Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Klotilda Bushka: Ja kur do ngrihen KLGJ, KLP e SPAK, opozita ka në thelb vetëm baltosjen, po përdor çdo mënyrë për të penguar reformën në drejtësi

Postuar: 02/10/2018 - 08:07

Deputetja socialiste Klotilda Bushka, në një intervistë për gazetën “SOT” ka dhënë detaje mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe u është përgjigjur akuzave të opozitës. Sa i takon skandalit të Krujës, Bushka ka deklaruar se opozita po përdor çdo ngjarje politikisht. Nga ana tjetër ajo ka thënë se brenda tetorit nis ngritja e organeve të reja të drejtësisë.

-Zonja Bushka, PD u është rikthyer denoncimit të skandaleve, siç i quan ajo. Këtë herë ka akuzuar Kreun e Grupit të PS, Taulant Balla dhe deputetin Rrahman Rraja të përfshirë në një ngjarje kriminale. Si i shihni këto akuza dhe a kemi të bëjmë me një vijim të serialit “Babale”?

Unë këto akuza i shoh si strategji të opozitës, që ka në thelb metodën e përbaltjes e shpifjes dhe jo përgjegjshmërinë e politikës opozitare për të verifikuar dhe vërtetuar ato që thotë me fakte dhe dokumenta, si dhe për të ndihmuar që çdo kundërligjshmëri të denoncohet në organet e drejtësisë. Opozita përdori fatkeqësinë e një vajze për interesa tërësisht politike dhe nuk e pati problem viktimizimin e saj për herë të dytë. Kryefjala sot duhet të ishte mbrojtja dhe mbështetja e vajzës që ka denoncuar dhunën. Kjo jo vetëm për të, por për të gjitha ato gra dhe vajza që mund të jenë në situatën e saj e që duhen nxitur të raportojnë këto raste në organet e shtetit.

Nga ana tjetër, organet e drejtësisë duhet të hetojnë, duhet të nxjerrin përgjegjësit dhe të vënë përpara ligjit këdo që në këtë rast ka shkelur ligjin ose nuk e ka zbatuar atë, qofshin këta zyrtarë apo qytetarë të zakonshëm. Akuzat e opozitës për përfshirje të Kryetarit të Grupit Socialist Taulant Balla me historinë e Krujës, unë e cilësoj si serinë e radhës së skenarit “Babale – PD”.  Vetëm drejtësia është përgjigja për cilindo, qoftë për opinion publik, qoftë për atë që nuk i bën syri “tërr” dhe nuk e ka fare problem që të shpifë për të përbaltur të tjerët. Vetëm drejtësia bën drejtësi.

-Opozita ka shpallur një platformë antimafia kundër oligarkëve. A po rrezikon PD largimin e investitorëve?

Kjo është një çështje shumë delikate, madje shumë sensitive. Unë e kam thënë edhe herë të tjera se gjithçka që po bën opozita në këtë vend është në kufijtë e lajthitjes. Sepse në fakt nuk mund të jesh vetëm kundër të gjithëve dhe nëse je, duhet të kesh një kauzë të vërtetë, të mirëmenduar e të bazuar në fakte e argumenta si dhe ta adresosh këtë kauzë me mekanzimat e duhur në demokraci.

Opozita është një institucion i rëndësishëm i demokracisë në vend dhe duhet të jetë e përgjegjshme dhe konstruktive për të mirën e qytetarëve. Por fatkeqësisht ne në Shqipëri nuk kemi një opozitë të tillë. Ne shohim çdo ditë një opozitë që bie në batak, në dëshpërim për të fituar kredo politike dhe atë që nuk e fiton dot me votë, pra pushtetin. Opozita ka artikuluar nisma absurde si ajo e paketës antimafia, me anë të së cilës përpiqet t’i etiketojë të gjitha bizneset në këtë vend si “oligarkë”, duke mos respektuar biznesin e ndershëm,veprimtarinë tregtare të njerëzve të thjeshtë të këtij vendi, apo të njerëzve të pasur, (pasi nuk është mëkat të jesh i pasur; mëkat dhe krim është të pasurohesh në kurriz të të tjerëve e me veprime kundër ligjit dhe të mos justifikosh burimin e ligjshëm të pasurisë).  Pra, gjithçka që opozita është duke bërë, sigurisht që nuk krijon një klimë të mirë për investitorët e huaj në Shqipëri, ashtu edhe për ata që janë vendas, që kanë vite dhe me punë të ndershme ngrenë aktivitetet e tyre tregtare. Pse e them këtë?!E them sepse kam dëgjuar ditët e fundit në media përfaqësues të bizneseve të huaja dhe shqiptare, të cilët ndihen të kërcënuar nga kjo nisëm e opozitës. Dhe në fakt nuk gjej asnjë arsye konkrete se çfarë duhet bërë më shumë, se sa atë që garanton ligji sot. Ne kemi një kuadër të plotë ligjor antimafia. Kemi struktura task force kundër korrupsionit. Kemi struktura në organet e policisë, prokurorisë etj, që janë kompetente për zbatimin e dispozitave ligjore antimafia. Pra, gjithkush që ka kryer abuzime me fondet publike dhe që ka lidhje kriminale mund të vihet para drejtësisë. Çfarë mungon këtu?! Me defektet e veta apo jo, drejtësia funksionon me shkallë dhe ekzistojnë në Shqipëri të gjitha mekanizmat ligjore që të gjitha veprimet e kundërligjshme të hetohen nga agjencitë ligjzbatuese dhe nëse ka shkelje, kushdo duhet që të mbajë përgjegjësi siç e parashikon ligji. SPAK dhe BKH janë gjithashtu dy premise të rëndësishme për intensifikimin e kësaj lufte pa kompromis.

-Nuk keni mbetur dhe ju larg akuzave të opozitës. Keni një koment për sulmet ndaj bashkëshortit tuaj?

Kjo është një çështje që unë e kam sqaruar për opinion publik. Vetëm për opinion publik dhe para ligjit kam detyrim të jap llogari. Kështu që do të doja të isha e qartë sepse sa i takon akuzave të opozitës, unë e kam zgjedhur tashmë rrugën time dhe si njeri i ligjit që jam, akuzat e opozitës në adresën time dhe bashkëshortit tim do të jenë pjesë e një procesi gjyqësor, ku përfaqësuesit shpifës dhe altropolantet e PD-së, që nuk i kanë thënë ndonjëherë punës “mirëmëngjesi” dhe për interesat personale dhe ëndrrës për pushtet shpifin e hedhin baltë mbi këdo, të kenë mundësinë e ta tregojnë zotësinë që çdo akuzë ta vërtetojnë me prova dhe fakte përpara gjykatës.  Dua të them edhe njëherë se në këtë vend nuk është krim dhe mëkat që njerëz të zotë, profesionistë dhe që punojnë me punë të ndershme të fitojnë para duke bërë veprimtari tregtare të ligjshme. Bashkëshorti im është një nga këta. Kompania “Selcom SHPK” ku im shoq është ortak dhe administrator,  nuk ka marrë 3.5 miliardë lekë nga tenderat publike. Mjafton një verifikim në thesarin e shtetit dhe organet e prokurimit publik dhe akuzat e PD-së ndaj meje e bashkëshortit dalin bllof. Megjithatë, PD-në e pres në gjykatë.

-PD ka propozuar veting në politikë. A është kjo një mënyrë për të shmangur SPAK dhe BKH? Dhe nëse Komisioni i Venecias e pranon draftin e PD, do e miratoni?

Një gjë është e sigurt për qëndrimin e Partisë Socialiste që në krye të herës. Asnjë nisëm e cila do të bjerë ndesh me reformën në drejtësi dhe kur them reformë në drejtësi, përfshij SPAK-un dhe BKH-në, nuk do të jetë e pranueshme nga ne dhe kjo është e panegociueshme. Por nëse nisma të sinqerta, serioze dhe në të mirë të interesit publik për të pastruar politikën nga elementët kriminalë, nga elementët e korruptuar apo nga ata që kanë lidhje me krimin e organizuar do të paraqiten, sigurisht që do të ketë gjithë mbështetjen tonë. Sepse, ne si Parti Socialiste, si mazhorancë, jemi votuar nga qytetarët dhe një pjesë të madhe të besimit të këtyre të fundit e kemi marrë nga reforma në drejtësi dhe garancia që dhamë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, ku përfshihen këtu jo vetëm institucionet por edhe ligjet specifike që kemi bërë në kuadër të reformës.

-Kryeministri Rama pak kohë më parë foli se PS është duke punuar me disa ide të saj për këtë proces. A keni ju një plan për të dal me propozimet tuaja?

Ajo që Kryeministri ka thënë është tolerancë zero ndaj korrupsionit. Ne jemi mazhorancë dhe kemi detyrimin të veprojmë, e jo të merremi me fjalë. Dhe në kuadër të zbatimit të reformës së drejtësisë dhe kuadrit ligjor kundër korrupsionit, ne kemi ngritur dhe është funksionale struktura përkatëse antikorrupsion që drejtohet nga Ministria e Drejtësisë. Ju e keni ndjekur Ministren e Drejtësisë në deklaratat për shtyp se sa raste po denoncohen çdo ditë në organet e drejtësisë për abuzim me detyrën, etj. Nga ana tjetër, vihet re dukshëm intensifikimi i veprimeve të organeve ligjzbatuese në kapjen e grupeve kriminale dhe konfiskimit të pasurive të paligjshme sipas mekanizmave ligjore ne fuqi.

-Sa e kënaqur jeni me ecurinë e reformës në drejtësi?

Ecuria e reformës në drejtësi është e kënaqshme për mua. Nga ana tjetër kemi një opozitë dhe qëndrim zyrtar të saj që dukshëm ka dashur ta bllokojë reformën në drejtësi. Megjithatë edhe në opozitë ka elementë që e duan reformën. Ndërkohë që unë sigurisht do të kisha dashur që kjo reformë të ecë më shpejt, pasi thelbi i reformës është vetingu për gjyqtarët dhe prokurorët. Por nga ana tjetër i kuptoj organet e vetingut, pasi hetimi i thelluar për njerëzit e drejtësisë kërkon një punë voluminoze dhe tejet të thelluar. Kështu që nuk mund të prishet cilësia në kurriz të shpejtësisë. Po ashtu, ne kemi një nevojë për të ngritur organet e reja, siç janë KLP dhe KLGJ, pavarësisht vonesave që u krijuan. E para, ka të bëjë me faktin se Partia Demokratike e kundërshtoi reformën në Gjykatën Kushtetuese, çka e vonoi procesin. Më pas çadra e opozitës që vonoi ngritjen e organeve të vetingut, pra ata që do të vetonin gjyqtarët dhe prokurorët. Por këto vonesa u rifituan nga kjo mazhorancë në fillim të mandatit, kur u krijua gjithë infrastruktura e nevojshme për organet e vetingut që ato të kryejnë normalisht punën e tyre. Pra, i mirëkuptoj edhe organet e vetingut, pasi kjo është një reformë rrënjësore. Mos harrojmë që reforma të tilla kanë marrë shumë kohë në vende të tjera. Kjo reformë do sjellë një drejtësi të pastër, të pavarur dhe profesionale, që kontrollon pushtetin ekzekutiv dhe pushtetin legjislativ që ta mbajë gjithë korpusin e politikanëve/zyrtarëve të përgjegjshëm në detyrën e vet.

 -Keni  ju një plan apo ide se kur pritet të ngrihen organet e reja të drejtësisë?

Mendoj dhe me sa di shumë pak gjyqtarë dhe prokurorë kanë mbetur për t’u vetuar dhe që garojnë për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kjo do të thotë se brenda muajit tetor, parashikohet të fillojnë procedurat e zgjedhjes së atyre që janë kandidatët dhe e kanë kaluar vetingun nga vetë kolegët e tyre për të qenë më pas anëtarë të dy këshillave.

 

-Një problem që ka gati një vit është se Kushtetuesja ka rrëzuar disa nene në ligjet e reformës në drejtësi dhe nuk po bëhen amendimet. Pse nuk po mblidhet Këshilli i Legjislacionit?

Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme në fakt. Unë gjithmonë e kam vënë theksin tek largimi nga politika e përbaltjes. Kështu që të paktën ne si mazhorancë nuk duhet të harxhojmë kohë dhe energji duke u marrë me strategjitë e gabuara të opozitës. Por duhet të merremi me çështjet e ditës dhe ato të rëndësishme për qytetarët. Më vjen mirë që nuk po neglizhojmë atë që kemi si objektiv në mandatin qeverisës, për t’iu përgjigjur në kohë gjithë shqetësimeve të qytetarëve.

Pra, që t’i rikthehem pyetjes suaj, një nga gjërat dhe kryefjala e mazhorancës është fokusimi tek vazhdimi i mbledhjeve të Këshillit të Legjislacionit,sa i takon ndryshimeve që duhet të bëjmë në ato ligje për të cilat Gjykata Kushtetuese është shprehur. Por që për fat të keq nga ana e opozitës nuk ekziston një vullnet për të vazhduar me këtë punë.

-Për mendimin e tyre duhen 94 vota. A rrezikon opozita që KLGJ e KLP të jenë funksionale?

Patjetër që ndryshimet ligjore tek ligjet e prekura nga Gjykata Kushtetuese duan shumicë të cilësuar, ky është një detyrim Kushtetues. Ndërsa sa i takon pyetjes se a rrezikon që të jenë funksionale KLGJ dhe KLP, them se nuk ekziston një gjë e tillë. Si Këshilli i Lartë Gjyqësor ashtu edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk kanë lidhje me këtë punë që po bëjmë në Këshillin e Legjislacionit, pasi ne po diskutojmë ligje që kanë lidhje me mënyrën se si do të funksionojnë organet e reja të drejtësisë pasi të ngrihen dhe që duhen plotësuar me disa dispozita sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Këto amendime duan, siç e thamë, konsensus mes mazhorancës dhe opozitës. Dhe unë këtu dua të ndalem tek konsensusi, pasi të gjithë thonë dhe kërkojnë që duhet të ketë patjetër dialog. Sigurisht që dialogu mes pozitës dhe opozitës është çelësi i artë që ka demokracia, por që për fat të keq opozita për ego të pushtetit nuk e do këtë gjë. Gjithsesi mazhoranca është e gatshme të dialogojë me opozitën si për këto ligje, ashtu edhe për ligjin për magjistratët që është një çështje shumë delikate dhe gjithashtu edhe për reformën zgjedhore. Reforma zgjedhore është një reformë kyçe që duhet patjetër të përmbyllet, nëse opozita do të ketë interes për ndryshimet ligjore. Sepse nga mënyra se si e paraqet opozita, duket sikur këtu zgjedhjet ajo i humb për shkak të manipulimit dhe që për mua është thjeshtë një alibi e tyre. Opozita asnjëherë nuk ka paraqitur fakte se ka pasur manipulime në zgjedhje, madje atë nuk e kanë mbështetur as ndërkombëtarët, pasi kanë qenë gjithmonë monitorues të rreptë të proceseve zgjedhore.

-BE kërkon luftë antikorrupsion? A do jenë ngritur SPAK e BKH deri në qershor 2019, kur të merret vendimi për negociatat?

Po u ngrit Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pa diskutim që Prokuroria Speciale do të jetë e ngritur, gjithashtu edhe organet e tjera. Ngritja e SPAK dhe BKH janë procese që i kanë këshillat në fokusin e tyre dhe si kompetencë, kështu që këto organe besoj se do të ngrihen shumë shpejt. Gjithsesi dua të them që Bashkimi Europian na mbështet dhe nxit që të luftojmë korrupsionin. Në këtë kontekst, i jam shumë mirënjohëse BE-së, SHBA-ve dhe Gjermanisë që kanë kontribuar shumë në këtë proces, duke na mbështetur në luftën antikorrupsion. Por jemi ne, shqiptarët, që duhet ta zbatojmë këtë gjë, pasi na intereson ne të parëve që të luftojmë korrupsionin, pasi është në të mirë të vendit tonë. 11. Në prokurori janë një sërë dosjesh të bujshme, por që nuk po gjejnë zgjidhje. Kemi rastin CEZ, ku ka qenë zoti Balla që ka bërë një padi. Keni një koment për zvarritjen e hetimeve? Pavarësisht se nuk janë ngritur ende organet e posaçme të hetimit, Prokuroria e Përgjithshme vazhdon punën për të punuar me dosjet që ka. Sot, falë ndryshimeve ligjore ka një terren tjetër ligjor. Nga një organ i centralizuar prokuroria është kthyer në një organ të decentralizuar. Kjo do të thotë se prokurori ka kompetencë në hetimet e veta direkte dhe se ai në veprimtarinë e tij kontrollohet nga gjykata. Pra, kjo është një garanci ligjore që e bën prokurorinë më të besueshme dhe më të pavarur. Kështu që organet e hetimit nuk kanë pse presin për të hetuar një çështje, qoftë edhe çështjen e CEZ-it që ju përmendët, që patjetër duhet ta zbardhin dhe ta hetojnë me thellësi dhe prioritet. Thënë më drejtë, prokuroi nuk ka pse pret të ngrihen organet e reja, pasi kemi Prokurorinë për Krimet e Rënda, ku prokurorët kanë tagër që të vazhdojnë hetimet e çdo dosjeje të bujshme. Nga ana tjetër dua të shtoj se prokuroria duhet të lihet e qetë dhe të mos i bëhen presione politike dhe mediatike, që ta bëjë punë e saj objektivisht dhe larg çdo presioni të kësaj natyre. Si përfundim, padiskutim që këto dosje duhet të zbardhen.

Intervistoi:Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/10/2018 - 23:29

Endri Fuga, drejtori i Komunikimit me Median në Kryeministri, ka reaguar pak momente më parë në lidhje me intervistën e Sali Berishës në emisionin “Open”,  duke “sulmuar” gazetarët që ishi

Postuar: 22/10/2018 - 22:45

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani  tha se është zbërthyer rrjeti që tentoi trafikun e

Postuar: 22/10/2018 - 22:42

Mbrëmjen e sotme ish-kryeministri Sali Berisha është i ftuar në studion e emisionit “Open&r

Postuar: 22/10/2018 - 22:10

Ish-Kryeministri, Sali Berisha akuzoi mbrëmjen e sotme nga studio e emisionit “Open”

Postuar: 22/10/2018 - 22:00

Ish-kryeministri Sali Berisha tha se politikanë të lartë kanë dalë në pah nga përgjimet e grupit

Postuar: 22/10/2018 - 21:56

Gjatë intervistës së sotme të dhënë në “Open”, Sali Berisha ndër të tjera u shpreh se

Postuar: 22/10/2018 - 21:44

Ish-kryeministri Sali Berisha  ka komentuar operacionin dhe arrestimet e bujshme në fundjavë