Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Myrshit Vorpsi: Qeveria fushatë me ligjin e legalizimeve, nuk publikohet sipërfaqja e tokës që duhet t’u kompensohet pronarëve, ja problematikat

Postuar: 25/09/2019 - 08:55

Çështja e pronave në Shqipëri ende vijon të jetë një shqetësim për pronarët, të cilët ende nuk kanë marrë dëmshpërblim nga shteti. Kryetar i Shoqatës Kombëtare Pronësi me Drejtësi, Myrshit Vorpsi, në një intervistë të dhënë për gazetën “SOT” komentoi vizitën e një grupi nga Komisioni i Venecias, duke u shprehur se ata erdhën në Shqipëri me kërkesë të qeverisë shqiptare, e cila i ka kërkuar mendim për plotësimin e ligjit 7501, e cila përkon me ligjin e shpërndarjes së pronës. Më tej, kryetar i Shoqatës Kombëtare Pronësi me Drejtësi deklaroi se ligji i legalizimeve po përdoret nga qeveria vetëm për fushatën zgjedhore, duke shtuar se nga ana e shtetit nuk po bëhet asnjë transparencë për sipërfaqet e tokës që duhet tu kompensohet pronarëve. Vorpsi u shpreh se pronarët shqiptarë nuk kanë marrë asnjë kompensim të pronave të tyre, ku thekson se asnjëri nuk e di se kur do të mund ti përfitojnë. Myrshit Vorpsi tha se janë 89 çështje të cilat janë ende në pritje të një vendimi nga Gjykata e Strasburgut. Kryetar i Shoqatës Kombëtare Pronësi me Drejtësi deklaroi se është kërkuar më herët rrëzimi i ligjit 133 që është miratuar nga Parlamenti, por Gjykata Kushtetuese e cilësoi këtë ligj si kushtetues. Sipas Vorpsit, qeveria me anë të ligjit 133 po stimulon shumë ndërtimet pa leje, ku thekson se duhet rrëzuar neni 61 i këtij ligji.

-Në Tiranë erdhi pak ditë më parë një grup nga Komisioni i Venecias për ligjin e pronave. Si e shihni këtë vizitë dhe për ata që nuk e dinë, cili ishte qëllimi specifik i kësaj vizite?

Vizita erdhi për një projektligj për transferimin e pronave. Është një projektligj kompleks që ka të bëjë më tepër me një përmasë në katër aspekte. Ka një plotësim për legalizimet, ka një plotësim tjetër për 7501 për ligjin e shpërndarjes së pronës. Një tjetër aspekt është ai i pronave të pushtetit vendor dhe qendror. Pra janë katër ndërhyrje, që kanë të bëjnë më tepër me faktin që qeveria shqiptare është e interesuar që për këtë punë i është kërkuar një mendimi i Komisionit të Venecias nga qeveria shqiptare. Realisht nuk është një projektligj i ri. Ky është një projektligj që dihet se përse nuk u votua deri më sot, sepse ky ligj kaloi nëpër komisionet parlamentare, ka gati një vit. Kur erdhi votimi në seancë plenare, befas ndodhi një ndryshim dhe që nga dhjetori i vitit 2018 e deri më sot ky projektligj ka ngelur pa u votuar.

-Si e shihni ju ligjin që ka miratuar Parlamenti dhe si po ecën procesi i kompensimit nga legalizimi i banesave informale?

Ligjin 133, që është miratuar nga Kuvendi, ne e kemi kundërshtuar dhe e kemi çuar në Gjykatën Kushtetuese, por kjo gjykatë vendosi që ky është një ligj kushtetues. Në atë kohë Gjykata Kushtetuese, Komisioni i Ligjeve dhe Parlamenti shqiptar u vunë në dijeni të faktit që ishte marrë vendimi në nëntor të 2015, që Gjykata e Strasburgut rrëzoi thelbin e ligjit 133 të nenin 61 që ka të bëjë me vlerësimin e pronarët shqiptar sipas zërit kadastral, që prona ka pasur në momentin e shpronësimit. Qeveria shqiptare nëpërmjet këtij projektligji ka kërkuar të stimulojë ndërtimet pa leje. Ky ligj po kalonte në seancë plenare dhe në dhjetor të 2018 u kërkua një shtyrje tjetër e afatit të deklarimit të pasurive. Në pragun e një fushate të ardhshme elektorale, qeveria shqiptare kërkon që të bëjë fushatë më ligjin e legalizimeve, duke e përdorur si kalë beteje. Kur afrojnë fushatat zgjedhore, atëherë kujtohet qeveria shqiptare dhe shteti të bëjë ndarjen e tokës bujqësore. Qeveria shqiptare në mënyrë të pakuptimtë nuk po bën një transparencë të domosdoshme dhe të nevojshme sa i takon ligjit të legalizimeve. Ligji për legalizimet ka kaluar që në 2006 dhe akoma sot e kësaj dite shteti shqiptar nuk bën publike se sa është sipërfaqja e tokës që duhet t’u kompensohet pronarëve shqiptarë për efekt të ligjit të legalizimeve, pra për personat që do dëmshpërblehen. Shteti shqiptar dhe qeveria shqiptare akoma nuk e kanë ndjekur këtë procedurë. Duhet të kemi parasysh se me procesin e legalizimeve, vlera e parcelave që iu shiten ca personave që kanë pushtuar ca toka është me çmime favorizuese, e cila në kushte normale maksimumi mund të shkojë në vlerën e 20 mijë lekëve të vjetra për metër katrorë. Ndërkohë që diferencën që ka çmimi aktual i asaj prone që duhet t’i shpronësohet pronarit, është shumë më i madh sesa pjesa që ai duhet të paguajë. Sot aktualisht, në mënyrë të pakuptueshme, le të themi në mënyrë kriminale, shteti shqiptar ende nuk ka dhënë një afat se kur do ta kompensojë pronarin shqiptar. Në ligj ende nuk ka një afat kohor se kur qeveria duhet t’u japë paratë pronarëve. Nëse në 2008 ka dalë vendimi i parë për shpronësim, deri sot që flasim asnjë pronar nuk ka marrë asnjë shpërblim. Asnjë nuk e di se kur qeveritë do ti dëmshpërblejnë pronarët shqiptarë.

-Si po ecën procesi i zbatimit të vendimeve të Strasburgut, pasi ka shumë vendime që detyrojnë qeverinë shqiptare të dëmshpërblejë ish-pronarët?

Ne jemi në pritje për marrjen e vendimeve nga Gjykata e Strasburgut për 89 çështje që tashmë janë bërë histori. Ligji 133 është një ligj që është në kundërshtim me parimet e Gjykatës së Strasburgut. 89 çështjet janë vlerësuar me çmimet e 2016 nga Gjykata e Strasburgut, të paktën sipas deklarimit të avokatit të shtetit në atë periudhë, në nivelin e 420 milionë eurove. Ky ka qenë vlerësimi financiar i 89 çështjeve. Nëse rrëzohet neni 61 i ligjit 133, gjithë ligji që ka sjellë këtë gjë do të rrëzohet. Në fakt i gjithë ligji është i rrëzuar nga vendimmarrja e gjykatës tonë. Ligji nga vendimmarrjet e mëparshme të Gjykatës së Strasburgut është i rrëzuar në thelbin e tij dhe këtë gjë qeveria shqiptare e di shumë mirë. Në nëntor-dhjetor të 2015 po kalonte ligji në komisionet parlamentare dhe unë në emër të shoqatës i kam dorëzuar anëtarëve të Komisionit të Ligjeve vendimin e Gjykatës së Strasburgut që sapo ishte marrë, e cila kishte rrëzuar kërkesën e qeverisë shqiptare që vlerësimi i pronarëve të bëhej sipas zërit kadastral që ka pasur prona e tyre në momentin e shpronësimit. Por qeveria ishte e interesuar që të bënte një gjë dhe realisht koha i ka dhënë të drejtë qeverisë në vendimin që ka marrë. Ai ligj ishte një ligj që shteti shqiptar për këtë periudhë 4 vjeçare që ka kaluar të mos merrte asnjë gjë në favor të pronarëve shqiptarë. Në 22 mars të këtij viti i ka mbaruar mandati 3 vjeçar ATP që vlerësonte 8600 dosje të patrajtuara akoma.

-Kur janë depozituar këto dosje?

Këto dosje janë të depozituara që nga viti i largët 2008-2009 pranë ATP dhe nga 2008-2015 shteti shqiptar dhe ATP nuk kanë bërë lëvizjen më të vogël që të vlerësonte këto vendime. Tani presin që këto vendime të shkojnë të vlerësohen pranë gjykatave shqiptare. A ka tallje më të madhe që shteti shqiptar ka bërë me pronarët? I kanë plotësuar 8600 dosje pronarët shqiptarë, i kanë depozituar qysh në vitin 2008. Pronarët do shkojnë edhe një herë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe atë të Apelit dhe si përfundim nuk do bëhet asgjë. Kjo qeverisje nuk do të bëjë absolutisht asnjë gjë. ATP do i japë kompensim financiar një pronari, i cili heq dorë me një deklaratë noteriale nga 80 për qind e shumës që është vlerësuar që të marrë 20 për qind të shumës. Pra këtë punë i bën shteti pronarëve, ka 4 vjet. ATP e di mirë që pa mbaruar vlerësimi financiar nga gjykatat i atyre 8600 dosjeve dhe pa përfunduar dhe vlerësimi financiar për ato pjesë të vendimeve që janë 9000-10000 vendime pa një vlerë financiare, nuk mund të fillojë dot kompensimi fizik i pronave. Sipas ligjit dhe sipas vendimit 766 të këshillit të ministrave pasi të mbarojë ky cikël, për të gjithë pronarët që kanë më tepër se një vendim do bëhet një shumatore e vlerës së atyre vendimeve që mund të ketë pronari. Sipas vendimit 766, pronari nuk mund të marrë kompensim financiar më tepër se 100 milionë lekë, pavarësisht se mund të ketë dy vendime që mund të kenë vlerën më shumë se 100 milionë lekë, ligjvënësi është kujdesur që ti bashkojë të dyja vlerat, por jo të marrë më shumë se 100 milionë lekë. Është i sigurt që ligji do bjerë nëse do ketë një vendimmarrje nga Gjykata e Strasburgut, sepse ne do i drejtohemi edhe një herë Gjykatës Kushtetuese, e cila do ngrihet së shpejti ku do kërkojmë shfuqizimin e nenit 61. Në 2025 ligjit i mbaron afati i zbatimit të tij, sepse ligji ka një afat 10-vjeçar që të përfundojë. Pra ligjvënësit do miratojnë një ligj tjetër dhe do shtyhet një periudhë tjetër për kompensimin e pronave. Që nga 2004 e deri sot shteti është tallur me pronarët. Nëse deri më sot nuk ka një vendimmarrje nga Gjykata e Strasburgut, ka qenë loja që ka bërë qeveria shqiptare në raport me Strasburgun. Nga viti 2016 që janë marrë në shqyrtim 3 çështje nga 89 për të cilat Gjykata e Strasburgut nuk ka marrë ende vendim.

Intervistoi : Elisjeda Kiko

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/10/2019 - 23:59

Kryeministri Edi Rama ka nisur aksionin pas mos hapjes së negociatave me BE.

Postuar: 21/10/2019 - 23:52

Kreu i LZHK-së, Dashmair Shehi  tha se është i gatshëm për të hyrë në zgjedhje të parakohshm

Postuar: 21/10/2019 - 23:45

Deputeti socialist Taulant Balla tha se Partia Socialiste nuk mbron askënd, por vë drejtësinë të

Postuar: 21/10/2019 - 22:55

Deputeti socialist Taulant Balla u shpreh se Kodi i Ri Zgjedhor do të votohet deri në fund të kët

Postuar: 21/10/2019 - 22:33

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma tha se opozita ia la të gjitha pushtetet Edi Ramë

Postuar: 21/10/2019 - 22:20

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi  tha se kryeministri Rama po synon që çdo pushtet ta ketë nën

Postuar: 21/10/2019 - 22:15

Gazeta prestigjioze amerikane Financial Times ka sulmuar në mënyre të ashpër vendimin e Këshillit