Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kristaq Kume: Qeveria teknike vetëm me dakordësi, zgjedhjet mund të shtyhen, PD-PS bllokadë reformës në drejtësi

Postuar: 08/04/2017 - 09:12

Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, në një intervistë për gazetën “Sot”, apelon për zgjidhjen e krizës politike. Kume thekson se zgjedhjet pa opozitën do ishin një farsë, pasi do të ishte shkelje e Kushtetutës dhe e ligjit nëse gjysma e klasës politike nuk merr pjesë në zgjedhje. Ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume, thotë se, nëse nuk arrihet dialogu politik mes Ramës dhe Bashës për daljen nga kriza, do të ishte e udhës që të shtyhej data e zgjedhjeve, pasi vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje pa opozitën. Ndërkaq, Kume akuzon PD dhe PS për zvarritjen e reformës në drejtësi dhe mosrealizimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Ai thotë se nuk ka më kohë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërsa komisioni i posaçëm dëshmoi mungesë vullneti.

Politika shqiptare deri më tani nuk ka bërë asnjë lëvizje për zgjedhjen e presidentit të ri. Kur duhet të nisin procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit?

Ligji parashikon që procedurat të fillojnë jo më vonë se 60 ditë nga mbarimi i mandatit të presidentit aktual. Presidentit i mbaron mandati më 24 korrik, që do të thotë se procedurat duhet të nisin jo më vonë se 24 maji. Në rastin kur zgjedhja e presidentit përkon dhe me zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, procedurat duhet të nisin jo më vonë se 60 ditë nga mbarimi i mandatit të Kuvendit aktual, që do të thotë jo më vonë se 9 korriku. Kuvendi me vendim të tij mbyll legjislaturën jo më vonë se 30 ditë nga data e zgjedhjeve, që do të thotë që, duke patur parasysh faktin se, procedurat për zgjedhjen e presidentit parashikojnë në maksimum 5 raunde dhe nga njëri raund në tjetrin duhet të kalojë jo më shumë se 7 ditë. Nga data kur fillojnë procedurat për zgjedhjen e presidentit në maksimum procedurat përfundojnë pas 28 ditëve. Nëse nuk fillojnë procedurat diku nga 10-15 prilli, është e pamundur që të mbyllen këto procedura përpara se Kuvendi të marrë vendimin për mbylljen e punimeve të sesionit të tij. Kuvendi aktual po ashtu ka detyrën që në rast se do ta zgjedhë presidentin të realizojë edhe seancën për betimin e presidentit, seancë e cila pavarësisht se sa dhe kur do të zgjidhet presidenti, duhet të bëhet në 24 korrik kur i mbaron mandati presidentit aktual. Do të duhet që ky Kuvend të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të bërë betimin e presidentit. Nuk ka asnjë pengesë dhe ngërç për të realizuar këtë procedurë. Në kushtet kur opozita nuk do të pranojë të marrë pjesë në procedurën për zgjedhjen e presidentit, mazhoranca me numrat që ka e realizon të gjithë vetë. Nëse opozita nuk do, është problemi i saj. Ndryshimet kushtetuese të bëra në 2008 sa i takon zgjedhjes së presidentit, parashikojnë që në fund të procedurave ai mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë të mazhorancës, me 71 vota.

Me bojkotin e opozitës, reforma zgjedhore ka ngecur. A ka më kohë që të realizohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor?

Që të realizohet ashtu siç pritej të realizohej kjo reformë me kohën e mbetur, është e pamundur. Për mendimin tim, janë të mundshme ndryshimet në Kodin Zgjedhor qoftë edhe vetëm me votat e mazhorancës, e cila e ka fuqinë për ta bërë këtë gjë. Pra, mund të bëhen ndryshimet në ato dispozita të cilat trajtojnë çështjet që kanë të bëjnë me trajtimet financiare të partive dhe për veprën penale të shkeljes së ligjit zgjedhor. Për të dyja këto çështje që mund të reflektojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë të tilla që, të dy krahët politikë në parim kanë rënë dakord. Për të tjera ndryshime është e pamjaftueshme koha për t’u bërë, duke pasur parasysh atë që çfarë ka bërë ky komision, që ka një vit që funksionon, ka treguar se te partitë politike mungon vullneti për ndryshime të tilla.

Sa i takon reformës në drejtësi, duhet të kishte nisur puna për ngritjen e organeve të reja. Si e shihni zvarritjen e reformës në drejtësi?

Ajo që tashmë është karakteristikë e situatës politike që po kalon vendi, është krijimi i ngërçit në disa dimensione. Largimi i opozitës nga Kuvendi i Shqipërisë nuk sjell si pasojë vetëm mosrealizimin e reformës zgjedhore, por mosrealizimin as edhe të reformës në drejtësi. Zgjidhja kushtetuese që i kanë vënë kësaj reforme është e tillë që, ajo nuk mund të realizohet dot pa qenë prezentë të dy palët, për sa kohë që komisionet që do të përzgjedhin njerëzit ata që do të bëjnë vetingun, duhet të formojnë përfaqësimin 50 % me 50 %. Kjo situatë është një situatë shumë e padëshirueshme, stiuatë e cila ka lënë pezull edhe disa institucione të tjera kushtetuese. Sot, Avokati i Popullit vepron jo ashtu siç e parashikon ligji. Ne jemi në kushtet kur për jo pak problematika nga klasa politike, rezultati është zero. Të ulen të bisedojnë dhe të gjejnë zgjidhje. Nëse do vendosin si të parë zgjidhje të cilat do t’i shërbejnë vendit dhe zhvillimit të prosperitetit demokratik të tij, mundësitë ekzistojnë gjithmonë për të gjetur zgjidhje; zgjidhja vështirësohet nëse vendoset vetëm interesi politik i tyre.

Komisioni ad hoc duhet ngrihet për të zgjedhur anëtarët e dy komisioneve të vetingut. Si mund të dilet nga ky ngërç nëse opozita nuk vjen në Kuvend?

Komisioni nuk funksionon në këto kushte, në të kundërt do bjerë ndesh me Kushtetutën dhe me ligjin e vetingut, ku është parashikuar që komisionet parlamentare të ngrihen sipas balancimit politik 50 me 50.

Ilir Meta ka propozuar që pjesë e qeverisë të bëhet edhe opozita. Sa e mundur është nga ana ligjore?

Nëse partitë politike bien dakord që një gjë e tillë të bëhet, kjo është e mundur. Mazhoranca e sotme jep dorëheqjen dhe, në këto kushte, hapet mundësia ligjore për krijimin e një qeverie të re. Për të patur një qeveri ndryshe nga kjo e sotmja, kjo realizohet vetëm si produkt i dakordësisë politike dhe si e tillë, kjo dakordësi politike nuk kapërcen ligjin.

Nëse nuk arrihet në një dakordësi politike për daljen nga kriza, çfarë ndodh nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet parlamentare?

Unë nuk dua ta imagjinoj se çfarë produkti do sjellin zgjedhjet nëse nuk merr pjesa gjysma e klasës politike!? Ato çfarë do mund të jenë, vetëm zgjedhje jo. Duhet të bëhen përpjekje maksimale të mundshme dhe unë besoj se mundësitë për të gjetur zgjidhjen ekzistojnë. Zgjedhje pa pjesëmarrjen e gjysmës së klasës politike, do të ishin një farsë. Duhet të bëhen përpjekje për zgjidhje, për të marrë pjesë në zgjedhje edhe pjesa tjetër. Zgjidhjet mund të jenë nga më të ndryshmet. Opsion mund të jetë dhe shtyrja e datës së zgjedhjeve. Pas kësaj dakordësie të vijë rregullimi i nevojshëm ligjor që ajo dakordësi të mund të zbatohet. Ndryshimi në Kodin Zgjedhor apo në Kushtetutë.  

Intervistoi: Eneida Jaçaj

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 20

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/07/2017 - 21:46

Partia Demokratike ka publikuar të dhënat përfundimtare të anëtarëve që votuan sot për zgjedhjen e kryetarit të PD, ku në garë ishin Lulzim Basha dhe Eduart Selami.Siç shihet nga të dhënat afro gjysma e anëtarësisë ka bojkotuar zgjedhjet.

Postuar: 22/07/2017 - 21:39

Ka përfunduar votimi për zgjedhjet në PD, se kutitë po sillen drejt Tiranës.

Postuar: 22/07/2017 - 20:17

Kryetari i Partise Republikane, Fatmir Mediu në një postim në “Facebook” ka komentuar zgjedhjet që u mbajten sot në PD për kryetarin e ri të saj.

Postuar: 22/07/2017 - 19:58

Kryeministri Edi Rama bëri thirrje nëpërmjet një statusi në “Facebook”, që “duhet të ngremë krye ndaj këtij soji grabitqarësh”.

Postuar: 22/07/2017 - 19:26

Ka përfunduar afati zyrtar i procesit të votimeve për zgjedhjen e kryetarit të PD ka përfunduar.

Postuar: 22/07/2017 - 19:15

Sot demokratët votojnë për të zgjedhur kreun e ri të partisë së tyre, ndërsa në garë marrin pjesë Lulzim Basha dhe Eduart Selami.

Postuar: 22/07/2017 - 19:05

Deputetja demokrate Majlinda Bregu kujton se si sot një vit më parë, në Parlament është votuar reforma në drejtësi me konsensusin e mazhorancës dhe opozitës.