Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Luçiano Boçi: Nuk ka marrëveshje me Ramën kryeministër, në shtator nisim protestat, nëse nuk largohet do e shporrin qytetarët

Postuar: 01/09/2019 - 08:40

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka komentuar dje situatën politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, demokrati Boçi shprehu bindjen se në 30 qershor nuk kishte zgjedhje, por votime moniste, që sipas tij, e bëjnë gjithçka nul. Sa i takon dorëzimit të bashkive që administronte opozita, zoti Boçi deklaroi se ato nuk u lanë, ndërsa akuzoi mazhorancën se i pushtoi me dhunë. Duke u ndalur tek dekreti i Presidentit Ilir Meta, ish-ligjvënësi demokrat deklaroi se PD e njeh atë, ndërsa theksoi se forca ku ai bën pjesë nuk hyn në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër dhe pa qeveri tranzitore.

-Zoti Boçi, zgjedhjet e 30 qershorit mbaruan, ndërkohë që kryebashkiakët fitues kanë nisur punën. Por ajo që bie në sy është fakti se bashkitë e drejtuara nga ju, për të cilat paralajmëruat se nuk do t'i lironi, tanimë janë në duart e mazhorancës. A mund të na thoni se çfarë ndodhi realisht dhe përse ju nuk e mbajtët premtimin?

Në 30 qershor pati votime moniste dhe jo zgjedhje demokratike. E të flasësh për fitues gare është sa qesharake aq dhe e neveritshme sepse gara ishte nul. 30 qershori prodhoi pikësëpari një refuzim mbarëqytetar ndaj qeverisjes dhe metodave të saj antikushtetuese e antidemokratike për të instaluar në të gjitha nivelet e pushtetit përfshirë atë lokal, një lloj junte policore-kriminale. Rastet Pjetri e Kajmaku ulërasin për këtë realitet. Kushtetueshmërisht është një datë e cila nuk ka produkt ligjor dhe si kësisoj të emëruarit politikë të kësaj date sot mbajnë një mandat fals, i cili nuk shpreh vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Këtë fakt e ka denoncuar dhe vetë raporti i OSBE-ODHIR. Data e zgjedhjeve lokale vazhdon të jetë 13 tetori. Në të gjithë këtë situatë ajo që bie më shumë në sy është se në vendin tonë ka ndodhur një marrje me dhunë e zyrave të pushtetit lokal, me hordhi policore e militantësh të cilët pushtuan live ambientet e bashkive pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë. Beteja që ne kemi nisur e që vazhdon nuk është thjesht një akt simbolik mbajtje zyrash, por është një betejë për të rikthyer vlerat e parimet e përdhosura dhe të nëpërkëmbura të demokracisë e shtetit ligjor. Për të nxjerrë vendin nga kriza e gjithanshme politiko-ekonomike e për ti hapur atij perspektivën e së ardhmes dhe të integrimit evropian. Gjenerimi i konfliktit ishte një skenar i cili do të çonte ujë në mullirin e kalbur e gati në rrëzim të Ramës. Diskreditimi i tij është më i dukshëm dhe i plotë kur del qartë në pah se si një shtet përdor segmentet e tij shtetërorë për të pushtuar zyrat e shtetit. Fakti që ne vazhdojmë betejën tonë dhe fakti që në kërkesën e tij kryetari Basha ka shtuar elementin e zgjedhjeve lokale në një ditë me ato politike dëshmon që ne jemi duke e mbajtur premtimin për të mos lejuar një njohje të 30 qershorit.

-Heqja dorë nga bashkitë, a ka lidhje me frikën se në rast rezistence ish-kryebashkiakët do të përballeshin me ligjin, pasi sipas mazhorancës bllokimi i zyrave përbënte kundërvajtje penale?

Një mazhorancë që shkel mbi Kushtetutën nuk mund të mbrohet duke paralajmëruar shkelje të ligjit. Një mazhorancë që emëron kriminelë në krye të bashkisë njerëz delinkuentë që mbartin dënime për vepra me profil të rëndë kriminal, nuk mund të paralajmërojë të zgjedhurit nga populli për kundërvajtje penale. Është krejt absurde një situatë e tillë. Por në Shqipëri kanë ndodhur gjëra dhe më të mëdha se kjo e asnjë nuk hyn në nivelin e çudirave. Një nga këto çudira ishte dhuna që u përdor për marrjen e bashkive por dhe dhuna për të nxjerrë administratën në votime, dhuna me krimin për të trysnuar njerëzit, dhuna ndaj invalidëve dhe familjeve me ndihmë ekonomike, dhuna politike për të mbushur kutitë dhe dhuna ndaj institucionit të Presidentit.

-PD ka nisur një betejë të re me mazhorancën, sa i takon dekriminalizimit. Përmes denoncimeve ju detyruat Valdrin Pjetrin që të jepte dorëheqje nga drejtimi i Bashkisë së Shkodrës, pasi sipas dokumenteve të bëra publike nga ju rezulton se ka qenë person me precedent penal. Ndërkohë të njëjtën gjë po bëni edhe me kryebashkiakun e Vorës, të cilin gjithashtu e akuzoni se është person me rekorde kriminale. Sa autentike janë provat që disponon PD dhe a do kemi denoncime të tjera të kësaj natyre?

Për të provuar sa autentike janë provat e PD, ju mjafton deklarata idiote e Ramës sipas të cilit PD i paska blerë provat. Pra provat janë, e vërteta ajo është, por fajin e ka PD se i nxori. Thënë jashtë deklaratës së kryeministrit, provat janë krejtësisht autentike dhe të pakundërshtueshme si në rastin e Pjetrit ashtu dhe Kajmakut. Rama vazhdon të xhirojë të njëjtin film si me Roshin, me Gjushin. “Çuna të mirë”, “çuna të rinj që kanë bë ndonjë faj të vogël”, “çuna që punojnë për bukën e gojës” “ që nuk e dinë se janë dënuar”. E pas alarmit të fakteve vjen pjesa e dytë: “dru i shtrembër”, “mollë e kalbur”, “partia është e pastër dhe e fortë” etj, etj. Është ai që i zgjedh, ai që i promovon, që i majmi me lekë e interesa dhe në fund për të bërë figurën e mirë dhe i hedh. Kështu do bëjë dhe me Kajmakun e Partisë por kështu do bëjë dhe me ndonjë tjetër që do dalë në ditët në vazhdim. Rastet dëshmojnë që Rama nuk mund të shkëputet nga e kaluara dhe e tashmja e tij e marrëdhënies së ngushtë me krimin. Me to ka marrë votat, me to ndan paratë, me to ndan pushtetin. E për ta shëruar këtë sëmundje duhet të shkulet meduza që lidh krimin me politikën, vetë ky kryeministër.

-Presidenti Ilir Meta ka nxjerrë një dekret përmes së cilit imponon që në 13 tetor të mbahen zgjedhjet lokale, pasi sipas tij, por edhe opozitës 30 qershori është nul. Mirëpo, të vetmit që iu përgjigjën dekretit të kreut të shtetit ishin LSI dhe aleatët e PD, të cilët nxituan të regjistroheshin në KQZ, pavarësisht se kjo e fundit e bllokoi një gjë të tillë. Përse PD doli nga rreshti i opozitës dhe a kemi një krizë brenda kampit opozitar?

Është shpjeguar qartë që çdo vendim ka qenë i përbashkët dhe i rakorduar me aleatët. Regjistrimi i tyre ka kërkuar vënien në lëvizje të KQZ dhe të mazhorancës për të zbatuar dekretin e Presidentit, gjë që nuk ka ndodhur. PD e ka njohur publikisht 13 tetorin si datë kushtetuese dhe ka shprehur gatishmërinë që sapo të plotësohen kushtet politike të largimit të Ramës e qeverisë tranzitore dhe zgjedhjeve politike të njëkohshme ajo bëhet menjëherë pjesë e garës. Lëvizja është thjesht taktike politike dhe nuk mund të jetë pika e debatit gazetaresk. Sot çështja kryesore është kriminalizimi i jetës ekonomike e politike, grabitja e pandalshme, korrupsioni galopant e domosdoshmëria e largimit të kësaj bande nga pushteti. Çdo devijim i debatit politik zgjat ditët e Ramës në vrapimin e tij të marrë drejt çmendurisë.

-Si janë raportet mes PD dhe LSI? A kemi një krisje të marrëdhënieve mes këtyre dy partive?

Përtej hamendësive emocionale politike dhe larg diversioneve të frymëzuara nga zyra interesash janë marrëdhënie korrekte brenda një fronti të gjerë opozitar ku shumësia e mendimeve ka qëllim largim sa më të shpejtë të banditokracisë.

-Menjëherë sapo aleatët e PD dorëzuan në KQZ kërkesën për të hyrë në zgjedhje, kryedemokrati Basha deklaroi se kushdo është i lirë që të zbatojë dekretin e Presidentit, por PD nuk hyn në zgjedhje përsa nuk janë plotësuar kushtet e artikuluara prej saj sikundër është zgjedhje të parakohshme nën kujdestarinë e një qeverie tranzitore. Sa të arritshme janë këto kërkesa?

Në çdo demokraci zgjedhjet janë mjeti dhe mekanizmi që zgjidh ngërçet dhe krizat. Askush nuk mund të mbajë me përdhunë një pushtet të diskretituar, të grabitur dhe të korruptuar, kur qytetarët e kërkojnë një gjë të tillë. Vullneti i sovranit duhet të shprehet i qartë dhe i plotë dhe ai nuk mund të jetë një vendim politik i disa njerëzve që mbrojnë me anë të pushtetit interesat kriminale, por një vullnet i shprehur me votë të lirë e proces zgjedhor me parime e norma demokratike. Nuk është PD e aleatët që kërkojnë largimin e Ramës si realizim i ambicies politike, por janë vetë qytetarët ata të cilët e parashtrojnë një kërkesë të tillë. Vendi është në një prag katastrofë ekonomike e sociale dhe përgjegjësi i kësaj situate duhet të largohet domosdo, për ti lënë rrugë të lirë alternativave më të mira dhe të besueshme që do të ndërtonin një perspektivë të besueshme të zhvillimit të vendit dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve. Mandatet nuk janë hipoteka politike, por janë vullnete qytetare që ata i besojnë për të përmirësuar jetët e tyre. Kur ndodh e kundërta, kur kontrata griset atëherë zgjedhjet janë domosdoshmëri. Ka mijëra arsye që Rama të largohet dhe kjo në një formë ose në një tjetër do të ndodhë. Një qeveri tranzitore do krijonte kushtet për të bërë një ndryshim epokal në raport me vlerën e votës në vendin më demokracinë më të rrënuar në Evropë.

-Opozita ka paralajmëruar rikthimin e protestave. A mund të na thoni se kur do të nisin dhe a besoni se do japin rezultat, pasi deri më tani ju keni protestuar, por qëllimi për të rrëzuar qeverinë nuk është arritur?

Çdo protestë që kemi bërë ka dhënë rezultatin e saj. Nuk është kuriozitet të them se ato nisin në shtator, por nuk mund të shuaj kuriozitetin se si do jenë ato. Të gjithëve u ka ardhur në majë të hundës dhe askush më nuk do presë ardhjen e ëndrrës kryeministrore që një mëngjes të bukur Rama të zgjohet me dorëheqje në dorë. Nëse nuk largohet qytetarët do ta shporrin.

-Mazhoranca ka ndërmarrë një nismë për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta nga detyra. A besoni se do ndodhë një gjë e tillë?

Ishte dhe është një shantazhim tipik majtist dhe shprehje e një arrogance tashmë të instaluar, por që rezultatin nga pas e ka zero. Presidenti largohet vetëm nëse ndërmerr aktin e dorëheqjes. Mazhoranca nuk mund ta shkarkojë atë. Argumentet ligjore për këtë janë thënë e stërthënë.

-Në media dhe korridoret e politikës flitet se Basha mund të shkojë drejt një pakti të dytë me Ramën për të mirën e Shqipërisë dhe integrimit. A do ta mbështesnit një gjë të tillë?

Basha nuk ka lënë vend për hamendësime të tilla mediatike apo korridoresh. Është shumë i prerë dhe i qartë: Marrëveshje me Ramën kryeministër nuk ka.

-A besoni se me ndihmën e ndërkombëtarëve do marrë fund kriza politike që ka kapluar vendin prej gati 7 muajsh?

Ka një angazhim serioz të faktorit ndërkombëtar i cili vazhdon të ketë një peshë specifike në ekuilibrat politikë në Shqipëri. Një angazhim i plotë i tyre çon në zgjidhjen e krizës dhe i jep fund paarsyes e çmendurisë së Kryeministrit.

-Së fundmi është hapur një debat mbi mënyrën se si menaxhohen fondet publike. PD akuzon një ministre të qeverisë "Rama" se përmes udhëtimeve dhe dietave ka përfituar para në kurriz të qytetarëve. Keni një koment?

Shpërdorimi me miliona euro i fondeve publike është një ves i pashërueshëm i Rilindjes. Luksi qeveritar kapërcen çdo fantazi. Vetë Rama është shembulli më tipik. Dalja e fakteve të tilla shtojnë argumente para publikut për të vërtetën e hidhur të fatit të parave që u merren atyre nga xhepat me mijëra forma. Gjonaj është si Rama, Rama si Shalsi, Shalsi si... ç‘rëndësi ka. Populli thotë: Të gjithë derrat një turi kanë.

-Zoti Boçi, edhe pak ditë na ndajnë nga fillimi i vitit të ri shkollor. Si një njeri që i përkisni fushës së arsimit, a mund të na thoni se si paraqitet gjendja në arsimin shqiptar dhe se çfarë do bëni ju ndryshe kur të vini në pushtet për këtë sektor?

Askund nuk flitet për arsimin. Arsimi në Shqipëri është në gjendje kome. Është instaluar një inerci që vetëm pluskon pa sjellë asgjë të re. I painvestuar, i traumatizuar në burimet njerëzore ai vazhdon të jetë një sektori dorës së dytë. Cilësia e tij ka kaluar në alarm katastrofe. Ndërhyrjet ligjore e politike pa kriter kanë dëmtuar funksionin edukues dhe mësimdhënës të arsimit parauniversitar dhe kanë vrarë zemrën shkencore të universiteteve duke i shndërruar këto në vende ku thjesht flitet për diçka. Ministrja ende është duke lexuar manualet se si funksionon një orë mësimore ndërsa ministria e tërë po shijon ende pushimet e verës. Alarmi është ndezur dhe faktet e të rinjve që largohen në masë nga vendi sikurse mijërat që e braktisin atë, janë ulërima e së ardhmes që kërkon ndryshimin e së sotmes. Ne do ta buxhetojmë në masën e duhur, do ti japim fëmijëve tanë edukim e dije cilësore, të rinjve universitete të mbështetura e që prodhojnë diploma cilësore, me kushte e kërkesa evropiane. Mbështetje për çdo të ri që kërkon të vazhdojë një shkollë të lartë e përkrahje për ata që i drejtohen tregut të punës pas marrjes së diplomës. Kërkim shkencor tërësor dhe konkurrues në rajon e më gjerë. Arsimin do ta vendosim në vendin që i takon dhe do t’i japim vlerën e mohuar përgjatë këtyre viteve regres.

Intervistoi: Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/11/2019 - 10:37

Si sot 6 vite më parë, u nda nga jeta ish-deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, teksa po udhëtonte me makinën e tij nga Elbasani drejt Tiranës.

Postuar: 20/11/2019 - 10:29

Për të diskutuar për situatën dhe krizën politike ku ndodhet vendi, që vetë Ilir meta e ka quajtu

Postuar: 20/11/2019 - 09:34

Pas tryezës së përbashkët me Bashën dhe aleatët e tij, Presidenti Ilir Meta do të vazhdojë sot&nb

Postuar: 20/11/2019 - 09:20

Reforma në drejtësi duket se po lë pa gjumë shumë politikanë në vend.

Postuar: 20/11/2019 - 09:10

Presidenti Ilir Meta ka pritur dje në një takim përfaqësuesit e partive opozitare jashtë Parlamen

Postuar: 20/11/2019 - 09:00

Prezenca e OSBE në Tiranë duket se është hakmarrë ndaj presidentit Ilir Meta, pas shpalljes non g

Postuar: 20/11/2019 - 08:20

Mbushen sot gjashtë vite nga dita e ndarjes nga jeta e ish-deputetit demokrat Sokol Olldashi.