Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Mbyllja e vlerësimit të pronave, Myrshit Vorpsi: Janë mbi 10 mijë dosje pa zgjidhje, do i drejtohemi sërish gjykatës

Postuar: 09/03/2019 - 08:07

Pronarët kanë dalë kundër vendimit të Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Edhe pse kjo agjenci vendosi të mbyllë procesin e vlerësimit, për Myrshit Vorpsin, kryetar i Shoqatës Kombëtare Pronësi me Drejtësi, ka ende shumë probleme. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, Vorpsi theksoi se janë rreth 10 mijë doje që nuk kanë gjetur zgjidhje. Pa ashtu, ai ka thënë se qeveria po i detyron pronarët të shkojnë sërish në gjykatë.

Qeveria ka mbyllur procesin e vlerësimit të pronave, na jepni më shumë detaje rreth kësaj çështje?

Kjo çështje është shumë delikate, pasi qeveria ka pranuar dështimin. Madje, me mbylljen e këtij procesi ka pranuar dështimin. Sepse janë pikërisht 6800 çështje, të cilave qeveria si përgjegjëse e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, nuk iu ka dhënë përgjigje qysh nga viti i largët 2008. Sa për sqarim në 2008-ën, janë regjistruar deri në vitin 2013 para se të dilte ky ligj i famshëm “133”, 10 mijë e 216 çështje, të deklaruar tek ATP. Dhe po të deklaruara nga Agjencia e Trajtimit të Pronës këto 10 mijë e 216, pronarët e këtyre pretendonin përpara ATP-së dhe nesër përpara gjykatave që t’u kthehej ose t’iu kompensohej një sipërfaqe toke 4 mijë e 200 hektarë tokë truall dhe 142 mijë hektar tokë bujqësore. Këto çështje që ishin të depozituar sipas ligjeve të kohës në fuqi, kanë fjetur për 10 vjet më radhë në dyert e ATP-së nga vitit 2015 e këtej. Dhe shteti shqiptar në 10 vite këtyre çështjeve dhe kërkesave që kanë pasur pronarët nuk i kanë kthyer përgjigje. Sot jemi në një situatë pas tre vjetësh, ku shteti pranon dështimin dhe thotë: “Unë nuk i kam shqyrtuar dhe të gjithë këta pronarë të shkojnë në gjykata”. Ky është një dështim. Ndërsa dështimi i dytë ka të bëjë me atë që quhet vlerësimi financiar i 24 mijë vendimeve. Përtej asaj që agjencia ka transmetuar sepse i tillë ishte ligji, domethënë qëllimi i veçantë i atij vlerësimi që fatura financiare që ishte për kompensimin e pronarëve shqiptarë të ulej. Për të qenë i drejtpërdrejt me ju, shteti shqiptar nëpërmjet ligjit “133”, kishte marrë përsipër që të vlerësonte financiarisht dhe sipas atij vlerësimi që ka bërë ATP, me çmimet e vitit 2016 të gjithë vendimmarrjen e deriatëhershme të Agjencive dhe Trajtimit të Pronave. Pra që bëhet fjalë për plot 24 mijë e disa vendime të dhënë në harkun e viteve 1993 që kur hyri në fuqi ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave, deri në vitin 2013.

Çfarë vendimesh kanë dhënë Agjencitë e Trajtimit të Pronave për kompensimin e pronarëve?

Detyrimi i shtetit shqiptar ishte që t’i vlerësonte financiarisht këto sipërfaqe toke që ishin për kompensim. Dhe këtë detyrë e kishte për qëllim ligji “133” i famshëm i vitit 2015 i bërë nga qeveria. Këto vendime janë deri në vitin 2013, pas për dy vjet me radhë ATP nuk dha vendime sepse i kishte mbaruar afati kohor, sipas ligjit, ashtu sikundër i ka mbaruar edhe sot që flasim afati kohor Agjencisë së Trajtimi të Pronave, këta bën vlerësimin. Këta kanë bërë një vlerësim, të cilin ne si shoqatë me grupin tonë të specialistëve, kemi mbledhur vetëm shumatoren që ka nxjerrë ATP dhe kanë dalë që për këto 24 mijë vendime, janë vlerësuar në nivelin e 600 milionë euro nga qeveria dhe Agjencia e Trajtimit të Pronës. Pjesa tjetër e vendimeve janë skualifikuar sipas proceduarave që ka pasur ky ligj. Pra, janë vlerësuar me vlerën negative që do t’i kenë efekte pas kësaj kohe që flasim. Dhe po ne si shoqatë, po këto prona, mbi bazën e databasit që ka ATP-ja kemi vlerësuar se sipas kërkesave të ligjit “2935”, ky i fundit është shfuqizuar nga ligji “133”, me këto çmime të vitit 2016, sipërfaqet që kishin miratuar komisionet e kthimit të pronave për kompensimin e pronarëve në harkun kohor 1993-2013, nuk vlerësoheshin 600 milionë euro, sikundër pretendon qeveria, por vlerësoheshin plot 4.9 miliardë euro. Kjo është një arsye për të treguar që qëllimi i vërtet i ligjit “133” i miratuar në vitin 2015 ishte fakti se si duhet të ulte në maksimumin e mundshëm detyrimin që shtetit shqiptar kishte kundrejt pronarëve shqiptar. Kjo është edhe arsyeja pse ne si shoqatë kemi thënë, se n.q.s se për 45 vjet në kohën e komunizmit ne si pronarë ishim armiq të popullit, sepse nga u konfiskuan pronat, tani përkundrazi jemi shpallur armiq të shtetit dhe të financave të brishta që shteti shqiptar ka. Pikërisht për hir të kësaj fature.

Çfarë problemesh sjell ky mekanizëm i përdorur nga qeveria?

Atëherë, ky mekanizëm i përdorur nga qeveria gjithë thelbin e vetë e ka në nenin 61, të ligjit “133”, i cili thotë që vlerësimi financiar i vendimeve të komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave do të bëhet mbi bazën e zërit kadastral që ka pasur toka e pronarit në momentin e shpronësimit. Por duhet të kujtoni që para disa kohësh Gjykata Kushtetuese para se të shkrihej, kishte thënë që vendimit që ka marrë komisioni i trajtimit të pronave, përsa kohë që nuk janë ankimuar në gjykatë, janë edhe tituj ekzekutiv dhe si të tillë nuk mund të shfuqizoheshin. Me këtë veprim të Kushtetueses, në mënyrë të pavetëdijshme qeveria e pa që e kishte të pamundur që të ndryshonte shifrat e kompensimit për pronarët shqiptarë. Sepse e pengonte pikërisht kjo. Kështu që qeveria shqiptare me qëllimin që të ulte dëmshpërblimin që kishte kundrejt pronarëve shqiptarë, zgjodhi mekanizmin tjetër, duke thënë se ne nuk po iu ulim metra katrorë, por do të ulë vlerësimin se sa bën një metër katror. Dhe pikërisht me nenin 61 të ligjit “133”, gjeti këtë mekanizëm, ku nuk uli metrat katrorë por vlerësimin për metrat katrorë. Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese tha që metri katror, sipas këtij vlerësimi që ka bërë Agjencia e Trajtimit të Pronave në momentin e shpronësimit duhet të jetë kaq. Ndërkohë që me miratimin, po të Kushtetueses kishte plot që nga viti 1993 deri në vitin 2013, që i bie 20 vjet që ligji thoshte: “Tokë truall quhet sipërfaqja e tokës që ka qenë brenda vijave kufizuese të qendrave të banuara në momentet e hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Por pas 20 vjetësh, shteti shqiptar,që nënkupton këtu Parlamentin thotë se nuk do quhet ligji i vitit 1993 dhe i vitit 2004, quhet ajo e vitit 1945. Ky mekanizëm ka sjellë këtë diferencë që ne e vlerësuam 4. 9 miliardë euro, ndërsa qeveria i vlerësoj 600 milionë euro, duke e ulur frikshëm shifrën.

Po çfarë ka ndodhur?

Në nëntor të vitit 2015 dhe në mars-prill të vitit 2016, Gjykata e Strasburgut ka dhënë 5 vendime individuale. Kështu që në këto 5 vendime pretendimi i Avokaturës së Shtetit dhe shteti shqiptar ka qenë pikërisht ky, që ne jemi dakord t’i kompensojmë këta pronarë. Por ne pronën e kthyer pronarëve sipas zërit kadastral në momentin e shpronësimit, siç e ka ligji “133”. Në vendimmarrjen e saj Gjykata e Strasburgu e hodhi poshtë këtë vlerësim dhe i tha shtetit shqiptar: “Jo, prona për kompensimin e pronarëve shqiptar do të jetë ajo që ka sipas vlerës aktuale që ajo ka”. Dhe të gjitha pretendimet e shtetit shqiptar në këto 5 çështje janë rrëzuar poshtë nga Strasburgu. Tani ne presim, pas këtyre vendimeve që shteti shqiptar të shpallë vendimet. Janë plot 89 vendime nga 24 mijë që janë në total, që me çmimin e vitit 2016 të këtyre pronarëve, vlerësohen nga Avokatura e Shtetit, me shifrën e 462 milionë euro. Pra, 24 mijë vendime me ligjin “133” i ka vlerësuar rreth 600 milionë euro. Ndërkohë që Gjykata e Strasburgut nga këto 24 mijë vendime të ATP-së për plot 89 vendime me çmimet e vitit 2016 i ka vlerësuar plot 462 milionë euro. Atëherë, për 24 mijë vendime qeveria ka dhënë 600 milionë, ndërsa Strasburgu për 89 vendime 462 milionë euro. Pra, ne i kemi sytë nga Gjykata e Strasburgut, pasi një vendim i kësaj, na jep mundësinë që ne t’i drejtohemi përsëri Gjykatës Kushtetuese për ta quajtur si anti-kushtetues nenin 61 të ligjit “133”. Kështu që nëse ky nen bie poshtë, e gjithë struktura e detyrimit që shteti shqiptar ka kundrejt pronarëve bie poshtë. Ne i qëndrojmë pretendimeve tona, ku kërkojmë që shteti të na japë 4.9 miliardë euro. Por nga ana tjetër shteti me përkufizimin e ri meqenëse kishte edhe topin edhe bilbilin tha: “Topin e kam unë, penalltinë e gjuaj unë”, duke dalë rek shifra e saj e kompensimit 600 milionë euro nga 4.9 miliardë euro që na takojnë neve si pronarë. Mos harroni që kundër ligjit të qeverisë doli edhe Strasburgu. Pra, thënë më drejtë nga 600 milionë euro, 80% është kompensim fizik, ndërsa 20% kompensim financiar. Kjo është qesharake.

Po ju si shoqatë çfarë kërkoni?

Ne kur po diskutohej ligji i ri i thamë deputetëve në komisionet parlamentare që nenin 61 është anti-kushtetuese dhe se e ka rrëzuar edhe Gjykata e Strasburgut. Por ata na thanë që ne i marrim vendimet mbi ligjet e vendit. Ndërkohë që të njëjtin motiv dhe argument dha edhe Gjykata Kushtetuese, e cila tha që nenin 61 i ligjit “133” është në përputhje me Kushtetutën, duke na penalizuar në këtë mënyrë neve. Këta dolën kundër Strasburgut.

Si e shihni këtë vendim të qeverisë dhe a është mbyllur shqetësimi i të gjitha dosjeve të mbartura në vite?

Jo, aspak. Përkundrazi e ka thelluar hendekun. Jemi në një pozicion delikat, pasi përkundrejt stabilitetit, ne si shtet po i shesim të gjitha, përfshi këtu demokracinë. Madje, duhet të themi edhe diçka tjetër, pasi vlerësimi 600 milionë euro i bërë publik nga ATP-ja nuk është një shifër përfundimtare. Pasi sipas një VKM-je të vitit 2017, në zbatim të ligjit “133”, Agjencia e Trajtimit të Pronave, për një pronar, për të cilin kanë dalë me tepër se dy vendime, nga komisioni i pronave, ATP do t’i mbledhë vendimet në një. Kjo do të thotë se një pronari i vlerësohet toka me çmimin që p.sh: që nga 1 mijë metra katror, unë do të kompensoj 100 m2 me çmimin aktual psh: 600 mijë lekë për metra katror. Ndërsa 900 m2 do t’i vlerësoj si tokë bujqësore me vlerën 4 mijë lekë për metra katror.

Po si do ta zgjidhni këtë çështje, do bëni ankimime në gjykata?

Ne aktualisht kemi 4 ankimime në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa po përgatitim edhe një të pestë që kur të mblidhet kjo gjykatë, e cila shpresojmë që të mos jetë notere e Qeverisë dhe Parlamentit, shpresojmë se do të kemi një gjykim tjetër dhe një ligj tjetër. Dhe në momentin që do kemi një ligj tjetër, kjo vendimmarrje marrë deri më tani nga Agjencia e Trajtimit të Pronave do të bëhet nul. Domethënë neve iu kemi thënë të gjithë pronarëve shqiptarë, që të gjitha vendimet që ka marrë ATP referuar këtij ligji, duke cenuar kështu interesat e pronarëve, t’i ankimojnë në gjykata. Madje, në të gjithë gjykatat, siç është ajo Administrative. Ndërsa të gjithë ata pronarë të rreth 6800 dosjeve, iu themi drejtohuni tek Gjykatave të Apelit. Dhe kjo është një thirrje konstante që ne kemi bërë dhe bëjmë për pronarët shqiptar. Aq më tepër edhe që njoftimi i Agjencisë së Trajtimit të Pronave, duke nënkuptuar këtu qeverinë, ka thënë që për 6800 çështje që unë nuk ua kam trajtuar drejtohuni gjykatave. Ne do të ankimojmë në gjykatë edhe ligjin edhe faturën që ka bërë ATP-ja.

Intervistoi:Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/03/2019 - 20:44

Sipas PD, 14 ish-deputetë ishin të pranishëm mbrëmjen e sotme me banorët e zonës së Unazës së Re.

Postuar: 20/03/2019 - 20:40

Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, ishte e ftuar këtë të mërkurë në emisionin &ldquo

Postuar: 20/03/2019 - 20:21

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho gjatë një bisede televizive në Ora News, është sh

Postuar: 20/03/2019 - 19:58

 Deputeti Myslym Murrizi i ka kthyer një përgjigje të hidhur Presideniti Ilir Meta, pas dekl

Postuar: 20/03/2019 - 19:54

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një postim në rrjetet sociale, tregon se gjatë vi

Postuar: 20/03/2019 - 19:26

Ish deputeti i PD, Klevis Balliu, i është bashkuar protestës së banorëve të Astirit duke deklarua

Postuar: 20/03/2019 - 19:10

Ndërsa nga Ilir Meta vijnë deklarata të forta për zgjidhjen e krizës, dy drejtuesit e partive kry