Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kreu i sindikatave të industrisë, Taf Koleci: Ja si do bëhet shtesa e pensionit për naftëtarët dhe minatorët, me ligjin e ri përfitojnë rreth 18 mijë persona

Postuar: 24/03/2019 - 08:07

Pretendimet e naftëtarëve, minatorëve dhe metalurgëve për pensionet e tyre, shumë shpejt do të marrin zgjidhjen. Sinjalin e ka dhënë ditën e djeshme Presidenti i Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, Taf Koleci. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, Koleci e ndali pikërisht theksin tek shqetësimet që hasin sot kategoritë e sipërpërmendura, duke deklaruar se me projektligjin e ri që pritet të miratohet së shpejti në Parlament ata marrin pension para kohe deri në 10 vjet, para daljes normale në pension, ndërsa theksoi se për tre profesionet në fjalë do të ketë edhe një shtesë në pension. Në këtë kontekst, ai theksoi se është një privilegj i pastër që u bëhet këtyre kategorive, siç është shtesa e pensionit, e cila sipas tij, do të financohet nga buxheti i shtetit. Ndërkohë, Koleci theksoi se me ligjin e ri përfitojnë rreth 18 mijë persona.

-Zoti Koleci, pak ditë më parë ju patët një takim me përfaqësues të qeverisë për ligjin mbi trajtimin financiar të naftëtarëve, metalurgëve dhe minatorëve. Çfarë ndodhi në atë takim dhe sa i kënaqur mbetët?

Në këtë takim u diskutua gjerësisht projektligji mbi “Trajtimin Financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit, si dhe punonjësve që kanë punuar në metalurgji”. Takimi ishte shumë frutdhënës, por në disa nene të këtij projektligji për sa i përket përfitimit financiar në shprehim rezervat tona.

-Sa e gatshme është qeveria të pranojë të gjitha propozimet tuaja dhe kur pritet që ligji në fjalë të shkojë në Parlament?

Qeveria po konsultohet me grupet e interesit dhe sindikatat për ta kaluar sa më shpejt në Parlament këtë projektligj për të tre profesionet e vështira, për shkak të ngushtësisë në lidhje me vështirësinë e punës dhe brenda këtij parimi janë bërë dallime në punë të vështira dhe shumë të vështira. Shpresojmë që ky projektligj të shkojë në Parlament brenda këtyre dy muajve, duke vlerësuar dhe situatën jo të mirë politike në vendin tonë.

-Në mënyrë të përmbledhur, çfarë është ky ligj dhe çfarë risish do sjellë ai për naftëtarët, minatorët e metalurgët?

Ky projektligj iu jep pension para kohe deri në 10 vjet, para daljes normale në pension, këtyre tre profesioneve dhe jep një shtesë në pension, për të gjithë pensionistët aktualë dhe ato që do të dalin në periudhën afatshkurtër. Kjo shtesë mbi pension, nuk është e financuar nga kontributet e paguara, por është një privilegj i pastër që u bëhet këtyre kategorive, të financuar nga buxheti i shtetit. Me këtë shtesë të ardhurat e shumicës së minatorëve, arrijnë në shumën e pensionit maksimal që marrin pensionistët e tjerë. Në këtë projektligj si dhe me ligjin 150/2014, të miratuar në 2014 plotësohen kërkesat e paraqitura në vite nga minatorët dhe sindikatat që përfaqësojnë ata. Ky projektligj përfshin dhe metalurgët dhe naftëtarët që kanë kryer një punë që konsiderohet e vështirë duke vendosur një trajtim të barabartë, bazuar në vështirësinë e punës. Gjithashtu ky projektligj saktëson përfituesit e statusit të naftëtarit, i cili ka kaluar në Parlament dhe pritet të botohet në Fletoren Zyrtare.

-Më përmbledhur, përmes këtij ligji do kemi pension suplementar për tre kategoritë?

Mendoj se po, por nuk mund të them që plotëson kërkesat minimale të kërkuara prej grupeve të interesit dhe sindikatave për sa i përket masës së përfitimit financiar.

-Ju flisni për trajtim financiar. Sa persona do të përfitojnë nga ky ligj?

Nuk mund të them një shifër ekzakte, pasi institucionet përkatëse qeveritare lëvizin në shifra, por mendimi ynë bazuar në studimet tona është afërsisht 18 mijë persona, për të tre këto kategori të lartpërmendura.

-A flitet në këtë ligj për moshën e pensionit?

Po, në këtë ligj flitet për moshën e pensionit si për minatorët, naftëtarët dhe metalurgët.

-Çfarë kostoje financiare do ketë ky ligj?

Ashtu siç ju përmenda më lart që ky projektligj është atribut i pastër që do të jepet nga buxheti i shtetit. Ne akoma nuk kemi një shifër ekzakte për koston financiare dhe besoj që nuk do të ishte korrekte të themi një shifër të paakorduar akoma.

-Pse lindi nevoja e një ligji të tillë?

Federata Sindikale e Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, në përbërje të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, ka qenë e shqetësuar në lidhje me kërkesat e herëpashershme të ish-minatorëve të dalë në pension, që nga viti 1991 e deri në 2015. Ky grup minatorësh ka dalë në sensin me vlerën e pensionit minimal, për shkak se nga viti 1992 e deri në viti 2003, të gjitha minierat e vendit tonë kanë pushuar së funksionuari dhe kanë kaluar në regjim konservimi në disa akte ligjore dhe nënligjore të posaçme. Në këto akte është përcaktuar se sigurimet shëndetësore dhe shoqërore do t’i paguante shteti deri në përfitimin e pensionit të pleqërisë. Fatkeqësisht qeveritë e radhës, ndoshta dhe në kompromis me sindikatat që përfaqësonin ato, këtyre minatorëve u është paguar siguracioni me vlerën e pagës minimale. Mbështetur në ligjin e kohës, për sigurimin e kohës (3 vite nga 10 vitet e fundit), këta minatorë kanë përfituar një pension minimal, pavarësisht profesionit të tyre, i cili aktualisht është 14 mijë deri në 17 mijë lekë në muaj (të rinj). Numri i përgjithshëm, për sa i përket ish-minatorëve arrin deri në 8 mijë persona. Ky shqetësim është transmetuar ndër vite, por asnjëherë nuk është gjetur një zgjidhje shteruese. Thelbi i kërkesës për statusin e minatorëve, ka ardhur nga ky shqetësim dhe sigurisht pas tij dhe i naftëtarëve dhe metalurgëve, etj...Ne mendojmë se zgjidhjet që qeveritë e radhës kanë dhënë, përfshirë edhe qeverinë e fundit, nuk kanë qënë inteligjente dhe të ndershme. Ne mendojmë se ky grup i veçantë, me të njëjtat kushte si punonjësit e tjerë që kanë dalë në pension pleqërie, duke i shkëputur direkt marrëdhëniet e punës (ky grup ishte me pagesë kalimtare, trajtim i veçantë apo pension i parakohshëm). Në lidhje me projektligjin për “Trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në nëntokë, të punonjësve të naftës dhe gazit dhe të metalurgjisë” ne kemi qenë dakord në parim, por duke e alternuar këtë projektligj të paraqitur në ministritë e linjës dhe grupet e interesit si projektligj specifik për statusin e punonjësve të minierave në nëntokë. Për miratimin e këtij projektligji, kemi punuar mbi tre vjet, me disa grupe pune të udhëhequra nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë dhe e Infrastrukturës dhe në përgjithësi të dakordësuara me kërkesat tona. Ne jemi të surprizuar, kur ish-ministri i Financave Z. Ahmetaj, në mënyrë të befasuar u mundua të kalonte në Këshillin Kombëtar të Punës, në tetor të 2018-s, projektligjin për trajtimin financiar suplementar për këto grupe punonjësish, pa u konsultuar dhe dakordësuar më parë me asnjë nga grupet e interesit. Ne e kemi kundërshtuar këtë projektligj, jo në thelb, por në disa nene të tij, të cilat nuk japin zgjidhje shteruese për grupet e ish-minatorëve të dale në pension nga 1992 deri ne 2015. Edhe një herë duam të falënderojmë kryeministrin Edi Rama, që i vlerësoi shqetësimet tona dhe në datën 31 janar 2019, zhvilloi një takim me ne si Sindikata dhe grupe interesi gjithashtu dhe me dy ministret përgjegjëse për këtë situatë, Znj. Balluku dhe Znj. Denaj, të cilat sapo ishin emëruar në këtë detyrë.

-Për çfarë u ra dakord?

Në këtë takim u ra dakord që të bëhej një azhornim i të dy projektligjeve alternative, duke dhënë një zgjidhje të pranueshme dhe gjithëpërfshirëse e të baras-vlefshme në parim për këto tre profesione të vështira. Dua t’iu informoj se u ra dakord që të përfitojnë të gjithë ata minatorë që kanë dalë në pension pleqërie në përputhje me ligjet ekzistuese, me një vështirësi pune në nëntokë prej 10 vjet e 6 muaj dhe jo 12 vjet siç propozohej, pasi kjo përjashton një fashë të konsiderueshme të minatorëve të dalë në pension pleqërie. U dakordësua që mos të përdorej fjala “Status”, por të zëvendësohej me termin “Trajtim financiar suplementar”. Nga projektligji alternativ i paraqitur më parë nga ne, u ra dakord që neni nr,1, 2, 3, nuk ndryshojnë. Neni nr.4 duhej të diskutohej me Ministrinë e Financave për vlerën e përfitimit duke u orientuar rreth 40% të pagës minimale zyrtare si dhe problemi i vjetërsisë mbi 10 vjet e 6 muaj, të riformulohet me një koeficient të arsyeshëm progresiv. Neni nr.5 u rra dakord të hiqet, neni nr 6 nuk ndryshonte, neni nr.7 nuk ndryshonte, neni nr. 8 nuk ndryshonte, neni nr. 9 nuk ndryshonte, por ishte i panevojshëm dhe mund të hiqej, nr, 10 hiqet fare, neni 11 të diskutohet duke u diskutuar mbi pensionin bazë si një trajtim i veçantë. Pra, ky ishte pak a shumë për sa u dakordësuam ne si grup pune bashkë me dy ministritë e linjës, për statusin e minatorit.

-Sa po zbatohet realisht statusi i naftëtarëve?

Është në përfundim e sipër nga grupi i punës për të verifikuar dokumentet e kërkuara për të përfituar statusin e naftëtarit. Dhe kjo mendohet se do të zgjasë jo më shume se tre muaj.

-Pse qeveria nuk ka miratuar ende një ligj për statusin e minatorit dhe sa i nevojshëm është?

Qeveria është duke diskutuar me grupet e interesit dhe sindikatat mbi “trajtimin financiar suplementar të minatorëve”, por jo për një “Status” në kuptimin e tij të plotë.

-Me çfarë problemesh përballen sot minatorët e naftëtarët?

Problemet e minatorëve, të punonjësve të naftës dhe gazit dhe metalurgëve janë në kushtet e mbijetesës. Po t’i dëgjosh kur flasin minatorët naftëtarët apo dhe metalurgët për problemet e tyre, konstatohet që nuk është bërë asgjë për këto punonjës të këtyre profesioneve të vështira, ku këta punonjës kanë dhënë djersen, gjakun, gjymtimin e gjymtyrëve si dhe jetën për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare, për vite të tëra. Edhe sot ata janë në mes të katër rrugëve, duke shtrirë dorën qeverive dhe parlamentareve që të bëjnë të mundur, në një kohë sa më të shkurtër dhënien e këtij projektligji, që sado pak të ndihmojë në ekonominë e tyre.

Intervistoi:Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/06/2019 - 22:10

 Pas përplasjeve dhe konfrontimeve që pati me nëndrejtorin e Policisë së Shtetit, Gjovalin Loka teksa së bashku me militantë të PD-së dhe LSI-së tentuan të bllokojnë kalimin e eskortës së kreut të qeverisë Rama n

Postuar: 15/06/2019 - 21:55

Kryeministri Rama nuk ka lënë pa ironizuar kundërshtarët e tij politik, nga Monika Kryemadhi e Lu

Postuar: 15/06/2019 - 21:35

 Kryeministri Edi Rama ka zbuluar një incident që ka ndodhur në vitin 2011 kur për bashkinë

Postuar: 15/06/2019 - 21:19

 Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka reaguar pas ironisë së Kryeministrit Rama, i cili

Postuar: 15/06/2019 - 21:09

Kreu i PD Lulzim Basha përmes një statusi në “facebook” shkruan se data 30 qershor ës

Postuar: 15/06/2019 - 21:00

Kreyministri Rama ka komentuar nga Korça marrëveshjen e 17 majit të dy viteve më parë me kryedemo

Postuar: 15/06/2019 - 20:45

 Kryeministri Edi Rama po zhvillon në këto momente një takim me qytetarët e Korçës për të pr