faktorit politik këtu. Dhe mendoj që ka arsye për të patur le të themi edhe sforcim për të dalë mbi historitë e të kaluarës apo mbi interesa që vijnë për shkak të zgjedhjeve të kaluarës apo për shkak të zgjedhjeve që do të vijnë. Dhe për të gjetur disa zgjidhje të pranuara dhe të qëndrueshme. Natyrisht që kjo kërkon edhe një gjithëpërfshirje më të madhe, kërkon edhe një bashkëpunim më të madh edhe gjithmonë duhet të kemi parasysh se transparenca është mënyra më e mirë për të vrarë çdo keqkuptim apo manipulim.
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/11/2019 - 18:41

Nënkryetari i LSI Petrit Vasili, shkruan në Facebook se DASH e dëshmoi edhe njëherë se qëndron në krah të shqiptarëve.

Postimi i Vasilit:

Postuar: 22/11/2019 - 18:34

Ish deputeti i PD-së, Tritan Shehu ka komentuar situatën dhe përplasjet që po ndodhin për Gjykatë

Postuar: 22/11/2019 - 18:22

Në një intervistë për “Der Spiegel”, Presidenti i Serbisë, Vuçiç deklaroi se ka rënë

Postuar: 22/11/2019 - 17:48

Zëvendës kryetari i LSI-së, Luan Rama, ka reaguar menjëherë pas deklaratës së Departamentit Ameri

Postuar: 22/11/2019 - 17:26

Presidenti Ilir Meta  ka paralajmëruar sot se do të mbajë në orën 18:30 një konferencë të ja

Postuar: 22/11/2019 - 17:18

Deputeti i opozitës parlamentare, Alban Zeneli  tha se, shtyrja dhe zvarritja e hetimit ndaj

Postuar: 22/11/2019 - 17:06

Gjatë takimit me Kryetarët e Bashkive, Ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se F