Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kristaq Kume: Reforma zgjedhore mund të mbyllet deri në shtator, të ndryshojë ligji zgjedhor për përfaqësimin e partive të vogla

Postuar: 08/07/2018 - 08:25

 Ish-kryetari i Komisionit të Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume komentoi ditën e djeshme ecurinë e Reformës Zgjedhore. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ai u shpreh se me ecurinë e deritanishme të punës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, të gjitha pritshmëritë janë që puna të mbyllet deri në shtator dhe më pas drafti përfundimtar i punës t’i dërgohet Kuvendit. Duke vijuar më tej, Kristaq Kume ka edhe disa propozime. Sipas tij, duhet që të ndryshojë ligji zgjedhor me qëllim që të përfaqësohen në Parlament edhe partitë e vogla. Ish-kreu i KQZ shtoi se depolitizimi i komisioneve zgjedhore është diçka që mund të arrihet, ndërsa renditi edhe dy mënyrat si mund të bëhet një gjë e tillë.

-Partia Socialiste dhe ajo Demokratike u dakordësuan pak ditë më parë që të mos ndryshojë sistemi zgjedhor. Ju si e shihni këtë “pakt”, a duhet të ndryshojë sistemi zgjedhor?

Për mendimin tim, duke qenë se votat e shqiptarëve, kujtdo partie që t’i përkasin kanë të njëjtën vlerë, duhet të kenë edhe të njëjtën mundësi për tu transformuar si të tilla në mandate në Kuvend. Sistemi zgjedhor aktual me 12 njësi zgjedhore, mënyra sesi kërkesat e këtij sistemi janë të zbërthyera në Kodin Zgjedhor, këtu kam parasysh formulën për llogaritjet e mandateve që fitojnë partitë politike, në fakt kanë si efekt të tyre jo barazi të votës. Me këtë dua të them që n.q.s i referohemi strukturës politike të vullnetit të shqiptarëve, të shprehur në kutitë e votimit dhe strukturës politike të Kuvendit që del nga këto vota të hedhura, ka mospërputhje të ndjeshme. Një numër i konsiderueshëm votash janë votat e partive të vogla, por nuk arrijnë që të “përkthehen” në mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë kuptim, votat nuk janë të barabarta. Duhet që kjo gjë të reflektohet, të rregullohet, nëpërmjet edhe vetë Ligjit Zgjedhor, pa ndërhyrë dhe pa e ndryshuar sistemin proporcional rajonal që kemi. Ka mundësi për ta bërë një gjë të tillë. Për sa kohë që ne përdorim një sistem proporcional, do të thotë një sistem i cili si objektiv kryesor të tij ka proporcionalitetin midis vullneteve të shprehura nga zgjedhësit në kutitë e votimit dhe strukturës politike të Parlamentit. Është fare e natyrshme dhe e logjikshme që të ndërhyhet në Ligjin Zgjedhor për të bërë të mundur proporcionalitetin sa më të madh të mundshëm.

-A mendoni se reforma zgjedhore do të mbyllet para zgjedhjeve vendore?

Reforma zgjedhore sipas deklaratave të bëra nga drejtuesit e komisionit parlamentar, përfundon në shtator. Me këtë kuptojmë që ky komision dërgon në Kuvend draftin dhe ndryshimet që duhen bërë. Ecuria e punëve të derisotme parathotë se mund të realizohet një gjë e tillë për mendimin tim. Natyrisht gjithmonë do të ketë kërkesa për punë të pabëra, ashtu sikurse dhe çështjet që janë konsideruar se ndodhen në tavolinën e këtij komisioni të marrin zgjidhje përfundimtare siç rekomandojnë edhe ndërkombëtarët. Këtu mund të përmendim: Problemi i parimit sipas të cilit ndërtohet administrata zgjedhore. Partia Socialiste, përmes z. Çuçi ka deklaruar se janë të gatshëm që kjo pikë të ndryshohet totalisht. Pra të ndryshohet administrata dhe të mos anëtarësohen ata sipas ngjyrimit politik. Nuk kam pse ta paragjykoj një deklaratë të tillë, por të shohim. Është e vështirë për mua që brenda mandatit që ka ky komision të arrijë deri në një dakordësi të tillë, që sipas meje, mund të quhet e realizuar vetëm nëse në Ligjin Zgjedhor do të përcaktohet qartë që e gjithë administrata nuk do të jetë me njerëz që propozohen nga partitë politike, por me qytetarë.

-Sipas jush, cilat janë disa nga pikat kryesore ku duhet të përqendrohet reforma zgjedhore?

E para, ashtu siç edhe është deklaruar dhe kërkohet, është që duhet t’i jepet përgjigje dhe të gjendet zgjidhje për të bërë të mundur zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR, rekomandimet e vëzhguesve vendorë dhe të institucioneve të tjera dhe palëve të tjera të interesuara. Ndërkohë, mos të harrojmë që ka probleme të cilat janë kërkuar që të zgjidhen dhe është arritur dakordësia politike, siç është votimi i emigrantëve dhe përdorimi i teknologjisë së informacionit. Për mendimin tim që të dyja këto pika do të gjejnë pasqyrim dhe do tu hapet drita jeshile dhe që të dyja këto mund edhe të zbatohen në zgjedhjet vendore. Teknologjia e informacionit, siç edhe është thënë, do të pilotohet dhe pastaj sipas rezultateve që do të merren, do të bazohet se çfarë do të bëhet në zgjedhjet parlamentare. Ndërsa për votimin e emigrantëve është një problem që kërkon të trajtohet dhe të zgjidhet dhe nëse realizohet do të bëhet vetëm për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë. Ky është një standard ndërkombëtar.

-Duke u ndalur pak tek projekti pilot që është paralajmëruar në zgjedhjet vendore për teknologjinë, a mendoni se ky projekt do të rezultojë i suksesshëm?

Absolutisht nuk kemi arsye fare që ta vëmë në dyshim ka apo nuk ka sukses. Nuk kemi pse ta bëjmë këtë pyetje tani. Ne rast se e bëjmë këtë pyetje e paragjykojmë rezultatin. Për mendimin tim, ajo që do të bëhet quhet provë dhe prova ka si suksesin, ashtu edhe dështimin njësoj. Këto dy pika janë te barabarta në momentin që fillohet, por në vlerësimin tim, duke iu referuar faktit se kjo teknologji jep shumë mundësi, nuk është diçka që duam ta bëjmë ne të parët, por janë mundësi të përdorura dhe që aktualisht përdoren edhe nga vendet e tjera. Kështu që nuk kemi se ta paragjykojmë rezultatin dhe mundësinë për tu realizuar edhe në territorin shqiptar. Të shikojmë se çfarë do të sjellë kjo provë dhe të shpresojmë që të mos jetë blof si ai i vitit të kaluar.

-Ju si një ndër përfaqësuesit e shoqërisë civile, a keni qenë i ftuar në tryezat e diskutimeve?

Ndryshimi i madh midis çfarë ka ndodhur më përpara në procesin e punës së këtij komisioni dhe këtij kësaj radhe kanë thënë që procesi do të jetë gjithëpërfshirës, ndërsa kësaj radhe e kanë realizuar këtë gjë. Të kuptohemi, e kanë realizuar do të thotë që ne kemi qenë prezent në punën e këtij komisioni, na është kërkuar mendimi dhe kemi shprehur mendimin tonë në tavolinat që kanë organizuar, ashtu sikurse ne jemi përgjigjur edhe me materiale të shkruara e me propozime konkrete për çështje konkrete dhe zgjidhje opsionale për to. Pra ajo që është bërë deri më sot parathotë një produkt nesër me kontributet e jo vetëm anëtarëve të këtij komisioni dhe grupit të teknicienëve të tij, por edhe të të tjerëve dhe të shoqërisë civile. Sa dhe si do të merret në konsideratë ajo që ne kemi paraqitur përpara këtij komisioni, këtë do ta gjykojmë kur ne të shohim produktin përfundimtar të tij.

-Po vendimin për depolitizimin e komisioneve zgjedhore si e komentoni? A është diçka të cilën ne mund ta bëjmë? Pra, a kemi ne persona që mund të rrinë larg ndikimeve politike?

Ky është një ndër propozimet që edhe instituti që unë drejtoj "Instituti shqiptar për zhvillimin e zgjedhjeve" ka bërë. Ne i kemi dërguar me shkrim këtij komisioni dhe i kemi paraqitur mendimin tonë dhe propozimin tonë sesi mund të zgjidhet problemi i realizimit të administrimit të procesit zgjedhor si një proces sa më pak i ndikueshëm nga partitë politike. Ajo që ne kemi dashur është që të administrohet një proces zgjedhor duke pasur sa më pak ndikim nga partitë politike. Kemi shtruar dy opsione për të arritur këtë objektiv: n.q.s partitë politike, dy të mëdhatë nuk bien dakord që të heqin dorë nga e drejta që i kanë njohur vetes deri sot për të qenë ato propozuesit e komisionerëve, atëherë ne jemi të aftë të propozojmë që në Ligjin Zgjedhor partive politike t’u vihet kusht që ato shumë kohë përpara zgjedhjeve të radhës, pra jo më vonë se 6 muaj nga përfundimi dhe konstituimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet, të jenë të detyruara të paraqesin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën potenciale të njerëzve që ata mund t`i kenë nesër në zgjedhjet që do te vijnë komisionerë të tyre. KQZ formon një databazë më gjithë këto lista të marra nga partitë politike dhe të gjithë këta persona i nënshtrohen një trajnimi të vazhdueshëm përfundimi i të cilit është certifikimi i tyre si komisionerë të mundshëm dhe kur vijnë zgjedhjet është KQZ i cili do të përcaktojë pastaj me short se cilët nga këta do të marrin detyrën e administratorit të zgjedhjeve. Partitë politike nuk kanë punë me to. N.q.s partia politike do që të heqë një ose dy komisionerë nga këta të caktuar nga KQZ me short, zëvendësimi i tyre bëhet po prapë vetëm nga KQZ nga ata që ai ka trajnuar. Ky është opsioni i parë. Opsioni dytë është që në qoftë se bien dakord që të heqin dorë nga e drejta e tyre për të pasur komisionerë që janë nga listat që partitë politike kanë propozuar vetë, ajo që ne kemi propozuar është që KQZ të jetë institucioni i cili jo më vonë se 6 muaj nga përfundimi i zgjedhjeve të radhës të shpallë për qytetarët dhe t`i ftojë ata qe të bëhen pjesëtarë të administratës zgjedhore. Qytetarët le të ofrohen dhe të kërkojnë dhe më pas tu nënshtrohen trajnimeve që në fund certifikohen. Pikërisht këta do të jenë komisionerët e ardhshëm që i angazhon KQZ. Natyrisht që në të dy rastet, jo kushdo mund të jetë pretendent për komisioner sepse duhet me patjetër që të plotësohen disa kritere: arsimi i0 lartë, të mos jetë i dënuar, të mos ketë marrë masa administrative, të mos jetë anëtar i partisë politike (kjo vlen për opsionin e dytë) e kështu me radhë. Pra në rastin e parë ku partitë politike do të vijojnë të luajnë rolin e tyre këmbëngulet në faktin që të punohet dhe të investohet për një administratë profesionalisht të përgatitur. E dyta, tu heqim partive politike mundësinë që ligji ua jep për të zëvendësuar sa herë të duan dhe kur te duan dhe pa dhënë asnjë arsye komisionerët. Kjo është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme edhe nga ndërkombëtarët.

-Për të kaluar pak edhe në një fushë tjetër, siç është drejtësia. Duke qenë se jeni jurist, si e shihni zbatimin e reformës në drejtësi deri tani?

Nuk kam pse të them diçka për sa kohë që ajo është duke punuar. Komisionet shqyrtojnë dosje, marrin vendime, është një proces pune në vijim. Intensiteti i punës pastaj është tjetër gjë. Unë mendoj se duhet të shtohen ritmet e punës sepse sistemi në vlerësimin tim është në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, në bllokim total. Është e domosdoshme që të ndërhyhet për të përshpejtuar ritmet, jo në kurriz të cilësisë së produktit. Këtë shikoj si zgjidhje të ngërçit të krijuar. Të përshpejtohet ritmi i punës.  

Somario

N.q.s i referohemi strukturës politike të vullnetit të shqiptarëve, të shprehur në kutitë e votimit dhe strukturës politike të Kuvendit që del nga këto vota të hedhura, ka mospërputhje të ndjeshme. Një numër i konsiderueshëm votash janë votat e partive të vogla, por nuk arrijnë që të “përkthehen” në mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë kuptim, votat nuk janë të barabarta. Duhet që kjo gjë të reflektohet, të rregullohet, nëpërmjet edhe vetë Ligjit Zgjedhor, pa ndërhyrë dhe pa e ndryshuar sistemin proporcional rajonal që kemi. Ka mundësi për ta bërë një gjë të tillë...

Intervistoi: Mimoza Ibra

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 19

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/11/2018 - 10:20

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është kthyer sërish në një mollë sherri mes Presidencës dhe Kuvendit. Ky organ prej gati dy vitesh nuk ka funksionuar asnjëherë dhe gjithmonë ka pasur sherre e debate.

Postuar: 20/11/2018 - 10:10

Prokuroria maqedonase duket se do të thellojë reprezaljen në politikën vendase.

Postuar: 20/11/2018 - 10:00

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të bëjë rrokadë vitin që vjen në bashkitë kryesore të vendit.

Postuar: 20/11/2018 - 08:04

Banorët e zonës së “Astirit “nuk e ndalën as përgjatë ditës së djeshme protestën kund

Postuar: 20/11/2018 - 08:03

Të gjithë banorët që preken nga projekti i Unazës së Madhe e që nuk janë kontaktuar nga Autoritet

Postuar: 20/11/2018 - 08:02

Numri i punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror pritet të rritet gjatë vitit 2019.

Postuar: 20/11/2018 - 08:02

Në 20 nëntor të 2013 u nda nga jeta ish-deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi teksa udhë